FATBRADHA DEMI: SHQIPE-RI, EMRI PARAHISTORIK I ZOTIT, NË BOTËN MODERNE (PJESA E DYTË)

Tiranë, 31. 08. 2015: Duke mos u drojtur nga një përgënjeshtrim prej historisë dhe duke qenë i sigurtë se nuk do të akuzohem se kam dëshirën për ta zmadhuar, meqë nga pikpamja e kombësisë i takoj të njejtit popull, mund të them se, populli shqiptar dikur ishte një popull i madh që banonte në dy kontinente, të Azisë e të Europës, nga Triestja deri në Sivas. Sami Frashëri .(1) – Një pohim i tillë, duke marrë parasysh hapsirën prej 28000km² të Shtetit Shqipetar dhe duke shtuar trevat historike të banuara nga shqipetarët në shk.18-19, të Kosovës, Sërbisë, Bullgarisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Greqisë, përsëri do të na dukej i pabesueshëm. A qëndron për shkencën Albanologjike të shekullit 21 një tezë e tillë ? Këtë mund ta zbulojmë duke gjurmuar emrin e shqiponjës në mitet, figurat historike dhe toponimet e hapsirës së Euro-Azisë të banuara nga fise pellazgo- shqipetare.
Shqiponja, në emrat dhe toponimet e lashtësisë
Lidhjen e vetme të emrit të shqipetarëve në lashtësi me shqiponjën, studiuesit modern e shikojnë tek libri i Plutarkut (Jeta e Pirros) , ku tregohet se Mbreti i Molosëve Pirro II, kur u kthye në atdhe mbas fitores mbi maqedonasit (289 para K) “ Epirotët e pritën duke e përshëndetur me epitetin “shqiponjë”. (2) Kjo e dhënë, mendoj se është keqkuptuar nga historianët. Përse për fitoren e aritur, ushtarët do ta emërtonin shqiponjë, kur beteja nuk u zhvillua në qiell por në tokë, ku kafsha më e fuqishme është luani ? Theksimi i Plutarkut se e thirrën me emrin e shqiponjës, duhet kuptuar si një përkthim që bën autori brohoritjeve të ushtarëve « Pirro ! Pirro ! », në librin e tij të shkruar me gjuhën priftërore , (të bazuar në një nga dialektet e shumta të pellazgëve).
Në mbështetje të mendimit tim është fakti se Historia dhe mitet, tregojnë se para Pirros së famshëm, këtë emër të lidhur me shqiponjën, e kanë patur shumë figura të tjera historike dhe mitike: «Sipas rrëfimesh pleqërishte, nën tiparet e shkabës (emri mashkullor në gjuhën shqipe për shqiponjën), Zeusi dodonas qe bashkuar me nimfën Aigina, që pat lindur të parin bir të shqipes Aiakun (Akilin-shën im), katragjyshin e Aleksandër dhe Pirro Molosit” (3) Njihet nga mitet fakti se, Akili kur fshihej në oborin e mbretit Licomede (në Sciro) përdorte emrin Pirra(4) dmth „shqiponja“.

(5)  Monedhë e Epirit e vitit 210 p.K.; Faraonin egjiptian Horos e therisnin “shqiponjë”. Edfou (Egjipt).
Vetë Zeusi emërtohej Pirro dmth shqiponjë , fakt që e gjejmë tek Zeusi latin – Perëndia Mars, një nga emrat e të cilit ishte Pirro. Po kështu në art,(piktura, skulptura etj) Zeusi paraqitet gjithmonë me shqiponjën, për t’u trëguar besimtarëve të lashtë: “ Jam Shqiponja ! ”, siç emërtohej edhe mbreti i dinastisë së parë egjiptiane Horos (Ḥr), i hyjnizuar si Perëndi. Në skulptura ay paraqitej si shqiponjë ose me kokën e saj. (fig.lart)
Në një dokument (fig.posht) të Marcus Junianus Justinus (Justini Historiarum Philippicarum, libri XLIV), dallojmë dy fakte :
1- Emri “epirotë” dhe rrjedhimisht edhe Epir është i mëvonshëm, sepse më përpara banorët quheshin Pirridë. Edhe Dh.Kamarda ( Demetrio Camarda Discorso Preliminare) kur flet për banorët e lashtë të Epirit, nënvizon emrin e tyre Pirridi. (6)
2- Emri i Epirotëve në latinisht (Pyrrhidae) shkruhej njësoj , sikurse ay i Pirros (Pyrrhus) dhe i gruas së Deukalionit, Pirra (Pyrrha). Po kështu edhe në italisht : Pirridi, Pirro dhe Pirra.

(7) Ky është një dokument shumë i rëndësishëm gjuhësor dhe historik, i cili dëshmon se emri PIRRIDI i epirotëve, siç e thekson autori dhe Pirra/Pirro, në gjuhën shqipe kanë ardhur nga e njëjta rrënjë para-historike.
Toponimet, po të shpjegohen drejt, pohon Spiro Konda (Pellazgët origjina e jonë e mohuar), janë dëshmuese të vërteta, që provojnë se atje ku ndodhen, banonte populli me gjuhën e të cilit shpjegohen. (8) Siç dihet, emrat mitikë dhe toponimet e Lashtësisë, janë krijuar në kohën kur Gadishulli quhej me emrin e banorëve të tij Pëllazg, dhe fiset që banonin në Epir, nuk janë përmëndur kurrë nga autorët e lashtë si të etnisë greke. Sikurs pohon edhe G. P. Anagnostopulli : „Emri i përveçëm Epeiros (Epir) mund të jetë fjalë para-helenike, si shumë nga toponimet e vjetra greke…“ (Enciklopedia e Madhe Greke, vol XII, f 317, 1930 Athinë) (9) Megjithatë, studiuesit e shk19, por dhe sot, duke e mbajtur greqishten si gjuhën më të lashtë europiane, origjinën dhe kuptimin e çdo emri apo toponimi e kërkojnë tek kjo gjuhë, sipas së cilës, Epir do të thotë „tokë“ dhe Pirro „flokë kuq“.
Tradita gojore e regjistruar në shk 20(Fatos Mero Rrapaj, Këngë popullore nga Çamëria,1983 ), dëshmon se vëndi i fiseve thesprote, kaone, molose etj, emërtohej Iperi. Kjo fjalë e përbërë e gjuhës shqipe ka kuptim besimtar: Ipe/dialekti çam, shqiponjë + ri, dmth vëndi ku ri shqiponja/Zoti. Në dokumentet greko-romake dhe hartat e mesjetës, për të njejtën hapësirë gjeografike, shkruhet Epiri, pra ka mospërputhje të emrit të traditës popullore, me emërtimin në dokumentet. Faktorët që kanë ndikuar, kanë qenë : Shkruesit e dokumenteve dhe natyra e gjuhës së folur pellazgo-shqipe.
Shtrëmbërimi i gjuhës nga shkruesit, ka qenë një problem i njohur që në lashtësi. Sipas Dh.Kamardës “Ka shkrime të lashta, si latine edhe greke, që dëshmojnë ndryshimin e madh (të fjalëve të njejta-shën im) në shkrimet e kohës klasike. Platoni (në Cratilo) tek grekët dhe Ennio e Lucio tek latinët, ngulnin këmbë për përdorimin e një ortografie të saktë. (10) Një nga shkaktaret kanë qenë edhe përkthimet nga gjuha origjinale. Studiuesi arvanit Aristidh Kola, që është marrë me emrat në mitet dhe toponimet e lashta, vëren se : „Duhet të kemi parasysh faktin se grekët, emrat e huaj duke i greqizuar i ndryshonin shumë nga forma fillestare në gjuhën përkatëse“. (11)
Kjo „gjuhë fillestare“ para-greke e Gadishullit ishin dialektet e gjuhës pellazgo-shqipe. Vicenzo Gioberti (1801-1852), një prej figurave kryesore të Rilindjes italiane, pohon se gjuha shqipe përmban gjurmë të gjuhëve që qarkullonin në Greqi, para pushtimeve deukalioniane dmth para se të formohej popullsia e emërtuar hellenike.(Vicenzo Gioberti « Primato » Bruselles1844, T.II p.133) (12)
Por faktor i rëndësishëm, që ka sjellë ndryshimin e emrave në kohë, është edhe vetë natyra e gjuhës shqipe. Gjuhëtari i shquar arbëresh Dhimitër Kamarda vëren se, që në zanafill gjuha shqipe (pellazgo-shqipe ,shën im) ka treguar si tipar kryesor të fjalëve, tendencën për ndryshime të caktuara si : „Ndrimin e vëndeve të zanoreve, bashtinglloreve por edhe rrokjeve të tëra“ (13) U zgjatëm pak për arsyet historike dhe gjuhësore të ndryshimit të fjalëve në gjuhën pellazgo-shqipe, për të kuptuar se përse emrat, Iperi dhe Iperiot (Shqiperi-Shqipetar), i gjejmë në forma të ndryshme në dokumente.
Duke u bazuar tek faktet e sipër përmëndura, mund ta ndërtojmë rrugën e ndryshimit të rrenjës IPE, tek toponimet dhe emrat e njeriut: Fillimisht Ipe/Iperia (emri i shqiponjës dhe i vendit, ku e/a tregon gjininë femër.) – Pieria (kalimi i zanores i, prapa bashting. p) – Pirro/Pirra , Pirria (emër njeriu/vëndi, nga rënia e zanores e dhe vendosjen e i, pas bashtingllores p),- Epiri, epirotë (ndrimi i vëndeve të i/e), etj. Kjo rrugë vërehet në shumë emra të njerëzve historikë, figurat mitke dhe toponimet e fiseve pellazge, brënda Gadishullit dhe në hapësirën Euro-Aziatike, duke nënkuptuar gjithmonë emrin e shqiponjës, siç « na e përktheu » Plutarku më lart.
Në mitet pellazge (gabimisht të emërtuara greke), ku çfaqet rrënja zanafillore ipe , kemi emrin Iperione të Perëndisë së Dritës (Enciclopedia Italiana 1933- Alessandro Olivieri).(14) Hesiodi e tregon bir të Qiellit (Uranit) dhe Tokës (Gea/Dhea, në shqip) dhe ati i Hënës, Diellit dhe Agimit. Në gjuhën greke ( Ὑπερίων / Hyperíôn) përkthehet « ai që është lart » dhe sipas autorëve të lashtë ,Hygin dhe Pausania , ishte një Titan dhe ati i Titanëve. (Titanët ishin pellazg)(15) Pieridi (gr. Πιερίδες; lat. Pierides), emërtoheshin Iperiotet (epirotët, shqipetarët e jugut). Sipas Pausanias (IX XXIX.3) ky emër lidhet me vendin Pieria, emri i lashtë i një zone bregdetare të Maqedonisë, në lindje të malit Olimp, që e kishtë marrë këtë emër nga mali Pieria (cfr. Plinio Nat. hist. IV 29, 30, 33, 35), dhe ku banonin Pieri-det (Πίερες) dmth iperotet, fiset më të lashta të Thrakës. Tek latinët, Muzat janë quajtur Pierides, (Cicerone Nat. deor. III XXI 54 ) prej emrit të vëndit të origjinës, Pierisë.(16)
Këto të dhëna tregojnë se Iperia (Shqiperia) e lashtë shtrihej jo vetëm në Epirin e sotëm gjeografik, por edhe në hapësirën, që më vonë do të emërtohej Maqedonia e jugut. Pirre, siç dëshmon Straboni (Straboni Gjeografia IX 5, 23 f.443), ka qënë emri i lashtë i Thesalisë (17) dhe sot e gjejmë si toponim pranë Athinës.
Me origjin nga rrënja ipe, kemi toponimin Perin (Persian: پرين‎ ; i njohur edhe si Ferīn, Parad, Pīrīn) në Iran ( 18) dhe të masivit malor -Pirin (bullg.Пирин, gr. Πιρίν), në jug-perëndim të Bullgarisë. Në këtë zonë , sipas Pulevskit (Dictionary of Three Languages Macedonian, Albanian,Turkish 1875) 22.7% të banorëve janë të etnisë shqipetare. (19) Origjinën shqipetare të kësaj treve e dëshmojnë edhe emrat e fshatrave: Kalimantsi, Katuntsi, Kovachevo, Malki, Pirin, Vinogradi etj. (20) Në perëndim të Europës kemi vargmalin Pirene, që shtrihen midis Francës dhe Spanjës. Në mite thuhet se emri është vënë nga Herakliu. (21)
Nga zëvëndësimi i bashtinglloreve buzore “p/b” (22) është formuar toponimin i Gadishullit IBERIK (Iperik dmth Gadishulli i Shqiponjave /shqipetarëve) përmëndur nga Straboni dhe Appiani. Sipas Herodotit, është emërtuar nga hellenët(pellazgë-shën im), të ardhur afërsisht 3.800- 4.700 pK nga Gadishulli Pellazgjik (Ballkanik) Një prej fiseve të mbijetuara nga para-historia janë baskët e sotëm (Baschi = shqip-bashkë dmth grup fisesh, dhe gjuha e tyre Eskuera = e shkuara, e vjetra) të cilët në lashtësi adhuronin Kaun si Perëndi dhe sipas Strabonit , formuan qytetrimin iberik. (23).

(24) Në të majtë, monedha e Epirit v.234-168. Zeusi dhe Diona. Mbrapa Kau në sulm, simbol i besimit hënor te pellazgëve epiriot.
Sipas Hahnit «plaku i maleve», stërgjyshi mitologjik i baskëve quhej Arbasoa (25) dhe Pira emërtohet një komunë spanjolle në Katalonjë (Catalogne/Tarragonë) (26) Simboli i Krijuesit-shqiponja edhe në mesjetë, mbahej si dëshmi e përkatsisë dhe mbrojtjes hyjnore në heraldikën katalanase. Në gadishullin Iberik, gjënden shkrime të lashta , të ngjashme me ato të Etrurisë (Itali) dhe Ilirisë (Shqiperi), të shkruara me alfabetin pellazgo-fenikas dhe që lexohen vetëm nëpërmjet gjuhës shqipe (Nermin Vlora Falaski, Pellazgët-Ilirët-Etruskët-Shqipetarët). Me të njejtin emër – Iberia (Iperia/Shqipëria) quhej mbreteria, që jo rastësisht ndodhej pranë mbretërisë tjetër Albania në hapsirën gjeografike të Kaukazit, në veri të Armenisë. Ky fakt i ka shtyrë disa studiues të shk 19, si ay grek Nikolla Nikokle (Nicocles Nicola) apo francezi Pukëvil (Pouqueville) t’i quajnë shqipetarët e sotëm, popullsi jo autoktonë në Ballkan, por të ardhur nga Kaukazi. (27)
Për këtë dukuri , Sami Frashëri ka sqaruar se: Emri Albania i përdorur prej gjeografëve të Greqisë së vjetër dhe të Romës, për krahinat e Dagestanit dhe të Shirvanit në Kaukaz , ka qenë emër i lashtë edhe i Skocisë. Del se me këtë emër të përbashkët emertoheshin tri vënde që ndodhen shumë larg njeri-tjetrit. Arsyeja është se populli kelt dhe ilirët, paraardhësit e shqipetarëve, kanë të njejtën origjinë dhe gjuhët e tyre janë të afërta me njera-tjetrën (28) Sipas Dr.Arif Mati (Aref Mathiu) fiset thrako-frigjiane, nga e kanë origjinën armenët, kanë emigruar në rajonin e Kaukazit dhe të Armenisë së sotme nga Ballkani, rreth shk VII-VI pK. (29) Albanologu Hahn vëren se ka shumë toponime të njejta në hapësirën gjeografike të Ilirisë, Armenisë dhe Medisë. (30)
Që emri Iberia në Azi është i pellazgëve të Iperisë (Shqiperisë) dodonase, na e dëshmon edhe krahina qëndrore e Sirisë Pieria,(sikurse Epiri i lashtë në dokumente) e cila shtrihej mbi bregun e djathtë të lumit Oronte, ku ndodhej kryeqyteti i Mbretërisë së Seleukëvë me emrin Seleucia di Pieria (ἐν Πιερίς). Edhe vargmali i kësaj zone emërtohet Pieria. Studiuesit mendojnë se emri është sjellë nga ushtarët maqedonas të Aleksandrit të Madh. (31)
Studimi i toponimeve të njejta të lashtësisë, në hapsira shumë të mëdha gjeografike, tregon se në emigrimet e tyre, fiset pellazge bashkë me “plaçkat e shtëpisë”, mernin me vete edhe besimin, mitet dhe toponimet e Atdheut të origjinës. Sigurisht që këto lëvizje në drejtim të Lindjes nuk filluan me marshimin e Aleksandrit të Madh (326 pK) drejt Indisë, por që në zanafillën e krijimit të shoqërisë njerëzore. „Ne duhet të pranojmë – pohon Eduard Shnaider(Pellazget dhe pasardhesit e tyre)- se kjo ishte një specie njerëzore që jetonte në Europë, ose pak a shumë në Ballkan, para dukjes së periudhës së plinoçenit të epokës terciare, kur kishte një lidhje vijushmërie midis Azisë dhe Europës, me anën e kontinentit të zhdukur të Arcipelagut (32)
Përfundimi i dytë: Toponimet e shumta ,që e kanë origjinën e tyre nga emri i Shqiponjës- IPE, të përhapura në një hapsirë të gjerë gjeografike të Euro-Azisë dhe që kuptohen veçse me gjuhën shqipe dhe zhvillimin e saj historik, dëshmojnë se këto fise përbënin një bashkësi të madhe popujsh, të së njejtës etni. Sipas Nouveau Petit Larousse (Paris,1950 f 1599) : “Pellazgët, popull shumë i lashtë jetonte në periudhën para-historike në Greqi, në Arkipelag, në brigjet e Azisë së Vogël dhe të Italisë. (…) Traket e lashtë, Frigët, Lidët, Etruskët, Epirotët, Ilirët, Italiotët (Sanitët, Oskët, etj) dhe “Shqipetarët e sotëm”, konsiderohen së janë degët kryesore të Pellazgëve”.(33)
Edhe mbas mijëra vitesh, në dokumentet e Perandorisë Osmane të shk 19, Shqipetarët ishin popullsia me e madhe në Ballkan: “Më tepër se gjysmës e atij vëndi, që i thonë sot Rumeli a Meng’e Ballkanit (Turqia europiane) ka qënë qëmoti Shqiperia, edhe njerëzit që kanë qënë mi të, që nga Trieshta (Trieste) e gjer më Salonik, kanë qënë shqipetarë. (34) Sami Frashëri pohon se, shqipetarët kanë qënë jo vetëm një popull i madh, por edhe një Komb i lashtë: “Ky komb kaq’ i vjetërë e kaq’ i vjejturë (i vlefshëm-shën im) për histori, ka qen’ i shumë’ (i shumtë) e i fortë…” (35)
A ka patur Komb me emrin Shqipetar në lashtësi?
Për të pranuar këtë fakt, duhet të kuptojmë se ç’përfaqëson emri KOMB. Kjo fjalë nuk ekziston në ndonjë fjalor të gjuhëve europiane, përveçse tek Shqipetaro-Arbërit. Kombi dhe Nacioni, përfaqsojnë dy kategori të ndryshme historike: Kombi-etninë dhe Nacioni-shtetin. Mund të kesh disa shtete me të njejtën popullsi etnike, si psh Shqiperia dhe Kosova, por asnjëherë gjatë historisë së shoqërisë njerëzore, nuk ka patur dy kombe për të njëjtën etni. Kombësia ka kuptim shumë më të gjërë edhe se fjala Racë, e cila dallon vetëm natyrën antropollogjike të popullsisë . Në gjuhën popullore, shqipetarët e përcaktojnë kështu kombësinë e tyre: “Kemi një gjak, një gjuhë dhe një zakon!”, ku në zakonet përfshihet edhe besimi i të parëve të tyre pellazgo-ilirëve.
Por, si shpjegohet që gjatë historisë së tyre, shqipetarët e sotëm kanë patur disa emra kombëtar si Pellazgë, Ilir/Yllirë, Iperiotë /Epirot, Albanë, Arbër, etj. që shpesh janë përdorur njëkohësisht ose kanë zëvëndësuar njëri-tjetrin?
Kjo dukuri nuk është e rastësishme. Siç e pamë në pjesën I-rë, të gjitha emërtimet e shqipetarëve „të çojnë“ tek NJË FIGURË- Krijuesi- i cili është : Shqiponja, Ar-a, Ylli, I pari dhe i vetmi (A-l) dhe shprehin vetëm NJË MIT, atë të KRIJIMIT. Në këtë kuptim, këto emra shprehin një ide: Origjinën HYJNORE të fiseve (bijve të Zotit). Duke folur per shqipetarët Canestrini (« Antropollogjia »-Hoepli, Milano1878) shprehej se: „Kjo racë, ndër të gjitha ekzistueset (…) përherë diti t‘i qëndrojë më pranë Zotit”. (36) Me “gjuhën” e fizikës moderne , Petro Zhei e shpjegon kështu: “Ne mund të themi se, gjer në një farë mase, një numër i madh fjalësh mund të vështrohen thjesht si mënyra të ndryshme të përcaktimit të Qëndrës(…) gjuha referon gjithnjë tek Qëndra, e rrjedhimisht tek simboli (Zoti) (37) Përsa më sipër, të gjitha emërtimet e shqipetarëve kanë përcaktuar vetëm NJË KOMB, të krijuar nga ZOTI. Por cili prej këtyre emërtimeve ka qënë më i vjetri?
Në Fjalorin Homerik të J.Panazidis (Athinë,1885), profesor i Universitetit të Athinës shkruhet: « Pellazgët, banorët më të vjetër të Greqisë, u shtrinë nga banesa e tyre e parë rreth Dodonës së Epirit (II 681) gjer në Thesali, Beoti dhe pjesë të Peloponesit, sidomos në Argolidë dhe Arkadi ». (38) Edhe në kohën kur shkruante Herodoti , ata ishin të pranishëm : « Më duket se e kam treguar qartë se pellazgët ishin një popull barbar, të cilët ruajnë akoma edhe në ditët tona gjuhën e tyre » (Historia, lib1) (39)

Në këtë hartë të shekullit 16, bazuar në përshkrimin e gjeografit Claudius Ptolemy, në qëndër duket qartë vend-ndodhja e fiseve Pellazge. (40)
Sipas Plutarkut, Pellazgu i vjetër, ishte mbreti i parë në Epir (Plutarco , Pirro) dhe sipas autorëve të tjerët (Strab. Erodot. Stef. di Bizan. Scimno), Epirotët ishin Pellazgë. (41) Më qënëse rrenja „ipe“(shqiponjë) e emrit Iperiot (epiriot) ka formuar edhe emrin „Shqipetar“ (siç e pamë në pjësën I), me të drejtë themi se Pellazgët=Iperiotët = Shqipetarët e vjetër, siç i emërton edhe Spiro Konda :„Në Epir, përpara shk.13 pK, banonin katërmbëdhjetë fise pellazgjike dmth shqiptarët e vjetër“. (42)
Por, emri „shqipetar“ është më i lashtë edhe se ay „pellazg“ dhe këtë na e dëshmojnë, pothuaj të gjithë shkruesit e lashtësisë , të cilët kanë folur mbi popujt e gjykuar si „të parët e të parëve“ në Europë, me emrin IPERBOREAL. Shkenca Albanologjike e shtetit tonë, nuk ka folur kurrë për këto fise, duke lënë jashtë teksteve edhe vetë Pellazët, bashkëkohës të Herodotit, së bashku me baballarët e tyre Atllantidë. Përse Albanologjia duhet t’i studiojë popujt, të cilët edhe në kohën e Herodotit shikoheshin përtej kufijve të mitit, si një vezullim misterioz “ i Kohës së Artë “? Arsyeja është:
 I- Sepse emri, i cili mrekullisht na ka mbritur i pa ndryshuar nga historianët e parë është fjalë e përbërë e gjuhës shqipe: Ipe (Shqiponja)+r(i)+Borë+al (Zoti) dmth Shqipetarët, bij të Zotit, që rinë në vëndet malore me borë. Ky është kuptimi i saktë gjuhësor, të gjitha shpjegimet e tjera nuk qëndrojnë , sepse autorët e lashtë nuk e njihnin gjuhën iperiote (shqipe) dhe e quanin „barbare“. Për rrjedhojë emri i fiseve Ipërboreale është mister edhe në ditët e sotme për studiuesit.
Më qënësë fjala e gjuhes shqipe « ipe » dhe « borë » nuk gjëndet në fjalorin grek, studiuesit e huaj hamëndsojnë se, Iperborëal do të thotë : « ata që jetojnë përtej erës së veriut Borea ». (Hyperboréens en grec ancien Ὑπερϐόρεοι / Hyperbóreoi, au sens étymologique, sont ceux qui vivent « au-delà de Borée, le vent du nord »).
Lidhja e emrit „borë“ me „ipe“(shqiponjë), nga studiuesit merret prej miteve. Sipas Tit Livit (cfr. Liv. XLV 29,8 (43) në Maqedonin e lashtë ndodhej mali Bora. Era e ftohtë e veriut europian, që kalonte nga ky mal drejt Detit Jon, u quajt Perëndia Borea dhe banesën e kishte në Thrak.

Borea, Vizatim në një enë balte e vitit 360 p.K, Luvër.

Duhët të theksojmë faktin se, në të gjitha veprat e artit të Euro-Azisë së lashtë, ku figurat e Mbretërve-Heronj dhe Perëndi apo kafshëve fantastike, paraqiten me krahët, kokën apo trupin e shqiponjës, ose kanë emrin e saj, kemi të bëjmë me mite me origjinë pellazge. SHQIPONJA ËSHTË SIMBOLI MË I RËNDËSISHËM I BESIMIMIT PELLAZG.
Fjalët Bora dhe Ipe , që shpjegohen vetëm me gjuhën shqipe, tregojnë jo vetëm përkatsinë shqipetare të emrit, por edhe „adresën e shtëpisë “ të fiseve Iperboreale – Gadishullin Pellazgjik (Ballkanik).
II- Iperborealët janë fise që kanë jetuar në trevat historike të shqipetarëve. Nga tradita gojore , për Iperborealët dihej vetëm se kanë jetuar në periudhën më të lumtur të shoqërisë njerëzore e quajtur „Koha e Artë“. Vëndi i tyrë ishte Parajsa tokësore, ku jeta ishte e gjatë dhe plot gëzime, pa grindje e luftë, dhe ku kopështi përallor Hesperia (besoj se shqiptohej Iperia) ju afronte gjithshka. Fantazia e autorëve të lashtë, banesën e këtyre fiseve e shikonte në hapsira të ndryshme gjeografike, për të cilat nuk do të zgjatemi këtu. I vetmi mendim ku përputheshin të gjithë ishte se ata jetonin në VERI.
E gjith ngatëresa për vënd-ndodhjen e fiseve Iperboreale , ka ardhur se në lashtësi nuk kishin njohuri gjeografike. Ishin autorët e mëvonshëm, të cilët nisur nga përshkrimet në mite, e çvendosën VERIUN e autorëve Jonian, në Gadishullin e Skandinavisë. Kështu lindi teza e fiseve Iperboreale, si „raca akullnajore“ nga u krijuan popujt dhe pasardhës të tyre u përcaktuan fiset gjermanike të kohës greko-romake. Filozofi gjerman Niçe pohonte (Nietzsche, Anticristiano, 1888) se: „Ne jemi Ipeborealët “. (44) Ky përfundim „shkencor“ u përqafua sidomos në shk19-20 nga nazistët.
Por ishte Straboni, ai që na la një vënd-ndodhje të saktë gjeografike: “ Të gjithë popujt e veriut emërtoheshin Skithë apo Kelt, por shkruesit e kohrave më të lashta, duke i dalluar fiset, i kanë quajtur Iperborealë ato fise, që jetonin përreth Detit të Zi, lumit Istro (Danubit) dhe Adriatikut (Geografia, 11, 6, 2). (45) Nga ky përshkrim, Straboni ka treguar trevat ku kanë banuar në kohën historike iliro-dardanët, që së bashku me maqedonasit e lashtë, kishin të njejtën etni me iperiotët pellazgë (epirotët).
Siç e vënë në dukje historianët e lashtë, Iperiotët (pellazget e Epirit) shtriheshin në jug të Gadishullit Pellazgjik (Ballkanik) rreth tempullit të tyre të parë -Dodonës. Ngrohja e klimës, shtimi i popullsisë apo ndonjë përmbytje katastrofike në jug, i detyroi një pjesë të emigronin drejt veriut, fakt që na e vërteton edhe Hahni kur flet për legjendat e Pellazgëve: Ndërsa pellazgët në jug e mbajnë veten si vëndës, tëk ata të veriut rron akoma gojdhëna që tregon ardhjen e tyre. (46)
Që fiset Iliro-Dardane e kanë origjinën nga fiset pellazge të jugut, e dëshmojnë edhe mitet: “ Dardanin e lindi së pari Zeusi rembledhës”(Iliada Këng. XX, varg. 215) (…) Dardani, të cilin i biri i Kronit (dmth Zeusi-shën im) e donte mbi të gjithë djemtë…» (po aty , varg.304) (47) Për t’u dalluar nga vëllezërit e tyre të jugut, u shtua emrit kombëtar Iperiot një karakteristikë e vëndit të ri, “borën”, duke u emërtuar Iperboreal –Shqipetarët e vëndëve të borës. Që kemi të bëjmë me një “histori shqipetarë“ e dëshmon përhapja gjeografike e mitit të tyre. Sipas Enciklopedisë Italiane të vitit 1933, fiset Iperboreale njiheshin në gojdhënat e banorëve të Thrakës, Argosit dhe Peloponezit, por edhe në Siçili, tek venetët e Italisë, Maqedoni etj, vënde ku ishin përhapur fisët pellazge. (48)
III- Apollo Iperboreal, ka qënë Perëndia shqipetare e Delfit. Siç e dëshmojnë studiuesit e miteve, figura e Perëndisë Apollon është e vonshme. Tempulli i lashtë i besimit hënor- Delfi, në kohën kur zbritën Dorët (XII-XI p.K.) që shpartalluan mikenasit , pësoi shkatërime të mëdha. Vetëm rreth shekullit IX-VIII p.K. ky tempull u ringrit përsëri, por duke iu përshtatur një besimi të ri: Apollonit diellor. (49)

Enë me figurën e Apollonit zbuluar në Shqiperi.(50)

Në rast se lexojmë me vëmëndje se çfarë shkruhet për Perëndinë Apollo, dallohet se bëhet fjalë për mite kushtuar “kultit të të parëve” dhe shpreh nevojën e shpalljes së origjinës hyjnore të fiseve pasardhëse, të periudhës “hellenistike”. Ky qëllim shprehet qartas në mite nga “mbiemri” i tij, Apollo Iperboreal, si dhe lidhjes me ta: “udhëtimet” e Apollonit nga Delfi në vëndin e Iperborealëve dhe dhuratat e përvitshme që dërgoheshin nga këto fise, tempullit të Dodonës dhe Delfit, tempullit të Apollonit. (51) Studiuesi Julius Evola në veprën e tij “ Rivolta contro il Mondo Moderno” pohon se : “Apollo Iperboreal ,sipas Virgjilit ,do të inaguronte një kohë të re të Artë, të Heronjve nën shenjën e Romës”.(52)
Në kohën kur është shkruar për herë të parë për Iperborealët nga Hesiodi ( shk 8 p.K. Les Épigones fragment 150.21)1. Alcée (fragment 307) Herodoti (Hérodote, IV, 36 ) Diodori i Siçilisë( Diodore de Sicile, II, 47, 7) (53) ishin haruar mitet para-historike . Emri kombëtar i shqipetarëve të veriut ishte zëvëndësuar me emrin Illir të Illyrisë, ndërsa vëndi i origjinës së Iperborealëve, Iperia shkruhej tashmë Epir dhe historianët e parë nuk e dinin kuptimin gjuhësor të kësaj fjale. Për rrjedhojë,në vënd të Iperiotëve, „emigrantët“ Iperborealë u emërtuan si fiset e para të racës njerëzore.
Faktin se emri i parë kombëtar ka qënë Iperi-ot (shqipetar) e dëshmon, jo vetëm vendosja e fjalës Ipe në fillim të emrit të fiseve misterioze Iperboreale, por dhe mitet, sipas të cilëve Iperi-on (shqiponja) kishte bir Agimin/Aurorën , dhe nip Borean, birin e Agimit (Eos) (54) Pra fjala Ipe është bazë për emrin Iperboreal.
Edhe biografia e familjes së Apollonit, i përket mitollogjisë së iperiotëve-pellazgë, shqiptarëve të vjetër. Babai i Apollos, Zeusi dhe gjyshi Kroni, janë të racës së Titanëve dodonas, sikurse edhe nëna e tij, Leto (Latona tek romakët) e cila pati nga kjo lidhje, binjakët Artemis , që përfaqson dritën hënore dhe Apollonin , dritën diellore.(55)
Titanët janë pellazgë dhe sipas Plutarkut (Plutarco , Pirro) dhe autorëve të tjerë (Strab. Erodot. Stef. di Bizan. Scimno) fiset Epirote ishin Pellazge (56). Me qënëse Iperiotët /Epirotët jane Shqipetarë, (Epirotet ose Shqyptaret) siç e shpreh edhe Fran Bardhi (1606-1643) (57), për rrjedhojë Apolloni është një Perëndi e miteve shqipetare, siç e dëshmon edhe mbiemri i tij- Iperboreal (shqipet e veriut). Emri dhe miti i Apollonit është një dëshmi e çmuar historike dhe gjuhësore, e lidhjes shpirtërore dhe besimtare të bashkësive fisnore të së njejtës etni, të Ipe-ve, të shqipetarëve të veriut me ata të jugut.
Mbas këtij rrugëtimi shumë të përmbledhur (për faktet që ekzistojnë) është e sigurtë se në studimet e mëtejshme albanologjike, panorama para-historike e shoqërisë njerëzore, që koha shumë e gjatë, shkatërimet dhe zhdukja e dëshmive nga dora njerëzore e ka errësuar pothuajse tërësisht, do të ndriçohet edhe më tej.
Si përfundim të shtjellimit tonë (pjesa I dhe II): BESIMI ishte ORIGJINA e krijimit të EMRAVE KOMBËTAR të bashkësive të mëdha fisnore, të cilët i përkisnin së njejtës etni. Nga tradita popullore, mitet dhe dokumentet që tregojnë vijëmsinë e përdorimit të emrit Ipe/Iperi, prej para-historisë deri në ditët tona, Kombi i IPE-ve (shqiponjave), është më i lashti në hapsirën Euro-Aziatike. Emri Epiriot e ka origjinen nga emri Iperiot dhe shpreh simbolin e Zotit – SHQIPONJËN, e cila ka shërbyer si emblemë themelore e Epirit të lashtë, para Aleksandër e Pirro Molosit. (58)
Sot nuk mund të caktojmë kohën, se kur emri kombëtar Ipe (Iperiot/Epiriot) u kthye në Schipetar (Shqipetar), për faktin se nuk e dimë se kur Miti i Orakullit të Zotit (shqiponja) u zëvëndësua me Mitin e origjinës së Njeriut nga FRYMA e ZOTIT. E vetmja gjë e sigurt është se emri SCHIPETAR (Shqipetar) e ka zanafillën prej kohëve të erta të para-historisë, kur u krijua ky mit dhe ka origjinë besimtare, fakt që vërtetohët lehtësisht nga mitet dhe arkeologjia.
Emri IPERBOREAL është një dokument i vyer, në shërbim të albanologëve, që dëshmon autoktoninë dhe lashtësinë e Shqipetarëve dhe të emrit të tyre kombëtar. Ky emërtim tregon se bëhet fjalë për të njëjtën bashkësi fisesh historike -Titanësh- dmth TË TANËVE (tanët dmth fisi ynë), por të ndarë në dy degë të mëdha: të Veriut dhe të Jugut. Për mijëra vjet ata e kanë shprehur këtë ndërgjegje të përbashkët etnike, nën emrin e Yllit -Yllir (Iliro-Dardanët dhe shumë fise të tjera) dhe Ipes (Iperiotët, Epiro/pellazgët, Hellenët etj.) apo Geg dhe Tosk . Sipas J. Wilkes (1992), po të bazohemi në burimet greke, nuk mund të bëjmë asnjë dallim midis Ilirëve dhe banorëve të vjetër të Epirit. (59) Ishin kushtet historike (ardhja e fiseve të huaja aziatike ) që e bënë të domosdoshme ripërdorimin e emrit para-historik Schipetar, mbi të gjitha emërtimet e tjera kombëtare (që i dallonin dy bashkësit e mëdha), për t’iu treguar të huajve origjinën e përbashkët Hyjnore dhe pronësinë, „Zotër të trevave“.

– Studiuesja Fatbardha Demi –

Dr. Johan George von Hahn pyet: A bie fort në sy, që shkrimtarët romakë dhe grekë mos ta njohin emrin e përbashkët të disa popujve që ishin farefis? (…) Apo që pjesa më e madhe e Europës së qytetruar e injoron ekzistencën e një populli të madh në Greqinë e sotme, i cili nuk është grek, kështu që emri i grekëve e mbulon këtë komb të huaj ? (60)
Ky Komb i Europës zanafillore edhe në kohën moderne mban emrin e simbolit të Krijuesit- SHQIPONJËS, dhe përdor Shqipen, Nënën e Gjuhëve – gjuhën e lashtë të zanafillës me të cilën fliste Homeri. (Giuseppe Crispi, Memoria sulla lingua albanese, Palermo,1831).(61)
– Fatbardha Demi ([email protected]) – 21. 07. 2015

– FUND –

___________________
FATBARDHA DEMI: SHQIPE-RI, EMRI PARAHISTORIK I ZOTIT, NË BOTËN MODERNE (PJESA E PARË)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=4383
***
FATBRADHA DEMI: SHQIPE-RI, EMRI PARAHISTORIK I ZOTIT, NË BOTËN MODERNE (PJESA E DYTË)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=4384

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura