GJEKË GJONAJ: HYLLI I DRITËS – NJË EPISODË E MIZORISË MALAZEZE NË TRIESH E KOJË RRETH VITIT 1860

Ulqin, 6 shtator 2018: Revista prestigjioze shqiptare e kohës “Hylli i dritës”, në vitin 1914, në faqen 150-153 ka botuar një shkrim në lidhje me mizoritë e mëdha, famëkeqe e çnjerëzore që ka bërë ushtria malazaze ndaj popullsisë shqiptare (malësorëve) në këto dy trerva të lashta shqiptare, Triesh dhe Kojë. Shkrimi është përkthim i një dorëshkrimi të zbuluar nga P.Laurenc Mitroviq O.F.M botuar në dialektin gegë, kurse në vijim ju sjell tekstin e plotë në gjuhën standarde shqipe.
“Botimi i këtij dorëshkrimi me vlerë, tregon dhe dëshmon një shembull tjetër të shkëlyqer trimërie dhe sa e sa trimërive të tjera të bëra nga Malësorët e rreptë të Mbishkodërës, për të ruajtur e për t’’u dalur zot vendeve të veta. Burrëria e këtyre fatosave, aq më tepër është e çuditshme, e për t’u çmuar ( vlerësuar), sa më fort të mendohet se si këta të mjerë, të lëshuar dore prej të gjithëve, pa farë ndihme e përkrahjeje të ndokujt, por përherë të mashtruar, shumëherë, me premtime e me tradhti nga ndonjë kryetar të shitur, e deri prej sundimtarëve të Shqipërisë, duke qenë gjithmonë një pakicë e fortë, por më e vogël se ushtritë armike. Ata patën forcën me i dëbuar përherë e me i mundur, duke bërë kështu një vepër të ndritur në historinë, Malet e veta e gjithë kombin shqiptar. Por, vaj sot për ta !… Për shkak të vullnetit të ndyrë të një politike të pashpirt, ata sot janë të detyruar, të ndarë prej vëllezërve, me ndejtur nën sundimin e e vështirë të atyre me të cilët luftuan për sa mot ( kohë), të shtrydhur gjithëmonë me fuqinë ( forcën) e vet të rreptë, veç për mos me e parë një pëllëmbë të Maleve të veta prej gjurmës së rëndë të tyre!

Sipas gjasave kjo luftë, për të cilën po flasim në këtë shkrim , ndodhet rrerth cvitit 12860.
Dorëshkrimi siç duket përbëhet nga një Prift Misionar, i quajtur P. Teodos nga Parma, i cili për shumë vjet ishte famullitar i Malësisë së Grudës e Triepshit.
Urrejtja e rreptë , e cila kahmot vlonte ndër zemrat e Princave të Malit të Zi kundër Malësorëve të Triepshit e të Kuçit, të cilëve nuk u bëhej asesi të rrinin nën sundimin e tyre , shpërtheu më në fund në këtë vit në një mënyrë kaq të çuditshme e barbare sa është e vështirë të besohet.
Princi i Malit të Zi u pëpoq pikë së pari të bëjë për vete ( të përvetësojë) krerët e Kuçit: Spahi Boshin, Marka Mirkun e Turi Gjurin. Atyre princi u kishte premtuar se do t’u jepte pozita ( poste) me rëndësi në një zyrë të lartë, në qoftë se ata ia mundësojnë ushtrisë së tij që të kalojë lirshëm rrugën nëpër të cilën do të shkonte pa asnjë pëngesë të pushtojë dhe të marrë me forcë Drekalin. Të mahnitur këta të tre fatzezë nga premtimet e mëdha të Princit – premtime që ende sot nuk janë vërtetuar, e pëlqyen premtimin (ofertën ) e tij, dhe kështu tri katër ditës të Sh’Pjetrit të shkijeve u mblodh i gjithë Meduni me ushtarë malazez nën komnadën e princit Mirko.
Kuçi, menjëherë u habitë, u befasua nga kjo mori malazezësh të armatosur dhe shumë vonë arrioti të kuptojë shkakun e këtij sulmi.
Sapo u vendos ushtria në maje të grykës së Kuçit, Princi Mirko – burrë barbar e i pa besë, sa të duash, ftoi të gjhithë krerët e atyre rretheve duke i lutur që të vinin me armë dhe duke u bërë be të mëdha se nuk do të guxonte njeri i gjallë me i ngucë, as nuk kishte me u ndodhë asnjë e keqe rrugës. Këta të shkretë ( të ngratë) në fillim ishin dymendjesh. Mirëpo, kur e panë veten e rrethuar prtj fuqisë së tij, të ngushtuar, nga droja (frika) rrokën morën armët e veta e shkuna fill mbas princit. Princi, duke i pasur para vetes, ua hoq marmët dhe ua mori jetën aty për aty, duke ua prerë kokat.
Një çetë tjetër ushtarësh malazezë kishte zaptuar malet e Drekalit, dhe vrisnin çfarë u shkonte për dore, njerëz të pasfajshëm, çdo njeri të çfarëdo moshe që kishte. Mbas këtyre dy grupeve ( çetave) ushtarësh malazez shkonte gjithë ushtria tjetër e cila urdhëroi të plaçkisë e tu vënë zjarrin të gjitha shtëpive të katundit. Gjithë kjo mizori (kërdi) nuk zgjati të përfundojë më shunë se një orë e gjysmë. Pështjellimi, brima e gjama e të plagosurve dhe vaji i nënave të shkreta ( të ngrata) të cilat qanin në kupë të qiellit mbi fëmijët e vet të mbytur nga këta barbarë, ishte ushtima e vetme që u ndie në ato çaste të dëshpërimit e dhimbjes nëpër malet e Kuçit. Njëzet fëmijë të njomë kësaj herë ishin goditur me shpatën e Mirkut, kurse më se njëqind të rritur mbetën në këtë shfrim të kësaj mizorie sllave.
Ky rrënim (shkatërrim) shtëpishë, e dëmtim njerëzish përfshiu edhe Rahonë e Koçën (Kojën). Sikur vende kufitare me Kuçin, Rahoja pati njëzet të vrarë (të vdekur) dhe shumë të plagosur, në mesin e të cilëve një burrë i vjetër të cilit ia kishin prerë buzët, e të cilit ia kishin therë me thikë tre fëmijët. Ndërkaq Koça ( Koja) pati 16 të vdekur, e shumë të plagosur . Dyzet shtëpi u dogjën e u bënë shkrum nga kjo ofensivë barbare e ushtrisë malazeze.
Ndër viktimat, me këtë rast, po përmendim edhe një foshnje të njomë, të cilën e hodhi në flakë të zjarrit nëna e vet, e cila ishte çmendur duke parë barbarizmin e madh me të cilin malazezët e pashpirt ia kishin mbytur para syve të saj bashkëshortin dhe kunatin. Kjo grua fatkeqe ( fatmjerë) e lodhur, e rraskapitur , pa veshje në trup iku dhe nuk u pa më për dy javë rresht, kurse më vonë u gjetë e vdekur dhe u varros afër një bërrake në mes të rrugës së madhe ku pinin ujë delet e fshatit.
Pak ditë më vonë përbri këtij varri u varrosë një vajzë tjetër e vogël 12 vjeçe, e cila kishte vdekur nga një goditje e rëndë e cila ia kishte derdhur trutë e kresë. E kush ishte kjo vajzë? Ishte vajza e asaj gruaje fatmjerë që ishte çmendur!…E kush ia kishte ndrydhur rrashtën në mënyrë kaq të egër? Dora e ëmbël e nënës së vet! Mua, kur i shikoja këto dy varre, sytë m’u derdhën në vaj, e zemra donte të më shpërthejë nga dhimbja e dëshprimi , duke menduar se në njërin prej këtyre varreve pushonte ( gjendej) shkaku i vrasjes së tmerrshme, të bëra nga një mendje e tërbuar ; e në varrin tjetër një vajzë e pafajshme, e cila sikur një lule që sapo kishte filluar të çelë dhe t’i shoh rrezet e diellit, ishte shkëputur me dhunë m’u nga ajo dorë e cila sa e sa herë e kishte përkëledhur dhe e kishte dashtë shumë !
Të mërkurën para se të gjendej trupi i SH’ Shtjefnit, një grup prej afro njëqind malazezësh, shkapërcyen malet e mbërritën në Triepsh duke kaluar nëpër Qafë të Mollës mbi Budzë; ia filluan, sipas zakonit, me u dhënë flakën shtëpive, duke menduar se sikur më përpara s’do të gjenin kurrfarë kundërshtimi në fshat. Por këtu pushteti i t’ Madhit Zot , me gjyqet e veta, kishte vendosur cakun e mizorive të tyre. Tridhjetë triepshjanë me disa burra të katudnit të Kojës të betuar në besë të Zotit, me vdek për vendin e vet, edhe pse pa besim në fitore, ia filluan luftës së rreptë me malazez e cila zgjati më se një orë. Luftimi) më i rreptë ( ashpër) ndodhi në një anë të katundit të quajtur Nikë Marashi (Nikmarashi), ku tanët ( lexo trieshianët) treguan përnjëmend trimërinë e tyre të madhe. Tomë Prëla, Smajl Pjetri e Mark Gil Doshi të tre prej Nikë Marashit u dalluan nga të gjithë shokët. Kjo përleshje e fortë përfundoi me humbje të mëdha të malazezëve. Dhjetë nga ata, të zënë ngusht, duke parë se nuk kishin rrugëdalje për të ikur, u futën në shtëpinë e njëfarë Lekë Mirit, fajdexhi në zë, u mbyllën brenda dhe nga frëngjitë ia filluan të shtinin me armë duke vrarë dy vetë prej njerëzve tanë ( malësorëve) .
Në këtë çast një vajzë e rritur rreth 18 vjeç, sa e hijshme, për bukuri aq më tepër trimëreshë, vajza e njëfarë Martinit prej Nikë Marashit , doli nga shtëpia e saj me një unë zjarrit në dorë dhe shkoi në drejtim të shtëpisë, ku ishin mbyllur armiqtë e Shqipërisë, kaloi nën frëngjitë, ku ata kishin vendosur pritën. Në momentin kur ajo mori unën për t’i dhënë flakë shtëpisë u shprazën dy pushkë, plumbat e të cilave e shpuan petkun dhe brezin që kishte ngjeshur ( mbështjellur) rreth belit. Për fat kjo burrëreshë trieshjane (shqiptare) shpëtoi shëndosh e mirë dhe nuk u ligështua. Dalëngadalë, qetas e me shpejtësesi u ngjitë me i dhënë zjarrin bykut të kashtës me të cilin ishte mbuluar pullazi i shtëpisë. Një erë e fortë, që frynte e ndihmoi zjarrin aq sa shtëpinë e mbuloi flaka , tymi e tmerri me shpejtësi të madhe . Vajza si e kreu këtë vepër të lartë trimërie arriti të kthehet gjallë tek njerëzit e vet pa e gjetur asgjë e keqe. Ndërkaq malazezët nga zjarri e tymi u detyruan të dalin jashtë shtëpisë për të shpëtuar jetën e vet. Dy prej tyre i deshti fati të ikin të përcëlluar nga flakët zjarrit. Të gjithë të tjerët u vranë nga malësorët, që kishin ndejtë gati në pritë.
(Vijon)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura