NGA GRUPI REVOLUCIONAR TE FRONTI I REPUBLIKËS (PARATHËNIE) FOTO+VIDEO

Pashtriku.org, 31. 01. 2015 – Këto ditë doli nga shtypi libri i autorëve Mehmet Hajrizi & Gani Sylaj “Nga Grupi Revolucionar te Fronti i Republikës (Dokumente dhe materiale)”. Libri u botua nga: “Instituti i Historisë ‘Ali Hadri’ në Prishtinë” dhe “Shoqata e të Burgosurve Politikë e Kosovës”, ndërsa u shtyp në “Alfaprint”, me financimin e Ndërmarrjes Publike ‘PTK’. Ky libër me vlera të çmuar historike u përkrye nën përkujdesjen e Prof. assoc. dr. Sabit Syla (Kryeredaktor), Prof. dr. Sabile Keçmezi Basha – Prof. dr. Hamit Kaba dhe Prend BUZHALA (Recensentë), ndërkaq veprimtari Skënder Vardari, ka bërë dizajnin dhe radhitjen kompjuterike të librit.

– Autorët e librit: Mehmet Hajrizi&Gani Sylaj –

Më poshtë lexoni parathënien e librit:
NGA GRUPI REVOLUCIONAR TE FRONTI I REPUBLIKËS (PARATHËNIE)

1
Ky botim është një përmbledhje e dokumenteve dhe materialeve të organizatës çlirimtare, të quajtur fillimisht Grupi Revolucionar i Kosovës, themeluar në fillim të viteve shtatëdhjetë të shekullit XX, për të vepruar suksesshëm plot dymbëdhjetë vjet, si Grup, pastaj si Organizatë Marksiste-Leniniste dhe në fund si Front i Republikës së Kosovës. Po t’jua kishte gjetur policia pushtuese serbe këto materiale gjatë atyre viteve, do t’ju arrestonte menjëherë, për t’ju dënuar me shumë vite burgim.
Këto shkrime janë bërë nga të rinj entuziastë, kryesisht 18-30 vjeç, në kushte tepër të rënda,
– së pari, për shkak të mungesës së përvojës për shkrimin akademik e profesional,
– së dyti, në konspiracion të thellë, me rrezikun e përhershëm të ndërhyrjes së policëve e agjentëve, të cilët i kapnin në befasi veprimtarët bashkë me materialet klandestine,
– së treti, të mungesës së mjeteve teknike e materiale për shtypje dhe shumëzim,
– së katërti, për vështirësitë e sigurimit të të dhënave, që mbaheshin thellë në kasafortat zyrtare,
– së pesti, se Lëvizja Kombëtare e Kosovës, për herë të parë po fillonte shtypin e saj klandestin, etj.

Dokumentet dhe materialet janë përshkruar nga origjinali dhe përveç disa shkurtimeve të vogla redaktoriale, nuk kanë pësuar ndryshime. Ato janë tashmë dokumente historike dhe si të tilla duhet të mbeten dhe të konsiderohen. Çfarëdo trajtimi dhe vlerësimi korrekt i tyre duhet vendosur në kontekstin historik kur janë shkruar dhe janë shfrytëzuar. Shumë nga këto materiale gjenden në Arkivin e Kosovës.
Megjithatë, kjo përmbledhje nuk përfshinë gjithë fondin e pasur të dokumenteve dhe materialeve të kësaj organizate, sepse shumë prej tyre janë zhdukur gjatë bastisjeve policore, ndonjë mund të gjendet nëpër arkiva dhe të tjera në duar të veprimtarëve, apo në baza të pazbuluara. Veprimtaria në kushte të konspiracionit të thellë dhe të përndjekjes policore, e bën të vështirë, madje gati të pamundur, ruajtjen e të gjitha materialeve, teknikës, fotografive e dëshmive të tjera. Nuk janë botuar as dokumentet gjyqësore të veprimtarëve e shkrimet e tyre nëpër burgje, letrat familjeve etj. Organizata ka pushuar së vepruari me emrin që mbante, më 1982, prandaj materialet janë të periudhës deri në këtë vit.
2
Kjo organizatë çlirimtare pati jetën më të gjatë nga simotrat e saj në Lëvizjen Kombëtare të Kosovës deri atëherë. Ky fakt shpjegohet me konspiracionin e thellë dhe disiplinën e rreptë nën të cilat vepronte, sikur që edhe zbulimi më në fund i saj, s’është tjetër veçse pasojë e thyerjes së normave e rregullave të këtyre metodave teknike të veprimtarisë çlirimtare.
Roli historik, organizativ dhe politik e kombëtar i organizatës qëndron në vlerat dhe virtytet e larta që kultivoi, në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare e çlirimtare të popullit të robëruar shqiptar, në përgatitjen e masave për veprim të hapur e rezistencë kolektive kundër pushtuesit, siç ishte Kryengritja e vitit 1981, në bashkimin e forcave të Lëvizjes dhe në sigurimin e vazhdimësisë së saj deri në Luftën fitimtare të popullit të kryengritur, nën udhëheqjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Organizata i vuri bazat e komunikimit dhe bashkëpunimit me Shqipërinë, përhapi të vërtetën e çështjes së Kosovës dhe i bëri jehonë ndërkombëtare rezistencës shqiptare, organizoi mërgatën shqiptare, si forcë solidarizuese me atdheun dhe doli në ballë të Kryengritjes së vitit 1981, duke i dhënë asaj dëshmorët e parë. Ajo përpiqej t’i arrinte qëllimet programore me mjete dhe rrugë politike, por njëkohësisht përgatitej ta kishte pushkën plot, sepse siç thoshte Xhon Kenedi (John Kennedy), “Ata të cilët e bëjnë të pamundshëm revolucionin paqësor, revolucionin e dhunshëm e bëjnë të paevitueshëm”.
Kjo përmbledhje e materialeve të organizatës, dëshmon për pasurinë e sintetizuar teorike e politike, organizative e propagandistike të saj, e cila u shërbeu edhe brezave vijues të Lëvizjes Kombëtare të Kosovës.
3
Menjëherë pas themelimit dhe konsolidimit, ndryshe nga paraardhëset e saj, organizata instaloi një sistem solid komunikimi të brendshëm dhe me publikun. Shtypi i saj i fshehtë (klandestin), fillimisht me “Zërin e Kosovës”, pastaj me “Pararojën”, me “Lirinë”, “Këngët e lirisë” dhe shumë trakte, thirrje etj., i përgjigjej flakë për flakë ndalimit dhe dhunimit të fjalës së lirë, prangave, jo vetëm të duarve e të këmbëve, por edhe të gojës, duke u shndërruar shpejt në një mjet të fuqishëm revolucionar të Lëvizjes Kombëtare.
Lexuesit e shumtë gjenin aty informata të sakta dhe objektive, propagandimin luftarak të ideve të lirisë e të bashkimit kombëtar, analiza profesionale e komente politike, demaskim me fakte dhe argumente të pakundërshtueshme të politikës pushtuese, shtypëse e shfrytëzuese, të vërtetën e plotë për gjendjen e shqiptarëve të robëruar, krijime artistike e ilustrime të shumta figurative. Kjo punë e madhe dhe sistematike, kjo vlerë e krijuar me mund e sakrifica, ishte në funksion të edukimit patriotik, por edhe të organizimit praktik e masiv.
Këto shkrime të komunikimit publik, ndikonin për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare dhe çlirimtare të qytetarëve, por edhe për formimin e kuadrove udhëheqës të Lëvizjes. Veprimtarë të paorganizuar (duke përfshirë organizatorë të demonstratave të vitit 1981) kanë dëshmuar se për veprimet personale ose edhe grupore janë inspiruar e motivuar nga këto materiale, që në një mënyrë a tjetër u kanë rënë në duar.
Ky komunikim i shkruar (verba volant, skripta manent) karakterizohej me fuqinë argumentuese, demaskuese e polemizuese, por edhe me mesazhin mobilizues. Ai kalonte kufijtë bazë informues, duke nxitur e ndikuar potencialin patriotik e revolucionar, duke shtuar radhët e atyre që i besonin lirisë dhe që rreshtoheshin për t’u bërë therorë të saj. Shumë parulla të demonstratave të vitit 1981 janë nxjerrë pikërisht nga ky shtyp, në të cilin gjenden mjaft shkrime në formë parullash dhe plot patetikë. Duke qenë i lirë nga censura dhe larg grushtit goditës policor, shtypi klandestin nuk i kishte të domosdoshme gjuhën e Ezopit, aluzionet, figurat alegorike, dorashkat e rrotullat. Tekstet nuk kishin nevojë për dekodifikim. Shtypi klandestin i Lëvizjes sonë Kombëtare, paraqet fillimin e shtypit të lirë e të pavarur në Kosovë.
Shtypi klandestin, duke përfshirë edhe krijimtarinë letrare të angazhuar kombëtarisht, në njëfarë mënyre, siç do të thoshte Italo Kalvino, e lehtësonte peshën e rëndë të jetës së robëruar. Ky shtyp ishte kthyer në mjet parësor të frymëzimit shpirtëror të masave të gjera dhe sidomos të rinisë aq të motivuar për organizim ilegal. Vlerat morale të tij, përbënin forcën e kthesave historike, por edhe shpirtin e ri e fisnik të brezave, kultivuar në plan personal dhe kolektiv. Përpjekjet e gjata dhe luftërat çlirimtare të popullit tonë, me gjithë humbjet kolosale që kanë sjellë me vete, përbënin edhe një proces rilindës e ripërtëritës të tij, përmirësim të gjakut, të shpirtit, të karakterit dhe të kulturës përgjithë-sisht.
Shkrimet i përshkon gjuha emocionale e kumbuese, duke shprehur shpirtin shpërthyes, ndjenjat e larta të urrejtjes e të dashurisë së pafund, fshikullimin dhe sarkazmin ndaj së keqes, por mbi të gjitha përkushtimin deri në vetëmohim për idealin shekullor të shqiptarit. Shtypi i dedikohej radhëve të organizuara, por edhe publikut të gjerë. “Liria” është botuar në disa mijëra ekzemplarë, pa llogaritur kopjimin që i bëhej dhe shpërndarjen dorë më dorë. Vetëm gjashtë numrat e organit “Liria”, në një hark kohor prej më pak se dy vitesh, kanë bërë revolucion të vërtetë në shpirtin e bindjet politike të njerëzve liridashës të Kosovës. Ajo i qëndroi besnik programit të saj, të inauguruar në kryeartikullin e numrit të saj të parë, në tetorin e vitit 1980, kur shkruante:
“’Liria’ do të jetë një tribunë e vërtetë që ka për qëllim të ndihmojë bashki¬min e gjithë popullit në luftë kundër pushtu¬esve dhe tradhtarëve.
‘Liria’ do të luftojë pa mëshirë kundër armiqve të popullit tonë dhe do të demasko¬jë propagandën e poshtër demagogjike e masht¬ruese të tyre.
‘Liria’ do t’i tregojë popullit qartë ci¬lët janë armiqtë e vërtetë të tij, kush i rrëmbeu lirinë, kush e vrau dhe e mashtroi, kush e dëboi nga vatrat e veta, kush e varfëroi dhe e çoi në këtë gjendje të mjeruar, kush i për¬plas nëpër burgjet e errëta jugosllave bijtë e tij, kush e shtyp dhe e shfrytëzon kaq egër¬sisht dhe do t’i tregojë cila është rruga e shpëtimit nga ro-bëria e tmerrshme.
‘Liria’ jonë do të jetë gjithë jetën tri¬bunë e së vërtetës, e drejtësisë dhe zëri i lirisë së vërtetë të popullit tonë.
‘Liria’ do të punojë e luftojë me vullnet të hekurt për edukimin dhe kalitjen e popu¬llit me një patriotizëm të flaktë e revolu¬cionar.
‘Liria’ do të ngrejë lart me krenari tra¬ditat e shkëlqyera luftarake të së kaluarës së lavdishme të popullit tonë, përpjekjet e luftërat e tij për liri e bashkim kombëtar.”

Këto materiale përbëjnë dëshminë e një realiteti historik të Kosovës së mjerimit politik e të mashtrimit, të kolaborimit me armiqtë pushtues e të represionit sistematik, në një anë dhe të mendimit politik kombëtar e të zgjimit të gjithanshëm shqiptar, rezistencës së pashuar e hapjes së perspektivës së lirisë, nga ana tjetër. Mendimi dhe fjala e lirë përshkonte faqet e këtij shtypi të lirë në Kosovën e robëruar.
Duke pasur parasysh rrezikun që i sillte ky shtyp, regjimi pushtues e kishte ndaluar rreptësishtë me ligj dhe i ndiqte e i dënonte, jo vetëm ata që e bënin, por edhe lexuesit e tij.
Në shkrime dhe dokumente, përveç përcaktimit të qartë nacionalçlirimtar, lexuesi do të dallojë edhe ngjyrën ideologjike marksiste. Edhe kjo duhet parë në kuadrin e kohës kur janë shkruar ato. Përvoja e Luftës antifashiste nacional-çlirimtare shqiptare, ndikimi i realitetit në Shqipëri, si Piemonti i gjithë shqiptarëve, literatura që kishin në dispozicion veprimtarët, roli i doktrinës marksiste në dekolonizimin e botës, pas Luftës së Dytë Botërore etj., ishin disa nga përcaktuesit e kësaj ideologjie në Lëvizjen tonë Kombëtare.
Lëvizja Kombëtare e Kosovës ideologjinë marksiste, si doktrinë filozofike të revolucioneve për çlirim kombëtar e shoqëror, e ka përdorur si kulturë dhe mjet për çlirim, prandaj pjesëtarët e saj nuk duhet konfonduar me pushtetarët që e përdornin, apo e keqpërdornin për diktat dhe sundim.
Respektin dhe dashurinë për Enver Hoxhën dhe PPSH, veprimtarët e kësaj lëvizjeje politike e revolucionare kombëtare e identifikonin me dashurinë që kishin për Shqipërinë, me të cilën aspironin bashkimin e trojeve të ndara shqiptare.
Veprimtarët e Lëvizjes Kombëtare të shqiptarëve të robëruar e konsideronin gjithë kombin shqiptar si një familje, e cila duhej ta kishte kohezionin e saj, unitetin, solidaritetin dhe identitetin e përbashkët, siç i kishte të përbashkëta, gjuhën e gjakun, historinë e traditën.
4
Dokumentet dhe materialet do t’u hyjnë në punë studiuesve si burim i dorës së parë. Këtu qëndron rëndësia praktike e këtij botimi, i cili i sjell ato bashkë në një vend, duke ua lehtësuar punën studiuesve për të mos i qëmtuar nga arkivi në arkiv.
Për shfrytëzim më të lehtë, libri është ndarë në dhjetë kapituj tematikë, duke nisur me shkrimet programore politike e kombëtare, për të vazhduar me çështjet organizative e statutare të organizatës, me letra dhe thirrje, artikuj politikë analizues e komentues, trakte të karakterit politik, sqarues e mobilizues, ekonomi, histori, vështrime dhe informata, zhvillime ndërkombëtare dhe për të përfunduar me punime arti e letërsie.
Në shtypin e fshehtë nuk shënoheshin emrat e autorëve, ose përdoreshin pseudonime. Këtu, pseudonimet janë vënë në kllapa, pranë emrit të autorit. Punimet janë shënuar me numra arabë, kurse radhitja e tyre nëpër kapituj është bërë vetëm sipas kriterit kronologjik.
Nuk janë botuar shkrime dhe punime të autorëve që nuk u përkisnin radhëve të organizuara.

Mehmet HAJRIZI – Prishtinë, nëntor 2014

================================== 

– DOKUMENTE ARKIVORE –

Mehmet Hajrizi, më 28 nëntor 1990, Përlepnicë e Gjilanit
 ………………………………………………………………………….

(Përgatiti editori i pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura