FLETË DITARI NGA MUSINE KOKALARI
Musine Kokalari lindi në Adana të Turqisë në vitin 1917, ku ishte vendosur familja e saj asokohe pasi ishte larguar nga Gjirokastra, prej nga është origjina e tyre. Shkollën fillore e kreu në qytetin e Gjirokastrës, ndërsa të mesmen e mbaroi te Instituti “Nana Mbretneshë” në Tiranë në vitin 1937. Më pas vazhdoi studimet e larta në Itali dhe në vitin 1941, ajo u diplomua për Gjuhë dhe Letërsi në Universitetin “La Sapienza” të Romës. Pas diplomimit ajo u kthye në Shqipëri dhe në vitin 1943, tenton të formojë një formacion politik me prirje Social-Demokrate. Në vitin 1945, vihet në krye të grupeve opozitare dhe u dërgon një promemorie misioneve aleate ushtarake anglo-amerikane dhe franceze të akredituara në Tiranë, për ndërhyrjen e tyre pranë qeverisë komuniste të Shqipërisë, në mënyrë që të respektoheshin rregullat për zgjedhje të lira dhe demokratike. Për këtë gjë, më 17 janar 1946 ajo u arrestua nga Sigurimi i Shtetit dhe në 2 korrik të atij viti, doli në gjyq, duke u akuzuar si “agjente e anglo-amerikanëve” dhe u dënua me 20 vjet burg politik. Pas lirimit nga burgu, (më 8 tetor 1961), të cilin ajo e vuajti në Tiranë dhe Burrel, u internua në rrethin e Mirditës, ku jetoi e vetmuar duke punuar si fshesare në pastrimin e rrugëve dhe Ndërmarrjen e Ndërtimit Rrëshen, deri në fund të jetës së saj në 13 gusht të vitit 1983. Musine Kokalari është marrë me publicistikë dhe ka shkruar para dhe gjatë Luftës në shtypin e atëhershëm, si skica e tregime, duke i firmosur me pseudonimin letrar “Muza”. Po kështu gjatë asaj periudhe kohe, ajo ka botuar librat: “Siç më thotë nënua plakë” (1939); “Rreth vatrës” (1944) dhe “Sa u tund jeta” (1944). Pas viteve ’90-të, (në 2003-in) u bë e mundur edhe botimi i një libri tjetër të saj, me titull, “T’isha një lule”, të cilin ajo e kishte shkruar që në rininë e saj.
***
Nga Musine Kokalari
SHËNIME NË MUNGESË TË NJË DITARI TË HOLLËSISHËM…!
Filloi lufta e Tiranës. 12 nëntor, m’i morën dy vëllezër e shumë veta në lagje (për fat që vëllai i tretë, ishte i sëmurë me tifo), dhe i vranë “ushtarakët çlirimtarë”.
Më 13 nëntor më arrestuan. Më mbajtën në një shtëpi te lagja jonë. Ndaj të gdhirë kapërcyem te Rruga “Fortuzi”, ndënë gatishmërinë e tankut gjerman. Na shpunë në Rrugën “Bardhyl”. Na përplasën në bimsat e një shtëpie, ku qenë shumë të burgosur, të mbledhur andej-këndej. Më morën në pyetje Sulo Kozeli dhe Sotir Polena. Më thanë:
– “Je social-demokrate”?
– “Ke prurë përçarje”, – më thanë.
– Bini një njeri që ta vërtetojë këtë, – u thashë unë.
– “S’ke bërë luftë”, – më thanë.
– S’na latë ju të bënim,- u përgjigja
– “E ç’ke bërë”?
– Jam marrë me shkrime. Kam botuar libra.
-“Libër”,- u përgjigj me injorancë Sulo Kozeli.
– Lufta është bërë dhe bëhet me pendë dhe me armë. Ti e bëre me armë, por me pendë s’je i zoti ta bësh.
Më dërguan prapë në birucë.
Erdhëm te Rruga e “Dibrës”. Më liruan.
…Me dy vrasje të pafajshme në shtëpi, më gjeti çlirimi dhe me pasigurinë e rrojtjes. Kështu filloi tragjedia e individit demokrat, nën ‘Diktaturën e Proletariatit’. Kështu u mbyll epoka e rilindjes…! Hyri dhuna për të shfarosur “demokraten” dhe një gëzim mizor për gjakderdhje…!
U afrua nëntori 1945. Flitej për votimet. Vendosej fati dhe përcaktohej drejtimi. Në Shqipëri ishte misioni anglez, misioni amerikan, ai francez, jugosllav dhe sovjetik. Kërkohej njohja e qeverisë. Aleatët e Perëndimit, thonin të bënim zgjedhje demokratike. Përfaqësuesit e UNRRA-s, gjithashtu ndodheshin në vend. Situata ishte e ndërlikuar. Njerëzit që kishin qenë në Front dhe s’ishin komunistë, anonin nga Perëndimi. Gjithashtu dhe ne demokratët, aspironim një Republikë Demokratike. Po a mund të bënim gjë?
Unë vendosa, mora penën dhe përpilova notën. Atë e firmosën katër zogistë, katër të rezistencës, unë dhe Musa Dizdari, një shoku im, në trurin e Social Demokrates. Një kopje e shpuri Shaban Balla, tek anglezët dhe një kopje tek amerikanët. Unë pata vetëm një rast të flisja me oficerin Palmer, që të përkrahnin këtë hap, në qoftë se donin që zgjedhjet të ishin demokratike, siç pretendonin ata. Mirëpo aleatët nuk ndërhynë pranë qeverisë. E lanë çështjen në heshtje.
…Më 23 janar 1946, u arrestova. Të parët qenë grupet zogiste dhe të rezistencës. Ata u arrestuan më 10 janar. Tani para hetuesisë u shtrua çështja e notës; ishin: Nesti Kerenxhi, Siri Çarçani, Edip Çuçi, Kadri Hazbiu etj., kur u rrah akuza ime. Unë e kisha të lehtë të mbrohesha, ata e kishin të zorshme të mbanin në këmbë akuzën…!
Filloi hetuesia. Më pyetën për notën…!
‘Notën e bëmë në emër të tre grupeve, aleatëve, të cilët ju i lejonit, që të vëzhgonin se zgjedhjet ishin demokratike. Çështja u shtrua si një koalicion demokratik, ku secili grup me programin të paraqiste kandidatët e vet, pasi të shtyheshin zgjedhjet dhe të merrnim pjesë edhe ne’, – fillova unë.
– “Çudi, – tha Nesti Kerenxhi, që ishte kryetari i Sigurimit. – Ti vjen nga një familje demokratike, antizogiste. Si u bashkove me Monarkistët”?!
– Këtë mësim e kam marrë nga ju, – u përgjigja unë.
…Më 2 qershor filloi Gjyqi Special. Kryetar qe Frederik Nosi, prokuror Nevzat Haznedari.
Erdhi dita të “jepja llogari” përpara bankës së të akuzuarve. Dola te mikrofoni. Më pyeti kryetari, Frederik Nosi.
– “A e pranoni aktakuzën”?
– Në bazë të pikëpamjeve tuaja politike, po. Në bazë të pikëpamjeve të mia, jo.
– “Mjaft me sofizma”!- ulëriti Frederik Nosi.
– Atëherë është e kotë të më pyesni. Lexoni proces-verbalin, – i thashë dhe u ula te vendi im. …Mendova se do të më dënonte me vdekje.
Erdhi dita e mbrojtjes së të pandehurve. Unë s’pranova avokat. E përpilova vetë mbrojtjen. Po ama, ata nuk dinin se çfarë përmbante. Prokurori më akuzoi, se ishim një bllok që donim të përmbysnim pushtetin. Më dënoi 30 vjet. Unë, me mbrojtjen në dorë, u afrova te mikrofoni dhe fillova leximin: “Në këtë gjyq janë të pandehur 36 vetë. Katër grupe. Në tre grupe, kemi vetëm një gjë të përbashkët: një notë drejtuar aleatëve që të shtyheshin votimet dhe si koalicion demokratik, të merrnim pjesë në zgjedhje. Jo për përmbysjen e pushtetit, por për zgjedhje demokratike”.
Si kryetari, si prokurori, u ngritën në këmbë duke thënë:
– “Ne nuk lejojmë të vazhdosh mbrojtjen”.
– Në qoftë se e ndaloni ju, nuk e lini të burgosurin të mbrohet, unë e lë – iu përgjigja.
Më urdhëruan të mos vazhdoj. Shkova te vendi im. Pas pak erdhi oficer Manoli dhe më rrëmbeu mbrojtjen…!
Më 1947-ën, me arrestimin e deputetëve, më izoluan. Prapë Jonuz Mersini, vinte kastile nga Komanda e Përgjithshme dhe më thoshte:
– Atë që kisha bërë, e keni në proces-verbal. Tjetër nuk kam – i përgjigjesha.
Njëherë erdhi Kadri Hazbi udhe më tha:
– “Ti nuk flet, se ke frikë se mos të pushkatojmë”.
– S’kam ndonjë humbje. Do të pushoj së vuajturi – iu përgjigja.
– “Jo, se ti kërkon të mos futësh njeri në burg…”, ma ktheu ai.
– I ke futur pa më pyetur mua. Në qoftë se ju u penduat se nuk më torturuat atëherë, në dorë më keni. Në qoftë se doni të më pushkatoni, në dorë më keni prapë. Mua nuk më mbron njeri. Ju e keni shtrembëruar akuzën dhe veproni si të doni.
Një vit ndenja e izoluar, natë e ditë në errësirë. Rastësisht gjeta një gazetë në nevojtore dhe mora vesh divergjencat me jugosllavët.
…Në shtator të 1948-ës më shpunë përsëri në burg…!
Në gusht 1949, qe kryetar dege, Halim Xhelua. Më dërguan me Erifilin (Bezhani), bashkë në burgun e Burrelit. Qe koha e provokacioneve. Atje ndenja dy vjet e gjysmë.
Më 1952-in, më prunë në punëtorinë qendrore, qepja me makinë.
Më 1957-ën, erdhi për kontroll gjeneral Xhule Çiraku dhe kolonel Sabri Sevrani. I isha drejtuar Komitetit Qendror të PPSh-së për rishqyrtimin e çështjes sime, por s’kisha marrë kurrë ndonjë përgjigje. Me këtë rast, kur na pyetën me radhë, unë thashë se ç’është arsyeja që s’kam pasur një përgjigje nga Komiteti Qendror, sipas rregullave?
– “Si je sjellur”? – më pyeti gjenerali.
– Korrekt, – thashë unë.
I bëri përshtypje. Shumë vetë shkuan për të biseduar në zyrë. Këta më thirrën edhe mua. Sabri Sevrani më thotë:
– “Kur ngjet ndonjë gjë e papëlqyer në burg, u drejtohesh drejtorëve”?
– Ajo s’është puna ime, – i thashë, dhe kështu u kacafytëm me të dhe me gjeneralin. Koha përputhej me kundërrevolucionin e Hungarisë.
Hoqën shumë burra, hoqën dhe gjashtë gra, midis tyre edhe mua. Gjenerali më tundi kokën dhe deshi të më thoshte: “Ja se ç’i punuat vetes. E pagove”! Një vit punuam në fermë. Pastaj na dërguan në burgun e Shkodrës. Aty erdhi Beqir Balluku, që më kërkoi dhe më njohu.
– “Si vete social-demokrate”? – më pyeti.
– Unë jam një njeri, që kam humbur të drejtat civile, – iu përgjigja.
– “Përndryshe do të më ishe përgjigjur”?
– Patjetër, – i thashë.
– Kë keni dënuar me ligj, nuk ju takon ta pyesni.
– “Mor…, po Musine Kokalari do vrarë”! – u hodh kryetari i Degës së Punëve të Brendshme, gjeneral-major Hilmi Seiti, që ishte aty.
– E kush të ndaloi? – i thashë unë.- Vetë e ke në dorë pushtetin.
… Më 8 tetor 1961 u lirova nga burgu. Katër makina ndërruam rrugës, me dy policët që më shoqëruan kur erdhëm në Rrëshen…! Më erdhi dhe nëna, po qëndruam shumë të izoluara. Vetëm një mirdita e, kaq me komshinjtë.
…Pas dy vjetësh nëna vdiq në Tiranë, ku kishte shkuar për pak ditë. Më dhanë leje 24 orë. E pashë për herë të fundit të vdekur…!
Mbeta vetëm…! Jeta në Rrëshen është një kapitull tragjik më vete; vuajtjesh dhe shëmtimesh… Sa vjet vuajtje e padrejtësi? Nuk kam mundur të mbaj një ditar të hollësishëm, që do të ishte shumë interesant…