FATMIR ALIMANI: MOIKOM ZEQO NJË FENOMEN I RRALLË LETRAR

Pashtriku.org, 19. 09. 2013 – Autor i një korpusi poetik tejet hapësinor dhe i një proze moderne të paparë ndonjëherë në këtë intensitet e densitet, M. Zeqo është me të vërtetë një fenomen i rrallë letrar. Me një poezi dhe një prozë jashtë klisheve, modave të përkohshme dhe formulave të ngurosura, ai përfaqëson një drejtim të vetin, tjetërsoj, të panjohur nga letërsia e gjersotme shqipe, që mund të quhet ndoshta, realizëm surrealist. Është një fakt i mrekullueshëm përqasja e tij me lavdinë, që ai e quan mjeshtërisht një “alibi”. Një zog i rrallë fluturon në tërë krijimtarinë e tij të begatshme, pranë një kali planetar, pranë një zoti dhe pranë currilave të fëmijërisë, që janë kthyer tashmë në një lloj parajse tjetër. Zeqo kalon lehtësisht nga poezia te eseja, rrëfimi, paradoksi, arkeologjia, piktura, filozofia dhe estetika…
Mbretëria poetike
Gjithë poetët e vërtetë krijojnë mbretëritë e tyre. Një nga poetët e sotëm shqiptar që e ka krijuar këtë mbretëri është pa dyshim poeti Moikom Zeqo, zëri më impresionues dhe më sfidues i poezisë së sotme shqipe.
Ky pohim nuk është kurrfarë mungese e gjakftohtësisë së shikimit tonë dhe as kurrfarë shenje e patetizmit të theksuar të shqiptarëve.
Nuk është kështu, sepse kemi tashmë përballë, me të vërtetë, një mbretëri poetike, që nuk i mungon asgjë dhe që i mjafton fare mirë vetvetes.
Kjo mbretëri mund të quhet fare mirë mbretëria e metaforave dhe e filozofimit poetik, që arrin deri në përmasa sublime, për herë të parë në historinë e poezisë shqipe, në një gamë kaq të gjerë, që ngjan thuajse e pafundme.

Gjatë një takimi me Moikom Zeqon në Tiranë.

Madje kemi gjithashtu shpalosjen e një sfide të fortë edhe në planin evropian e madje botëror. Janë shumë të rrallë poetët e sotëm botërorë, të cilët kanë arritur të krijojnë një mbretëri të tillë. Në planin e vogël, metafora moikomiane është një vazhdim kolosal i metaforës epike migjeniane dhe i metaforës lirike deradiane, ndërsa në planin e madh ajo përthith dhe shkon më tej metaforave të poetëve të mëdhenj të shekullit që kaloi dhe të shekullit në vijim. Metafora moderne liriko-filozofike moikomiane që ka pushtuar territore kozmike dhe ka shpalosur një botëvështrim të ri dhe një poetikë personale që transformohet vetiu në një poetikë universale, përbën thelbin e kësaj mbretërie, në sensin aristotelian dhe njëkohësisht në atë migjenian dhe anglosaksonian.
Kalorësi i nëmur i metaforave
Metaforat e poetit Moikom Zeqo janë me të vërtetë të pazakonta dhe ato e rendisin këtë poet fare natyrshëm në gjirin e poezisë së madhe, me befasitë dhe poliseminë e tyre vërtet prezente dhe tepër ngjashnjyese. Në to thuajse gjithçka shihet ndryshe.
Gjithçka tingëllon estetikisht mirë e bukur në një harmoni të vetvetishme dhe jashtë çdo klisheje të qartë. Ato mund të sfidojnë gjithçka, por pa ulërima dhe pasthirrma mediokre, ose pa asnjë gjurmë të optimizmit dhe të njëkuptimësisë, prej të cilave është e pushtuar sot poezia shqipe.
Do të përpiqem të vë në reliev vetëm pak prej metaforave të para, nga mali i ri, që Moikomi ka krijuar me to, në poezinë e sotme bashkëkohore. Kështu, dimri përfytyrohet “si një statujë që rri i shtangur para nesh”, ndërsa ne ngjajmë akoma si fëmijë në një lojë të papërsëritshme. Ndërkaq hëna… “sillet nëpër ëndrra lart si titull lirike”. Poeti ndjehet qartësisht “si një Bard i Përjetshëm i Detit”. Siç shihet, fjala “deti”, shkruhet me germë të madhe. Më tej, shfaqet kali, që është njëfarë princi ose mbreti në tërë metaforat moikomiane.
Ky është kali i tij, që vrapon pa pushim, dhe mbi krifat e tij vrapon edhe “forma e zbrazët” e poetit. Fare pranë këtij kali, “vetmia është një orë”, ndjenjat janë “beduinë të etur”, dhe madje Habia, është vendlindja e tij.
Sigurisht, ndërsa gjithë dykëmbëshat përreth janë të hapur e të lumtur, ai është “brenda vetes i mbyllur”.
Poeti atëherë merr një aftësi të pazakontë dhe kështu ai bëhet: tokë, det, kalë, perëndi, formë e zbrazët, pemë, botë lirike, gjysmëtokë e gjysmëdet, gjysmëvetvete e gjysmë ti, gjeni i vogël i aventurave dhe kërkues këmbëngulës dhe i përhershëm i krahasimeve të reja.
Ai përjeton njëmijë vdekje dhe njëmijë ringjallje, ai përjeton një gravitacion të dytë, një ajër blu, dhe njëkohësisht ai ndjehet si një faraon në dashuri, si një pelikan i vetmuar, apo… edhe si “një plesht që shikon te qafa e luanit të universit”.
Ai bëhet një pasagjer i jashtëzakonshëm i kohës dhe kërkon të deshifrojë i gjallë, “dialogun e vdekur të statujave”. Kësisoj, metaforat krijojnë imazhe nga më të befasueshmet. Muzgu bëhet Akil, orët lodhen “si kuajt”, dhe ai shpallet natyrisht tanimë me plot të drejtë, si një kalorës i nëmur i metaforave. Në rastin e poezisë mediokre bashkëkohore, ai do të kishte qenë një kalë i bekuar.
Ai shkon më tej akoma, duke u bërë “lexues i ajrit”, shpikës i shahut të tij “me bashkëtingëlloret dhe zanoret e shqipes”, e më në fund, edhe “një shfletues i shekujve të ardhshëm”. Në gjithë këtë pafundësi identitetesh e misteresh, është poeti ai që i lëviz akrepat e orës, “me një shpejtësi fantastike të paparë si helikat e një aeroplani”. Ai kërkon të zbulojë çdo herë sekretin e metaforave, sepse “kuajt dhe demat e metaforave” janë për të, “më të plotfuqishëm se zotat”.
Ndërkaq, “shiu i mallit” i ka njomur “flokët e simboleve”. Një imazh tjetër i jashtëzakonshëm na ndjek menjëherë. Disa zogj përrallorë ulen të pinë në Ebro. Përse janë vallë kaq të etur këta zogj të pazakontë? Përgjigja është me të vërtetë aspak e zakonshme: “Për t’u bërë më pak të vdekshëm”.
Kush nuk dëshiron vallë, të bëhet më pak i vdekshëm, nëse pavdekësia është e pamundur? Por, për t’u bërë i tillë duhet të pish të ardhmen, duhet të pish gjithë etjen e njerëzve të etur. Ata që nuk kanë etje, nuk hyjnë aspak në këtë histori. Ata nuk mund të bëhen kurrsesi, më pak të vdekshëm.
Por një imazh akoma më esencial na ndjek si të thuash këmba-këmbës. Një kalë. Natyrisht, një kalë jo pak i çuditshëm. Ai bëhet bashkëkohësi ynë, bëhet ne. Por,
Kuajt,
s’ua lenë njerëzve
testamentet e tyre
Veç në ua lënçin yjeve.

Një imazh që meriton të quhet homerik. Këtu kali ngrihet jo vetëm mbi njerëzimin, por edhe mbi yjet, sepse nuk është aspak e sigurt nëse “testamentet e tyre” ata do t’ua lenë, me të vërtetë, yjeve.
Në një thuktësi që arrin shkallën sublime, në katër rreshta krejt të shkurtër, kemi përpara nesh një botë krejt më vete: kuajt e pazakontë, njerëzimin, testamentet ose më saktë ardhmëritë, dhe gjithashtu yjet, domethënë botën tjetër.
Kësisoj, kali është tashmë një planet më vete.
Poeti Moikom Zeqo kërkon vazhdimisht një metaforë të re, i etur si një titan dhe i butë e i thjeshtë si një fëmijë, të cilin e pret një e ardhme e pazakonshme.
Dhe ai prandaj i quan metaforat e tij, “drithë i mbirë në planetin Mars”.
Dhe kalorësi nuk do të presë asnjë herë bekimin e tij, sepse ky do të ishte dënimi më i madh për të.
Fjalët
Raporti i M. Zeqos me fjalën është i veçantë dhe jashtë çdo klasifikimi e embleme. Poeti i ndjen fjalët përballë tij, si krijesa të gjalla, dhe kërkon t’u veshë atyre “lëkurat tona”. Por plagët ndodhen kudo. Fjalët notojnë në lumenj gjaku.
Poeti ndjen “një Ebro të gjakut në plagën mitike të fjalës”. Nga ana tjetër ai mund të dëgjojë edhe librin e heshtjes ose pauzat në mes të fjalëve. Ai mund të festojë madje edhe “festën postume të fjalëve”.
Më tej akoma, ai mund t’i përfytyrojë galaktikat, si “fjalë të pathëna”. Dhe njëkohësisht poeti kërkon me ngulm të gjejë mënyrën e veçantë për të mbushur fjalët e zbrazura, “me këtë univers”. Kërkimi merr gjithashtu thuajse gjithnjë një trajtë epike, sepse,
Fjalët janë si harku
që s’e tendos askush.
Pamposhtësia e fjalëve! Ja guri i Sizifit për poetin e vërtetë. Fjalët janë djajtë më të shkathtë e më të pakapshëm. Në çdo fjalë gjenden 33 djaj. Ndërsa qëllimet e poetëve dhe shkrimtarëve luajnë përfundimisht një rol dytësor, sepse librat e vërtetë luajnë pavarësisht nga krijuesit, lojën e tyre vetjake.
Personaliteti
Autor i një korpusi poetik tejet hapësinor dhe i një proze moderne të paparë ndonjëherë në këtë intensitet e densitet, M. Zeqo është me të vërtetë një fenomen i rrallë letrar.
Me një poezi dhe një prozë jashtë klisheve, modave të përkohshme dhe formulave të ngurosura, ai përfaqëson një drejtim të vetin, tjetërsoj, të panjohur nga letërsia e gjersotme shqipe, që mund të quhet ndoshta, realizëm surrealist.
Është një fakt i mrekullueshëm përqasja e tij me lavdinë, që ai e quan mjeshtërisht një “alibi”. Një zog i rrallë fluturon në tërë krijimtarinë e tij të begatshme, pranë një kali planetar, pranë një zoti dhe pranë currilave të fëmijërisë, që janë kthyer tashmë në një lloj parajse tjetër.
Zeqo kalon lehtësisht nga poezia te eseja, rrëfimi, paradoksi, arkeologjia, piktura, filozofia dhe estetika.
Ai nuk rresht të na befasojë jo vetëm ne, por madje edhe vetveten. Në personalitetin e tij zë natyrisht një vend të nderuar: dijetari. M. Zeqo është një dijetar i rrallë. Një guximtar. Një paradoks dhe një shembull i qartësisë polifonike.
Sa më shumë kalon koha aq më shumë shkëlqen vepra e tij. Madje më tepër, në mungesë. Shqiptarët e ardhshëm janë miqtë e tij më të mirë. Jo vetëm ata. M. Zeqo është nga të rrallët që di të revoltohet kundër mediokritetit dhe provincializmit, që vazhdon të jetë ulur këmbëkryq në Shqipëri, natyrisht i mbuluar me ca maska qesharake dhe linçuese.
Mjerisht, mendimi shqiptar vazhdon të mbetet i helmuar nga vetvetja dhe i shokuar nga paaftësia përballë lirisë dhe mistereve të saj. Ky mendim i helmuar më kujton Hegelin, kur thotë bukur dhe qartë: “Artisti që don të imitojë natyrën nuk është veçse një krimb i tokës që kujton se është një elefant”.
M. Zeqo është i bindur që “jashtë krizës nuk ka poezi”.
Përreth gjëllojnë, të panumërueshëm, njerëzit dhe artistët e lumtur, njerëzit e mëdhenj, njerëzit bosh.
Pessoa, ndërkaq nënvizon qartë, që “lavdia, sot u përket gladiatorëve dhe bufonëve”.
Por, pa u tundur aspak, bijë e një krijuesi të pavarur, i cili ka krijuar mbretërinë e tij poetike, me metaforat dhe fjalët e tij të ringjallura, poezia moikomiane rrëshqet nëpër epoka dhe shekuj, si një troftë lojcake dhe inteligjente nëpër gurët e një lumi të shenjtë.
Sipas Octavio Pax, “poeti është vetëdija e fjalëve”.
Vetëdija e veprave tona do të na gjykojë një ditë të gjithëve. Asokohe, të vdekurve dhe atyre që u morën nëpër këmbë nga indiferenca primitive ose nga ligësia e mjerë, do t’u ngrihen statuja. Migjeni, natyrisht ai, “ndoshta që nga dritarja e Hënës, do t’i hedhë atëherë poetit një Trëndafil blu”… ( Bruxelles, 3-4 prill 2009)

Me shkrimtarin Fatmir Alibali në Panairin e Librit – Frankfurt.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura