FATMIR GRAIҪEVCI: A DO T’JU JEPET STATUSI I VETERANIT TË UÇK-së EDHE ATYRE QË DIKUR KËRKONIN DËNIME MAKSIMALE PËR LIRIDASHËSIT E KOSOVËS!?

Prishtinë, 09. 06. 2013 – Cilësimi i Kosovës si rast “Sui Generis”, pra si rast i veçantë i cili nuk mund të shërbej shembull për asnjë vend tjetër të botës duket që është cilësimi më i mirë që i është bërë vendit tonë. Cili vend do të ndiqte shembullin e Kosovës dhe popullit shqiptar që puthadorët e pushtuesve t’i trajtoi si heronj, si çlirimtar dhe të bënte lartësimin e tyre. Duket se si vend por edhe si komb jemi të veçantë dhe të pashembullt sidomos në raportet që krijojmë me të kaluarën dhe në ngatërrimin e vazhdueshëm të atdhedashurisë me atdhe urrejtshmërinë, nacionalizmit dhe internacionalizmit, demokracisë me komunizmin, në ngatërrimin në mes të liridashjes dhe robëri dashjes, në mes altruizmit dhe egoizmit, viktimës e xhelatit dhe shumë antinomive të tjera. Është normale që të ketë lajthitje për këto antinomi një fillorist por jo edhe ata që hiqen se njohin antivlera dhe vlerat më të larta njerëzore ashtu sikur ka ndodhur e po ndodhë me disa udhëheqës të kombit shqiptar rrugëtimi i të cilëve drejt theqafjes nuk ka të ndalur.
Ende pa u mbushur një vit nga koha kur kryetarja jonë, Atifete Jahjaga dhe kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, bekuan dhe lartësuan Ahmet Zogun, i njohur për tradhtinë që ia kishte bërë Shqipërisë, plaçkitjes së pasurisë së saj dhe vrasjen, përndjekjen dhe dënimin me vdekje të patriotëve të dëshmuar shqiptar, Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Bajram Curri, Fan Noli, Azem Bejta,… sot bekim dhe lartësim të tillë kërkojnë edhe ata që deri dje shpirtin ia kishin shitur djallit. Në mesin e atyre që kanë aplikuar për statusin e veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është edhe Azem Vllasi dhe bashkëveprimtar e bashkëmendimtar të tillë të cilët i kishin shërbyer besnikërisht regjimit shqiptar vrasës të Jugosllavisë dhe Serbisë. Ky soj i puthadorëve të regjimeve shqiptar vrasëse për shërbimet e tyre ka fituar favore të shumta të regjimeve antishqiptare ndërkohë që kërkonin dënimin maksimal të të gjithë atyre që angazhoheshin për përmirësimin e pozitës së popullit shqiptar në Jugosllavi. Shqiptarëve liridashës ende ju kujtohet kërkesa e Azem Vllasit dhe shërbëtorëve të tjerë shqipfolës për dënime maksimale ndaj të gjithë atyre që angazhoheshin për përmirësimin e pozitës së kombit shqiptar në Jugosllavinë e atëhershme. Athua çfarë dënime do të kërkonte Azem Vllasi dhe soji i tij për ata që do të angazhoheshin për bërjen e Kosovës shtet të pavarur(?), apo ndaj atyre që këtë kërkesë do të provonin ta realizonin edhe me luftë të armatosur siç bëri Ushtria Çlirimtare e Kosovës, pjesëtar i së cilës pretendon të ketë qenë, Azem Vllasi? Nëse ai dhe soji i tij kërkonin dënim maksimal dhe lëçitje nga ato familje edhe në rastet kur ndonjë anëtar i familjes së tyre ka shkruar ndokund shkronjat “KR” (Kosova Republikë) nuk duhet shumë imagjinatë për të ditur se çfarë dënimi do të kërkonte ai ndaj atyre që do të angazhoheshin në luftë të armatosur kundër regjimit të cilit i shërbeu me shumë përkushtim dikur, derisa u bë i padobishëm dhe u hodh si paçavër, Azem Vllasi.

Ish’pioneri i Titos: Azem Vllasi, gjatë dhënies së betimit në APJ!

Në mesin e atyre që kanë aplikuar për statusin e veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është edhe Azem Vllasi dhe bashkëveprimtar e bashkëmendimtar të tillë të cilët i kishin shërbyer besnikërisht regjimit shqiptar vrasës të Jugosllavisë dhe Serbisë.

*  *  *

AZEM VLLASI DHE RRAHMAN MORINA, LUFTËTARËT E SHKATËRRIMIT

TË “NACIONALIZMIT DHE IRREDENTIZMIT” SHQIPTAR!…

Kërkesa e tij për marrjen e statusit të veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është shumë domethënëse dhe tregon më së mirë se ku është katandisur shoqëria jonë, se cilat janë vlerat mbizotëruese te ne, se deri ku ka arritur pandjeshmëria njerëzore e shoqërisë, udhëheqësve dhe institucioneve tona ndaj dukurive negative e komprometuese! Edhe nëse nuk miratohet kërkesa e tij, guximi i tij për të bërë një kërkesë të tillë është fyerje për të gjithë ata që janë angazhuar dhe nuk kanë kursyer asgjë për çlirimin e Kosovës dhe bërjen e saj shtet të pavarur. Është fyerje sepse ai dhe soji i tillë po na trajton si njerëz me tru peshku i cili harron se çka ka ndodhur pak momente më parë! E themi këtë sepse ashtu sikur ka provuar dikur të mashtroi shqiptarët se ata kanë të gjitha të drejtat dhe liritë në Jugosllavi ai po përpiqet që të mashtroi sërish se ai na paska qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Athua pse ka pasur Kosova nevojë për ushtri çlirimtare meqë sipas Vllasit kur ai ishte në pushtet, ajo ishte i lirë dhe populli shqiptar gëzonte të gjitha të drejtat? Por kështu është kur as shoqëria e as institucionet e dala pas luftës çlirimtare nuk kanë këmbëngulur asnjëherë që të ndëshkohen moralisht të gjithë ata që kanë dënuar dhe përndjekur liridashës e Kosovës? Po të kërkohej llogari nga të tillët pas luftës për çirrjet e tyre për dënimin maksimal të liridashësve të Kosovës nuk do t’i binte sot ndërmend të kërkonin status të veteranit të UÇK-së sepse do ta dinin shumë mirë se do të ju kërkohej llogaridhënie për përpjekjet për mashtrim për së dyti. Por kjo nuk është më e keqja, ajo do të na godas më vonë nëse nuk këndellemi njëherë e mirë dhe të iu tregojmë vendin puthadorëve të regjimeve gjakatare. Derisa nuk e bëjmë këtë, kërkesat e ish shërbyesve të të gjitha regjimeve antishqiptare e anti njerëzore për trajtimin e tyre si çlirimtar të vendit nuk do të kenë të ndalur. Por kjo ndodhë vetëm në vendin “Sui Generis”, i cili nuk mund të jetë shembull për vendet e tjera dhe me të drejtë nuk mund të merret shembull nga asnjë vend tjetër i cili ka një shoqëri me vlera dhe vlerësime të shëndosha e që drejtohet nga udhëheqës vizionar që i karakterizon dashuria për vlerat dhe përbuzja e antivlerave dhe e bartësve të tyre. 
Janë të shumta rastet kur dëgjojmë kërkesa të arsyeshme dhe humane që Serbia të kërkoj falje për krimet që ka bërë kundër popullit shqiptar dhe këto kërkesa bëhen edhe nga historian, analist e studiues që gjatë defilimeve nëpër televizione gjykojnë krimet e Hitlerit, Sadamit, Gadafit, Millosheviqit por jo edhe shërbyesve të regjimeve të tyre, sikur ka qenë një herë e një kohë, Azem Vllasi dhe soji i tij. Përse këta “humanistë”, analistë, studiues e historian që kërkojnë llogaridhënie nga të lartpërmendurit e vdekur, që më nuk janë të rrezikshëm për njerëzimin, nuk kërkojnë llogaridhënie edhe nga ata që janë gjallë dhe që iu kanë shërbyer të tillëve me shumë përkushtim dhe besnikëri derisa janë hedhur si paqavër? Nuk e besoj se Serbia do ta konsideroj të arsyeshme kërkesën tonë për të kërkuar falje për krimet që ka bërë ndaj popullit shqiptar derisa ne nuk kërkojmë llogaridhënie nga shërbyesit e saj të dikurshëm e që i kemi në mesin tonë e disa edhe nëpër pozita kyçe? Fundja e fundit, pse duhet pritur dhe insistuar për llogarie dhënie nga regjimi shqiptar vrasës i ish Jugosllavisë dhe Serbisë kur asnjëherë nuk kemi kërkuar me këmbëngulje llogari nga të gjithë ata që iu shërbyen këtyre regjimeve, të cilët në këmbim të besnikërisë së tyre lartësoheshin nëpër pozita të ndryshme që sillnin privilegje të shumta, lartësim i cili nuk është ndalur edhe pas çlirimit të vendit ndonëse dikur këta kameleon e shkuar kameleonit denonconin dhe ndëshkonin ashpër liridashësit e Kosovës. Soji i Vllasit mendon vetëm për interesa të veta materiale, privilegje dhe trajtim prej heroi. Ai e donë lirinë e Kosovës, pavarësinë e saj, ushtrinë e saj çlirimtare vetëm atëherë kur kjo “dashuri” i shpërblehet shumëfish ashtu sikur dikur i është shpërblyer dashuria dhe zelli për Jugosllavinë, komunizmin, internacionalizmin, vëllazërim bashkimi me popujt sllavë dhe ndëshkimi siq shpreheshin atëherë, dënimin e kundërrevolucionarve, irredentistëve, separatistëve, nacionalistëve e që në këmbim të këtyre kërkesave merrnin privilegje e poste në ish Jugosllavi ndërkohë që për avancimin e dhe plotësimin e egos së tyre ashpërsonin kërkesat për dënime maksimale të të gjithë liridashësi e Kosovës. Ky soj i puthadorëve asnjëherë nuk dëshmoi se është i gatshëm të braktisë postet dhe privilegjet në interes të Kosovës dhe popullit të saj por se është gjithmonë i gatshëm të bëjë të kundërtën, që të ndëshkoj popullin shqiptar dhe liridashës e tij në këmbim të posteve që ofrojnë privilegje të shumta. Këta janë të gatshëm që të bëjnë këtë edhe në të ardhmen nëse ju ofrohen mundësi dhe privilegje të tilla.
Falja dhe nderimi i Fadil Hoxhës dikur nga ata që s’kishin çka t’i falin, lartësimi i Ahmet Zogut nga kryetarja Atifete Jahjaga e cila ende nuk po arrin të lexoj si duhet dhe nga kryeministri, Sali Berisha që me krenari tregon se këshilltar dhe mik të tij e ka Damir Fazlliqin-nipin e kryeudbashit, kanë hapur rrugë që kërkesë për trajtim prej heroi të bëjë edhe Azem Vllasi! Nuk duhet habitur që një ditë trajtim prej heroi të popullit shqiptar të kërkojnë edhe ata dhe bijtë e atyre që janë dënuar nga bota demokratike por që nuk dënohen dot nga shoqëria jonë, të paktën moralisht. Më e keqja është se gjeneratave të ardhshme po ju dërgojmë porosi dhe po ju japim shembuj se mund të bësh çfarëdo që dëshiron kundër popullit shqiptar sepse do të gjenden në mesin e tij udhëheqës të tillë që do të ju trajtojnë si heronj. Dhe për fund do përkujtuar debatin e Vllasit me gjyqtarin e tij. Pas shfrytëzimit të tij të skajshëm nga regjimi i Beogradit zyrtar, hedhjes si paqavër, dënimit simbolik dhe faljes së tij brenda pak kohësh, Vllasi i drejtohet gjykatësit dhe kërkon përgjigje se a ka pasur ai në bankën e të akuzuarve njeri më të drejtë dhe të pafajshëm se ai dhe gjyqtari përgjigjet: Po, zotëri Azem Vllasi! Edhe shumë madje. Të gjitha ata të rinj e të reja të demonstratave të ‘81 që m’i dërgoje dhe kërkoje t’i dënoj me dënime maksimale. Mbase të dënuarve të ‘81 iu bije për obligim që të ngritin të parët zërin dhe të reagojnë me kohë dhe me këmbëngulje që ky të mos trajtohet si veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të përgatisin përgjigjen që duhet dhënë këtij mashtruesi nëse ai kërkon që të trajtohet edhe si i burgosur politik.
Në të kundërtën, nëse edhe ky merr statusin e veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës atëherë nuk duhet të habitemi nëse statuti i tillë iu njihet edhe 600 mijë të tjerë dhe që në të ardhmen fuqitë e mëdha të kërkojnë në mënyrë cinike ndihmë ushtarake nga ne.!!!
– Autori i këtij shkrimi ishte gazetar në Radion Kosova e Lirë dhe tani është profesor në Gjimnazin “Ulpiana” në Lypjan dhe në shkollën e mesme “Luarasi” në Prishtinë.

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

LLASHTICA DARDANE …

Shkruan: Prof.dr.Nusret Pllana Llashtica dardane qe 25 vite në kërkim të drejtësisë ndërkombëtare! (Në shenjë kujtimi të përjetshëm…