PROF.ABDYL KADOLLI: PAS FESTIVALIT NDËRKOMBËTAR ‘DRINI POETIK 2012’

Prishtinë, 28. 06. 2012 – Festivali ndërkombëtar “Drini poetik” në Prizren, më 9-10 qershor, dëshmoi për të tretën herë fozionominë dhe rëndësinë e tij kulturore të përmasës kombëtare e ndërkombëtare. Ai sivjet mblodhi rreth 100 poetë e studiues letrarë shqiptarë, disa poetë minoritarë dhe tre poetë ndërkombëtarë. Në tri pikat poetike “Lira magjike”, “Ora e Lidhjes” dhe “Valët e Drinit” u lexuan shumë poezi të reja, nga të cilat u lauruan vetëm katër me çmimet letrare Metafora I, II e III dhe çmimin “Vepra letrare”.
Komuna e Prizrenit nderoi me emblemën e saj tre poetët e huaj në këtë festival: Dave Brinsk nga Nju-Orleansi, Ian Thal nga Bostoni dhe Yvan Tetelbom nga Parisi.
Në sesionin letrar “Letërsia shqipe dhe Njëqindvjetori i Pavarësisë” u lexuan 15 kumtesa, që trajtuan jehonën e kësaj ngjarjeje historike në krijimatrinë letrare.
Risi e këtij festivali poetik sivjet ishte përurimi i antologjisë amerikane “Tingujt e erës” të autores korçare Lediana Stillo, e cila tani jeton në Boston.

________________________________

Sivjet festivali ndërkombëtar “Drini poetik” u zhvillua në kushte mjaft të vështira financiare. Po të mos ishte mikpritja e komunës së Prizrenit, e cila siguroi akomodimin e mysafirëve, lokalet e reklamat e festivalit, ai as nuk mund të mbahej. Me mjetet që ka dhënë për këtë vit Ministria e Kulturës për Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës nuk mund të mbuloheshin as gjysma e shpenzimeve të tij.
Kjo ministri nuk dha asnjë pullë as për projektin e Antologjisë amerikane. Madje ministri Memli Krasniqi bojkotoi thjesht edhe shtypjen e saj. Ishte komuna e Rahovecit ajo që financoi shtypjen e antologjisë , në një numër të vogël kopjesh.
As Qeveria e Kosovës nuk u përgjigj për financimin e festivalit, edhe pas 15 aplikimeve nëpër ministri e kompani private. Vetëm Ministria e Diasporës shtriu dorën e mirëkuptimit, duke siguruar tri bileta të mysafirëve nga SHBA-ja.
Paradokset kulturore
Festivali ndërkombëtar “Drini poetik” duhet të institucionalzohet dhe të zgjasë së paku tri ditë, në mos edhe një javë. Si një ngjarje e rëndësishme kulturore, ai duhet të financohet drejtpërdrejt nga Ministria e Kulturës ose Qeveria.

ADEM DEMAҪI

_______________________________

Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës ende ka statusin e OJQ-së, që jeton me ndihma. Nuk ka statusin e subjektit kulturor që financohet drejtpërdrejt nga buxheti shtetëror si në vendet e tjera. Shkrimtarët tanë sot ndodhen në rrugë, sepse ende nuk kanë as zyrë të vet. Ata nuk mund të zhvillojnë as veprimtari të mirfilltë botuese.
Në shoqërinë tonë nuk stimulohet krijimtaria origjinale, por interpretimi i saj, nuk stimulohet poesis, por mimesis. Pra, stimulohen bibliotekat, teatrot, galeritë, operat, kinematografitë, ansamblet, por jo krijuesit e vlerave kulturore. Ky paradoks kulturor po vazhdon si avaz nga sistemi komunist dhe asgjë nuk ka ndryshuar në statusin e krijuesve të kulturës.
Dorëheqje e ministrit të kulturës
Për gjithë këtë gjendje anarkike të kulturës sot, unë kërkoj dorëheqjen e mënjehershme të ministrit të Kulturës, sepe ky çun politik më së paku merr erë në kulturë. Ai nuk di ta peshojë rëndësinë e krijimit dhe komunikimit kulturor ndërkombëtar, sepse thjesht ka bojkotuar botimin e përurimin e Antologjisë amerikane.
Kjo ministri sot është shndërruar në një kooperativë bujqësore, që keqtrajton kulturën. Nëpërmjet njëfarë këshilli të librit, ajo fiancon vetëm shtypjen e veprave letrare, madje dhe të botuesve privatë!
Kultura nuk mund të kuptohet thjesht si argëtim dhe të futet në një thes me rininë dhe sportin!
Në krye të Ministrisë së Kulturës duhet të vijnë njerëz të kulturës, që dinë të çmojnë vlerat kulturore e artistike dhe të organizojnë jetën kulturore.
Masmediet tona nuk u japin publicitetin e merituar ngjarjeve të rëndësishme kulturore. Ato prezantohen vetëm kalimthi. Edhe pse janë shumuar si lumëzat, masmediet tona ende jetojnë në mendësinë e shkollës komuniste, duke vrapuar pas fëshfërimave politike. Gazetarët nuk përcjellin programet deri në fund. Ndodhen aty vetëm në fillim të manifestimeve, marrin programet dhe ikin.Këtu prin sidomos RTK-ja si televizion shtetëror, që mban edhe përgjegjësinë më të madhe.
* * *
FJALA E PËRURIMIT TË ANTOLOGJISË AMERIKANE
Zonja dhe zotërinj,
Mysafirë të nderuar,
Sot kam kënaqësinë e veçantë që po përurojmë Antologjinë e lirikës së re amerikane “ Tingujt e erës“ të autores Lediana Stillo.
Me këtë rast përshëndes veçmas poetët amerikanë Dave Brinks dhe Ian Thal, të përfaqësuar në këtë antologji dhe të pranishëm në festival, si dhe vetë autoren e antologjisë, zonjën Lediana Stillo
Përshëndes poetin francez Yvan Tetelbom dhe gjithë poetët e tjerë të pranishëm në këtë përurim dhe në festivalin e tretë ndërkombëtar “ Drini poetik “ në Prizrenin tonë historik e shumë lirik.
Antologjia e lirikës së re amerikane “Tingujt e erës” është një projekt i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, në të cilin kanë bashkëvepruar krijues të ndryshëm shqiptaro-amerikanë.
Gjithsesi, ky projekt kulturor ishte jashtë përmasës sonë reale, për të cilin nuk pati gjithherë mirëkuptim, por ishte një vizion shumë i ndritur.

Lediana Stillo, Dave Brinks dhe Adem demaçi gjatë promovimit të Antologjisë amerikane “Tingujt e erës“ të autores Lediana Stillo.

__________________________________

Qëllimi i projektit ishte kontakti kulturor me rrjedhat e vlerat më të reja poetike amerikane.
Pa dyshim, merita për realizimin e këtij projekti kulturor i përket shkrimtares së talentuar korçare Lediana Stillo, e cila ka përzgjedhur e përkthyer me shije estetike lirikat e dhjetë poetëve të rinj amerikanë.
Është ky ndër hapat e parë të kontaktit kulturor me letërsinë e re amerikane dhe një mirënjohje modeste e shkrimtarëve shqiptarë për angazhimin amerikan në çastet më dramatike kombëtare.
Kjo antologji vjen te ne nga kontinenti i largët, por shumë i afërt shpirtërisht me idetë e ndjenjat e lirisë.
Antologjia është pagëzuar me metaforën e erës, si vetë imagjinata poetike që nuk njeh largësi dhe ka shpejtësinë e saj në erën e komunikimit masiv.
Ajo vjen si një kumbim timbresh të ndryshme, që me idetë, vizionet e ndjeshmërinë e re krijojnë edhe polifoninë estetike.
Është kjo një lirikë moderne dhe postmoderne njëkohësisht, me intonime intelektuale, ritme urbane dhe larmi stilesh artistike.
Jorastësisht, metafora e erës shkrihet me metaforën e valëve të “Drinit poetik”, duke krijuar kështu përmasën e lëvizjes së lirisë dhe të dashurisë universale.
Kjo antologji është vazhdimësi e kontaktit kulturor shqiptaro-amerikan, themelet e të cilit i ka vënë mërgata e hershme shqiptare në SHBA, me Nolin e madh e Konicën e urtë.

Po ashtu, Lobi shqiptaro-amerikan ka dhënë një ndihmesë të çmuar për afirmimin e çështjes shqiptare.
Me këtë rast përkujtojmë me nderime Presidentin Wilson, i cili kishte vënë veto kundër copëtimit të asaj gjysmë Shqipërie në Konferencën e Paqes në Paris, më 1919.
Përkujtojmë me mirënjohje të veçantë vendosmërinë e Presidentit Klinton për çlirimin e Republikës së Kosovës dhe Batalionin e Atlantikut të mërgatës shqiptare, që u hodh në luftën e shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Për realizimin e këtij projekti kulturor, Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës iu shpreh mirënjohje të veçantë poetëve amerikanë të pranishëm në këtë festival; Ministrisë së Diasporës të Republikës së Kosovës, që bëri të mundshëm udhëtimin e tyre; Komunës së Prizrenit për mikpritjen e Festivalit dhe Komunës së Rahovecit për shtypjen e Antologjisë amerikane.

Abdyl Kadolli, redaktor i antologjisë
Prizren, më 9 qershor 2012

* * *
LETËR E MIRËNJOHJES
e poetit Dave Brinks nga Nju-Orleansi dërguar shkrimtarëve e miqve shqiptarë pas festivalit ndërkombëtar Drini poetik.

DAVE BRINKS
Përshëndetje miqtë e mi!
Ju shkruaj me gëzim të madh sot. Jam në shtëpinë time në Nju-Orleans. Më mungon shumë,shumë shoqëria juaj! Bujaria juaj poetike, shpirti juaj i madh njerëzor e buzëqeshjet tuaja janë me mua, në zemrën time. Udhëtimi im në Kosovë ishte një mahnitje e madhe! Përjetova emocionet e lumturisë suaj, por edhe ndjeva dhembjet tronditëse që keni duruar.
Jam thellësisht i nderuar që u pranova brenda familjeve tuaja. Sot shpirti i madh i shqiptarëve jeton thellë në zemrën time, në mënyrë shumë të veçantë për shkakun tuaj dhe të njerëzve tuaj. Populli shqiptar është shumë i veçantë në mendjen time. Udhëtimi juaj është një aventurë e lashtë, e vjetër dhe e re. E vërejta në buzëqeshjet e fëmijëve te shatërvani në qendër të qytetit, qysh prej mbërritjes sime aty. Nuk ka vend tjetër më të veçantë në botë se vendi juaj i çmuar dhe i bukur. Thesaret tuaja kulturore janë të shumta. Ju më treguat shtëpinë e zemrës suaj dhe ndatë me mua një mënyrë të vërtetë bashkëpunimi mes Kosovës e Amerikës.
Misioni i anotologjisë sonë poetike anglisht /shqip është më rëndësi vitale për të ardhmen tonë. Tani ne duhet të fillojmë punën për të sjellë poetët tuaj në Amerikë. Vizioni juaj bëri të mundur për ne të forcohemi në të dy anët e Atlantikut, si vëllezër besnikë që qëndrojnë krah për krah njëri-tjetrit në kohë të mira, por edhe të vështira. Unë do ta nderoj fillimin e bashkëpunimit kulturor midis vendeve tona, Kosovës e Amerikës, siç ju me nderuat mua. Ju sollët mrekulli e respekt ndaj dy vendeve tona, familjeve tona dhe njerëzve tanë. Akti juaj është i guximshëm. Ai vërtet është vizionar. Ai është plot gëzim e bukuri për t’u ndarë me gjithë botën. Sot vizioni kulturor i shqiptarëve është një dritë e lashtë që ndriçon prej zemrës sime, si një shembull i Shpresës dhe i së Vërtetës, që tregon rrugën për njerëzit kudo në të dy vendet tona, si të shqiptarëve e amerikanëve, ashtu edhe në gjithë botën. Ne gjithmonë do të qëndrojmë së bashku. Asgjë nuk mund të na ndajë. Unë kam ndryshuar thellësisht nga përvoja ime në vendin tuaj. Në ditët dhe vitet që do të vijnë, unë do të vazhdoj të angazhohem në shërbim të kulturës, artit e poezisë së vendit tuaj. Është shumë e rëndësishme për mua që tashmë jam një anëtar i familjes suaj. Ndiej fuqishëm se shtëpia ime është në Kosovë, sa është edhe këtu në Amerikë. Dëshiroj të jem pjesë përbërëse e angazhimit tuaj në gjithë rajonin për t’ju ndihmuar në misionin e madh të bashkimit. Populli juaj ka larmi të pakufishme dhe dashuri për jetën e natyrën. Ju keni përjetuar shumë fatkeqësi, por ju sot jeni më të fortë se kurrë .

DAVE BRINKS NGA NJU-ORLEANS, LUIZIANË – SHBA

_________________________________

Unë jam i frymëzuar për të vazhduar punën kulturore që keni filluar. Unë dëshiroj të afirmoj poezinë e mrekullueshme shqiptare kudo në Amerikë. Dëshiroj që çdokush të ndiejë gëzimin e veçantë të poetëve tuaj. Ne do të kemi vizita të shumta së bashku në Kosovë dhe në Amerikë.
Ky projekt është një bekim i ri për familjet tona, miqtë, studiuesit, historianët, dijetarët dhe shkrimtarët tanë. Sot vendet tona kanë arritur një mundësi të mahnitshme kulturore nga miqësitë tona të reja. Imagjinata kulturore e ndërmarrë në vendin tuaj është diçka, për të cilën ju duhet të jeni shumë krenarë dhe unë besoj se ajo do të prekë thellë zemrat e të gjithë amerikanëve. Dëshiroj që njerëzit tanë të kujtojnë gjithmonë, e kurrë të mos harrojnë, se jemi gjithmonë pjesë e së njëjtës familjeje. Qytetarët e Kosovës dhe të Amerikës janë të përkushtuar në respektimin e ligjeve të të drejtave të njeriut, të demokracisë, individualitetit, dashurisë dhe lirisë.
Tani shpirti i poezisë ka lëshuar rrënjë të forta me një shtrëngim duarsh mes nesh. Ju jam mirënjohës për shumëçka, për prezantimin që i bëte vendit tuaj në sytë e mi: në Prizren, Shtime, Drenicë, Llapushnik, në shtëpinë e Adem Jasharit, në Galicë, monumentin e Shote Galicës dhe familjes së saj, në Lubovec, në Mitrovicë, në Prishtinë, në monumentin e Pajazitit, Zejnullahut e Hoxhës pranë Vushtrisë dhe më në fund me të gjitha fshatrat e tjera dhe qytetet e mëdha e të vogla, të cilat unë do t’i vizitoj herën tjetër në Kosovë. Unë tashmë jam dëshmitar i lindjes së lirisë! Është e bukur! Vizioni juaj më jep fuqi si një babai, një biri, një vëllai, një poeti dhe një miku. Sot kam dy shtëpi: Nju-Orleansin dhe Kosovën. Ju lutem shprehni respektin tim të thellë për të gjitha familjet dhe miqtë tuaj. Gjithashtu, shpreh mirënjohjen time të thellë për zotin Adem Demaçi dhe familjen e tij. Sot ne po fillojmë punën që nderon të ardhmen tonë, si vëllezër që qëndrojnë krah për krah në lindje dhe në vdekje.
Gjithmonë paqe e fuqi përmes poezisë, miqtë e mi!
Do të shihemi së shpejti!
Me nderime,

Dave Brinks, Nju-Orleans, Luizianë, SHBA,
[email protected]
16 qershor 2012

_____________________________

PASHTRIKU: ‘ORA E LIDHJES’ – NË 134 VJETORIN E LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=496
…………………………………..

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura