Kukës, 01. 03. 2014 – (Vështrim panoramik mbi zhvillimin e letërsisë shqipe në Kosovë dhe poezia e Din Mehmetit.) – Pas copëtimit të trojeve shqiptare, letërsia shqiptare pati një shkëputje të vazhdimësisë natyrale të zhvillimit të saj. Pas viti 1913, letërsia shqiptare pati disa qendra të zhvillimit të saj, trungu mëmë Shqipëria, Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi. Dy epiqendrat e zhvillimit të letërsisë shqipe janë Shqipëria dhe Kosova, aty ku gjuha shqipe pasurohet dita – ditës, ku letërsia bëhet një forcë e madhe e transmetimit kulturor dhe mënyrë e forcimit të ndjenjës kombëtare.
Shkekulli XX e gjeti letërsinë shqipe në Kosovë në një etapë të rëndësishme të kristalizimit të saj. Forma poetike më dominante ishte poezia, kjo për dy arsye madhore: së pari ishte vazhdimësi e poezisë së epokës së Rilindjes; së dyti poezia ishte forma me e preferuar letrare ku e diktonin kushtet historike të zhvillimit të letërsisë shqipe ne Kosovë. Ishte forma me e lehte për t’u shkruar në kohë të shkurtër, më lehtë të qarkullohej në kohë kur shkrimet shqipe do të jenë të ndaluara dhe me e lehtë për t’u lexuar ( si një tekst të shkurtër) nga lexuesi, që dinte shumë pak të lexonte në gjuhën mëmë.
Letërsia shqipe në Kosovë, në shek. XX, njeh një sërë autorësh të rëndësishëm që dhanë një kontribut të pashlyeshëm në zhvillimin e letërsisë shqipe.
Gjysma e parë e shkeullit XX është periudha kur, në Kosovë kemi vërshimin e një sërë poetësh, ku më i spikaturi është Esad Mekuli me krijimitarinë e tij.
Jo rastësisht, ai është konsideruar si bardi i poezisë shqipe në Kosovë1 Poezia e tij është një artikulim mes intimes dhe tematikës atdhetare.
Din Mehmeti (1932 – 2010)
Vepra e tij poetike kalon nëpër tri kohë të shqiptarëve të Kosovës; para Luftës së Dytë, kur ishte e ndaluar të shkruhej shqip; gjatë luftës kur rritej iluzioni se do të fitoheshin të drejtat; dhe pas luftës kur diçka u fitua, por edhe u shprish iluzioni i lirisë së synuar. Emocionalisht ,poezia e tij i përcjellë këto ndryshime, duke marrë pamje të ndryshme të fazave të ndryshme.
Më 1955, Esad Mekuli boton vëllimin poetike “Për ty”, e cila është strukturuar sipas kriterit kohë të shkrimit të përmbledhjeve që janë përfshirë në këtë vëllim poetik. Vëllimi poetik është i strukturuar në tri njësi poetike: “Në hijen e robins” (1933-1940), “Flamujt e shpaluem” (1941-1944) dhe “Jeta e re” (1945-1953). Përmbledhjet poetike të Mekulit na adresojnë drejt tematikës së trajtuar, pjesa e parë e informon lexuesin në lidhje me faktorin historik të kohës së shqiptarëve të Kosovës, atje ku mungonte liria dhe është ulur këmbëkryq robëria. Pjesa e dytë na rrëfen mbi përpjekjet e shqiptarëve për të fituar lirinë, për të patur flamurin e tyre, apo lirinë e shumëpritur. Cikli i tretë i poezive artikulon problemin e një “jete të re”, një jetë që e kishin ëndërruar shumë nga shqiptarët e Kosovës, ashtu sikurse edhe poeti, por në të vërtetë ajo u shndërrua në një iluzion të vërtetë për të gjithë.
Vëllimi poetik “Për ty” është dëshmi e fortë e tri tipeve të shkrimit të poetit Esad Mekuli. “ Tipi i parë është poezia intime bashkë me shenjat e jetës sociale në gjendje të figuruar. Në ciklin e dytë është poezia e kushtrimit. Në ciklin e tretë është poezia e ekzaltimit dhe e iluzionit për lirinë”.2
Forcën poetike të Mekulit, në një trajtë të plotë, e gjejmë në ciklin e parë të poezive, ku forca gjuhësore shprehëse, emocionaliteti i veçantë, trazimet personale dhe situatat sociale e kanë bërë poezinë e tij një poezi sintetike në aspektin gjuhësor, një poezi e figuracionit të thellë, por pa kaluar në hermetizëm ideor për shkak të ngjeshjes gjuhësore. Në këtë aspekt, Mekuli ka një ngjashmëri gjuhësore me Migjenin. Poezia e Mekulit, në këtë cikël, shfaqet si një poezi peizazhi, një poezi e pamjes së jashtme që është e krahasueshme me gjendjet e brendshme shpirtërore. Mekuli, si teknikë të vjershërimit zgjedh krahsimin ,si një mundësi lidhjeje mes pamjes së jashtme dhe gjendjes emocionale të poetit, apo situatave sociale të ndryshme. Kjo teknikë është përdorur kahera nga autori, duke filluar që nga vjershat e para si: “Vegime”, “Mbramja”, “Nata”, “Djaloshi” etj. Pamjet poetike i shërbejnë autorit për të përfshirë në vetvete temat e ndaluara, këngët e ndaluara për shqiptarin në atë kohë. Si përfundim, mund të themi se Mekuli është një shpërthim i fuqishëm i letërsisë shqipe në Kosovë në gjysmën e parë të shekullit XX, duke sjellë një figuracion të pasur, një poezi të imazhit, të asociacionit, një poezi ku gjuha poetike është në nivele të larta poetike, por pa rënë në humnerën e një intimiteti personal (hermetik), por gjithnjë duke qëndruar në nivelet e përthithjes nga ana e lexuesit. Mekuli nuk i shmanget vazhdimësisë tematike të poezisë pararendëse shqipe, por nuk mbetet në këto hapësira.Ai shkel në hapësira të pashkeluara të intimitetit personal të individit, të skutave të errëta të meditimit dhe te jetës. Poezia e tij nuk është e shkëputur nga realiteti ku krijohet, perceptohet dhe interpretohet.
Letërsia shqipe në Kosovë do të jetë një vazhdimësi poetike atdhetare gjatë gjithë shekullit XX. Vitet 60-të do ta gjejnë letërsinë shqipe në Kosovë me një vazhdimësi poetike dhe me një plejadë të madhe poetësh që vazhdonin të artikulonin temën atdhetare në format më të larta të poezisë, që në të vërtetë kjo formë e lartësoi poezinë shqipe në përgjithësi. Poezia shqipe në Kosovë solli një pasuri leksikore përmes poezisë së: Besim Bokshit, Adem Gajtanit, Fahredin Gundës, Din Mehemetit, Azem Shkrelit, Ali Podrimes, Milazim Krasniqit dhe Basri Çapriqi.
E njejta përvojë poetike po përjetohej edhe në Maqedoni, ku Murat Isaku, Abdylazis Islami dhe Resul Shabani po përsosnin formën poetike dhe të shprehurit figurative të tyre.
Ky grup poetësh i dha letërsisë shqipe, veçanërisht asaj që zhvillohej në Kosovë një poezi moderne dhe një poezi me të avancuar, që atëherë shkruhej në Evropë.
Poetët shprehnin dhimbje, në poezitë e tyre, për fatin e popullit të tyre në kohë dhe në hapësirë.
Letërsia shqipe në Kosovë i dha letërsisë shqipe emra të njohur të saj, madje emra të papërsëritshëm në artin poetik të tillë si: Ali Podrimja dhe Azem Shkreli, ku si zë i veçantë qendronte Din Mehmeti.
Ali Podrimja konsiderohet si përfaqësuesi më në zë i poezisë shqipe. Botën e vet poetike e artikulon përmes një sistemi të mirëstrukturuar figurativ ( ku spikasin simboli dhe metafora) dhe ku nuk mungon shkalla e lartë e ndjeshmërisë.
Mjeshtërinë poetike të Podrimes, lexuesi e ndjen në të gjitha veprat e tij poetike, ku më të spikatura janë poemthi Hija e tokës, në të cilën dallojmë një freski emocionale dhe vërtetësi komunikimi. Hija e tokës është një projektim i së ardhmes së ëndërruar dhe një shpalosje e të shkuarës së Kosovës ndër shekuj. E kaluar vjen që nga Antikiteti, lashtësia e fisit të poetit dhe e kombit. Antikja e fisit të poetit ( Kosovës, trojeve shqiptare) është një mburojë e madhe historike para një invazioni të egër serb mbi Kosovën. Hija e tokës është dëshmi e madhe e mjeshtërisë poetike të poetit, të gjuhës ezopike dhe të lirikës patriotike të artikuluar përmes gjuhës së figurshme, kryesisht përmes simbolit, metaforës, paralelizmave dhe parabolave krahasuese poetike. Censurimi i fjalës së lirë në Kosovë bëri që të kemi një përsosje të gjuhës figurative të poetëve për të mbijetuar nga ndëshkimet e sistemit të dyfishtë diktatorial (serb dhe komunist). Kjo e bëri Podrimen, ashtu si shumë autorë të tjerë, të arrijë kulmet e përsosjes gjuhësore dhe të figuracionit të thellë poetik. Poetika e Podrimes është në kërkim të vazhdueshëm të mundesive të reja dhe origjinale të shprehjes së emocionit, të imagjinatës dhe të filozofisë së jetës që vijnë dhe shfaqen përmes një simbolike të dendur në një cikël poezish: Guri, Kulla, Cungu, Poema e heshtjes, Kali i Trojes, Dëftore dhe Pylli. Simbolika e tyre na orienton drejt kulturës dhe historisë shqiptare. Simbolika e tyre është domethënie e pasurimit strukturor të këtyre leksemave, e një aktualizimi semantik të mbishtresëzimeve të tyre që nga kohët antike deri në kohët moderne. Simbolet e këtij ligjërimi mbeten në formën arketipore të kulturës kolektive3, por edhe europiane. Guri është shprehje e qëndresës që në kohët e lashta, është shprehje e autoktonisë në vendin e tij. Kulla është simboli i qëndresë përballë invazionit të vazhdueshëm, është simbolika e shpirtit të shqiptarit në viset e Kosovës, është djepi i lirisë dhe intimiteti të tij personal. Cungu simbol i cungimit të individit në një regjim diktatorial, shovenist, por edhe i mostjetërsimit edhe pse i cunguar. Heshtja simboli i censurimit dhe të një mënyre të mbijetesës.
Heshtja është syri i fjetur me fyell në gojë, të cilit i cicërojnë zogjtë, ndaj ajo është me e vjetër se guri dhe më e fortë se vdekja. Poetika e Podrimes është strukturuar duke u mbështetur mbi metaforën, simbolin, por në fazën e tretë të krijimtarisë së tij kemi poetikë me të prerë, më të drejtpërdrejtë me një shkallëzim të ironisë deri në sarkazëm.
Përsosja formale dhe e shprehjes gjuhësore vazhdon edhe më tej në letërsinë shqipe në Kosovë përmes poezisë së Din Mehmetit, “e cila vjen papritmas nga një poet i pjekun, si një prej përfaqësuesve të shquem të radhës së të rinjve; për të cilin duhet me mendue patjetër kur flitet për poezinë shqipe dhe përfaqësuesit e saj të dalluem. Fjala e tij poetike thellohet shumëfish në brendinë e jetës popullore, që nuk është identike me poezinë popullore”.4
Din Mehmeti shfaqet si një zë i veçantë poetik në letërsinë shqipe, veçanërisht në Kosovë. Poezia e tij është një gërshetim mes traditës poetike të letërsisë shqipe dhe poezisë moderne që lëvrohej gjatë shekullit XX. Poezia e Mehmetit shpeshherë del edhe si një eksperimentim formal dhe gjuhësor, por pa tejkaluar caqet e një poezie të “lexueshme”.
Përpjekjet eksperimentale të D. Mehmetit i shikojmë në përmbledhjen poetike “Ora” të botuar në vitin 1974.
Përmbledhja poetike Ora vjen pas një sprove jo të vogël poetike për Mehmetin, ku deri në këtë kohë ai kishte botuar disa vëllime poetike si : Në krahët e shkrepave 1961, Rini Diellore 1961, Dridhjet e dritës1969 dhe Heshtje e kallur 1972.
Në këtë përmbledhje poetike “ gjuha” është me e përpunuar, figuracioni po ashtu. Mungojnë përshkrimet që kanë qenë evidente në përmbledhjet e para. Aty paraqitet një gjëndje e brendshme me e theksuar. Në anën tjetër të le përshtypje se është një poezi që shkon drejt eksperimentit”5 do të shprehet vetë autori.
Por çfarë tiparesh shfaq poezia e Din Mehmetit në përgjithësi?
Poezia e Din Mehmetit e josh lexuesin dhe e ben per vete, e ngazëllen, me ndonjë elementë artistik.6 Kjo joshje që i bën autori lexuesit në përgjithësi është rezultat i pranisë së elementit folkorik në poezinë e tij. Prania e tipareve fonostilistike të këngës popullore, e cila vjen në trajtën e një rrëfimi që rrëfehet vetëm në praninë e instrumentave muzikorë e bëjnë lexusin “e përgjithshëm” t’i qëndrojë shumë afër poezisë së Din Mehmetit.
Në këtë mënyrë autori krijon një urë të fortë komunikimi me, atë që ai e quan, unin e vendit të tij, njerëzitë e vendlindjes së tij. Kjo urë vjen e forcohet edhe nga elemente tematike të artikuluar. Pika me e fortë lidhëse mes poezisë se D. Mehmetit dhe lexuesit të tij është Kosova, vendi i të gjithëve, parë në momente të ndryshme të historisë së saj. Poemthi Kosovë zog i diellit është një himn kushtuar Kosovës, bukurive të saj, dashurisë së saj, qëndresës së saj”7. Lexuesi qëndron i mbërthyer para poezisë së Din Mehmetit, pasi kjo poezi i ofron “Kullën” poetike të ndjeshmërisë. Lexuesi ndihet si në një ambient thellësisht të familjarizuar, jeton me imazhin e kullës, me imazhin e familjes historike shqiptare, të diktuar nga faktori kohë (histori), me ndjesinë e këngës së ninullave, që u këndoheshin djemve të Kosovës, djemve të së nesërmes, të lirisë të shumëkushtuar; jeton me imazhin e rrëfimit të legjendave që ngelen në kujtesën kolektive, në muret e plasaritura të kullave, që ngelen ushqim shpirtëror për lexuesin si një stisje e mëtejshme në atdhedashurinë e çdo lexuesi. Të gjitha këto imazhe i gjejmë të artikuluar në mënyrë mjeshtërore përmes një simbolike të përzgjedhur në poezinë Kulla ime e lashtë.
“Po ecën kulla ime e lashte/Me shtatë vëllezër rreth sofrës,/Me frëngji të çala nga stera e lotit,
Me oxhak të tymosur nëpër kohë/…/Nga duart të thata të nënës së mërdhirë/Me legjendat e harruara në muret e plasura,/ po ecën”8
Këto janë vargje e mbajnë lexuesin në vështrimin e frëngjive, në meditimin e oxhakut, në krjimin e sofrës vëllazore, në dashurinë e duarve të nënës së mërdhirë, të plakur aty ku gjaku ka ikur. Është kulla ku kërkon, në muret e plasura, nga koha historinë e saj, rrjedhimisht dhe të vendit të tij. Plasaritja e mureve dëshmon për një qëndresë të kahershme, për një qëndresë në kohë, ku nuk mund t’i shpëtojmë kohës së një instrumenti të gjithëpranishëm dhe te pashmangshëm në ekzistencën e individit.
Përmbledhja e parë poetike e poetit “Në krahët e shkrepave” është nyja e parë lidhëse me lexuesin e tij. Poezitë e kësaj përmbledhjeje janë këngë kushtuar natyrës së bukur dhe kurrë të venitur të Bjeshkëve të Nemuna. Janë imazhet piktoreske të bukurive të Bjeshkëve të Nemuna që e gozhdojnë lexuesin e Mehmetit para poezisë së tij. Poezia e Din Mehmetit krijon një mozaik imazhesh të lëndinave bleroshe të mbushura me tufa delesh; me lumenjtë kryengritës, që zbresin teposhtë me hove të thella krenarie të përmbytur me gurgullima të përjetshme; me shkëmbenjë që krijojnë imazhin se do t’i hyjnë qiellit në zemër; me shqiponja valltare, që shfaqnin ballet në majë të Gjeravicës; me barinj dhe baresha, që shfaqnin dashurinë e tyre heshtas e haptas; me drama të mëdha dhe të vogla të njerëzve përballë vështirësive të natyrës; me qiellin e kaltër dhe të pastër; me murmurimën e rrufeve8. Në përmbledhjen e parë poetike të Din Mehmetit, poezia del me funksionin stilistik të këngës, të krijon përshtypjen e një kënge, ku përmbysen skemat e komunikimit letrar, autori shndërrohet në këngetar dhe lexuesi në dëgjues. Burimi i frymëzimit të kësaj poezie është vetë kënga, është kënga legjendare e bëmave të Mujit dhe Halilit, ajo që i bashkon vendasit rreth njëri – tjetrit për të dëgjuar bëmat e tyre. Gjuha e këtyre poezive karakterizohet nga një figurshmëri e madhe, ku figura më mbizotëruese e saj është metafora, metonimia, simboli. Kënga shfaqet si një derdhje simbolike e qëndresës, së bjeshkëve të autorit, legjendare të popullit shqiptar, madje kënga është ushqim shpirtëror dhe shtysë e madhe për jetën e këtyre njerëzve. Kjo dëshmohet bukur mirë në poezinë Lutjet e këngës.
“Epna force/Që ta ndërtojmë të ardhmen/Gaz të na duken vuajtjet/E lehtë të na duket pasha e kohës”9.
Simbolika e poezisë së Din Mehemtit është e pasur dhe ka një ngjashmëri me simbolikën e poetëve të tjerë si Ali Podrimes, Azem Shkrelit, Farehdin Gungës etj.
Në morinë e simboleve të poezisë së Din Mehmetit mund të dallojmë simbolet: kullën, tokën, djepin, këngën, lumin, të cilët janë arketiopre në kulturën shqiptare., Ndaj janë të pranishëm në mozaikun simbolik të shumicës së poetëve në letërsinë shqipe.
Në analizën poetike këto simbole janë esenca e një tematike të kudondodhur në poezinë e shek. XX që lëvrohej në Kosovë. Tema e atdheut i ka bërë këto simbole universale për botën kulturore dhe historike shqiptare, për botëkuptimin shqiptar në ekzistencën e shqiptarit. Kulla si symbol i qëndresës shfaqet edhe në poezinë e Mehmetit, një symbol ku rriten filizat e popullit shqiptar. Është një simbol i vazhdimësisë së ekzistencës së individit shqiptar dhe mburojë pa të cilën do të ishte vështirë të mbijetonte shqiptari i këtyre viseve. Sipas Mehmetit, kulla krijon një raport të ngushtë me shqiptarin Kulla flet e flet, Dialog me Kullat përpos mburojës (mbrojtjes)
Po si mund ta shihni botën / Nëpër ato dritare kaq të vogla? / Kohëti i deshën të tilla/Që të mos na verbohen sytë/ Që të mos na prek rrufeja në jetë 10 vendit ,të jetesës, shtimit, rritjes së individit shqiptar, kulla krijon një komunikim shpirtëror me individin jetonjës në ambjentet e saj. Kulla për shqiptarin flet është ajo që i thyen vetminë e tij, është ajo që krijon dhe i jep ngrohtësinë jetësore. Bëhet dëshmitare e komunikimit me pushkën. Në kullë pëshpërisin pushkët (meshkujt). Kulla flet në zheg, flet pasi është vëzhgues i gjithçkaje është dëshmitare e bisedave për të ardhmen që projekton shqiptari. E çfarë i ka mbetur kullës për të mos qenë qënie humane?! Personifikimi i autorit vazhdon duke e përshkruar kullën si e rrëzbitur, e lodhur nga pagjumësia, me sy të rrudhur, me mendime të ashpra, flet kur yjet qeshin dhe shkrehen në lotë nuk harron të lidh kohërat.
Kulla e Din Mehmetit është një shtegtar i fortë që kalon nga një kohë në një kohë tjetër, nga një stinë në një stinë tjetër; është simboli i lashtësisë së shqiptarit në trojet e tij. Nga ana tjetër ajo është dëshmitare e shumë vuajtjeve të shqiptarit e historisë së tij.
Po ecën kulla ime e lashtë/Me shtatë vëllezër rreth sofrës/Me frëngji të çara nga stera e loti
Me oxhak të tymosur nëpër kohë./…/Me legjendat e harruara në muret e plasura, po ecë.11
Toka është vazhdimësia semantike e simbolikës së simboleve të Mehmetit. Toka për poetin është simboli i ekzistencës së individit, i vazhdimësisë së shqiptarit, është dëshmi e lashtësisë së tij, njëkohësisht edhe e stërmundimeve për ta mbrojtur dhe gëzuar, Toka zhvarros eshtra. Poezia e Din Mehmetit dëshmon mbi lidhjen e ngushtë emocionale të shqiptarit me tokën, këtë lidhje e bën një lajtmotiv të poezive të tij, në përmbledhjen e katërt poetike si një vazhdimësi e përmbledhjes së tretë poetike, ku kjo lidhje artikulohet fuqishëm. Ky raport shprehet fare mirë në këngën e shtatë të përmbledhjes Dridhjet e dritës, ku uni lirik shprehet i vendosur të jetojë në tokën e tij edhe sikur “ të rrënohet murana e qiellit mbi të”.
“Këtu do të qëndrojmë/Edhe sikur të rrënohet mbi ne murana e qiellit/Se më lehtëështë me vdekë ku të njohin/Ku të përckellin i madh e i vogël gjer te varri/Ku të përlotin vajtoret për të mirat e bëra,/ ku mbetesh këngë e pashura/ se sa me u kallë nëpër shtigjet e ngurta të botës/ I untë për tokë e varre dhe për emrin e shkelur”12
I vetëdijshëm për marrëdhënet e njeriut me tokën, që gjenerojnë marrëdhëniet sociale dhe kulturore, njeriu i Din Mehmetit e ka më të lehtë të vdes në tokën e tij, sepse aty njihet dhe aty përcillet me nderime të mëdha. Natyrish ekzistenca e individit është e tillë vetëm në prani të njohjes nga tjetri. Poezia e Din Mehmetit, në këtë kontekst është një jehonë e çështjeve filozofike të unit dhe tjetrit. Këto marrëdhënie detyrimisht janë të përcaktuara në një hapësirë konkrete dhe në rrjedhë të kohës, që janë gjeneruar nga raporte sociale të krijuara në një kohë tepër të gjatë. Ky është edhe përcaktimi i marrëdhënies së ngushtë të inidividt me tokën, me societetin shpirtëror e kulturor të rritur së bashku me unin lirik dhe social. Sipas poetit aty ku mungojnë këto raporte çdo gjë është e ngurtë, është e ftohtë, mungon respekti, madje njeriu është i “unjtë” për token, për varrin dhe mbi të gjitha ai mbetet i harruar si individ, nuk ka më emër. Në një koncept edhe më filozofik, sipas poetit njeriu nuk është gjë tjetër veçse një plotësim i tokës ku ka lindur, është një pjesë e saj, një vazhdimësi biologjike e saj mbi të cilën krijon imazhin e vet dhe për një kohë të gjatë jeton me të. Simboli tjetër si vazhdimësi semiotike e këngës së Mehmetit është edhe djepi. Elementi mbi të cilin shënohen shenjat e para të jetës, është vendi ku individi për herë të parë bie në kontakt me kulturën ( letërsinë folklorike) dhe rritet me të. Në një përgjithësim djepi është toka ku shqiptari, uni lirik, mbushet me bukurinë e jetës. Djepi kalon në një element të shenjtë për autorin, ashtu si toka dhe kulla, ndaj në poezinë e tij gjejmë shprejhje të tipit folklorik të tillë si: për një djep e për një qiell do të shprehej Ali Aliu. Rëndësia simbolike e djepit e bën autorin që ta përsërisë këtë simbol pambarimisht edhe pse sipas kritikës kjo përsëritje i ka krijuar një disharmoni në poezinë e tij.
“Në përmbledhje ka bukur shumë elemente disëharmonie, insistime në shprehje, përsëritje figurash e simbolesh…. Autori nuk nguron ta përsërisë në disa vargje dhe në disa poezi për shembull djepin: djep i përkundur, i drunjtë, djepin e gurtë, si fëmiu n’djep, apo ndonjë kuptim tjetër”13. Simbolika e poezisë së Mehmetit është aq e fortë sa që disa simbole janë ngritur në kult. Kënga si një burim frymëzimi për poezinë e Din Mehemtit është ngritur në kult.
Din Mehmeti ka krijuar, në poezinë e tij, kultin e këngës për shumë arsye. Kënga për Din Mehmetin ka qenë burim frymëzimi për poezitë e tij ashtu siç do të shprehet: “Një shtytje tjetër që më ndihmoi për t’u bërë poet, më vonë ishte dashuria që ndjeja ndaj këngëve popullore të të gjitha gjinive.14 Dëshirën për këngë e gjeta në shpirtin tim, kur këndoja këngë popullore, por edhe në shpirtin e popullit tim, i cili këndonte edhe kur gjendej në luftë, për t’i ndihmuar pushkës, ndërsa pushka, me krismat e veta, për t’i ndihmuar këngës.”15
Kënga për Din Mehmetin është një mundësi jete për unin lirik individual, po ashtu edhe për unin kolektiv. Kënga është një nyje lidhëse e unit lirik me shpirtin kolektiv nga edhe ku buron kjo forcë ushqyese e shpirtit të societetit të autorit.
Madhërona sonte në këngë, më thanë një mbrëmje në fsha/Në këngë që na kthen besimin e tretur në vete,/Që u jep dritë syve të lodhur,/Që u jep gjak dejeve të këputur nëpër kohë. 16
Kënga është dëshmi e kohës në trojet e poetit, është dëshmi e një historie të gjatë që fillon me legjendat e përfundon në kohët moderne. E çfarë nuk është kënga për poetin dhe për zërin kolektiv pjesë e secilit është edhe uni lirik i poezive të tij?! Kënga është ajo që i bashkon rreth njëri – tjetrit si në aspektin shpirtëror, emocional, ashtu edhe në kohë të vështira dhe vetëm kënga e bën që të dridhet kulla.
Hajt, zgjona në oshëtirë e le të dridhen trarët e kullës/ Me fjalën që na bashkon në jetë.17
“Din Mehmeti e ka vërejtur bukur se kënga ishte ai zëri kolektiv, që ata i ka bashkuar, i ka lidhur emocionalisht dhe shpirtërisht, i ka mësuar të bëhen një, kur është dashur. Në trupin e këngës ata kanë shkruar historinë e tyre shpirtërore, se në të është shprehur koha, është shënuar hapësira, është ndalur vetë ekzistenca e tyre”. 18
Parë në këndvështrimin e komunikimit, kënga merr trajtën e fjalës, të përjetësisë së saj që shënon universalizmin e njeriut. Ajo del si një përjetësi metonimike e njeriut (në rastin konkret, ajo shpreh fuqishëm universin e botës së shqiptarit në vise të veta, universalizmin kohor të tij). Shtresëzimi simbolik biblik na orienton drejt një ekzistence profanike të fjalës, “Fjala ishte e para”, ekzistenca e së cilës dëshmon mbi ekzistencën e njeriut.
Në poezinë e Din Mehmetit shprehet edhe raporti i fjalës (këngës) me kohën, peshën e saj. Societeti poetik vë re se koha ka një peshë tepër të rëndë e vetëm kënga mund ta minimizojë këtë peshë në raport me tri pikat e referimit kohor ( të shkuarës, të tashmes dhe të ardhmes). Në strofën e fundit të poezisë Lutje për këngë shprehet qartë uniteti kulturor mes pjesëve të shkëputura të një trungu; pjesës veriore të Shqipërisë dhe pjesës jugore të saj. Në poezinë e D. Mehmetit, marrëdhënia e individit me kohën vjen përmes fjalës si element biblik.
Në korpusin e letrave shqipe poezia e Din Mehmetit është e krahasueshme me poezinë e Migjenit dhe te E. Mekulit, kjo për nga tematika; me poezinë e Poradecit , kjo nga përpjekjet gjuhësore për të arritur përsosmërinë gjuhësore poetike në poezinë e tij.
“Krijimtaria e Din Mehmetit , në të vërtet, është, porsi krijimitaria poetike e Migjenit dhe Esad Mekulit, më tepër zë i durimit dhe vuajtjeve, por edhe i dëshirave të pashuara të këtij njeriu për një jetë më të lumtur dhe më të denjë”. 19
Poezia e Din Mehmetit është e ndikuar nga tradita jonë letrare duke filluar nga epoka e Rilindjes dhe duke përfunduar tek Migjeni dhe Poradeci, por është e kapluar nga rrymat moderne të poezisë së kohës duke synuar t’i aplikojë ato. Poezia e Din Mehmetit, edhe pse ka një ndikim jo të vogël nga poezia e traditës, ajo nuk ushqen kult të veçnatë për trajtat e saj, madje as për trajta moderne të poezisë. Kështu ajo mbetet një poezi mes tradiconales dhe modernes duke mos tentuar në asnjë mënyrë drejt ekstremeve të tyre.
Poezia e Din Mehmetit mbart një mozaik temash të ndryshme si: tema e atdheut në kushtet historike të zhvillimit të historisë së trojeve shqiptare, motive të bukurisë së natyrës, tema e dashurisë; kënga si ushqim shpirtëror i individit, njeriu, dashuria, lufta, nuk mungojnë poezi të tipit portret, ku portretizohen vasha, babai, nëna ( dashuria për prindërit); nuk mungojnë edhe motive tematike të karakterit filozofik, poeti nuk harron faktorin kohë, të cilit nuk mund t’i shpëtojmë në asnjë mënyrë, etj
Elementet biografike dhe krijimtarija poetike e D. Mehmetit
Ditën e pestë të muajit të pestë të vitit 1929, në Gjocaj të Junikut historik për popullin shqiptar, u lind njeriu, i cili në një kohë jo të shkurtër do të jetë pjesë e historisë së letrave shqipe jo vetëm në Kosovë, por në mbarë botën e letrave shqipe. Din Mehmeti është i biri i Mehmet Dinës. Lindi në një familje me vlera kulturore dhe arsimdashëse, babai i tij ishte shumë krenar për dëshirën e madhe të Din Mehmetit për t’u arsimuar, për të pasuruar atë që nisi në kullat e Gjocajt të Junikut, për të arritur mjeshtërinë e përdorimit të ligjërimit popullor. Shkollën fillore e ka kryer në Junik. Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, ai do të regjistrohet në Gjakovë për të vazhduar shkollimin e mesëm. Ardhja në Gjakovë për poetin do të jetë një mundësi tjetër për te njohur ambientin qytetar, përkundër ambientit ku kishte jetuar, aty ku kishte pasur mundësinë të mbushej me emocionet e bukurive të papërsëritshme natyrore të bjeshkëve të Junikut. Të njihej me një jetë ndryshe nga ajo e ambientit rural, ku kengët popullore, legjendat, përrallat dhe kuvendimet në odat e burrave ishin ushqimi shpirtëror i njerëzve që jetonin në ato vise. E mbi të gjitha kënga ishte një mundësi e mëtutjeshme për të jetuar me një ushqim shpirtëror, që nuk mund të zëvendësohet me asnjë lloj ushqimi tjetër. Ajo do të jetë një ogur i mirë për krijimtarinë poetike të Din Mehmetit , sidomos në aspektin e shprehisë poetike. Ardhja në qytetin e Gjakovës ishte një zbritje plot ngarkesë kulturore e poetit nga bjeshkët ku ishte rritur ashtu siç do të shprehet edhe autori:
“Në qytet kisha ardhur i ngarkuar bukur shumë me mentalitetin e malësorit. Me vete kisha marrë edhe këngët dhe legjendat që kisha dëgjuar nga më të vjetrit dhe me të cilat edhe isha rritur. Ato këngë dhe legjenda që këndoheshin dhe rrëfeheshin ne odat e burrave, atje në fshatin tim rrëzë Bjeshkëve të Nemuna. Këngët e mia në qytet dukeshin disi arkaike dhe shumë rrallë dëgjoheshin në një pjesë të qytetit.”20
Vazhdimi i shkollës së mesme do t’i jepte mundësi të njihej me kulturën qytetare, me këngët lirike qytetare, të cilën në fillim nuk para e pëlqente, natyrshëm sepse ajo ishte në oponencë më atë që kishte marrë me vete, këngën popullore të Gjocajt dhe këngën mbi bëmat e Mujit dhe Halilit. Ishte qyteti i Gjakovës që i dha mundësi të njihej me një sërë nxënësish të ardhur nga vende të ndryshme për studime, që më vonë do të shndërrohen në emra të njohur të botës së artit shqiptar si: Besim Bokshi, Fehmi Agani, Agim Gjakova, ku ky i fundi do të jetë një strehë e mirë për nxënësit e ardhur nga vende të ndryshme në Gjakovë.
Në vitin 1952, ai do të regjistrohet në degën e Albanologjisë në Universitetin e Beogradit, më 1955. Gjatë studimeve të larta, Din Mehmeti do të njihet me vlera të letërsisë kombëtare, me letërsinë botërore duke nisur që në kohët antike dhe duke përfunduar në kohët modern.
Në këtë periudhë, Din Mehmeti do të njihet me poezinë e Lorkës, Rafale Alberit, Bodlerit, A. Rembos, Malarmesë, Verlenit, Nerudës, Eliotit, Naimit, Fishtës, Migjenit Poradecit etj.
“Gjatë shkollimit të mesëm nuk kishim libra për të lexuar në gjuhën shqipe. Profesorët më tepër na flisnin për biografinë e shkrimtarëve të Rilindjes Kombëtare se sa për vlerat artistike të tyre. Ata nuk i komentonin mesazhet e atyre veprave për shkak të censurës sllavokomuniste, e cila kontrollonte gjithçka dhe ishte e gatshme për t’i shpallur nacionalistë shqiptarë, profesorët dhe nxënësit që do të lexonin veprat e rilindasve”. 21
Din Mehmeti ka punuar si inspektor i shkollave në Lipjan në vitet 1952 – 1954 dhe si gazetar i rubrikës së kulturës në gazetën “Rilindja” në vitin 1959 -1962. Në vitet 1962 -1967, Din Mehmeti ka punuar si professor i gjuhës dhe letërsisë shqipe në shkollën normale dhe gjimnazin e Gjakovës. Nga viti 1967 deri në vitet e pleqërisë, ai punon si professor i letërsisë shqipe ne Shkollën e Lartë Pedagogjike “ Bajram Curri” në Gjakovë, si dhe në Fakultetin e Edukimit në Gjakovë. Krijimtarinë e tij poetike e ka filluar herët me botimin e vjershës së parë “Të resë s’anë” e botuar në revistën letrare “Jeta e re” nr. 2, 1949.
Din Mehmeti ishte anëtar i kryesisë dhe themeluesi i Klubit letrar “ Gjon Nikollë Kazazi” i Gjakovës, anëtar i PEN Qendrës së Kosovës nga viti 2004.
Më 12 nëntor 2010 letërsia shqipe humbet një ndër emrat më të shquar të botës së saj.
Vepra e Din Mehmetit skicë e vëllimeve kryesore.
Bota poetike e Din Mehmetit fillon në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar në vitin 1949, koha kur boton poezinë e parë në revistën kulturore që botohej në Prishtinë “Jeta e re” në nr. 2. Kjo poezi do të jetë një mahnitje e madhe për kryeredaktorin e revistës, Esad Mekulin, i cili i premton poetit se do ta botojë këtë poezi me kusht që ai të vazhdojë të shkruajë poezi të tjera, sigurisht, si poet kishte arritur të pikasë talentin poetik të poetit të ardhshëm. Ja se si e ka përjetuar autori botimin e poezisë së parë: “Pas disa ditësh kur u botua numri i dytë i revistës “Jeta e re”, e pashë vjershën time të botuar. Për mua ai moment ishte ndër më të lumturit. Botimi i asaj vjershe më tronditi shumë. Ishte një tronditje e imja shpirtërore, të cilën as sot nuk mund ta përshkruaj. Tani isha i vetëdijshëm se m’u hap një dritare e re për të parë realitetin e jetës ndryshe.”22
Botimi i kësaj poezie, konsiderata e madhe e poetit Esad Mekuli, do të jenë një shtysë e madhe për vazhdimin e krijimtarisë poetike të poetit deri në vdekje.
“Po të mos ishte kjo revistë dhe Esad Mekuli unë ndoshta nuk do të isha bërë poet.”23
Pas disa vitesh vijnë përmbledhjet e para poetike si:
Në krahët e shkrepave, Prishtinë, 1961.Rini Diellore, Jeta e re, Prishtinë , 1961.
Dridhjet e dritës, Prishtinë, 1969; Heshtja e kallur, Prishtinë, 1972; Ora, Prishtinë, 1974
Ikje nga vdekja, Prishtinë, 1978; Fanar në furtuna, Prishtinë, 1981; Zogu i diellit, poezi të zgjedhura, Prishtinë, 1982;Fatin tim nuk e nënshkruaj, Prishtinë, 1984; As në tokë as në qiell, Prishtinë, 1988; Gjaku që këndon, Prishtinë, 1993; Prapë fillimi, Prishtinë, 1996
Lumturia është mashtrim, Prishtinë, 1999; Mos vdis kur vdiset, Prishtinë, 2001; Verbim i bardhë, Prishtinë, 2004; Agu (dramë). Prishtinë, 1982.
Tërë krijimtaria poetike e Din Mehmetit është botuar në pesë vëllime, ku vëllimi i pestë është përmbledhje e shkrimeve kritike mbi poezinë e Din Mehmetit. Në vitin 2010 është botura edhe përmbledhja poetike Vajet e shiut, e botuar post mortum.
( VIJON… )
——————————————————–
PJESA E DYTË:
FITOR OLLOMANI: DIN MEHMETI NJË ZË I VEÇANTË NË LETRËSINË SHQIPE, GJATË SHEK. XX
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=2475