GJOKË DABAJ: LAHUTA DHE KULTURA ILIRO-ARBËRORE

Durrës, 7 tetor 2019: Zymer Neziri është një hero i kulturës sonë kombëtare.
Është traditë të quhen heronj ata që bien në fushëbeteja për çlirimin e atdheut ose burgosen e torturohen, siç ka ndodhur në ish-Jugosllvinë titiste, sepse e donin atdheun të lirë. Në kohën e Enver Hoxhës, këtu në Republikën e Shqipërisë, kish edhe një tjetër kategori heronjsh. Ata quheshin Heronj të Punës Socialiste. Edhe ata ishin heronj të mirëfilltë, sepse punonin me vullnet të jashtzakonshëm për të përmirësuar ekonominë e këtij vendi. Të dyja palët, edhe ata që i vret ose burgos e torturon armiku, sepse e duan vendin e vet të lirë, edhe ata që e shkrijnë jetën duke punuar, sepse e duan vendin e vet më të begatë, janë heronj që kanë merituar dhe do të meritojnë në jetë të jetëve të merren si shembull.

Por Zymer Neziri është heroi i kulturës sonë kombëtare. Ai i ka shkrirë për dyzet vjet energjitë e veta inelektuale, për të nxjerrë në dritë njërën nga pasuritë më të mëdha shpirtërore të kombit tonë, këngët tona legjendare apo, siç thuhet ndryshe, eposin e kreshnikëvet.
Zymer Neziri është hero i kulturës sonë kombëtare, edhe sepse po punon për të mos lejuar, sa të jetë e mundur, humbjen, shuarjen e kësaj pasurie tonë kulturore. Këngët tona legjendare janë një mrekulli artistike dhe pikërisht në kohën kur shqiptarët duhet të kuptojnë se këto këngë dhe interpretimi i tyre me lahutë janë një mrekulli artistike dhe se duhen ruajtur e kultivuar, ato po shkojnë drejt shuarjes. Dhe po shkojnë drejt shuarjes, për shkak se shtetet tanë po neglizhojnë, duke mos kërkuar prej akademivet që ato t‘i kryejnë si duhet punët e veta.

Zymer Neziri është hero i kulturës sonë kombëtare edhe sepse këtë pasuri tonën me vlera të paarritshme, ai po përpiqet ta vërë nën mbrojtjen e UNESCO-s, si një thesar e pasuri gjithnjerëzore.
Kur fola në konferencën që u organizua, më 2 tetor 2019, në sallën e madhe të Akademisë së Shkencavet në Tiranë, të gjithë këta komtribute të Z. Nezirit i dija, prandaj edhe pata shkuar në atë konferencë. Për ta nderuar dhe për t’i shprehur mirënjohje. Mund t‘i thosha këto që thashë më lart dhe ta mbyllja me kaq, por, në atë rast, për arsye se gjendeshim në Akademinë Shqiptare të Shkencavet, m’u duk më e rëndësishme të them diç tjetër. Tekstin që e lexova para të pranishmëvet, po e publikoj këtu, duke shtuar, siç ndodh zakonisht në ripunime, edhe ndonjë gjë që, për shkak të minutazhit të kufizuar, natyrshëm nuk do të mund ta lexoja atë ditë:
Në studimet albanologjikë, thashë në atë parashtresë, është bërë një GABIM I MADH në metodologji: Në marrëdhëniet me kombet e tjerë, kontributi i kombit shqiptar është konceptuar, gjeografikisht, prej aq vendi sa ka arritur ky komb të ketë në shekullin 19, ose edhe më keq, pree aq vendi sa na ka lënë Konferenca e Londrës e vitit 1913.
Ky gabim duhet të ndreqet sa më parë në shkallë akademike.
Marrëdhëniet tona me etnitë e tjera, psh. me sllavët, por edhe me grekët e me turqit, duhet të konceptohen në hapësirat gjeografike, e pakta nga Istria deri në ngushticën e Bosforit, në mos edhe në krejt pjesën perendimore të Azisë së Vogël.
Në këto hapësira gjeografike ka jetuar etnia jonë dhe në këto hapësira gjeografike kanë ndodhur edhe ngjarjet historike. Iliro-arbërit kanë dhënë edhe kanë marrë pikërisht NË KËTO HAPËSIRA e jo “në hapësirën prej Vërmoshit e në Konispol”.
Në gadishullin tonë, sllavët kanë jetuar 300 vjet nëpër enklava të quajtura skllavini dhe gjatë gjithë asaj kohe ata kanë MARRË kulturë nga vendësit, domethënë nga ilirët, por edhe nga latinët apo grekët, të cilët në shekuj i kishin krijuar po në këto hapësira (të ish-Perandorisë Romake) vlerat e tyre kulturore. Vetëm në shekullin 9, me përkrahjen e pakursyer të Bizantit dhe të Vatikanit, sllavët filluan të krijojnë INSTITUCIONET E TYRE TË KOHEZIONIMIT (kishat në gjuhën e tyre) e njëkohësisht edhe shtetet e tyre.
(Të mos na kalojë pa u vënë re dallimi midis nocionit institucion i kohezionimit dhe nocionit shtet. Shteti mbështetet te institucioni i kohezionimit, shteti e shfrytëzon institucionin e kohezionimit dhe anasjelltas institucioni i kohezionimit e përdor shtetin e vet për t’u kohezionuar e kompaktësuar edhe më shumë. Mund të ndodhë që një komb a etni të mos e ketë shetin e vet, por kur e ka institucionin e vet të kohezionimit, ai jeton dhe mbijeton edhe në robëri.)
Vetëm mbas shekullit 9 sllavët, gradualisht, mundën të shndërrohen edhe në faktor DHËNËS të gjuhës dhe kulturës së tyre. Në këtë mënyrë, shpeshherë, sidomos te ilirët, por edhe te rumunët, ndodhi që disa nga elementët që i kishin marrë njëherë prej këndej, t’i kthenin te popujt të cilëvet ua kishin marrë, por këtë herë si “sllavizma”. Po marr vetëm një shembull, nga qindra shembuj që mund të merren: Fjala RRËKE (nga folja RRJEDH), që e kishin marrë prej iliro-arbërishtes, iu kthye arbërvet në variantin REKË, sikur ajo të ishte “një fjalë sllave”. Kaq mjafton, për të kuptuar ç’po themi.
Disa nga tiparet, apo elementët e këtyre marrëdhënieve të parashekullit 9, të cilët akademitë kanë detyrë t’i studiojnë, i gjejmë të trashëguar në të gjithë popujt sllavë, deri në Rusi. Kështu, në gjuhët sllave, deri edhe te rusishtja, më shumë nga ç’ka konstatuar Maks Fasmeri, do të shpjegohen me gjuhën shqipe mbi 2000 njësi leksikore, krahas latinizmavet dhe greqizmavet që gjithashtu janë të shumtë në ato gjuhë. Si ka ndodhur kjo dukuri që edhe në rusisht të ketë kaq shumë iliro-albanizma? A erdhën dhe e morën rusët këtë fond leksikor në Bjeshkët e Nemuna? Sigurisht që jo. Por duhet ditur, duhet të jemi në gjendje ta kuptojmë dhe ta sqarojmë që, rrugët e çuarjes së kulturës evropiane në Rusi, deri vonë, ndoshta deri në shekullin 15, kanë qenë: Danubi, Iliriku, Bosfori. Jo Gjermania, Polonia e Baltiku! Franca, Gjermania, por edhe Britania, janë bërë burime të rrezatimit intensiv të kulturës në Rusi vetëm në kohën e carëvet.
Emri i Triestes (Tergeste), por edhe emri i gadishullit të Istrisë e bashkë me të, edhe fjala latine STEREO, duhet të krahasohen me gjuhën shqipe. (Judbina, në kohën paraosmane, nuk ka qenë jashtë arealit të kulturës ilire. Rrjedhimisht, Jutbina nuk ka qenë as jashtë territorevet ku këndoheshin këngët legjendare. Popullsia që i përdorte ato këngë, me themelimin e kishës gllagolike kroate, u sllavizua dhe, me atë rast e përktheu në sllavisht edhe një pjesë të eposit të vet.
Me ardhjen e osmanëvet, pjesa e ilirëvet që nuk ishte sllavizuar, tashmë arbër apo arnautë, ua ndërroi emrat heronjvet të atij eposi. Kështu, më një anë “lindi” prej eposit tonë i quajturi “eposi sllav” dhe në anën tjetër u “myslimanizua” edhe eposi arbro-shqiptar.
Dhe kështu, nuk ka çudi, nuk është aspak çudi, që heronjtë e eposit tonë shkojnë e rrëmbejnë bijat e krajlavet, ashtu si dikur Paridi shkonte nga Troja dhe rrëmbente një Helenë ndër sundimtarët e danajvet, ndoshta relativisht të sapoardhur në territoret e Pellazgjisë. Një e këtillë ngjashmeri nuk mund të anashkalohet, sepse dëshmon që të këtillë subjekte, njëri në Egje e tjetri në Judbinë, janë prodhime poetikë të së njëjtës etni.
Marrim edhe një shembull tjetër. Mu aty, në rrethinën e Jutbinës, kemi një mal që quhet DINARA, pra, disi ngjashëm me trajtën “Dhinorja”, sepse në atë mal kishte DHI me shumicë. Ndërkaq, sot një pjesë e atij mali quhet KOZARA. Koza në sllavisht i thonë dhisë. Pra, rrënja e toponimit Dinara është përkthyer nga DHI në KOZA.
Dhe, po në atë territory, luhet edhe një valle që sllavët i thonë Kozaraçko kollo (Vallja e Kozarës), me fjalë tjera, Vallja e Dinarës, e “Dhinorës”. Këtë valle, çuditërisht, ne e gjejmë të pikturuar qindra kilometra në lindje të asaj Kozare, në Manastirin e Deçanit, mu afër vendevet ku sot këndohen këngët e lahutës. (Ja pra, lidhja historike midis territorevet ku zhvillonin jetën e vet kreshnikët e Jutbinës dhe territorevet ku sot këndohen këngët e kreshnikëvet të Jutbinës.)
Këngët legjendare, duke nënkuptuar këtu këngët e aedëvet antikë dhe këngët e lahutës, në disa nga trevat shqiptare të sotme, janë shuar. Psh, në Shqipërinë e Mesme dhe në Shqipërinë Jugore.
Kurse, në raste të tjerë, jashtë Shqipërisë së sotme, ato janë PËRKTHYER dhe, këndoheshin apo këndohen, shkruheshin apo shkruhen, dikur në gjuhën greke, më vonë, shumë më vonë, në gjuhën sllavojugore.
Në gjuhën greke ka më shumë se 2700 vjet që s’janë kultivuar më këngë të atilla legjendare, si Iliada dhe Odiseja. Pse? Sepse s’është në natyrën e proveniencës greke të prodhohen vepra të atij zhanri. Në këtë proces ndikimi të ndërsjelltë, ndodhi që edhe këtu në Arbëri të Mesme dhe Jugore të “harrohet” epika legjendare, me përjashtim të Ibrahim Ketës së Ri e të ndonjë tjetre.
Në krahun tjetër, kultura folklorike sllavojugore, në zhanrin e këngëvet legjendare, ka mbërritur deri te Kraleviq Markoja e Musa Kesexhia, por më këndej ka krijuar fare pak ose pothuaj asgjë, në një kohë kur ne shqiptarët arrijmë të krijojmë edhe në shekullin 20 kryevepra epiko-legjendare, siç janë: Lahuta e Malcisë dhe baladat emocionalisht të paarritshme, Kanga e Gjon Petrikës(Pretikës) apo Kanga e Rexhos.
Të gjitha këto kërkojnë studime seriozë dhe studiues të kthjellët. Por duhet kuptuar njëherë e mirë: Kultura jonë nuk kufizohet në hapësirën nga Rugova në Vlorë. Kultura jonë, në të gjithë aspektet: në ARKEOLOGJI, në GJUHËSI, në FOLKLOR, në VESHJE, do konceptuar e pakta nga Triesteja deri në atë Bizantin e vogël, para se Konstantini i Madh ta shndërronte në qytet të madh. Ashtu si emri i Triestes lidhet me fjalën shqipe treg, ashtu edhe emri i Bizantit shpjegohet me gjuhën shqipe Mbi zanëtë, me kuptimin Mbi ngushticë. E gjithë kjo, sigurisht nuk i cënon aspak, as sllavët, as grekët dhe as latinët e dikurshëm.
Thamë: në ARKEOLOGJI. Dhe dihet që rrënojat e kështjellavet ilire gjenden në krejt këto hapësira. Atëherë, përse të mos ketë në po këto hapësira, edhe “rrënoja” të GJUHËS, të FOLKLORIT e të VESHJES ilire?
Një zonjë që drejtonte konferencën… Nuk po dua t’ia them emrin, se nuk është në moralin tim t’i sfidoj njerëzit me emra, sidomos njerëzit tanë që gjithsesi janë tanët… Pra, zonja që drejtonte mbledhjen, tentoi të ma ndërpriste fjalën. Sigurisht, iu duka i bezdisshëm, sado që nuk pata dalë vetë në atë foltore, por më patëm propozuar të tjerët. Iu duka i bezdisshëm pikërisht sepse thashë që „Ky gabim duhet të ndreqet sa më parë në shkallë AKADEMIKE.“ E kisha fjalën, jo për një gabim të vogël, por për një gabim shumë të madh, që i ka rrënjët drejt e te MOSPRANIMI I PREJARDHJES SONË ILIRE.
Po ia sqaroj pak më gjërësisht zonjës që tentoi të ma ndërpresë fjalën dhe që, në të vërtetë ma ndërpreu, por që ndërhyri salla dhe u detyrua të ma rihapë mikrofonin.
Që Iliada dhe Odiseja janë krijime të gjenisë pellazgo-ilire, nuk është aspak vështirë të kuptohet, qoftë edhe thjeshtë me analizën e tekstevet të atyre dy poemave. Te Iliada ka jo pak fragmente që dallohen qartë se janë shtuar prej vetë interpretuesvet, aedëvet, me qëllim që t’u hyjnë në qejf dëgjuesvet danaj, akej apo helenë. Quaji si të duash. Ato poema do të këndoheshin në oborret e tyre princërorë dhe TË PËRKTHYERA në gjuhën e tyre, por kjo nuk vërteton kurrsesi që ato poema i kanë krijuar danajt apo akejt. Përkundrazi, ato ishin TË PËRKTHYERA.
Në ato poema nuk është vështirë të dallohet që Uliksi, mbreti i Itakës, dhe Akili, mbreti i Mirmidonëvet, nuk është dashur të shkojnë në rrethimin e Trojës dhe pikërisht këtu qëndron edhe tragjedia. Troja u pushtua dhe u shkatërrua në saje të shërbimit që u bënë Uliksi dhe Akili TË HUAJVET kundër TË VETVET.
Të shohim tani, punë që kanë për detyrë ta kryejnë AKADEMITË tona, si u kanë shëbyer njerëzit TANË mbretërvet TË HUAJ këndej nga Veriu dhe Veriperendimi. Trimat tanë të Judbinës, që personifikojnë ilirët e Bosnjës, Kroacisë dhe Sërbisë, nga njëra anë luftuan kundër krajlavet, por nga ana tjetër, u martuan me bijat e krajlavet. Ç’do të ishin bijtë e këtyre trimave? Do të ishin nipër të krajlavet TË HUAJ! Por si do t’i trajtonin krajlat këta nipër, me gjak edhe iliro-arbëror?! Të shtatë Omerët e Mujit, qysh në moshën shtatë-vjeçe, do të vriteshin, në qoftë se nuk do t’u shërbenin dajavet të vet! Ibrahim Keta i Ri del disi pak më „fitues“ kunër krajlavet, duke u detyruar të vrasë edhe motrën e vet. Ndërkaq, një Kraleviq Marko, te një këngë që e ka botuar Ismail Doda e më vonë e kam marrë edhe unë prej tij dhe e kam botuar me komentin përkatës, e vret nipin e vet shtatë vjeç, që historikisht s’është tjetër veçse një fëmijë i Balshajvet, pasi motra e Markos ka qenë martuar ndër Balshaj. Të gjitha këngët epiko-legjendare sërbe, kroate, boshnjake a malaziase, janë TË PËRKTHYERA dhe të pajisura me një mori shtojcash, me qëllim për t’u pëlqyer sa më shumë dëgjuesvet.
Nuk po zgjatem më në këtë kapitull, sepse analizat e hollësishme duhet t’i kryejnë AKADEMITË tona, të cilat paguhen për këto punë, e jo individët vullnetarë!
Millosh Obiliqi s’është tjetër veçse një Akil i Mesjetës sonë. Lexojini dhe shihni: Si e përdor Agamemnoni Akilin dhe si e përdor Vuk Brankoviqi Milloshin? Akili, i fyer e i zemëruar, shkon e vritet nën muret e Trojës faktikisht për Agamemnonin, Milloshi, gjithashtu i fyer, shkon e vritet nën çadrat e sulltanit, faktikisht për Vuk Brankoviqin. Dallimi midis këtyre është se Akili i shekullit 12 para erës sonë, u vra në luftë kundër gjakut të vet, ndërsa Milloshi i shekullit 14 të erës sonë u vra kundër të huajvet dhe, që të dy, u përvetësuan e u heroizuan, jo për lavdi të popullit të vet, por për hesap të të huajvet. Pse Akili të mbetet „grek“ e Milloshi të mbetet „sërb“? Sepse AKADEMITË tona, jo vetëm nuk punojnë si duhet, por edhe nuk lejojnë që aty të dëgjohen edhe zërat e të tjerëvet. Akademikët tanë, sigurisht një pjesë e tyre e jo të gjithë, janë, sa injorantë aq edhe mendjemëdhenj. Fodullë të papërballueshëm dhe kjo vjen sepse ata e dinë që e marrin rrogën pameritueshëm.
Në shekujt e mëvonshëm, potuaj në kohën tonë, kemi aq shumë shembuj dramatikë apo edhe tragjikë, sa lidhjet e legjendavet me personazhet historikë bëhen gati të padallueshme. Një Karagjorgje nga Këlmendi, që varrin e gjyshit e ka në rrethinën e Plavë-Gicisë, lufton për çlirimin e një Sërbie, të asaj Sërbie, e cila më vonë do të vrasë, masakrojë e dëbojë qindra mijë shqiptarë. Një Kollokotron, një Marko Boçar, një Bubulinë, do t’i sjellin lirinë Greqisë, asaj Greqie që më vonë do të vrasë, masakrojë e dëbojë qindra mijë shqiptarë dhe qindra mijë të tjerëvet do t’ua ndalojë cinikisht pohimin se janë shqiptrë. Vetë pasardhësit e Karagjorgjit do të jenë masakruesit më të përbindshëm të kombit prej të cilëvet ata rridhnin.
Një Mark Milan, shqiptar ortodoks nga Kuçi i Malësisë së Mbishkodrës, në krahun veriperendimor të vendit tonë të sotëm, do të luftojë për t’i dhuruar Malit të Zi tokat e Shqipërisë. Një Branisllav Nushiq, i biri i një Nush Bardhi nga Vranja, do të bëhet dramaturgu më në zë i letërsisë sërbe, pa e pohuar kurrë që është shqiptar. Një Nikolla Teslla, shqiptar me prejardhje nga Sanxhaku, do të quhet në botën perendimore krenaria e kombit sërb. Një Mihaillo Laliq, edhe ky me prejardhje shqiptare, do të vjellë vrer në romanet e tij kundër racës së shqiptarëvet, dmth kundër racës së vet.
Ky është lëmshi i tragjedivet tona, të cilat AKADEMITË tona kanë për detyrë për t’i zbardhur deri në detaje, në mënyrë që në të ardhshmen të këtilla mynxyra të na pakësohen sa të jetë e mundur dhe, atje ku u kemi bërë nder fqinjëvet tanë, siç është rasti Nikolla Tesllës, të paktën të na e dinë për nder.
Të na pakësohen e jo të na shtohen mynxyrat, duke na i marrë sërbët Eposin e kreshnikëvet dhe lahutën, ashtu siç na i kanë marrë grekët Iliadën dhe Odisenë dhe shumë thesare të tjerë. Dhe po duan edhe Himarën ta bëjnë të vetën, siç po kërkon edhe Sërbia të bëjë të vetën Mitrovicën Veriore.
Më në fund, mua s’më mbetet tjetër, veçse t’i uroj studiuesit të palodhshëm Zymer Neziri, sukese edhe në përballimin e rezistencavet tona të brendshme.
Gjokë Dabaj, Durrës 1-5 tetor 2019
(Fjala në takimin me Zymer Nezirin, e zgjeruar dhe e ripunuar)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura