FATON MEHMETAJ: ROLI DHE PËRGJEGJËSITË E ‘DREJTORISË SË GJASHTË’ (DREJTORISË PËR VRASJE) TË SHËRBIMIT SEKRET SERB NË DREJTIM TË KOSOVËS (II)

(Prishtinë, 14.01.2013) – Njësiti i “Drejtorisë për Vrasje” të Sigurimit Sekret serb, ishte i konstruktuar mbi doktrinat e organizatës së mëhershme me përmasa ndërkombëtare “Crna Ruka” (“Dora e Zezë), e cila u formua në maj të vitit 1903, si organizatë sekrete terroriste politiko-ushtarake serbe, që u riformua dhe mori përmasa të mëdha në vitin 1911, duke luajtur rol të madh në organizimin e Luftërave Ballkanike, për pushtimin e shumë tokave shqiptare dhe për likuidimin e krerëve të Lëvizjes së Rezistencës Shqiptare dhe të të gjithë kundërshtarëve politikë në gjithë hapësirat ballkanike. Qëllimi i kësaj organizate ishte bashkimi i të gjitha territoreve që kishin pakica të kombësisë serbe në një shtet me Serbinë dhe serbizimin e tyre. Përpiqeshin për aneksimin e Kosovës, të Maqedonisë, Vojvodinës, Malit të Zi, Bosnjë-Hercegovinës dhe tërë bregdetit Adriatik. Kjo organizatë kishte programin dhe statusin e vet me moton “Ujedinjenje ili Smrt” (“Bashkim ose Vdekje”) dhe përbëhej kryesisht nga ushtarakët serbë të dalluar për aksione e sakrifica, udhëheqës të grupeve militante çetnike si dhe intelektualë të dalluar, të gjithë të kombësisë serbe, nënshtetas serbë dhe banorë të Serbisë, të përbetuar për ta kryer detyrën që parashtronte motoja e programit të kësaj organizate.

Dragutin Dimitrijeviqi – APIS, shef i organizatës “Crna Ruka”

(“Dora e Zezë), e formuar në maj 1903

Udhëheqësi kryesor i “Dorës së Zezë” ishte Dragutin Dimitrijeviqi, i njohur me nofkën APIS. “Apisi” ishte shef i sigurimit ushtarak në ushtrinë serbe dhe tërë komandat serbe gjatë Luftërave Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore ishin nën kontrollin dhe sigurimin e tij. Organizata sekrete terroriste serbe “Crna Ruka”, shoqëria e fshehtë ushtarake serbe, e masakroi mbretin Obrenoviq dhe i solli në fron Karagjorgjeviqët. Sundimin e saj e shtriu në Beograd, pasi që në qershor të vitit 1903 masakroi kralin Obrenoviq dhe me puç e solli në fuqi kral Pjetër Karagjorgjeviqin, i cili gjatë gjithë jetës së tij do të jetë rob i kësaj organizate.

Ulur: Dragutin Dimitrijević – Apis, në këmbë: Dušan Glišić dhe Antonije Antić.

Veprimtarinë e kësaj organizate më së miri e tregon procesi i Gjyqit Ushtarak në Selanik më 1917, kur qeveria serbe në mërgim, bashkë me komandën ushtarake franceze nën gjeneral Sarajn, akuzuan shumë oficerë e gjeneralë të ushtrisë serbe si pjesëtarë të organizatës terroriste “Dora e Zezë”. Tre krerët kryesorë të kësaj organizate i dënuan me vdekje dhe i ekzekutuan menjëherë në Selanik, ndërsa rreth 20 ushtarakë të tjerë i dënuan me nga 7-20 vjet burgim. 
Pra, veprimtaria terroriste e “Dorës së Zezë”, u gjykua dhe u dënua në Selanik, në qershor të vitit 1917, nga qeveria serbe dhe nga faktori ndërkombëtar i asaj kohe. Me ardhjen në pushtet, kral Aleksandër Karagjorgjeviqi, që të shpëtojë nga “Dora e Zezë” formoi në kohë të luftës një shoqëri të re të fshehtë ushtarake të quajtur “Bella Ruka” (“Dora e Bardhë”) e cila grushtin e fundit ia dha “Dorës së Zezë” në Selanik më 1917, duke vrarë disa nga drejtuesit e saj. Qysh atëherë sundimtare e Jugosllavisë mbeti “Bella Ruka”, me kralin Aleksandër në ballë, e ndihmuar kurdoherë nga “Narodna Odbrana” që të dyja këto shoqata të fshehta terroriste serbe.
VRASJET E PAZBULUARA NË SERBI
Edhe përkundër kësaj, programi i organizatës “Crna Ruka”, “Bella Ruka” (“Dora e Bardhë”) e “Narodna Odbrana” (Mbrojtja Popullore), mbetet bazë e veprimtarisë ushtarake serbe për të gjitha kohërat. Që nga ajo kohë e gjer më sot Serbia nuk ka ndryshuar asgjë në korrelacion me vendet e ish-Jugosllavisë. Kjo u pa qartë me luftërat e përgjakshme që i zhvilloi Serbia nën drejtimin e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq, në fundshekullin XX për aneksimin e këtyre vendeve me dhunë. Politika serbomadhe e Millosheviqit po vazhdon me ritëm të njëjtë nga pasuesi i tij Nikoliq, i cili është vënë në krye të shtetit serb. Është interesant të përmendet fakti se vrasja e Arkanit, ka shënuar të paktën vrasjen e 500-të, në serinë e vrasjeve të pazbuluara që kanë ndodhur në Serbi. Lidhur me këtë i referohemi raportit të IWPR-së (BCR Issue 108, të datës 18 janar 2000), të titulluar “Katalogu i vrasjeve në Serbi”, ku thuhet se vrasja e Zhelko Razhnjatoviq – Arkanit (15 janar 2000, Beograd), brenda gjashtë vitesh, është të paktën vrasja e pesëqindtë (500) në një seri vrasjesh të pazbuluara në Serbi. Në raportin në fjalë jepen të dhëna interesante lidhur me çështjen në trajtim. IWPR shkruante se duke iu referuar njohësve të mirë të botës së fshehtë të Beogradit, “numri i policëve të vrarë është në një proporcion të çuditshëm me atë të kriminelëve të vrarë në Serbi” dhe se “vendimet për sa i përket rangut të kriminelëve, shkallën e krimeve të tyre dhe ndoshta edhe vendin dhe kohën e kryerjes së vrasjes merren në disa qendra, të cilat ndoshta janë të njëjtat si për policinë ashtu edhe për mafien”. Si vrasjet e oficerëve të policisë ashtu edhe ato të kriminelëve kanë të njëjtat karakteristika. Në shumicën e rasteve vrasjet përbëjnë një mesazh për dikë. 
Sipas këtij raporti, një kriminel nga Beogradi, në dokumentarin “Shihemi në Morg”, të xhiruar në Beograd në vitin 1994, Serbinë e ka përshkruar si “një pellg i vogël uji me shumë krokodilë”, por ai nuk jetoi gjatë për ta parë veten e tij në televizion, sepse u vra brutalisht një pasdite në një parking të Beogradit.
Një ekspert i dalë në pension nga Instituti për Hetimet Kriminale dhe Sociale të Beogradit, i cili ka dashur të mbetet anonim, i ka deklaruar IWPR-së se në Serbi “dhuna dhe vrasjet janë të kontrolluara”, gjë që ndikon edhe në profilin dhe në numrin e vrasësve. “Në Serbi ekziston modeli i vjetër, por i famshëm, bazuar në shërbimet sekrete ruse, i njohur me emrin “modeli i rrethit”. Ky sistem përfaqëson një organizatë ku autorët e një krimi bëhen viktima të krimit të ardhshëm, dhe kështu me radhë. Për këtë arsye rrethi kriminal po zvogëlohet sepse ata vrasin njëri-tjetrin dhe “cilësia” e vrasjeve mbetet e njëjtë”, ka thënë ai.
Sipas këtij eksperti, mënyra e planifikimit, koha dhe faktorë të tjerë në ekzekutimin e vrasjeve tregojnë se ekziston një “tru” apo qendër, e cila “kontrollon vrasjet dhe është përgjegjëse për efektet e tyre”.
Njësiti i “Drejtorisë së Gjashtë”, njëri ndër njësitet më misterioze, mendohet se ka likuiduar, pa mëshirë dhe pa zhurmë, kundërshtarët e regjimit, me pretekstin e rrejshëm të interesave nacionale dhe kombëtare të Serbisë, ashtu siç vepronte organizata terroriste “Dora e Zezë”. Ky njësit ishte shndërruar në instrument të qërimit politik të hesapeve, në mes diktaturës që kishte filluar të binte dhe forcave demokratike e qytetare në Serbi që tentuan t’i kundërvëhen këtij regjimi. Ky njësit njëkohësisht ishte i ngarkuar që t’i zhdukë të gjitha dëshmitë dhe dëshmitarët e luftërave dhe të krimeve në ish-Jugosllavi dhe në vet Serbinë. Pos kësaj ishte i ngarkuar të gjejë dëshmitarë, t’i përpunojë ata, t’i paguajë mirë dhe t’i përdorë në gjyqe kundër kundërshtarëve të Millosheviqit dhe kundër atyre që kishin bërë luftëra mbrojtëse në hapësirat e ish-Jugosllavisë.

Dick Marty

Sigurimi Shtetëror Serb përkatësisht Drejtoria e Gjashtë e tij, në bashkëpunim edhe me Shërbimin për Hulumtim dhe Dokumentim (SID), të agjencisë së zbulimit të Ministrisë së Jashtme të Serbisë, kanë arritur të përvetësojnë një strukturë të caktuar të njerëzve të UNMIK-ut dhe të zyrtarëve të tjerë, të shpërndarë në administratën ndërkombëtare në Kosovë, të cilët kanë punuar ekskluzivisht për hesape të Serbisë, duke fabrikuar dosje e duke improvizuar gjyqe në shumicën e rasteve kundër ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) pa kurrfarë baze ligjore. Është vërejtur haptazi përpunimi i mbi 30 dëshmitarëve të rrejshëm në disa procese në gjykatat vendore dhe në Tribunalin e Hagës, të përpunuar fillimisht nga mekanizmat përkatës të Serbisë, të cilët janë përdorur në një varg gjyqesh kundër ish-strukturave të UÇK-së. Ka pasur edhe raste të zhdukjes fizike të dëshmitarëve të komprometuar, me qëllim të ruajtjes së sekretit se kush ka qëndruar në të vërtetë pas tyre.
“Drejtoria e Gjashtë” e Shërbimit Sekret serb edhe ashtu është përkujdesur për asanimin e krimeve të luftës, të fshirjes së gjurmëve të krimeve të luftës, të përpunimit të një pjese të dëshmitarëve në Gjyqin e Hagës, të gjetjes dhe pagesës së dëshmitarëve të Hagës kundër ish-eprorëve të UÇK-së e deri tek afera e Dick Martyt, i cili e ka ngritur zërin kundër ish-UÇK-së duke e denoncuar atë para opinionit vendor e ndërkombëtar me fakte e të dhëna të fabrikuara nga Serbia, pa kurrfarë baze faktike as juridike. Dick Marty me këtë e ka njollosur popullin e Kosovës dhe të Shqipërisë, prandaj edhe duhet të japë llogari bashkë me ish-kryeprokuroren e Tribunalit të Hagës, Del Ponte, dhe rrjetin e personave të tjerë të implikuar në këtë proces të fabrikuar, që kanë qenë pjesë e “Drejtorisë së Gjashtë” të Sigurimit Sekret të Serbisë.
Drejtoria e Gjashtë ishte një lloj kundërvënie ndaj forcave demokratike, ndaj atyre forcave që tentonin të bashkëpunonin me SHBA-të dhe botën perëndimore. Në këtë kohë zhvillohet një luftë e ashpër edhe brenda vet shërbimeve sekrete serbe të të gjitha profileve. Dikush nga eprorët e lartë brenda shërbimit sekret ushtarak i kishte spiunuar tek shtetet e perëndimit, se me dijen e kreut të shërbimit sekret ushtarak është strehuar brenda objekteve ushtarake Ratko Mlladiq, i kërkuar për krime lufte nga Tribunali Ndërkombëtar i Hagës. Kjo ishte njëra ndër aferat e mëdha brenda shërbimeve sekrete serbe. Madje, shefi i Agjencisë Ushtarake Serbe të Inteligjencës VBA (Vojno Bezbednosne Agencije), Svetko Kovaç, në një mbledhje të Këshillit të Lartë të Sigurisë, në Beograd, e kishte paraqitur një raport tek në vitin 2006, ku thuhej se Ratko Mlladiqi po fshihet në objektet ushtarake nga njerëzit e shërbimeve sekrete të ushtrisë serbe. Pas zënies së Mlladiqit u vërtetuan këto pohime dhe brenda VBA-së e VOA-s (Agjencia Ushtarake e Inteligjencës/Vojno Obaveštajne Agencije) u krijua një komision për hetimin e rasteve se kush po e spiunon ushtrinë serbe dhe kush po i jepte informata perëndimit nga radhët e shërbimeve sekrete ushtarake serbe.

Svetko Kovaç, shefi i Agjencisë Ushtarake Serbe të Inteligjencës VBA

(Vojno Bezbednosne Agencije)

Pak kohë para se të kapej Mlladiqi, shërbimet sekrete serbe filluan ta bëjnë një “refresh” të bashkëpunëtorëve – të oficerëve që i kishin kryer shkollat, gjegjësisht trajnimet në vendet e ndryshme të Europës dhe në SHBA, si dhe të oficerëve që e kontrollojnë vijën e Kosovës, të Shqipërisë, Maqedonisë e Malit të Zi dhe në formë shumë diskrete filluan t’i ndërrojnë aty-këtu bashkëpunëtorët dhe stafin operativ kinse për punë të reduktimit të stafit. 
Në fakt, shërbimeve sekrete serbe iu kishin zbuluar disa plane të klasifikuara si sekrete shtetërore, siç ishin rasti i Mlladiqit, rasti i vendosjes së raketave ruse në territorin e Serbisë dhe rasti i vendosjes së një njësie të shërbimit të kundërzbulimit rus në një kazermë të ushtrisë serbe, afër kufirit me Kosovën, me qëllim të mbledhjes së shënimeve rreth gjendjes së sigurisë në Kosovë. Duhet vënë në dukje se sekret shtetëror konsiderohej edhe vrasja e Gjingjiqit, sepse shërbimet sekrete ushtarake të Serbisë kanë qenë të implikuara në këtë vrasje. Madje, strukturat e shërbimit ushtarak të inteligjencës VBA kanë qenë nën vëzhgim dhe hetim të vazhdueshëm rreth vrasjes së Gjingjiqit. Shumica e njerëzve që kanë marrë pjesë në atentat kanë qenë pjesëtarë të këtyre shërbimeve, të mbrojtur nga këto shërbime, apo bashkëpunëtorë të këtyre shërbimeve. Madje, në atë kohë, Vlladimir Popoviqi, kreu i zyrës së informacionit në qeverinë Gjingjiq, i kishte akuzuar shërbimet ushtarake për përzierje në atentat të Gjingjiqit, ndërsa shefin e atëhershëm të shërbimit ushtarak serb, Aca Tomiq, për lidhje dhe kontakte të përhershme me “Klanin e Zemunit”, të akuzuar për ekzekutimin e Gjingjiqit.
Sipas analistëve serbë, dy shkaqet kryesore të ekzekutimit të kryeministrit serb Gjingjiq në atentatin e organizuar nga Millorad Ulemek – Legija dhe të tjerët ishin se Gjingjiq, u vra për arsye se i kishte filluar reformat në Serbi, kishte arritur ta përmbysë pushtetin e Millosheviqit dhe ta dorëzojë atë në Tribunalin e Hagës bashkë me një grup funksionarësh të lartë serbë, si gjeneralë të ushtrisë, kuadro të larta të policisë, por edhe politikanë përgjegjës për krime lufte në Kroaci, Bosnjë, Kosovë etj. Pos kësaj, Gjingjiq kishte filluar një operacion tjetër me përmasa të mëdha – luftimin e krimit të organizuar.
ATENTATET E PËRGATITURA NGA SIGURIMI SHTETËROR I SERBISË
Në periudhën e vrasjes së kryeministrit serb Gjingjiq, ishte akuzuar një klan i shërbimit ushtarak serb për dhënien e arkivit ushtarak të VBA-së dhe VOA-s shërbimeve sekrete të SHBA-ve. Mbase shërbimet sekrete serbe e kishin urdhëruar vrasjen e Gjingjiqit për arsye se Gjingjiqi e kishte urdhëruar shefin e atëhershëm të shërbimit, Rade Bullatoviq, që t’ua dorëzonte arkivin shtetëror të shërbimeve të sigurisë zyrtarëve të shërbimeve amerikane. Kjo situatë në atë kohë kishte kaluar edhe në gjyq.
Që nga viti 2003 deri në vitin 2008, qe bërë një pastrim i brendshëm brenda shërbimeve ushtarake serbe. Në këtë rast vijave properëndimore iu ishte mundësuar që të instalojnë rrjetet e tyre në këto shërbime (bëhet fjalë për klane të caktuara të ushtarakëve serbë dhe punonjësve të shërbimeve ushtarake serbe).
Shërbimet sekrete ushtarake kishin urdhëruar edhe likuidimin e Vuk Drashkoviqit, i cili, sipas tyre, punonte në dobi të shteteve të perëndimit dhe punonte sipas instruksioneve të tyre. Nuk kanë qenë as nuk janë të vogla as problemet e kësaj natyre brenda policisë serbe. Nga qarqet ultranacionaliste, të cilat janë të instaluara sot në qeverinë serbe dhe në institucionet e sigurisë në Serbi ishte kërcënuar me vdekje Natasha Kandiqi, ish-presidenti serb Boris Tadiq e një varg liderësh tjerë të lartë e të mesëm që kishin pikëpamje properëndimore.
Për të mos u zgjatur, thuhet se ky njësit që vepronte në kuadër të “Drejtorisë së Gjashtë” nuk shkruante raporte. Kryeshefi i kësaj drejtorie, Ratko Romiq, i ka përdorur kryesisht njësitë e JSO-së për të kryer operacione të fshehta, duke filluar që nga likuidimet e deri tek shantazhet dhe presionet politike.

Lideri i SPO-së, Vuk Drashkoviq.

Sipas raportit të BIA-s, ku është trajtuar veprimtaria e Drejtorisë së Gjashtë, që mbanë siglën “Tepër Sekret”, thuhet se ajo është formuar jashtë rregullave dhe protokollit të sigurimit shtetëror të Serbisë. Po ashtu, në raportin hetimor të BIA-s lidhur me Drejtorinë e Gjashtë janë shikuar mundësitë nëse kjo drejtori është shfrytëzuar për vrasje politike në Serbi dhe jashtë saj të kundërshtarëve politikë. Raporti i BIA-s për Drejtorinë e Gjashtë / Drejtorinë për Vrasje të Sigurimit sekret serb dhe shkeljet që i ka bërë ajo, i është dorëzuar Gjykatës së Lartë në Beograd, më 4 prill të vitit 2011. 
Faktikisht, Stevan Bashta (55), ish-kryeshef i Drejtorisë së Tretë (kundër ekstremizmit) në Qendrën e Sigurimit Shtetëror (DB), në Beograd, është dënuar me shtatë vjet burgim për ndihmën e ofruar për pjesëtarët e JSO-së në tentimvrasjen ndaj liderit të SPO-së, Vuk Drashkoviq, në Budvë, më 15 qershor të vitit 2000. Lidhur me këtë është dënuar edhe ish-shefi i Sigurimit Shtetëror (DB) në Beograd, Millan Radonjiq, me tetë vjet burgim dhe kryeshefi i “Drejtorisë së Gjashtë” të Sigurimit Shtetëror serb, Ratko Romiq, me shtatë vjet burgim.
Në njërin nga atentatet e përgatitura nga Sigurimi Shtetëror i Serbisë kundër politikanit serb Vuk Drashkoviq, përkatësisht në atentatin e kryer në magjistralen e Ibrit (i përmendur më parë) kishin mbetur gjurmë në bazë të të cilave u zbulua përfshirja e shtetit. Me këtë rast, pas hetimeve, ishte zbuluar se kamioni me të cilin ishte shkaktuar aksidenti i përkiste shërbimit. Pra, Sigurimit Shtetëror (RDB)!
Megjithëse, Qeveria kalimtare në Serbi gjatë vitit 2000 kishte formuar një komision të veçantë (POSKOK), për të hetuar dhe zbuluar tri vrasjet më të rënda me motive politike: atë të gazetarit Çuruvija, atë të katër funksionarëve të SPO-së dhe zhdukjen e ish-presidentit serb Ivan Stamboliq, ky komision arriti të dinte se prapa vrasjeve qëndronte Sigurimi Shtetëror, por nuk arriti të siguronte fakte për këtë, sepse ky shërbim ishte një sistem i mbyllur, i cili me kohë ishte përkujdesur për zhdukjen e fakteve dhe të dëshmive që e komprometonin këtë Drejtori. Tashmë dihej se Radomir Markoviq, kryeshef i atëhershëm i Sigurimit Shtëtëror të Serbisë, kishte lidhje formale dhe joformale me vet pushtetin politik.
Sipas disa publikimeve në mediet serbe, Stevan Bashtës (ish-kryeshefit të Drejtorisë së Tretë), kohëve të fundit iu kanë ofruar mundësi që të bëhet dëshmitar bashkëpunues i gjykatës dhe, nëse ndodhë kjo, shumë vrasje të motivuara politikisht që janë kryer në Serbi dhe jashtë saj, në periudhën e Millosheviqit mbase do të zbardhen, duke filluar që nga vrasja e Sllavko Çuruvijas, pronar i “Telegrafit”, gjykatësit Nebojsha Simeunoviq, Dade Vujasinoviqit e shumë të tjerëve.
Vrasja e Sllavko Çuruvijas dhe disa të tjerëve, për shkak se akuzohen Millan Radonjiqi dhe Ratko Romiqi, si udhëheqës të këtij operacioni të shifruar “Çurani”, ku implikohet edhe “Drejtoria e Gjashtë”, janë me rëndësi të madhe të zbardhen dhe të dalin para drejtësisë. Kjo do të ishte një shenjë treguese se Serbia fillon të lirohet nga ndikimi i shërbimeve sekrete ushtarake dhe të sigurisë në politikë, në gjykata dhe në ekonomi.
Me porosi të Sigurimit Shtetëror serb u vra edhe gazetarja e BBC-së, Jill Dando, nga një serb vrasës me pagesë, pasi Jill kishte kritikuar ashpër regjimin e Millosheviqit. Vrasja e Jill Dandos ndodhi në vitin 1999, por u rikthye në qendër të vëmendjes pas deklaratave të serbes Branka Prpa, gruas së Sllavko Çuruvias, gazetar, i cili pasi e kritikoi ashpër regjimin e Millosheviqit, u vra dy javë para vrasjes së gazetares së BBC-së, Jill Dando. Branka Prpa është shprehur publikisht se të dy vrasjet kanë ndodhur në rrethana të ngjashme dhe në një distancë kohore të shkurtër. Sipas saj, apeli i gazetares Dando u shndërrua në shënjestër që në momentin kur prezantonte apelet në emër të BBC-së për shqiptarët e Kosovës që po dëboheshin me dhunë nga shtëpitë e tyre prej regjimit të Millosheviqit. E veja e gazetarit serb Sllavko Çuruvia, Branka Prpa, ka deklaruar për gazetën britanike “Daily Mail” se vrasësi i burrit të saj ka likuiduar edhe gazetaren e BBC-së, Jill Dando.
Po të shikosh kohën dhe rrethanat e vrasjeve kupton se ato janë kryer në të njëjtin kontekst, evidenton vejusha Branka Prpa ngjashmëritë mes dy krimeve. Faktikisht, si prezantuesja e BBC-së, edhe Sllavko Çuruvija ishin gazetarë të profilit të lartë dhe janë ekzekutuar në të njëjtën mënyrë: me plumb në kokë teksa ktheheshin në shtëpi.
Pronari i “Dnevni Telegrafit”, Sllavko Çuruvija, është vrarë në mes të ditës më 11 prill 1999, para shtëpisë së tij në ditën e pashkëve ortodokse. Sipas medieve, Çuruvija kishte qenë një njeri i afërt me regjimin e Millosheviqit, por ishte larguar nga ky rreth pas botimit nga ana e tij e “Letrës së hapur për Millosheviqin”.
E veja e Çuruvijas, historiania Branka Prpa, është e bindur se vrasësi i burrit të saj është personi i njëjtë që e ka vrarë gazetaren britanike Jill Dando pesëmbëdhjetë ditë më vonë, në prill të vitit 1999. Ajo beson se të dy gazetarët janë vrarë për shkak se kanë kritikuar regjimin e Millosheviqit. “Unë mendoj se ekziston një lidhje midis Jill Dandos dhe burrit tim. Janë vrarë si armiq politikë. Të dy janë qëlluar me plumb në kokë, kur ktheheshin në shtëpi”, ka thënë Prpa, në komentin e saj dhënë “Blicit”. Thuhet se, shërbimi i zbulimit britanik ka gjetur se pas bombardimit të televizionit shtetëror serb, Zheljko Razhnjatoviq – Arkan, ka urdhëruar vrasjen e John Birt, atëherë Drejtor i Përgjithshëm i BBC-së. Mirëpo, pasi sigurimi i Birt është përforcuar, veprimi është zhvendosur në një objektiv të ri – gazetarja Jill Dando.

Ana Lind (Anna Lindh)

E ngjashme me këto vrasje është edhe vrasja e ministres së jashtme të Suedisë, Ana Lind (Anna Lindh) në fillim të shtatorit të vitit 2003, nga një kriminel serb Mihajlo Mihajloviq (25 vjeç) për shkak të deklaratave të saj përkrahëse në fillim të ndërhyrjes ushtarake të NATO-s ndaj caqeve serbe. 
Tashmë është e ditur publike se ka të paktën tridhjetë vjet që dihet publikisht, por është pranuar edhe zyrtarisht se të ashtuquajturat aksionet më delikate e më të besueshme për mbrojtjen e interesave të shtetit serb u janë besuar bartësve më të errët të botës së krimit. Ka tridhjetë vjet që kur shumë kundërshtarë të regjimit, me theks të veçantë nga radhët e emigracionit kroat e shqiptar, veçanërisht në diasporë janë vrarë në atentate spektakolare, apo edhe janë kidnapuar me urdhër të sigurimit shtetëror serb UDB nga kriminelë të njohur serbë, të cilët paraprakisht jo vetëm në ish-Jugosllavi por edhe në Europë ishin dënuar e burgosur për dhunime, plaçkitje, vrasje, etj. Të tillë ishin Arkani, Legija, Gishka, Ashanini e shumë të tjerë, të cilët me të shpërthyer të luftërave në ish-Jugosllavi, morën pozita qendrore në policinë, ushtrinë e politikën serbe.
Ndaj, duke pasur parasysh zhvillimet para dhe pas periudhës formale të veprimtarisë së “Drejtorisë së Gjashtë”, ritheksojmë se është tepër e vështirë të besohet se ka pushuar veprimtaria e këtij mekanizmi kriminal shtetëror serb. Aq më tepër kur pjesa dërmuese e pjesëtarëve të kësaj drejtorie për vrasje gjenden në pozita të larta shtetërore në Serbi. Mekanizmat përkatës ndërkombëtarë, e veçanërisht Bashkimi Europian nuk guxojnë të heshtin më tutje, por duhet të kërkojnë llogari dhe të zbardhin veprimtarinë e pashembullt kriminale të Drejtorisë së Gjashtë/Drejtorisë për Vrasje të Sigurimit Shtetëror serb, veprimtaria e të cilës vazhdon të përbëjë rrezik jo vetëm për rajonin por edhe më gjerë, aq më tepër kur Serbia edhe pasi i shkaktoi katër luftëra të përgjakshme në territorin e ish-Jugosllavisë, që shkaktoi qindra mijëra të vrarë e të masakruar, miliona të dëbuar nga vatrat e tyre, me veprime konkrete po tregon se ka mbetur vendnumëro në mentalitetin luftënxitës të fillimviteve ’90-të. Çdo vonesë në këtë drejtim mund të ketë pasoja të pariparueshme. (FUND) – Faton Mehmetaj, Dr. Kandidat –

…………………………………………………………..

(ILUSTRIMET I PËRGATITI KTYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura