FATMIR MINGULI: MOIKOM ZEQO, GUXIMI PËR TË SHKRUAR NDRYSHE

Durrës, 6 nëntor 2018: – Pakohësia e hapësirave metaforike në poezinë e Moikom Zeqos –
(Vështrime krahasuese mbi vëllimin “Laboratori i Endrrës – Fjalor figurash, 1970”, i Moikom Zeqos, botim i Aparkeas- Abraxas, Tiranë, 2018)
Homines duam docent, discount

Ata që mësojnë të tjerët, mësojnë edhe vetë.

” Ora 23*55′ ! Ora 23* 58 ‘ !
Ndjej ankthin e pritjes!
Ankthin e startit.
Fundi i këngës në radio është fundi i një viti!
Fillimi i Vitit të ri!
Ranë madhërisht sirenat e fuqishme të vaporëve dhe lokomotivave! Durrësi im! Durrësi im!
Ora 24 fiks!
Spikerja e radios na uron: Gëzuar Vitin e Ri 1971!
Sekondat e para të vitit 1971!
1 janar!”

***
Janë rreshtat e fundit të librit të ri të Moikom Zeqos “Laborator i Endrrës – Fjalor figurash, 1970”, por njëkohësisht janë prologu i veprave të pafund të botuara në vazhdimësi deri në ditët e sotme.
Ky libër është laboratori i parë ku u zhvillua alkimia e krijimit moikomian të një lloji të ri letrar, proçesi i sintezës së krijimit të metaforave, nën rrezatimin e padukshëm të një frymëzimi tjetërlloj.
Ishte viti 1970 -dhe jo shumëkush- do të mund të hidhte në letër e jo më t’i botonte, poezi, proza të shkurtra, përcaktime të figurave të shquara të shkencës, muzikës, pikturës moderne, kroki dhe parabola të shkurta për shkrimtarët e ” nëmur ” të Perëndimit,- për jetën shqiptare dhe durrsake, etj, etj.

Në Parathënien e këtij libri laborator, Moikom Zeqo shkruan:
” Mbas kthimit në Tiranë, me ngulm zbardha këtë libër, mozaik i përkorë dhe futurist i figurave, vargjeve të shkruara me shpejtësi dhe improvizim marramendës, lakonike, të substancës kohore të vitit, vetëm të një viti- 1970″ .
Mjaftojnë këto rreshta për tu thelluar më tej në efektin që ka pasur shkrimi i këtyre shënimeve “incognito” në veprat e Moikomit botuar mbas vitit 1990.
Ato shënime ishin fuqia e padukshme, fuqia e shkruar dhe e ruajtur për rreth pesëdhjetë vjet, e shkruar në vetvete dhe për vetvete, por e pabotuar për të tjerët.
Këto shënime – ditar të kujtojnë thënien e fuqishme të grekut Niko Kazanzaqis, që flet për mundësitë e pakufishme të njeriut:
“Tmerrohesh atëhere kur, pas provave të hidhura, do kuptosh se brenda teje ekziston një fuqi, që mund të kapërcejë fuqinë e njeriut.
Tmerrohesh, pasi që nga momenti që do e kuptosh se ekziston kjo fuqi, nuk do të mundesh të gjesh më justifikimin….”
Ky libër “Laborator i Endrrës” vetëm se na e shpjegon më së miri këtë fuqi.
Është fuqia e të shkruarit, guximi për të hedhur në letër mendime të ndaluara për kohën kur u shkruan.
Në fund të fundit, çfarë i interesonte Moikom Zeqos që ta bënte këtë blasfemi, në moshën njëzet vjeçare, në vitin 1970 dhe në një shtet që kontrollonte rreptë kulturën, devijimet e saj nga parimet e realizmit socialist sovjetik!
Këtu fshihet dhe magjia e vetë talentit të Moikom Zeqos.

***
Në vështrim diakronik dhe sinkretik i poetikës së Moikomit lidhet me optikën e tij të ndryshimit dhe të evoluimit si ripërtëritje edhe në formë.
Th. Elioti ka shkruar qartë se “ Poezia në qoftë se nuk është thjesht një përsëritje kallpe e formës, duhet të zhbirojë pa u ndalur “kufijtë ë e shpirtit “.
Por këta kufij nuk janë si ato piketat e eksploratorëve të zbulimeve gjoografike, të pushtuara një herë e mirë e të piketuara tanimë.

Kufijtë e shpirtit janë më tepër të ngjashëm me ato xhunglat, të cilat nëqoftëse nuk i ke vazhdimisht në nën mbikqyerje, janë gjithmonë të gatëshme të mësyjnë dhe të shfarosin zonat e kultivuara.”
Këto xhungla janë ato të emocioneve, që janë në shndrim të përjetshëm, nën kushtet e ndryshueshmë historike ndaj edhe poeti modern duhet ta kuptojë dhe ta paraqesë të Tashmen, duke qenë në dialog të vazhdueshëm me përvojat njerëzore, të ndodhura në të Shkuarën.
Ndaj në librin e Moikomit kostelacioni i referencave është një kërkesë e fuqishme,- si dhe një adrenalinë shpirtërore e shumëfishtë.
Nga ana tjetër metaforat tek Moikomi kanë “ përkufizimin e nëntekstit,- ose të disa nënteksteve “.
Por Moikomi e shfaq një princip themelor, që të komunikojë me lexuesit “ jo drejtpërdrejtë”,- por duke krijuar korelacione objektesh dhe figurash,- që i përkasin përvojave të tij të caktuara,- duke bërë kështu një simbolizim të dyfishtë të tyre, pra semiotikën e shndron mjeshtërisht në një palimpsest- tek jo pikë konceptuale qëndron sekreti i dashurisë së këtij poeti për sagat e palimpsesteve.
Poeti e shpirtëzon botën dhe universin, poezia ka për objekt një lloj përjetësie të patregueshme,- e cila në thelbin e vet ka lidhje me realizimin imagjinar të së parealizueshmes,- megjithatë e tërë letërsia është një orvajtje ngulmuese për ta bërë jetën më reale.
Moikomi e di se çdo mbresë është e patransmetueshme, po nuk e bëmë letrare dhe vetëm duke eksploruar gjithësinë e vet ai bëhet zot i një lënde të jashtëzakonëshme për meditime.
Në këtë mënyrë, nënvizon dhe Valter Beniamini,- ndoshta kritiku më i madh i shekullit XX :“asgjë nga çfarë ka ndodhur nuk është e humbur për Historinë.
Vepra letrare mund të përkufizohet si një prezantim imagjinar i botës.”
Poeti Moikom punon me domethëniet.
Po a nuk janë simbolet domethënie dhe ndërsjelltas domethëniet simbole ?
Por fakti se ai është tërhequr plot grishje, që njëzet vjeç ,veç të tjerash, nga dy figura të rebelimit poetik, me Majakovskin e diskutueshëm dhe me rebelin francez Pierre Reverdy, të padiskutueshëm,- përbën anën tjetër të ekuacionit që vërteton tendencat e krijimtarisë së mëvonëshme të deritanishme ose dhe të së ardhmes të Moikom Zeqos.
Për këta dy shkrimtarë në librin ” Laboratori i Ëndrrës ” do gjejmë fakte, poezi dhe mendime të ndryshme, por që do t’i shtjelloj më poshtë.
Dihet fare mirë se ai nuk shkruajti për pesëmbëdhjetë vjet rresht fill mbas viteve të errëta ’70.
Por libri qëndronte në formën e blloqeve të shënimeve dhe fshehur ndër sirtare.
Në një farë mënyrë ato blloqe, ky libër, qëndronin si një jetim kozmik në univers,- me metaforat e tij.
Por jo më në vitin 2018!
Prandaj dhe poeti i shquar Vangjush Ziko në studimin lakonik e tij ” Një lexim i ri i metaforës së Moikom Zeqos”, e përcakton saktë dhe si askush dhe për herë të parë këtë fakt.
Ai shkruan: ” Fokusi i këtyre metaforave, të përzgjedhura prej meje, është bota shpirtërore, vetmia universale, vdekja, pra modeli ” Njeri – jetë” “.
Por duke e analizuar metaforën e Moikomit ” -step by step “- po poeti Vangjush Ziko thotë se ” metafora nuk është vetëm gjuhësore, ajo është edhe mendore.”
Atëhere lind arsyetimi rrjedhës se Moikomi veç metaforës gjuhësore, që do ta quaja konvencionale, përdor me sukses dhe metaforën alternative, atë mendore.
Po le të konkretizoj me disa poezi të shkëputura nga libri ” Laboratori i Ëndrrës” kushtuar Majakovskit, metaforat e të cilit tingëllonin ndryshe në kohën që ai krijoi:

Kravata e Majakovskit
Lëkundet
Si pendul i Kohës Futuriste.

Ose:

Majakovski ecën
Dhe lë si gjurmë
Qytete të ndezur.

Ose:

Majakovski vërtitet
Në bluza ylberi

Me ngjyra barbare
Të rebelizmit të tij.

Është më se e dukshme se Moikomi u tërhoq nga poezia estravagante e rebelit Majakovsk, që ishte ndryshe nga të tjerët.
Ja një strofë nga poezia e Majakovskit me titull ” Përgjigjuni” shkruar në 1915 dhe përkthyer nga Moikomi dhe botuar në këtë libër:

Në ç’ emér ideali çizmja brutale
Shtyp dhe kërcet?- Kush rri në qiell?

Liria? Zoti? Apo Rubla?
Ah, pyetje fatale: përse luftojmë?

Është i qartë dhe mesazhi apokaliptik dhe ironik gjithashtu që ka marrë Moikomi nga kjo poezi,- mesazh jo vetëm si qëllim politik apo social,- por më tepër nga stili i tij si futuristo -kubist.

***
Por Moikomi ndalon edhe te një tjetër poet, te francezi Pierre Reverdy. Preludi i njohjes me këtë poet jepet me një shënim të Moikomit në këtë libër:
” Me Frederik Rreshpen tek redaksia e “Dritës”.
Më lexoi ciklin e poezive të tij.
Më pëlqyen.
Biseduam për De Radën dhe kiminë.
E mban veten për kimist të zotin.
Më pyeti se ç’ po e lexoja.Pierre Reverdy-në – i thashë- në frëngjisht.
S’ e kam dëgjuar – më tha.
Pastaj më foli për shkrimtarët provincialë të Shkodrës.
Po- ia ktheva-por Migjeni e ka quajtur Shkodrën ” Dashnorja e shekujve”. “

Dhe po nga Migjeni i madh, Moikomi sjell një metaforë të tij:
“I hidhur është Dheu në majën e gjuhës së Kozmosit”.

E pabesueshme është kjo metaforë, si e futuristëve dhe migjeniane njëkohësisht.

Moikomi, ky ndjekës i përhershëm i Migjenit, në vitin 1970 shkruan:

Kali i zi i natës
La pas
La pas
Patkoin e Hënës

Si dhe:

Malësori i Migjenit
Mban Arushën e Madhe
Si thes me misër.

Metafora e Moikomit lindi midis përkthimeve dhe krijimit të tij, lindi midis një realiteti shqiptar, por duke e parë atë me syrin e një të ardhmeje, ndoshta futuriste.
Të paktën në letërsi.
Te ky libër zgjodha disa shënime të shkruara për Durrësin.
Duke shfletuar librin ” Laboratori i Ëndrrës” ndjen ajrin e detit të Durrësit dhe shikon peisazhet që nën impresionet e tij duken si piktura të Shagallit.

Po citoj :

“Flaka e saldatriçes si një vjeshtë elektrike, plot vetëtima në miniaturë.

Saldatriçet janë ” makina qepése” që bëjnë tegele metali, ” pajën” e arkitekturave të Portit të Durrësit.

Çajniku nxjerr avull si dekovili i vogël në shinat në Gjirin e Currilave.

Lokomotiva me projektorin e saj ngjante si një aparat vigan, kinematografik, gati për të na shfaqur filmin e lëvizjeve të krejt jetës dhe imagjinatës.”

Ndërsa në një poezi tjetër të tij lexojmë:

Numeratori i telefonit
Rrotullohet

Si timoni i një anijeje
Sipas koordinatave.

Si timoni i një anijeje
Do udhëtonim te ty

Tek Eldoradoja
E Metaforave të Arta
.

***
Libri ” Laboratori i ëndrrës ” është njëkohësisht dhe “Manuali i metaforave” për veten e tij në atë kohë dhe për të tjerët në këtë kohë.
Ai studjonte të shquarit e kohës jo vetëm në letërsi dhe mbante shënime, kryesisht për veten, pa e ditur se çdo të bëhej më vonë me laboratorin e tij dhe manualin përkatëse të metaforave.
Para disa kohësh në shkrimin tim” Moikom Zeqo, brenda mitit dhe realitetit” botuar në gazetën “Dita”, ku analizoj librin e tij ” Lulja Centaur”, përmendën shkurt një perifrazim nga studjuesi i madh amerikan, jo vetëm i semiotikës, Çarls Sander Peirs, ku thuhet:
“Nuk kam mundur të studjoj ndryshe çfardo gjëje, matematikë, moral, metafizikë , gravitacion , termodinamikë, optikë, kimi, anatomi e krahasuar, astronomi, psikologji, fonetikë, histori e shkencave, letërsi, meteorologji, përveçse si një studim i mirëfilltë semiotik.”
Kjo sentencë shërbeu për të sjellë një informacion shtjellues mbi metaforat eMoikomit, sepse për këtë studjues amerikan, fjalët në poezi janë përherë një rend simbolesh, pra një renditje semiotike dhe dihet se simbolet paraprijnë në zinxhirin e simboleve pasardhëse e kështu me radhë.
Në librin e tij ” Semiotic and Signifiks” – Semiotika dhe shenjat-, botuar në vitin 1977, ai flet dhe për atë që ” logjika është forma e semiotikës ” dhe konkludon se ” logjika mund të konceptohet mbi ” objektin dinamik”.
Ky studiues i thellë flet për “densitetin semantik të hapësirave të mbarsura me përvojë shpirtërore,”.
Për të rritja kulturore e një personaliteti është në fakt e konceptuar jo vetëm si një rritje e brëndëshme, e arritur ndërmjet një proçesi vetmeditues të thellë, por edhe ndërmjet marrjes së nocioneve, ideve dhe dijeve, të arritura dhe të fituara falë një përkushtimi-shpesh dhe asketik,-që kërkon vullnet dhe sidomos qëllim,- pra një kauzë të vërtetë -për të universalizuar verbalisht dhe semantikisht gjithçka.
Prandaj simbolet, shenjat shërbejnë për të ndriçuar objektin dhe mbasi ndriçohet mirë ai mund të interpretohet dhe logjika vjen më e kuptueshme më e kapeshme.
Poeti e ndërton poezinë si një semiotikë, që i referohet dhe i nënshtrohet një rendi simbolesh, të zbuluar dhe të të bëra publike nga vetë krijuesi,- që shkel për herë të parë në zona të pazbuluara mendore nga të tjetrët,- kështu ftillëzohet dhe skalitet origjinaliteti i tij,- që është gjithmonë një origjinalitet semiotik,- ndërmjet përfytyrimeve të emocionalizuara.
Prandaj e solla këtë analizë të Peirsit, sepse verteton dhe konstatimin e shkathët, të thellë, plot vlera koneceptuale dhe mendore të Vangjush Zikos mbi dallimin midis metaforave me bazë gjuhësore dhe atyre me bazë mendore, pra logjike.
Simbolet e Moikomit veshin petkun e metaforave dhe hynë të përgatitura në poezitë e tij dhe petku, –apo më saktë tunika dalmatike e tij ,- kthehet në polifoni simbolesh.
Duke studjuar metaforat e Moikomit sheh se në shtypin e shkruar dhe në atë – on line,- studjues dhe eseistë si Vangjush Ziko, Vasil Vasili, Arianit Bezhani, Roland Gjoza, Fatmir Alimani, Faslli Haliti, e ndonjë tjetër kanë përcaktuar teorikisht dhe praktikisht vlerat e krijimit të metaforave universale të tij .
Me sa duket metaforat e Moikomit po krijojnë “alogaritmet e reja “ mbi teorinë e zbulimet të fenomeneve njerëzore nëpërmjet metaforave.

***
Eseja e fundit e Arianit Bezhanit mbi estetikën dhe profecinë historike tëMoikom Zeqos, parashtron përpara lexuesve hapësirën e veprës së Moikomit, duke krijuar alkiminë e përzjerjes së Moikomit me Makabe Zaharinë, jo si alter egon e tij por si bashkë krijuesin e përhershëm.
Është një magmë ashtu sikurse krijon Moikomi duke përzjerë e matematikën dhe fizikën me letërsinë, ashtu sikur është dalja nga rreshtat e rregullt të marshimit të ushtarit të thjeshtë, sepse gjenerali nuk mund t’i nënshtrohet ritmit të atij marshimi, tek projekton beteja të ardhme nën tingujt hyjnorë të Olimpit të një kohe tjetër.

***
Është i çuditshëm edhe ndikimi nga poeti francez Pierre Reverdy, duke përkthyer poezi e tij në vitin 1970.
Edhe ky ndikim ka realizuar te Moikomi stilin pindarik duke lëvizur vertikalisht midis mistikës ( qiellit) dhe jetësores ( tokës).
Nuk ishte thjeshtë Esenini “liriku magjik fshatar “ që ndikoi në ato vite, por ishte dhe Majakovski dhe Reverdy me lirikat e tyre “urbane dhe universale “
Përse Reverdy?
Sepse ai bënte pjesë në shoqërinë e Guillaume Apollinaire, Max Jakob, Louis Aragon, Philippe Soupault, Tristan Zara, Andre Breton dhe ky i fundit e ka përshëndetur në Manifestin Surrealist duke e quajtur “ surrealist.”
Po Reverdy-ja qe dhe nuk qe “surrealist” sepse talenti i tij spikaste dhe i sfidonte edhe poetët e tjerë- për shkak të një origjinaliteti genuin, -që nuk është përsëritur më- në poezinë franceze.
Piktori Modiliani i ka bërë portretin Reverdy-së.
Ai qe midis surrealizmit, dadaizmit dhe kubizmit.
Një poezi e tij e përkthyer nga Moikomi në 1970 është dhe ajo me titullin ” Surprizë”:

Në qytet nuk ka asnjeri,
Të gjithë ngjiten drejt pyjeve
Disa s’vijnë.

Por ata që do të vijnë me vonesë
Je ti,
Jam unë.

***
Ishin këto aspekte që i pashë interesante për t´i paraqitur për librin “Laboratori i Ëndrrës” dhe dëshiroj t’i mbyll me këto strofa nga poezia ” 31 dhjetor 1999!”

Ndoshta në të vërtetë
Jam i përkohshëm
Si shkuma
Në dallgët e Kohës!

Po Atlantidën e gjej, e gjej,
Edhe në akuariumin e dhomës.

Dhe nga nëntokat
E të tërë planeteve
Arkeologët e Kozmosit

Si një statujë do ta nxjerrin

Kujtimin tim
Nga lashtësitë!

Në librin e tij Moikomi ka shkruar se metafora është Mbretëresha e Tropeve, dhe e analizon këtë përcaktim të Aristotelit -por që e ka shkruar në 1970.
Po ku ndodhet sot metafora e Moikomit,- pas gati 50 vjetësh pune të pandërprerë?

Duhej botuar ky libër për ta parë më mirë punën e madhe të këtij shkrimtari dhe poeti të çuditshëm dhe të patjetërsueshëm shqiptar.
Durrës 4 nëntor 2018

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura