MR.SC.METUSH ZENUNI: REXHEP MALAJ, SIMBOLI I QËNDRESËS SHQIPTARE NË BURGJET JUGOSLLAVE

Pashtriku.org, 28. 01. 2014 – (Vështrim rreth Librit Monografik “Rexhep Malaj – zjarr lufte që nuk shuhet” të autorit Agim Sylejmani.) – Këto vitet e fundit, letërsia dhe historiografia shqipe kanë sjellur shumë libra monografikë, romane dhe kujtime nga personalitete të lëvizjes ilegale dhe të luftës çlirimtare në Kosovë, por të paktë janë ata autorë, të cilët kanë arritur të paraqesin personazhin e tyre me të gjitha tiparet e tij, ashtu siç e ka arritur autori i librit “Rrugëtimi i një vigani”, z. Agim Sylejmani, në romanin biografik, kushtuar simbolit të qëndresës së djalërisë shqiptare në burgjet e Jugosllavisë, tanimë heroi i kombit Rexhep Malaj.Romanin, “Rrugëtimi i një vigani”, veprimtari dhe idealisti atdhetar Agim Sylejmani, tanimë arriti ta plotësojë edhe me monografinë kushtuar viganit të qëndresës nëpër kazamatetet jugosllave, heroit të kombit Rexhep Malaj.
Duke qenë shok dhe mik i ngushtë i personazhit të tij, duke qenë bashkëvuajtës në kazamatet jugosllave, Agim Sylejmani me një mjeshtri të rrallë ka arritur t’i ofrojë lexuesit, jetën private, por edhe shoqërore e organizative, të një prej figurave më të njohur të lëvizjes ilegale në Kosovë, siç ishte Rexhep Malaj, përmes protagonistit kryesor të romanit, Rexhepit, autori ka arritur që të pasqyrojë pozitën sociale, ekonomike, kulturore dhe juridike të shqiptarëve nën ish Jugosllavi, ndërsa në librin monografik kushtuar Rexhep Malajt, autori i saj, Agim Sylejmani, arrinë që me mjeshtri të rrallë t’u ofrojë lexuesve dhe veçanarisht studiuesve, jetën dhe aktivitetin e ngjeshur atdhetar të Rexhep Malajt, e përmes tij edhe të një plejade të tërë të atdhetarëve idealistë e ilegalë, siç ishin Nuhi Berisha, Fatmir Salihu, Skënder Kastrati, Kadri Zeka, Hydajet Hyseni, Zija Shemsiu, si dhe vetë autori i librit Agim Sylejmani.

Zürich, 26.01.2014: Me rastin e promovimit të monografisë “Rexhep Malaj – zjarr lufte që nuk shuhet”. Nga e majta: autori i librit – Agim Sylejmani, veprimtari i çështjes kombëtare – Jashar Alia, Konsulli i Republikës së Kosovës dhe veprimtar i çështjes kombëtare – Salih Sefa, veprimtari – Metush Zenuni (duke lexuar kumtesën) dhe moderatorja – Vjosa Kryeziu-Krasniqi.

*  *  *

Ai na e sjell Rexhep Malajn në mesin tonë, si fëmijë i lindur në një familje atdhetare, por të varfër, siç ishin shumë bashkëkombës në Kosovë, çapkën dhe kurioz që dëshiron të dijë për çdo gjë që e rrethon, siç është momenti me pyetjet e tij shumë domethënëse që i bën motrës Mide me “llambën e zotit” që pasqyron dritën dhe lirinë e një kombi të robëruar. Duke treguar për dëshirën e madhe të Rexhepit për të shkuar në shkollë dhe për të lexuar e mësuar sa më shumë, autori vë në pah gjendjen arsimore dhe kulturore të shqiptarëve, si dhe nevojën e rinisë për dije, e cila ishte e vetmja rrugë e një brezi luftëtarësh të ardhshëm ilegalë për të artikuluar dhe realizuar pozitën politike të shqiptarëve të robëruar, pra kërkesën Kosova Republikë.
Agim Sylejmani, në dy librat e tij rrëfen mjeshtërisht për një jetë të mbushur me veprimtari atdhetare të Rexhep Malajt si dhe rolin e ndikimin që pati lëvizja ilegale e kohës në zhvillimet politike ilegale në vitet e 70’ta dhe në fillim të viteve të 80-ta, në rajonin e Anamoravës, por edhe përgjithësisht të trojeve shqiptare të robëruara nën ish Jugosllavi.
Ky libër monografik që tanimë e kemi në duar, është i mbushur me shumë dokumente arkivore që deri më tani kanë qenë të panjohura për lexuesit, gjë që dëshmon për një punë të madhe hulumtuese të autorit gjatë periudhës sa është marrë me shkrimin e monografisë në fjalë, ndërsa studiusve të letërsisë dhe veçanërisht atyre të historisë u jep një mundësi dhe brum të mirë për t’iu rrekur edhe më shumë në hulumitmin e arkivave në Shqipëri dhe vende tjera, për të shkruar më shumë dhe me kompetencë për historinë e Lëvizjes ilegale të kësaj periudhe.
Si në romanin “Rrugëtimi i një vigani” ashtu edhe në librin monografik “Rexhep Malaj – zjarr lufte që nuk shuhet” z. Agim Sylejmani, duke qenë edhe vetë i kyqur në lëvizjen ilegale, bashkë me personazhin e tij, me mjeshtri të rrallë e paraqet edhe organizimin e rinisë shkollore në lëvizjen ilegale, në organizimin e demonstratave në leximin e librave të ndaluara që për kohën kur flet, ishte një sprovë apo parahyrje për një oraganizim politik dhe ushtarak të një lëvizje politike dhe çlirimtare që do të përfundojë me fitore dhe liri të shqiptarëve të Kosovës, ashtu siç e kishte ëndërruar Rexhep Malaj, ashtu siç do të ndodhte me të vërtetë në fund të shek. XX, çlirimi përmes luftës së armatosur i Kosovës së robëruar.
Në librin monografik, autori Sylejmani, na sjell edhe një anë tjetër të panjohur deri tani, pra vizitën e heroit të kombit Rexhep Malaj në Shtetin Shqiptar bashkë me heroin Isa Kastarti, si dhe punën e aktivitetin që bëjnë ata gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri, e cila dëshmon se vigani i revolucionit në Kosovë dhe udhëheqësi i Partisë së Luftës për çlirim kombëtar, ishte i përgatitur psiçikisht dhe profesionalisht si në aspektin ushatarak ashtu edhe në aspektin politik për të udhëhequr Lëvizjen Çlirimtare të Kosovës deri në çlirim. Pra, lirisht mund të thuhet se Rexhep Malaj është themeluesi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila në mars 1998, e udhëhequr nga Komandanti Adem Jashari do të vazhdojë punën e nisur nga Rexhep Malaj me shokë, për të çliruar trojet e pushtuara nën Jugosllavine titiste e me vonë nën Serbinë millosheviqiane.
Një segment tjetër shumë me rëndësi është edhe puna e Rexhep Malajt si mësues në një shkollë fshati të malësisë së Gollakut, ku ai pos që arrinë të realizojë ëndrrën e tij të kahmotshme për të qenë mësues i vërtetë i popullit, poashtu arrinë që me mjeshtri dhe atdhetarizëm t’i brumosë fatosat e rinj me ide revolucionare dhe çlirimtare duke ua bërë me dije atyre që janë të robëruar dhe se duhet të vie një ditë kur do të ngritemi në luftë çlirimtare dhe t’i thyejmë prangat e robërisë.
Autori i monografise “Rexhep Mala – zjarr lufte që nuk shuhet”, njëjt si në romanin “Rrugëtimi i një vigani” z. Agim Sylejmani, e pasqyron shumë bukur qëndresën e Rexhep Malajt në burgjet dhe kazamatet jugosllave, njohjen me shumë shokë bashkëmendimtarë, e veqanërisht me Nuhi Berishën, me të cilin në një natë të ftoftë janari të vitit 1984, do të bien heroikisht duke luftuar ballë për ballë kundër zaptuesve të tokës dhe lirisë së popullit shqiptar në Kosovë. Krismat e tij do të jehojnë në të gjithë hapësirën shqiptare, ushtima e së cilës paralajmëron fitoren dhe ajo nuk do të ndalet deri në qershorin e vitit 1999, kur Kosova dhe populli shqiptar do të çlirohen përfundimisht nga robëria dhe mungesa e lirisë.
Në këtë libër monografik, autori Agim Sylejmani me gjithë përpjekjet e tij nuk ka mundur t’i ikë faktit se njohja dhe aktiviteti i tij i përbashkët me personazhin e tij, ka kaluar nganjëherë në tregim dhe rrëfim narrativ për kohën sa ka vepruar bashkë, si dhe në disa raste edhe romanizimit të monografisë, gjë që ndodhë shpesh në të tilla raste, e që në ndonjë ribotim të ardhshëm do të duhej t’i eleminonte këto gabime të vogla, por ai ka arritur që përmes fakteve dhe argumenteve të bollshme të deponojë një pjesë të madhe të aktivitetit ilegal të asaj kohe në lëvizjen ilegale në Kosovë, për të cilën në të ardhmen gjeneratat e reja do të mund të shkruajnë historinë e lavdishme të kësaj lëvizje që me shumë sakrifica dhe gjak, arriti të çlirojë një pjesë të robëruar të trojeve etnike shqipetare nga barbarët sllavë.
Mr.sc. Metush Zenuni – Zurich, 26 janar 2014.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura