FATMIR LEKAJ: APORIA E INTEGRIMIT TË EMIGRANTËVE DHE PASARDHËSVE TË TYRE

Pashtriku.org, 13. 02. 2017: Një ndër sfidat kryesore në demokracitë perëndimore është integrimi i emigrantëve dhe pasardhësve të tyre. Përmbajtja e integrimit varion në mes të dy pikave diametralisht të kundërta, nga njëra anë asimilimit dhe nga ana tjetër multikulturalizmit. Me fjalë të tjera, njëra pikënisje ka të bëjë me përpjekjet për homogjenizimin kulturor brenda shtetit, ndërsa pikënisja tjetër ka të bëjë me përpjekjet për të institucionalizuar heterogjenizimin kulturor brenda shtetit.
Asimilimi asociohet shpesh me të kaluarën, ku anëtarët e grupit minoritar nëpërmes dhunës dhe presionit detyroheshin të bëhen pjesë e shoqërisë maxhoritare. Mu për këtë, termi asimilim në kuptimin e plotë të fjalës e ka humbur legjitimitetin dhe është pothuajse i papërdorshëm në shtetet demokratike perëndimore. Megjithëkëtë, edhe shtetet demokratike perëndimore nuk mund t’i shmangen krejtësisht tendencave apo karakteristikave të asimilimit në politikat e tyre integruese. Integrimi nëpërmes traditës asimiluese (në kontekstin e demokracive perëndimore) ka si pikënisje individin, dhe nënkupton një proces ku anëtarët e grupeve minoritare dhe sidomos pasardhësit e tyre internalizohen, anëtarësohen dhe barazohen në bashkësinë kulturore maxhoritare, dhe rrjedhimisht bëhen pjesë e hegjemonisë kulturore maxhoritare shtetformuese, shtetkontrolluese dhe shtetmirëmbajtëse. Ideali i qasjes asimiluese për integrim është shoqëria kulturore homogjene, ku qytetarët perceptohen dhe trajtohen nga shteti si individë të barabartë me të drejta dhe përgjegjësi të barabarta qytetare.

Pikënisja e kundërt e qasjes asimiluese është qasja multikulturaliste. Për një trajtim më konkret të idesë së multikulturalizmit mund të marrim një pikënisje tek filozofi Charles Taylor. Sipas Taylor-it, ekziston një lidhje midis identitetit dhe mirënjohjes, ngase sipas tij identiteti krijohet në relacion me njerëzit dhe çështja esenciale është që midis njerëzve duhet të ketë respekt dhe mirënjohje të ndërsjellë. Përndryshe nëse njeriu për shkak të identitetit të tij kulturor ballafaqohet me skepticizëm dhe nënçmim nga bashkëqytetarët, kjo mund të rezultojë me çintegrim. Taylor ka hedhur idenë e “politikës së mirënjohjes” që të arrihet barazia e plotë mes qytetarëve, pa marrë parasysh përkatësisë së tyre kulturore. Kjo barazi e plotëpërfshin barazinë e dinjitetit dhe barazinë e respektit. Barazia e dinjitetit ka pikënisje kuptimin universal të njeriut, dhe nënkupton se të gjithë njerëzit duhet të kenë qasje në të drejta dhe të trajtohen në mënyrë të barabartë. Barazia e respektit ka pikënisje dallimet kulturore në mes njerëzve dhe nënkupton se të gjithë njerëzit duhet të kenë respekt të ndërsjellë për dallimet e tyre kulturore. Kërkesa për barazinë e respektit në lidhje me dallimet kulturore është nënçmuar nga shumë shoqëri maxhoritare, nga njëra anë duke injoruar veçoritë kulturore të minoriteteve dhe nga ana tjetër duke asimiluar minoritetet në shoqërinë maxhoritare. Sipas Taylor-it, që të mund të arrihet një trajtim i mirëfilltë në kuptimin e barazisë së plotë dhe të ndërsjellë midis njerëzve, duhet të respektohen në mënyrë të ndërsjellë edhe veçoritë kulturore të njerëzve (Taylor 1994:36,38-39).
Filozofi, Will Kymlicka merr si pikënisje idenë multikulturaliste të Taylor-it, si nevojë për respektim të ndërsjellë kulturorë dhe propozon multikulturalizmin si projekt politik (për t’i mbrojtur minoritetet nga hegjemonia e maxhoritetit), që nënkupton institucionalizimin kulturor dhe politik të minoriteteve kombëtare (grupet: kulturoro-historiko-gjeografike), dhe njëkohësisht, në kuadër të perspektivës së tij multikulturaliste, nuk përjashton mundësinë që mbrojtja nga hegjemonia e maxhoritetit, të përfshinë deri në një masë edhe minoritetet etnike si rezultat i migrimit. Megjithëkëtë, Kymlicka ka pikënisje liberale: edhe pse është për mbrojtje dhe institucionalizim të minoriteteve nga hegjemonia kulturore dhe politike e maxhoritetit, është njëkohësisht kundër që minoritetet nëpërmes autonomisë kulturore dhe politike (të garantuar nga shteti) t’i vejnë frerë (të bazuara në preferencat e grupit minoritar) anëtarëve të tyre në zgjedhjet e tyre të lira që i bëjnë si individ, në mënyrë që autonomia dhe zgjedhja e lirë e individit brenda minoriteteve të mos cenohet (Kymlicka 1995: 36-38).
Teoricienët liberal, janë kritik ndaj qasjes multikulturaliste për integrim, edhe pse kanë qëndrim pro tolerancës së diverzitetit kulturor – janë kundër institucionalizimit kulturor dhe politik të këtij diverziteti. Liberalët konsiderojnë se të drejtat qytetare duhet të vlejnë për të gjithë qytetarët brenda një shteti, duke përfshirë edhe anëtaret e grupeve minoritare, dhe shqetësohen për faktin se të drejtat e veçanta për minoritetet mund të kërcënojnë të drejtat e njeriut në praktikë. Sipas liberalëve, pritjet dhe presioni i brendshëm në grupet minoritare i pengon anëtarët e grupeve minoritare t’i ushtrojnë të drejtat e tyre individuale (si individë) që janë të garantuara në demokracitë liberale. Rastet tipike ku individët sanksionohen nga grupi i tyre minoritar janë ata individë që përshembull dëshirojnë të martohen apo që martohen jashtë grupit të tyre minoritar apo jashtë preferencave të prindërve të tyre, individë që dëshirojnë të konvertohen apo që konvertohen në religjion tjetër, si dhe individët që dëshirojnë të jetojnë publikisht si homoseksualë, etj.
Për këtë arsye feministja dhe teoricienja Suzan Moller Okin, nga një pikëpamje liberale ka problematizuar termin minoritet brenda perspektivës multikulturaliste. Sipas saj, këta individë që sanksionohen brenda minoriteteve janë “minoritete brenda minoritetit”. Ky fakt komplikon realizimin e multikulturalizmit si projekt politik në demokracitë liberale, sepse shteti e ka të vështirë ta kontrollon në mënyrë sistematike presionin intern-sociopsikologjik qe ju bëhet individëve brenda minoritetit, përkatësisht “minoriteteve brenda minoritetit”.
Profesoresha pranë Shkollës Londineze të Ekonomisë (LSE) dhe shkencës politike, Anne Philips, e vlerëson multikulturalizmin, sepse multikulturalizmi u jep njerëzve të drejtën dhe mirënjohjen të jenë të ndryshëm. Mirëpo, ajo kritikon tendencën esencialiste të multikulturalizmit, ku kultura paraqitet si statike dhe ekzagjeron dallimet midis njerëzve dhe rrjedhimisht ushqen paragjykimet ndaj të “tjerëve”. Gjithashtu konflikti rreth vlerave ekzagjerohet dhe grupet kulturore paraqiten si të ngrira dhe si të veçanta. Edhe pse identiteti i njerëzve është shpesh i lidhur me kulturën, duhet pasur parasysh se individët brenda grupeve kulturore nuk udhëhiqen vetëm nga aspekti kulturor. Për shkak të pikëpamjes esencialiste kulturore, kultura përdoret si shpjeguese për atë se çka individët shprehin dhe veprojnë, gjë që rezulton në faktin se këtyre individëve si anëtarë të grupeve kulturore minoritare ju privohet autonomia individuale. Pikëpamja esencialiste kulturore sipas Philips ndikon që individët që i takojnë grupeve minoritare jo-perëndimore të identifikohen me kulturën ndërsa perëndimorët të mos identifikohen me kulturën por në radhë të parë me racionalen: ku individi me refleksion dhe gjykim të pavarur bënë zgjedhjet e veta dhe mbanë përgjegjësi individuale për veprimet e veta. Rrjedhimisht Perëndimi definohet nëpërmes vlerave siç janë liberalizmi, demokracia, drejtat e njeriut dhe neutraliteti në sferën publike (sekularizmi) dhe këto vlera paraqiten si vlera superiore karshi vlerave dhe kulturave jo-liberale. Në këtë mënyrë bëhet një ndarje në mes “nesh” dhe “atyre”, si në aspektin individual në lidhje me autonominë individuale, ashtu edhe një ndarje në një nivel më të lartë në lidhje me se cilat vlera “ne” dhe “ata” i përfaqësojmë (Phillips 2007:8-9, 23).
Teoricienët e multikulturalizmit nuk pajtohen me paraqitjen e liberalizmit perëndimor si neutral në vetvete (të pa ngulitur në ndonjë kulturë) dhe mendojnë se ky universalizim i liberalizmit si neutral në vetvete nuk ekziston. Me fjalë të tjera, përkrahësit e idesë multikulturaliste e vejnë në dyshim çështjen e neutralitetit publik (sekularizmin). Sipas tyre, “neutraliteti” publik është një shprehje e religjionit, vlerave dhe normave të shoqërisë maxhoritare shtetformuese. Rrjedhimisht, sipas tyre, “neutraliteti” publik mund të jetë më shumë përjashtues se sa përfshirës, duke vështirësuar që disa grupe minoritare të identifikohen dhe të jenë lojal ndaj bashkësisë kombëtare brenda shtetit.
“Multikulturalizmi amerikan” merret nganjëherë si shembull i multikulturalizmit si projekt politik. Mirëpo, kjo nuk qëndron, sepse në Amerikë integrimi ndodhë nëpërmes një procesi dhe dinamike të bashkëshkrirjes në një identitet më të madh, përkatësisht në identitetin amerikan. Amerika ka prirje për tolerancë ndaj diverzitetit kulturor dhe njëkohësisht politikat e asimilimit nuk i ka politika asimiluese aktive, gjë që në kombinim me historinë dhe perceptimin për Amerikën si “shtet i emigrantëve” është një incentivë e rëndësishme dhe vendimtare që emigrantët, dhe sidomos pasardhësit e tyre (gjatë një procesi dhe dinamike të bashkëshkrirjes), të asimilohen dhe të bëhen pjesë e kombit amerikan. As politikat e aksionit afirmativ (“affirmative action”) – që në praktikë ndërlidhen më së shumti me diskriminimin pozitiv të afro-amerikanëve – nuk janë masa integruese në kuptimin e multikulturalizmit si projekt politik. Kështu është, sepse, përderisa aksioni afirmativ është një masë e përkohshme për integrim për arritjen e barazisë në kuadër të bashkëshkrirjes identitare kulturore amerikane, multikulturalizmi si projekt politik nuk ka si qëllim bashkëshkrirjen në një identitet kulturor të përbashkët por në radhë të parë ka si qëllim që nëpërmes masave permanente të krijojë dhe mirëmbajë institucionalizimin e grupeve kulturore për t’i mbrojtur nga hegjemonia e maxhoritetit shtetformues dhe shtetkontrollues në shtetet nacionale. Gjithashtu qëllimi i multikulturalizmit si projekt politik në shtetet nacionale është stabiliteti politik; në mënyrë që shteti, duke institucionalizuar dhe mirëmbajtur financiarisht identitetin e grupeve minoritare, krijon stabilitet duke i integruar në shtet (por jo domosdoshmërish duke i integruar në një identitet kulturor të përbashkët) në mënyrë që grupet minoritare së paku ta ndjejnë vetën pjesë të shtetit, dhe ta humbin legjitimitetin dhe incentiven që të rebelohen dhe ta kërcënojnë stabilitetin e shtetit me kërkesat e tyre grupore. Rrjedhimisht, multikulturalizmi si projekt politik i kushtohet shteteve nacionale si një zgjidhje për integrim të minoriteteve në shtet, sepse në shtetet nacionale nuk ekziston përfytyrimi dhe perceptimi i “shtetit të emigrantëve” ku përshembull të gjithë jemi më herët ose më vonë emigrantë dhe ku nëpërmes procesit dhe dinamikës së bashkëshkrirjes barazohemi (asimilohemi) të gjithë në një identitet të përbashkët kulturor, siç është shembulli me identitetin amerikan. Shikuar nga perspektiva e Anne Philips, “multikulturalizmi amerikan” mund të cilësohet si kozmopolitizëm
Përfundim
Përderisa integrimi nëpërmes qasjes asimiluese ndërkomunikon dallimet kulturore mes njerëzve dhe rreziku është i madh për diskriminimin kulturorë dhe presionin e drejtpërdrejtë apo të tërthortë ndaj minoriteteve. Shqetësimi lidhur me qasjen multikulturaliste për integrim bazohet në frikën se dallimet kulturore midis njerëzve bëhen më të rëndësishme se sa vlerat e përbashkëta universale njerëzore që i kemi si njerëz. Gjithashtu kur kultivohen dallimet kulturore në mënyrë institucionale, forcimi i anëtarësimit në bashkësitë etnike brenda shtetit bëhet më i rëndësishëm se sa forcimi i anëtarësimit në bashkësinë e përbashkët kombëtare brenda shtetit. Njëkohësisht multikulturalizmi si projekt politik krijon hapësirë për sanksionim ndaj individëve brenda grupeve minoritare antiliberale që kanë mendime dhe veprime të kundërta me pritjet dhe preferencat e grupeve minoritare antiliberale, përkatësisht krijohet hapësirë për sanksionim ndaj “minoriteteve brenda minoritetit”.
Multikulturalistët mund të kenë të drejtë se paraqitja e universalizimit të liberalizmit si neutral në vetvete (si i pa ngulitur në ndonjë kulturë) nuk ekziston. Mirëpo (shikuar në kontekstin e integrimit të emigrantëve dhe pasardhësve të tyre në demokracitë liberale perëndimore) nuk mund as të mohohet fakti se neutraliteti publik (sekularizmi) në shtetet perëndimore (shumë prej tyre shtete gjysmë-sekulare) nuk e ka si qëllim parësor reprezentimin/afirmimin e kulturave të veçanta (kulturën shtetformuese) por si qëllim parësor ka që qytetarët të perceptohen dhe trajtohen nga shteti në mënyrë të barabartë, me të drejta dhe përgjegjësi qytetare të barabarta, pa dallim të përkatësisë kulturore. Kjo mund të rezultojë se ndoshta ndokush nga qytetarët (sidomos ata me pikëpamje esencialiste kulturore) nuk dëshirojnë aspak të identifikohen me institucionet publike dhe bashkësinë kombëtare në përgjithësi, por ky është çmimi që duhet të paguhet nga qytetaret që të mund të trajtohen nga shteti si qytetar të barabartë, duke iu garantuar e drejta e autonomisë individuale.
Debati teorik mes multikulturalistëve dhe liberalëve rezulton më shumë si një apori se sa si një zgjidhje (formulë) konkrete dhe përfundimtare për integrim. Jo domosdoshmërisht një apori në kuptimin etimologjik (si mungesë e rrugës-rrugëdaljes) në këtë rast të integrimit. Por më shumë si një apori në kuptimin filozofik (si vështirësi në krijimin e së vërtetës teorike për një propozim normativ) në këtë rast të integrimit. Ashtu sikurse në dialogun e Platonit (Menon), ku Sokrati konfuzionin e skllavit gjatë testit gjeometrik e cilëson si moment të aporisë (ku gabimet e ideve ekspozohen dhe hapet rruga për avancim epistemologjik), ngjashëm debati teorik mbi çështjen e integrimit ekspozon gabimet e ideve rreth çështjes së integrimit dhe hapë rrugë për avancim epistemologjik mbi çështjen e integrimit si në nivelin nacional, regjional dhe poashtu atë global. Me fjalë tjera, debati teorik kontribuon të reflektojmë më shumë për një integrim sa më njerëzor të bazuar në parimet universale (drejtat e njeriut) dhe gjithashtu në tolerancën ndërkulturore, përderisa toleranca ndërkulturore nuk shkon në dëm të drejtave dhe vullnetit të lirë të individit.
– Fatmir Lekaj, politolog
___________
Referencat:
Kymlicka, Will (1995) Multicultural Citizenship. Oxford: Oxford University Press.
Okin, Susan Moller (1999) “Is Multiculturalism Bad for Women?” në Cohen, Jean/Howard, M/Nussbaum, Martha C. (ed.) Is Multiculturalism bad for Women? Princeton: Princeton University Press.
Phillips, Anne (2007) Multiculturalism without Culture. Princeton: Princeton University Press.
Taylor, Charles (1994) “The Politics of Recognition” në Gutmann, Amy (red). Multiculturalism. Princeton: Princeton University Pres
s.
……………………………

FATMIR LEKAJ: DOMOSDOSHMËRIA E INSTITUCIONALIZIMIT TË KËSHILLIT KOMBËTAR FETAR GJITHËSHQIPTAR
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=6114
***
FATMIR LEKAJ: ‘KOMBI NEUTRAL’ – REFERENCË UTOPIKE E ‘KOMBIT KOSOVAR’
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=6110
***
FATMIR LEKAJ: TIPOLOGJITË E SHTETIT, PUSHTETIT DHE AUTORITETIT
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=6093
***
FATMIR LEKAJ: ZGJERIMI I DOMENIT SHKENCOR POLITOLOGJIK
https://pashtriku.org/index.php?kat=43&shkrimi=6019
***
FATMIR LEKAJ: SONDAZHI DELIBERATIV SI MJET PËR FORCIMIN E LEGJITIMITETIT TË DEMOKRACISË
https://pashtriku.org/index.php?kat=43&shkrimi=6100

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura