Pashtriku.org, 12. 02. 2013 – (Kjo ndërtesë ballkanike mund të forcohet, vetëm me forcimin e Shqipërisë. – Ismail Qemali – mesazh dërguar Fuqive të Mëdha, Vlorë 1917) – Shteti Shqiptar i 1912-ës është Shteti i dytë i shqiptarëve pas atij të 1822-it, dhe i treti është Shteti i Kosovës! – Pikërisht në vitin e 100 vjetorit të kurorzimit të Shtetit Shqiptar (1912), historianët grekë na afrojnë dokumentarin “Legjendat Kombëtare”, mbi fillozofinë e formimit të shtetit të parë Grek, ku arvanitasit kanë një rol të rëndësishëm. (Kanali SKY) Dokumentari hapet me vrasjen e Kryeministrit (shqiptar) Jani Kapodistria.
Historianët grekë me krenari shprehen se “nga viti 1831 Greqia është i pari komb – shtet i pavarur në Europë”. Kujtdo shikuesi do t’i lindte dëshira të njihej me luftëtarët dhe heronjtë e “Revolucionit grek” (1821-1930), që bëri një jehonë të jashtëzakonshme në Europën e shk. 19. Më tërhoqën vëmëndjen në dokumentar, pikturat e bëra nga Peter fon Hes, i dërguar posaçërisht nga mbreti gjerman Ludovik, për të përjetsuar ngjarjet dhe heronjtë e asaj kohe. Kudo paraqitet vetëm një veshje: ajo shqipëtare. Bile edhe pamjet e mbretit bavarez Otton të asaj kohe, janë me këtë veshje. “Fustanella është një veshje të cilën në Ballkan e përdorin vetëm shqipëtarët”.
Kryeministri shqiptar i Greqisë – Jani Kapodistria.
Po ku janë luftëtarët “grekë” dhe cilin kostum kombëtar kishin? Ç’flamur kishin trashëguar nga të parët e tyre, dhe nga cilët heronj kombëtar frymëzoheshin? Faktet historike dëshmojnë se flamuri i sotëm, u sajua mbas luftës së 1821-it (kryqi dhe vija blu në sfond të bardh) dhe pa asnjë domethenie nga trashëgimia “e lashtë” helenike. Edhe flamuri i shoqërisë Filiki – Eterise u kompozua në fillimet e shk. 19. Në pikturën ku prifti Germanos bekon “grekët” kryengritës të Patrës (të veshur me fustnella shqiptare), na shpaloset një flamur vetëm me një kryq blu në sfond të bardhë, si i kryqëzatave të Mesjetës.
Në trevat e Helladës, figura më e njohur historike e atyre viteve, ishte heroi i lavdishëm i shqipëtarëve, Skënderbeu. Udhëheqësi i kryengritjes dhe kryeministër i Greqisë T.Kolokotroni (1862) na thotë në kujtimet e tij: “E njoha jetën e Skënderbeut dhe koleksionoja veprat e tij”. (1) Në Parlamentin Kombëtar të Greqisë në Argolide, i mbretit Oton (Otton di Wittelsbach) (1832) edhe gjatë një dhjetvjeçari, bisedohej në gjuhën shqipe, ndërsa rendi i ditës hartohej greqisht. (2) Arsyeja sipas Sami Frashërit, ishte sepse “greqishtja…te cilën e dinë fort pakë edhe s’e mësojnë dot’ me gjithë që e çajnë kokënë, me qenë q’është aq’ e rëndë e aj’ e humbur’ e e haruarë, sa edhe nga ata, grekëret vetë, fort të pakë njerës mundinë ta mësojnë. (3)
Europianet e shk. 19, nuk gjetën gjëkundi pasardhësit e luftëtarëve Spartanë dhe të fiseve Doriane greqisht-folëse. Ngado që hidhnin sytë, në trojet e “Helenëve“ të lashtë, kudo ata u ndeshën me tiparet dominuese të arbërve: në popullsi, në luftë, në heronj, në këngë e në valle, në drejtim dhe në gjuhë. Studiuesi gjerman Falmerajer, që bëri hulumtime mbi „helenët“ e asaj periudhe (1857-1860 “Das albanesische elementi in Griechenland”), u shpreh se „nëse e quajme Greqinë “Shqipëri të Re” kemi kapur thelbin e teorisë. (4)
Shteti i parë „grek“, ishte themeluar nga shqiptarët!
Sipas historianit Luciano Canfora „të shkruash Historinë është njëkohësisht e domosdoshme dhe e pamundur“. Arësyeja është se arkivat e fitimtarëve, janë gjithmonë të mbyllura ose përdoren vetëm nga „persona që i përkasin strukturës qeveritare“. (5) Megjithatë, llogjika e ngjarjeve të pasqyruara në masmedia dhe botime të ndryshme, na ndihmon në këtë drejtim. Dita nacionale e Greqisë, 25 marsi 1821, që njihet nga historiografia botërore si datë e bekimit në manastirin e Aghia Lavres, të kryengritësve “grekë” nga arqipeshkvi i Patrës, Germanos, është një sajesë e mëvonshme. (6) Propoganduesi më i madh i kësaj date, ka qënë F.Pukëvili, i cili donte t’i jepte kryengritjes së 1821 ngjyrën kristiane. (7)
Në Historiografinë botërore, dhe as në “rrëfimin” e historianëve grek, nuk përmëndet data e 15. 01. 1821, kur Kuvëndi i Kapedanëve të Rumelisë shpalli «Aleancën e Bashkimit Kombëtar» të shqiptarëve, për nisjen e luftës çlirimtare me thirrjen: «Nderin dhe Kombin i kemi bashkë – Të krishterë e mysylmanë!» (8) Është i vetmi organizëm luftrak, që filloi dhe drejtoi luftën çlirimtare të 1821-it në tokën e Greqisë së ardhëshme.
Këta heronj, u vet-sakrifikuan të vendosur për të mos jetuar në robëri (Ja Liri, Ja Vdekje!) së bashku me “vëlla”-mët me fe tjetër, karakteristika të njohura të shqiptarëve. (9) Në monumentin e ngritur në Kolonaki, ku është gdhëndur betimi i organizatës “Filiki Eteria” që shpallet si autore e Pavarsisë së 1821, nuk gjëndet asnjë fjalë që të ketë lidhje me luftën, atdheun apo lirinë. Muajt e parë të 1821, shënojnë fillimin e luftimeve në krahinën e Manit, në Peloponez, nën udhëheqjen e Teodor Kolokotronit, Petrobej Mavromihalit, të kleftëve dhe popullsisë “arbëreshe, bashkë me të cilët luftuan dhe grekët, që i mbetën këtij vëndi…”(10) Një barrë të madhe të kësaj lufte, e mbajti flota detare e arbëreshëve të ishujve të Hidrës, Psarës dhe Specias me kapedanët shqiptarë Miauli, Kanari, Bubulina etj.
Edhe në vitet e Shtetit të ri “Helen”, “besoj se është e mjaftueshme të përmënd se kryesisht janë shqiptarët e atjeshëm që administrojnë Greqinë dhe veçanërisht përdorin flotën greke (11) Historiografia greke, duke i ngjyrosur emrat shqiptare me bojën greke (mbaresën „os“ dhe „is“) dhe duke fshirë gjithë gjakun e derdhur të shqiptarëve të fesë myslimane, që “janë fuqija më efektive e përleshjes me Turqinë, si bardhunjotët, laliotët në More“, (12) shpalos heroizmat e popullit, kapedanëve dhe kleftëve „grekë“ të denjë për paraardhesit e tyre të Lashtësisë. Mirëpo faktet historike të atyre viteve, dëshmojnë se në jugun ballkanik, përveç një pakice me popullsi të përzier (turke, sllave, bullgare etj) shumica ishin banorë arbëreshë dhe„nëse i nxjerrim jashtë këta arvanitas (myslimanë dhe të krishterë) nuk mbetej asgjë nga grekët dhe Greqia!“ (13)
Ky realitet në dokumentar, zëvëndësohet me problemin „madhor“ të trashëgimisë otomane. “Shteti grek e bazon të gjithë filozofinë dhe arësimin e tij, në një mos pranim të plotë të së kaluarës Otomane, dmth është harruar çdo gjë që ka lidhje me të kaluarën tonë otomane”. Këtu na duhet të nënkuptojmë “të çdo gjëje shqipëtare”, sepse në vijim të “rrëfimit” pohojnë se, në të kundërt “ende sot do të flisnim gjuhën Arvanitase”dhe do te ishte rrjedhimisht, një Shtet natyral Shqipëtar. Pra, duhesh vepruar shpejt për të shmangur këtë dëshirë, që vlonte në gjirin e popullsisë së shtetit të ri „Grek“, të arbëreshëve të Italisë dhe shqiptarëve të mbetur në Perandorinë Osmane.
Ismail Qemali, një nga njohësit më të mirë të politikës europiane të asaj kohe, në kujtimet e tij shprehet se „(Arvanitët, në kohën e mbretit Gjergj, 1900-shën im) dukeshin të pasigurtë nëse unë dhe bashkatdhetarët e mij do të mundnim të bashkpunonim me ta, për të mirën e Greqisë, ose nëse duhej të nxisnin atdheun e tyre të dytë, që të merrte pjesë në lëvizjen për restaurimin e atdheut të tyre të parë … por ndjenja më e këndshme nga të gjitha, qenë fjalët e adjutantit fushor të mbretit, që ishte me origjinë prej njerës nga familjet më heroike shqiptare, i cili më tha… bëni ç’është e mundur të krijoni një Shqipëri të lirë për ne, në mënyrë që të mblidhemi të gjithë përsëri atje!“ (14).
Në ditët e sotme, Historiografia europiane dhe botërore, na emërton “të vonuar” në zgjimin e ndjenjës kombëtare, në formimin e shtetit tonë (të 1912-ës) dhe në pjekuri politike, në krahasim me vëndet e tjera ballkanike dhe europiane. Ky përcaktim antihistorik për shqiptarët, është pranuar pa shumë llafe edhe nga Albanologjia zyrtare. Por, faktet historike dëshmojnë se arbërit, duke patur një ndërgjegje kombëtare të trashëguar, duke qënë një komb natyral, dhe jo “të formuar” në shekullin e 19-të, siç ka ndodhur në Mbreteritë europiane dhe popujt e tjerë ballkanas, kanë luftuar të parët dhe në mënyrë të pandërprerë, pa ndihmën e ndonjë fuqie të huaj aleate, për t’u çliruar dhe formuar një shtet të tyrin. Shteti Shqipëtar i 1912-ës, me të drejtë mund ta quajmë shtetin e dytë të shqiptarëve, pas atij të 1822-it, dhe i treti është ay i Kosovës!
Krijimi i tij, nuk qe një ngjarje e veçuar dhe e papritur, por kurorëzim i përpjekjeve në shk.19 për një shtet shqiptar, të Ali Pashës, të “Aleancës së Bashkimit Kombëtar”, të luftës popullore të 1821, dhe formimit të Qeverisë në qytetin (me shumicë shqiptare) të Nafplios, si dhe Organizmave luftarake, në të gjitha trevat natyrale të Shqiptarëve (Lidhja e Prizrenit, Lidhja e shqiptarëve të jugut).
Ngjarjet e shk. 19 në jug të Ballkanit (Greqia e sotme), janë pjesë e një zinxhiri luftrash të pandërprera 500 vjeçare të arbërve, kundër pushtimit otoman.
Sipas Aristidh Kolës, kjo mosbindje ndaj pushtuesit, që mbas rënies së Kostandinopojës më 1454-ën, “krijoi një urrejtje të jashtëzakonshme të turqve ndaj shqiptarëve, sepse ishin të vetmit, që nuk nënshtroheshin” (15) Këtë fakt e përforcon edhe bashkëkohësi i këtyre ngjarjeve, Pashko Vasa: “Të gjitha racat e tjera që nuk i përkisnin racës shqiptare…e pranuan në heshtje fatin e të mundurve dhe u treguan të gatshëm të jetonin në gjëndje vasaliteti…Gjithashtu të gjitha racat e popujt, që nuk ishin shqiptare, nuk e kanë njohur kurrë ndjenjën e detyrës, ndjenjën e të mbrojturit me armë të atdheut të përbashkët” (16). Edhe filozofi Sami Frashëri pohon se: “Shqipëtarët janë më trima, më guximtarë, më të lirë e më aktivë se të gjithë popujt e Lindjes” (17)
Thëniet e sipër-përmëndura, nuk burojnë nga përkatësia e tyre etnike apo “patriotizmi romantik”, siç akuzohen nga disa pseudo-studiues të sotëm, sepse do të na duhej t’i akuzonim si “patriotë romantikë shqiptarë” edhe shumë të huaj që i kanë theksuar këto fakte. Ato janë përfundime të nxjera nga një vëzhgim psikologjik dhe historik, i sjelljes së popujve të Ballkanit. Walter Barberis, studiues i historisë moderne dhe metodës së kërkimit historik shprehet se: “Një shoqëri pa rrënjë të përbashkëta, popuj pa histori apo kujtime të familjes…pa nje ide të përbashkët për atdheun, ose me fjalë të tjera pa ndjenjën e përkatësisë ndaj një komuniteti, janë ata që më shumë se të tjerët, bëjnë zgjedhje që s’lidhen me interesin e përgjithshëm” (18).
Në prag të 100 vjetorit të shtetit shqipëtar të 1912, historianët grekë pasi „e pastrojnë shpirtin“ me citatin e Dionis Solomos (autor i hymnit grek 1847) se „një komb duhet të konsiderojë histori kombëtare, vetëm atë që është e vërtetë“ nxitojnë të na mësojnë disa „marifete„ të përdorura për formimin e identitetit „helen“ sepse: «Bashkimi kombëtar mund të kultivohet vetëm në sferën e fantazisë …(dhe) sigurisht me reduktim të historisë. Që të bëhet ky reduktim në histori, disa herë duhet të fshihen faktet» dmth të fshihen, autorët e vërtetë të shtetit të parë “grek” – Shqiptarët! Përmes rreshtave të këtyre rrëfimeve të autorëve të dokumentarit, mungojnë ngjarjet më të rëndësishme të atij shekulli në jugun ballkanik. Duke jua “lënë (…) në derë” europianëve, (për masakrat), “në Europën perëndimore, në shekullin e kaluar, në luftrat e mëdha fetare, ndodhte pikërisht e njëjta gjë… Nuk ishin vrasje të rastësishme … ishte një politikë” historianet grek, heshtin për veprimtarinë e një aleance forcash, (kishtare dhe ndërkombëtare) per çfarosjen e kombit arbër dhe pakicave etnike.
Për të ndërtuar një komb imagjinar homerik „helen“, që „do ta kthente nga një popullsi me një identitet tradicional, në një komb të moderuar” kristian, u përdor: fanatizmi fetar, korupsioni financiar, postet administrative në Qeveri, e sidomos arësimi “Pushtuesi i vërtetë është shkolla greke”. Aleate në këtë “rindërtim”, janë po ata kumbarët e sotëm: Gjermania, Franca, Rusia dhe Anglia .”Por qeveritë europiane i kanë marrë vendimet e tyre në lidhje me të ardhmen e vëndit”.
Për të qënë më të saktë me faktet historike, duhet thënë se ky “rindërtim” kishte filluar që “në kohën e sundimit ottoman, (ku) kisha luajti rol vendimtar në mësimin e gjuhës greke duke kontribuar kështu në shpëtimin e brezit„. Historianët grekë „harrojnë“ të përmëndin kontributin e madh të Parandorisë Otomane në këtë strategji. „Për të bërë punën e grekut qeveri’ e Tyrqisë nukë le të hapetë nonjë shkollë, të shkeletë nonjë livrë (liber) a të behetë nonjë mësim e nonjë mbrodhëri në gjuhët shqipe…(19). Pushteti osman, u kishte siguruar nje status të veçantë të privilegjuar, kishës dhe shkollës greke (20). Është fakt i njohur se Prelatët kishtarë si Patriarku Grigoris, kanë „ mallkuar revolucionin„ dhe kryengritësit që e vinin në rrezik Kishën ortodokse. Arsyeja sipas historianëve grekë ishte se, ”Kodi fetar nuk përfshin revolucionin. Revolucioni është një gjë e keqe, nuk është në dëshirën e zotit të ngrihesh dhe të shkaktosh trazira”? Pra kryengritësit, nuk u frymëzuan nga “bekimet” dhe “meshat” e fshehta, por nga Kuvëndet e Kapedanëve Arbër, që u bënë thirrje të gjithë banorëve pa dallim feje dhe race, për të luftuar sundimin 400 vjeçar Otoman.
“Shteti grek kur bashkoi kishën me nacionalitetin, (krijoi) ”nacionalizmin modern”…Kisha jonë ishte një ruajtese e vërtetë i thesarit kombëtar dhe punishte heronjsh”. Për ç’heronj e kanë fjalën historianët grekë? A nuk pohojnë se “Feja nuk beson në gjërat e kësaj bote, përgatit krishterë të mirë për botën tjetër”? Ngjarjet e atyre viteve deshmojne se kjo punishte prodhoi “heronj” ortodoks të etnive të përziera, që së bashku me “Arvanitasit (pa i përgjithsuar, që) u shkrinë në shoqërinë greke dhe u bënë më grekë se vetë grekët” kanë masakruar vëllezërit e një gjaku, po me fe myslimane, si dhe njëri-tjetrin për ambicje politike. Edhe brezi i dytë dhe i tretë, i disa prej emrave të njohur të 1821, vijuan çfarosjen e shqiptarëve myslimanë (në shk. 20) dhe të punojnë në dëm të interesave të kombit shqiptar.
Fitoret e luftëtarëve arbër kundër ushtrisë otomane, dhe „detyrat“ që dhanë Fuqitë e Mëdha, ndryshuan timonin e Kishës. “Por kur u formua shteti grek, që ishte produkt i një revolucioni, duhet të vendosë edhe kishën si pjesë të revolucionit… në vitin 1833, bavarezët …e vënë (kishën) në shërbim të kurorës mbretërore. Kështu fillon një thjeshtëzim (sajim) i domosdoshëm i historisë rreth rolit të kishës ortodokse në revolucionin e 1821-it”. Shprehja “ grek-i krishterë” e cila nuk njihej para vitit 1821, u bë baza ideologjike e shtetit të ardhshëm helen dhe programit të “megali-idesë”. (21)
Shqiptarët midis “Kudhrës dhe çekiçit”.
Kjo shprehje është përdorur nga nazizmi gjerman, dhe përfaqësonte strategjinë e Rajhut të Tretë për të sunduar botën me anën e forcës dhe të masakrave. “Ne nazistët -mburej Hitleri – jemi barbar! Është një titull i nderuar, sepse kështu mund të rinovojmë botën” (22).
Një vit pas themelimit të “Aleancës së Bashkimit Kombëtar” (1821) i shqiptarëve, më 1822 filloi Holokausti kundër tyre, i Ortodoksëve të Helladës dhe Perandorisë otomane që luftonte për mbijetesë. “Masakrat janë padyshim një pjesë e pandarë e revolucionit grek.” Ata që u vranë, u shitën si skllevër, u zbuan nga vatrat e tyre dhe emigruan duke humbur gjithshka, ishin përgjithësisht shqiptarët. (Nuk mohoj edhe genocidin ndaj etnive të tjera). Krimet mbi popullsinë çame të mesit të shk.20, janë një pasqyrë e gjallë për ngjarjet e viteve 1821, dhe përfaqësojnë në Arkivin Historik të Kombit tonë, të gjithë popullsinë shqiptare të masakruar në shk. 19 dhe 20, në trojet e sotme të shtetit Grek.
Simboli i “kudhrës dhe çekiçit” përfaqëson gjithashtu tragjedinë e shqiptarëve të ndodhur, midis: Popujve ortodoks dhe interesave të Fuqive të Mëdha. Mbasi u caktuan si material njerëzor për ndërtimin e shtetit të ri “Helen” të 1832-it dhe shtimin e popullsive të shteteve të reja: të Sërbisë, Malit të Zi, Greqisë, Bullgarisë (Kongresi i Berlinit 1878, Londrës 1913) atëhere filloi një kasaphanë e vërtetë ndaj tyre, nga “padronët e rinj”. Për të patur një pamje më të qartë të krimeve mbi shqiptarët e atyre viteve, mjafton të sjellim shifra të sakta të shk 20. Vetëm mbas Luftës së Dytë Botërore (në 55 vjet), shqiptarët e Kosovës janë dënuar me 666 shekuj burgim. (23)
Sot studimet gjenetike të këtyre popullsive, nxjerrin në pah afërsinë gjenetike të popullsisë në Maqedoni, Greqi, Bullgari, Kroaci, Bosnjë, Serbi me shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës, rrjedhojë e këtij sakrifikimi të dhunshëm të një shumice të elementit arbër. (24) Ky genocid, i kryer nga disa mbretëri, shpesh në bashkpunim me njëra tjetrën, kundër të njëjtës popullsi shqiptare, nga historiografia europiane dhe nga Organizmat Ndërkombëtarë nuk njihet si i tillë. Genocidi u përkufizua si krim kundër njerëzimit, me Rezolutën 96 të Lidhjes së Kombeve (1946), dhe në përkufizimin ligjor të tij për Parandalimin dhe Dënimin e Genocidit, Art.II dhe III (1948), njeh si krim jo vetëm kryerjen e tij (“genocidi fizik”), por edhe “synimin, për të çfarosur apo asimiluar forcërisht, tërësisht apo pjesërisht, një grup tjetër kombëtar, etnik, racor apo fetar” (25). Në historinë e shqiptarëve, janë përdorur të dyja pikat e genocidit, si në Shqipërinë e 1913-ës, ashtu edhe në Greqi, Maqedoni, Sërbi dhe Mal të Zi. Dhe “synimi” i genocidit ndaj popullsisë shqiptare, jeton akoma i gjallë në ditët e sotme: në strategjinë politike, ekonomi, arsim, mëndësi, propagandë dhe kulturën e këtyre shteteve.
Sa gjak shqiptari është derdhur vetëm gjatë luftës çlirimtare të 1821-it dhe dy luftrave civile? Nuk ka asnjë të dhënë. Revolucioni i ’21 si të gjitha kryengritjet e armatosura është një histori e përgjakur. Shfarosje dhe hakmarrje, epidemitë dhe urija, luftra civile dhe vrasje, plaçkitje, refugjate dhe skllavëri. Masakrat e bujshme të Psarës, Kios, Tripolicës dhe gjatë të gjithë periudhës së luftës, që prekën zëmrat e intelektualëve më të shquar europianë për nga mizoria, përmëndin “grek” dhe “turq”, ndërkohë që viktimat, me të dyja emërtimet, qenë në shumicë, thjesht shqiptare. Sepse „mëkati më i madh i tyre, ishte mospërfshirja në trupin e helenizmit“, siç vërente “babai” i Historiografisë greke Paparigopulos, dhe historianët e parë të shtetit të lirë grek. (26)
Në Parlamentin e parë grek, flitej SHQIP…
Ky genocid ndaj shqiptarëve, gjatë dhe mbas 1821 në jugun ballkanik, me gjithë përmasat dhe pasojat e tij, ka mbetur pa autor dhe i papërfshirë në Historiografi apo debatet politike. «Është e tepërt të rradhisim këtu të gjitha rastet ku këta zotërinj godisnin dhe vrisnin pa asnjë lloj arsyeje arvanitasit mysylmanë, që i dorëzoheshin ushtrisë së krishterë duke braktisur turqit, ndërkohë që nuk bënin të njëjten gjë me turqit halldup» (27)
Por genocidi u krye edhe ndaj shqiptarëve ortodoks. Shprehje e këtij genocidi qenë vrasjet, burgosjet, presekutimet dhe menjanimi nga postet drejtuese të figurave më të njohura arvanitase si: Odise Andruco, Nikolla Kriezoti, Andrea Miauli, Teodor Kolokotroni, Dhimiter Pllaputa etj., si dhe propaganda administrative, fetare, mediatike dhe shkollore, kundër kombësisë dhe gjuhës shqipe. „Në Greqinë paskryengritëse shumë pak guxuan të krenohen për prejardhjen e tyre arvanitase” (28) Figura të shquara intelektuale si Anastas Kullurioti, që themeloi gazetën “Zëri i Shqipërisë”, vdiq i helmuar në burgun e Athinës, ndërkohë Fjalori i gjuhës shqipe i Panajot Kupitorit, nuk e pa dritën e botimit. (29) Arvanitasit (Shqiptarët) paraqiteshin si njerez kokë-fortë dhe përfaqësues të “së keqes”, të detyruar t’iu nënshtroheshin poshtërimeve në shkollë dhe në ushtri. (30) “Në asnjë festë kombëtare të Greqisë në radio apo televizor, nuk u fol për kontributin e arbëreshëve në kryengritjen e ’21-shit”. (31)
Gjatë shtjellimit të dokumentarit, duket qartësisht se historiografia greke nuk është çliruar edhe në ditët e sotme, nga racizmi i shekullit të 19-të. Sipas historianëve të dokumentarit: “Grekë janë të gjithë ata, që marrin pjesë në sistemin arsimor të saj”. Sipas kësaj llogjike anti-historike, sa duhet të shtohet popullsia e shteteve të tjera europiane, në sistemin arësimor të të cilëve studiojnë nxënës nga të gjitha anët e botës?
Si Greqia e sotme edhe shteti Turk, deri më sot nuk kanë marrë mundimin t’i pranojnë masakrat mbi popullsinë shqiptare. „Të gjitha këto pershkruajnë një realitet të cilin edhe grekët edhe turqit duan ta harojnë.” Por duan të detyrojnë të harojnë edhe viktimat e tyre, shqiptarët, duke këmbëngulur të ndryshojnë tekstet e tyre të historisë. “Legjendat (sajesat) më të shumta thuren nëpër shkolla dhe nga njëra anë është e kuptueshme. Si mund t’i thuash një fëmije që stërgjyshi i tij vriste turq ,i copëtonte dhe i hidhte në pus kur hynte në qytet dhe u vidhte gjithshka që kishin ?Po t’ia thuash një fëmije do shokohet, do thotë : atëhere ,pse jemi ne më të mirë se ata, ku ndryshojmë? Epërsia jonë morale ku qëndron ? Kjo “epërsi morale” apo më qartë, e “supër racës” greke që dëshiron t’i shëmbëllejë “super racës ariane” të shk. 19 dhe 20, e shprehur haptas në dokumentar (konflikti me Falmerajërin) nuk është objekt i këtij shkrimi.
Mbas një rrëfimi “me dorë në zëmër” të të gjitha sajesave të “domosdoshme për bashkimin e kombit”, historianët grekë japin përvojën e tyre në krijimin e popullsisë, per ta ngritur “identitetin grek në plan të parë ndërkombëtar me përkufizim bashkohor”. Që dokumentari ju drejtohet shqiptarëve, nuk ka asnjë pikë dyshimi. Pasi na kujton bindjen e “babait” të historise moderne greke për “kombinimin ideal të cilësive greke dhe shqiptare” nuk ju shpëton rasti të vënë në dukje se grekët janë prioritarë, sepse “kanë epërsinë intelektuale”, (duke “harruar” se edhe Akademinë në Athinë e kanë peshqesh nga shqiptarët) “Paparigolopulos, në një moment, detyrohet të flasë për shqiptarët dhe grekët dhe e gjen tepër të natyrshme që ata (arvanitasit) duke qënë të krishterë të jenë kandidatët më të mirë për integrim në kombin grek.” Sigurisht, nuk janë kundra edhe shqiptarëve me fe tjetër apo ateistë, mjafton që ata të pagëzohen ortodoks dhe të bëjnë llogarine e fitimit. “Nevoitet një përkulshmëri ,një popull duhet të përshtatet në një farë mënyre e të mësojë të bëjë llogari sipas realitetit bashkohor”. Fundi i dokumentarit, përbën edhe thelbin e tij: Një thirrje nëpërmjet “historisë” për shqiptarët (për të ndryshuar kombësinë), të nxitur nga ngjarjet në realitetin e sotëm të Shtetit Shqipëtar.
Politikani dhe historiani i njohur italian, Pietro Scopola duke patur parasysh të gjithë ata të cilëve “u ka mbetur ora në shk.19”, i këshillon të studiojnë historinë e kaluar, sepse “të dish se çfarë ka ndodhur, shërben për të ditur se kush jemi” (32) dhe “rikujtimi i të vërtetave historike është një akt, që qëndron në themel të paqtimit të popujve “. (33)
(Shenimet në kllapa janë të mija. Shkrimet e pjerta janë teksti i autorëve të dokumentarit.) – Fatbardha Demi – Tiranë, 26. 02. 2012
______________
Referencat
(1) f 257 Aristidh Kola “Arvanitasit”2002
(2) f 6 Kastriot Kaçupaj “Kanari, heroi çam i revolucionit grek ”2002
(3) f 50 Sami Frashëri
(4) f 165 Aristidh Kola „Arvanitasit“2002
(5) “La verita storica“ www.kore.it/archivio/forum3/00000089.htm
(6) Wikipedia : La révolution dans le Peloponnese
(7) Wikipedia.org/wiki/Guerre_d’indépendance_grecque
(8) f 293 Aristidh Kola”Arvanitasit”2002
(9) Wikipedia Filiki Eteria.
(10) f 146 Aristidh Kola “Arvanitasit”2002
(11) f 245 Sami Frasheri Vell I Tirane 1988
(12) f 497 Aristidh Kola “Arvanitasit“2002
(13) f 396 po aty
(14) f 247, 260 I.Qemali „Kujtime“ Toena ,1997
(15) f 229 Aristidh Kola “Arvanitasit”2002
(16) f44 PashkoVasa “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët” Argeta LMG, 2010
(17) f212 SamiFrashëri Vell II Tirane 1988
(18) f4 Walter Barberis “ Il Bisogno di patria”, Giulio Einaudi, Torino, 2004
(19) f51 Sami Frasheri Vell.II ,Tirane 1988
(20) Për më shumë shiko „Ҫamëria: Fakte të vërteta dhe te stisura“ Hajredin Isufi (ww.forumirinor.com/t1548-cameria-fakte-te-verteta-dhe…)
(21) Wikipedia Constantine Paparrigopoulos
(22) Guerra nella Germania nazista ed evoluzione” www.darvinismosociale.com
(23) Dr.Sabile Basha “Të burgosurit politike shqiptarë në Kosovë, 1945-90” www.pashtriku.org)
(24) “Prova gjenetike, shqiptarët e kosovarët autentikë në Ballkan”, Dhjetor 12th, 2011 Zirina Llambro “Gazeta panorama”
(25) [email protected]
(26) f 286 Aristidh Kola“Arvanitasit“2002
(27) f506 po aty
(28) f482 po aty
(29) A.Llalla “Kumtese ne Seminarin Nderkombetar te Albanologjise”, Tetove, 16-23.09. 2007
(30) EUROMOSAIC google – Arvanitet
(31) f334 Aristidh Kola”Arvanitasit”2002
(32) Pietro Scopola “La verità storica” www.emsf.rai.it/transmesioni.asp
(33) www.sandrazampa.it/…/ristabilire-la-verita-storika
Dokumentarin e SKAI 1821 – përkthyer në shqip.wmv
………………………………………………..
Dokumentarin e SKAI 1821 – përkthyer në shqip.wmv
Dokumentari që çensuroi kisha greke sepse ka të dhëna që populli grek nuk duhet ti dijë. Grekët nuk kanë lidhje me greqinë e lashtë por shumica janë Arvanitas – Shqiptarë të helenizuar me dhunë. Greqia e lashtë, për grekët e sotëm, është një mit dhe si e tillë është e mbushur plot me të pavërteta. Ja se ç’thotë Presidenti amerikan John F. Kennedy për mitin: “Armiku më i madh i së vërtetës, shpesh, nuk është gënjeshtra, e qëllimshme, komplotuese dhe e pandershme, por miti, këmbëngulës, depërtues dhe joreal.” Ndërsa Arthur Schopenhauer e sjell kështu: ” E vërteta kalon nëpër 3 stade:
Stadi i parë, tallen e qeshin me të.
Stadi i dytë, e kundërshtojnë shumë ashpër.
Stadi i tretë, pranohet si e tillë, pra si qartësisht e vërtetë.”
Ndërsa thënia e Aristotelit: “Amicus Plato, sed magis amicas veritas”, e përdorur shpesh edhe nga Prof. Kristo Frashëri, i përmbledh të gjitha. Duke e mbyllur, besoj se Arvanitasit kanë hyrë në stadin e tretë të rrugës drejt së vërtetës.
DOKUMENTAR: GREQIA SHTET I SHQIPTARËVE