FLORIN ZYBERAJ: ÇATIA E KRISUR E REGJIMIT KOMUNIST – KRIZA DHE RËNIA E TIJ

Tiranë, 12 tetor 2018: “Vdekja e diktatorit nuk garanton lindjen e demokracisë”
Samuel Hungington [1] Sistemi i ndëshkimeve në Shqipëri gjatë regjimit komunist ishte rreptësisht dhe thellësisht i egër. Lëvizjet ideologjike që u ndërmorën në vitet (60-70) nga komunistët, ishin në kuadrin e luftës kundër burokratizmit, likuidimit të institucioneve fetare, revolucionarizimit të shkollave, të artit etj. Shoqëria shqiptare në tërësi u trondit duke sjellë një politizim të skajshëm të jetës dhe në ashpërsimin e mëtejshëm të luftës klasore. [2] Komunistët erdhën në pushtet nëpërmjet luftës kundër okupatorit dhe me premtimin për të nxjerrë vendin nga gjendja e vështirë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Asnjëherë nuk u mendua se do instalohej një regjim i tillë totalitar.

Programi i adaptuar nga diktatori Hoxha për modernizmin dhe transformimin e Shqipërisë nga një vend i prapambetur në një shoqëri industriale të përparuar ishte në një farë mënyre një sukses i jashtëzakonshëm dhe me të vërtetë brenda katër dekadash, Shqipëria përparoi shumë në zhvillimin e bujqësisë, industrisë, arsimit, artit dhe kulturës. Një arritje e veçantë ishte tharja e zonave moçalore bregdetare dhe kthimi i tyre nga zona malarike në toka bujqësore dhe industriale. Për sigurimin e mjeteve financiare dhe teknologjike, si dhe për financime ushtarake dhe politike, Shqipëria aderoi në kampin komunist me Jugosllavinë në vitet (1944-1948), BRSS gjatë viteve (1948-1961) dhe me Kinën në vitet (1961-1978). Ekonomikisht, Shqipëria përfitoi së tepërmi nga këto aleanca. Qindra milionë dollarë u investuan në industrinë e rëndë dhe mekanizmin e mjeteve të prodhimit. Më vonë si rezultat i politikave të gabuara, Shqipëria mbeti e izoluar nga Perëndimi dhe nga Lindja duke u detyruar të adoptoj kursin e ndërtimit të socializmit “me forcat e veta” duke u pozicionuar si vendi i vetëm stalinist në gjithë bllokun komunist.
Zhvillimet e brendshme, por edhe ato ndërkombëtare të mëvonshme treguan një situatë të vështirë për vendin që kërkonte gjithnjë e më tepër një gjykim realist. Gjithashtu duheshin bërë ndryshime e korrigjime sidomos në kursin politik. Regjimi komunist ishte vazhdimisht në krizë, vetëm se e fshihte këtë nën slloganet e revolucionit të vazhdueshëm dhe rrethimit imperialisto – revizionist. [3] Kriza sa vinte e rritej duke u pasqyruar edhe në zhvillimet e brendshme në PPSh. Për eleminimin e paknaqësive, qeveria përdori shpesh, por jo përherë përsekutimin e udhëheqjes në rradhët e Partisë dhe në mënyrë më pak të ndjeshme atë të popullsisë në përgjithësi.
Ata që kritikonin Partinë dhe drejtuesit e shtetit në veprat e tyre, qoftë kulturore, editoriale, ose thjesht propagandistike përjashtoheshin nga puna, burgoseshin në kampe të punës së detyrueshme ose thjesht ekzekutoheshin. Viti 1981 për regjimin komunist u mbyll me një ngjarje të rëndë, që tronditi jetën politike të vendit. Më 18 dhjetor 1981 kryeministri i Shqipërisë, Mehmet Shehu, vrau veten. Pas kësaj ngjarje u thirr me urgjencë të menjëhershme mbledhja e Plenumit të Komitetit Qëndror të PPSh-së, në të cilën Enver Hoxha bëri vlerësimet e para jo vetëm për ngjarjen, por edhe për të gjithë veprimtarinë e kryer nga Mehmet Shehu. Për herë të parë në këtë mbledhje M. Shehu cilësohej si armik dhe poliagjent i të gjithë kohërave dhe i të gjithë padronëve. [4] Me propozimin e Enver Hoxhës, Plenumi mori vendimin që Mehmet Shehu të përjashtohej nga Partia pas vdekjes, për veprimtari antiparti dhe veprime armiqësore. Nga Partia u përjashtua edhe anëtarët e familjes së tij. Për vrasjen e M. Shehut ekzistojnë pikpamje të ndryshme. Studiuesi K. Dervishi [5] pohon se Mehmet Shehu është vrarë., po këtë qëndrim mban edhe studiuesi A. Pipa. [6]
Havzi Nela në Ballsh ku vuante dënimin në një poezi të tij të titulluar: “Sihariq, Shokë, Sihariq”[7] hedh një sarkazëm të fuqishme mbi regjimin dhe udhëheqjen e Partisë së Punës, pasi u vra numri dy i diktaturës, M. Shehu. Madje poeti Nela shkonë akoma më tej ku shprehet “pa çati mbeti tirania”.
Pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, në krye të qeverisë si kryeministër i vendit u emërua Adil Çarçani. A. Çarçani në atë kohë ishte zëvendës kryetar i Këshillit të Ministrave. Qeveria e kryesuar prej tij nuk pati një platformë të detajuar për kapërcimin e ngërçit të krijuar. Duke mos pasur një platëformë të qartë për nxjerrjen e vendit nga gjendja e krijuar, qeveria e tij nuk po jepte rezultatet që priteshin nga udhëheqja e lartë komuniste. Disa kompetenca të Kryesisë së Këshillit të Ministrave i’u kaluan ministrive dhe digastereve të tjera qëndrore. Ndërkohë situata në bujqësi qe e rëndë duke sjellë përkeqësimin e gjendjes së fshatarsisë dhe u ndien mungesa të theksuara në furnizimin e popullatës me produktet bazë dhe më të domosdoshme ushqimore. E ndodhur në këtë situatë të vështirë, qeveria vendosi që furnizimi i popullësisë në qytete të bëhej në mënyrë të racionuar.
Situata e rëndë ekonomike u shoqërua edhe me probleme politike ç’ka u pasqyrua në atë që quhej atëhere “krime kundër shtetit”. Aty nga mesi i vitit 1984 gjendja shëndetësore e diktatorit Hoxha sa vinte e përkeqësohej. Si rezultat i mos përmirësimit të shëndetit të tij me gjithë kurimin e bërë me 11 prill 1985 ndërron jetë E. Hoxha, udhëheqësi i PPSh-së dhe i shtetit shqiptar. F. Lubonja shprehet se “numri i shqiptarëve që mezi e prisnin atë ditë si ditë shpëtimi ishte shumë i madh. Ishte pra një ditë gëzimi. Por ky ishte një gëzim shurdh-memec. Njerëzit kishin frikë ta shprehnin atë me zë të lartë. Ata mblidheshin në shtëpi, edhe pinin ndonjë gotë, por në heshtje, duke komunikuar vetëm me sy. Edhe në kampet e punës, të burgosurit ruheshin nga policia. I vetmi vend ku u bë festë ishte burgu i Burrelit”. [8] Pra vdekjen e tij ca e përjetuan me shumë hidhërim e ca të tjerë ishin shumë të gëzuar ndonse nuk e shfaqnin hapur lumturin e tyre. Ajo që të habit më shumë është fakti se me të gjithë torturat antinjerëzore që kishte bërë regjimi i tij, shikoje njerëz që vajtonin, gra që shkulnin flokët, burra që i binin kokës me grushta, e ca të tjerë e konsideronin vdekjen e tij humbje shumë të madhe e të parikuperueshme. Diktatori Hoxha qe kthyer në një mit për shqiptarët. Ai ishte njëkohësisht figura qëndrore rreth së cilës u ndërtuan mitet e Shqipërisë socialiste, si dhe autori kryesor i krijimit të miteve (ose të paktën frymëzuesi) i teksteve kryesore të Marksizëm-leninizmit shqiptar. [9] Ishte shumë e dhimbshme kur shikoje njerëzit nga monumenti i Skënderbeut deri të Akademia e Arteve që bënin një kolonë të tërë vajtimi. Menjëherë pas vdekjes së diktatorit Hoxha, më 12-13 prill 1985, u mblodh Plenumi i KQ të PPSh-së. Plenumi zgjodhi Ramiz Alinë në postin e Sekretarit të Partisë të PPSh. Në mbledhjen e plenumit, Ramiz Alia u betua se do t’i qëndronte besnik rrugës dhe mësimeve të Enver Hoxhës dhe do të zbatonte me vendosshmëri kursin e tij. [10]
Ramiz Alia u përpoq ta ruante strukturën e sistemit egzistues, por në të njëjtën kohë tentoi të implementonte reforma, në mënyrë që të revitalizonte ekonominë që në atë kohë ishte në vend numero. Edhe trashëgimia politike e lënë nga Hoxha në këtë kohë ishte gati e mjerë. Vendi kishte sistemin më të egër politik në të gjithë Evropën Juglindore. Lufta e klasave ishte zbatuar në mënyrë permanente dhe në format më ekstreme.
Ramiz Alia erdhi në drejtimin e vendit në një situatë të vështirë. Zbutja dhe kapërcimi i saj mund të vinte vetëm me zbatimin e reformave të thella në të gjitha fushat. Kjo kërkonte ndryshim të kursit që PPSh-ja dhe shteti shqiptar kishin ndjekur deri atëherë dhe përshtjatjen e tij me kohën. Mirëpo kjo nuk ishte e lehtë, pasi shumica e udhëheqësve të lartë në PPSh kishin akoma nostalgji për periudhën e “lavdishme” të Enver Hoxhës.
Edhe në fushën e të drejtave të njeriut ndryshimet fillimisht ishin të vogla, por me nxitjen e opinionit të brendshëm edhe me presionin ndërkombëtar ato do të thelloheshin. Kështu në shtator 1986 me një dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor u bënë ndryshime në aplikimin e masave administrative e penale. Në bazë të dekretit reduktohej koha e internimit të njerëzve dhe vetë internimi tani aplikohej për njerëzit që thyenin ligjet e shtetit dhe pasi merrej opinioni i qendrës së punës. [11] Reformat e quajtura “Gllasnos” (Transparenca) “Perestrojka” (Ristrukturimi) dhe Uskorenie (Ndezja e Zhvillimit Ekonomik), synonin ndryshime thelbësore në gjithë perandorinë komuniste. Në atë kohë, regjimi komunist në Shqipëri i konsideroi lëvizjet politike të Gorbaçovit si revizioniste dhe antimarksiste. Pavarësisht faktit që të gjitha vendet e bllokut komunist ishin zhytur në një krizë të thellë ekonomike dhe nevoja për reforma ishte imediate., R. Alia as që e përfilli perestrojkën duke e konsideruar si krejtësisht të papërshtatshme për një vend si Shqipëria.[12] Zhvillimet në Lindje nuk mund të mos kishin ndikimin e tyre edhe në Shqipëri. Nikolla Çaushesku diktatori komunist i Rumanisë u ekzekutua gjatë protestave të Revolucionit Rumun të vitit 1989. Menjëherë pas këtij akti Ramiz Alia ndjeu se mund t’i vinte radha edhe atij, nëse nuk jepte disa liri për të mbajtur gjendjen e tendosur. Sidoqoftë çatia e krisur e komunizmit në Evropën Lindore të vitin 1989, shumë shpejtë do jepte ndikim edhe në vendin tonë. Shumë segmente të shoqërisë shqiptare filluan një aktivizim politik më të vendosur dhe filluan agjitimin kundër qeverisë. Grupet më aktive ishin ato më të zhgënjyerat, intelektualët dhe rinia studentore. Rënia e regjimeve totalitare ishte një dukuri me përmasa universale dhe Shqipëria nuk mund të qëndronte jashtë këtij erozioni. Në vitin 1989, Ramiz Alia shtroi nevojën e reformimit të sistemit të drejtësisë me disa standarte evropiane.
Duhet theksuar se sistemi i drejtësisë gjatë viteve të sistemit komunist ishte një sistem i politizuar dhe i varur nga organet e PPSh-së. Përpjekjet në vend se po reformonin drejtësinë ishte thjeshtë një pëlhurë që i hidhej sipër popullit shqiptar. Varja e Havzi Nelës në vitin 1988 në Kukës është prova më e qartë se sa ishte i gatshëm Ramiz Alia me kupolën e tij të bënin drejtësi. Periudha mes viteve (1989-1990) pati orvatje për demostrata në disa rrethe të vendit ku në Shkodër u bë përpjekja e parë për rrëzimin e bustit të Stalinit, që paralajmëronte veprime të tjera antikomuniste gjë që i dhanë fund regjimit komunist.
_______________________
Referenca:
[1] Samuel Hungington, Vala e tretë (Tiranë: AIIS, 2011), f. 7.
[2] Xhelal Gjeçovi, Paskal Milo.., “Historia e popullit Shqiptar, vëll. IV (Shqiptarët gjatë luftës së dytë botërore dhe pas saj 1939-1990), (Tiranë: Toena, 2009), f. 321.
[3] Enis Sulstarova, “Mbijetesa e pÑ‘rditshme nÑ‘ komunizÑ‘m”, shkrim i botuar nÑ‘ revistÑ‘n “PÑ‘rpjekja”, TiranÑ‘: 2005, nr.21, f. 100.
[4] E. Hoxha, Kur hidheshin themelet e Shqipërisë së re, Tiranë, bot.ang, f. 581.
[5] Kastriot Dervishi, Historia e Shtetit Shqiptar 1912-2005 (Tiranë: Shtëpia botuese “55”, 2006), f. 753.
[6] Arshi Pipa, Stalinizmi shqiptar (aspekte ideo-politike), (Tiranë: IKK & Princi, 2007), f. 106; 178.
[7] Havzi Nela, Si shpend i ngujuem: poezi të zgjedhura (përzgjodhi dhe përgatiti: Petrit Palushi), (Tiranë: Ombra gvg, 2015), f. 57-60.
[8] Fatos Lubonja, “Privatësia në regjimin totalitar”, shkrim i botuar nÑ‘ revistÑ‘n “PÑ‘rpjekja”, TiranÑ‘: 2005, nr.20, f. 112.
[9] M.J.Alex Standish, “Roli i Enver Hoxhës në zhvillimin e miteve socialiste shqiptare”, shkrim i botuar nÑ‘ revistÑ‘n “PÑ‘rpjekja”, TiranÑ‘: 1999, nr.15-16, f. 59.
[10] Xhelal Gjeçovi, Paskal Milo.., Historia e popullit Shqiptar, f. 348.
[11] AQSH, F.489, V.1988, D.92, fl.1.
[12] Elda Zotaj, Tranzicioni politik dhe roli i tij në marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Evropian (Tiranë: Punim doktorature, 2014), f. 89.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura