FONDI “VENDLINDJA THËRRET” NË GJERMANI (DËSHMI ARKIVORE)
Nga Ibrahim Kelmendi
Fatkeqësisht as pas rreth 24 vjetëve nuk kemi paraqit informim të konkretizuar, sidomos ne protagonistët që i kemi menaxhuar ndihmat financiare të cilat i ka grumbulluar LPRK, rrjedhimisht LPK, deri kur i kemi dorëzuar si ndihma Lëvizjes dhe UÇK-së në Kosovë. Përpara, para janarit 1992, nuk kam pas as interesim të informohem, si e sa po ndihmohet Lëvizja në Kosovë. Kryesitë e Lëvizjes, Dega jashtë vendi, merrej me atë koordinim. Por në atë vit u përballa me ca veprimtarë të Lëvizjes, të cilët patën ardhë ilegalisht nga Kosova në Tiranë. Nga ata u informova se nuk kishin as informacion që Lëvizja në Kosovë ndihmohej financiarisht nga Lëvizja në emigracion. Ndër ata veprimtarë ishin Ilir Krasniqi, Qerim Kelmendi, Kadri Veseli, Sali Kelmendi dhe të tjerë bashkëveprimtarë të tyre. Ata kishin mjete vetanake financiare, të cilat nuk u mjaftonin për qëndrim shumëditor në Tiranë. As unë nuk kisha mjete vetanake financiare që t’i sistemoja (sepse menaxhoja investimin biznisor që kishin bërë 8 bashkëveprimtarë). Xhavit Halitin, – i cili rronte në Tiranë, si pashai në harem, në ish vilën e Ministrit të brëndshëm, të cilën e kishte përvetësuar Marioneta e UDB-së Hajdin Sejdia (i Grabanicës së Klinës), i penetruar në Tiranë për komplote të mëdha në Shqipëri, me ndërmjetësim edhe të Xhavitit, – e luta t’i ndihmonte ata bashkëveprimtarë. Përgjigjja e tij ka qenë arrogante: “ai që i ka thirrë le të merret me ta”. Unë nuk i kisha thirr, siç pat aluduar ai. Fatmirësisht në ndihmë na doli Kryetari i Rinisë Demokratike të Shqipërisë, Arben Lika, i cili mori me qera dhomat e një kati të Hotelit “Arbëria”, me mashtrim se janë delegacion i rinisë nga Kosova, në vizitë Rinisë Demokratike të Shqipërisë. Ky ishte truk që të mos e paguanim ne hotelin me dollarë, sepse hotelet në Tiranë na vlerësonin “të huaj”, prandaj na duhej të paguanim shumë herë më shtrejt se vendorët. Kështu u gjet strehimi i përkohshëm për të mëlartëpërmendurit dhe shokët e tyre, të cilët ishin ardhur për t’u furnizuar me armë e municion për grupimet e tyre guerile në Kosovë.
E solla këtë kujtim për të paraqit paqartësitë që kam edhe tani, vërtetë kush dhe si i ka menaxhuar ndihmat financiare që i ka grumbulluar edhe atëherë LPK-D.j.v.
Në vitin 1996 LPK-së / Nëndega në Gjermani rastisi t’i vinin kërkesa / lutje nga “grupet guerile” të Drencës, Llapit / Gollakut, Dukagjinit, që komandoheshin nga Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Adrian Krasniqi. Kryesia e Nëndegës i ndihmoi modestisht nga mjetet e anëtarësisë që i patën qëlluar, sepse mjetet e Fondit dorëzoheshin në Zvicër (nuk e di nëse i dorëzoheshin Kryesisë se Degës apo Jashar Salihut). Ky veprim i Kryesisë se Nëndegës alarmoi Kryesinë e Degës. Më thirrën vetëm mua për të dhënë llogari, edhe pse ishte veprim i Kryesisë se Nëndegës. Jam llahtarisë kur gjatë llogaridhënies para Kryesisë dëgjova denigrime fyese nga Xhavit Halit, kundër atyre “grupeve guerile”, duke e potencuar se ato nuk ishin pjesë e UÇK-së, sepse nuk pranonin subordinimin, prandaj nuk janë ndihmuar finaciarisht nga Fondi. Fatkeqësisht asnjëri nga anëtarët e Kryesisë nuk pat reaguar. Përkundrazi, ia mbajtën anën Xhavitit; nuk kam mbajt mend çfarë dënimi më shqiptuan, vetëm me gojë, apo edhe me shkrim, se kisha shkel “centralizmin demokratik” (që të gjitha mjetet financiare të Fondit t’i dorëzoheshin Xhavit Halitit). [Mund që procesverbali dhe incizimi audio i asaj mbledhjeje duhet të jetë “avulluar”, edhe pse ka qenë koha të dorëzoheshin në Arkivin e Kosovës?]
Nga ai takim e tutje zuri të merrej edhe Këshilli i Përgjithshëm (KP) me ato sabotime e komplote që po i bëheshin UÇK-së, meqë tronditjen që përjetova në atë mbledhje të Kryesisë e barta në KP, si formë ankese kundër Kryesisë. Aty e tutje përplasjet në KP kanë qenë pothuajse të përhershme, sidomos pas shkurtit 1997, kur unë alarmoja se edhe ai farë Shtabi Qëndror (i përbërë nga marionetat e Xhavitit dhe Azem Sylës) ishte shpërbë pas arrestimit të “koordinatorit” Nait Hasani. Vetëm në mars 1998 ajo Kryesi u bind për mosekzistim të Shtabit Qendror dhe me atë rast i pat shkarkuar Xhavitin, Azemin dhe Ali Ahmetin (të cilët Kryesia i kishte caktuar udhëheqës të Sektorit të rëndësisë së veçantë në vitin 1994).
Ajo Kryesi u komplotua në prill 1998 dhe pas kërcënimeve që ua pat bërë Xhaviti anëtarëve të Kryesisë, ikën si lepujt para gjahtari. Ai puç u rehabilitua pjesërisht nga Mbledhja e Përgjithshme, për mendimin tim e jashtëzakonshme ndërsa për “institucionalistët” e ish-Kryesisë ishte e Gjashta, mbajtur në fillim të majit 1998. Por fatkeqësisht, as ajo Mbledhje nuk mundi të vendos rend në Degë dhe në UÇK, prandaj edhe sot, edhe ne që ishim protagonistë të atyre zhvillimeve, gënjejmë që Xhaviti, Azemi, Hashimi (Thaçi) ishin “udhëheqës” të UÇK-së, edhe pse nuk ka bir nane e as dobiç kurve që ofron prova përkatëse. Pra, i legjitimojmë komplotet e tyre me këto gënjeshtra!
Përjetimi dhe vuajtja që përjetova gjatë marsit dhe prillit 1998 në Shqipëri, nga sabotimet dhe komplotet e bandës që komandohej nga Xhavit Haliti, më shtynë të shpërdoroja mundësinë që kisha në Gjermani, për të marrë nën “kontroll” Fondin V.Th., i cili ishte legalizuar në kuadër të BDSHGJ/DVAD e.V. (Bashkësia Demokratike e Shqiptarëve në Gjermani / Demokratische Verinigung der AlbanerInnen in Deutschland), bile kishte marrë statusin e bamirësisë (Gemeinnützige Organisation). BDSHGJ / DVAD e.V. ishte e regjistruar në gjykatën kompetente në Siegburg, me kryetar, tashmë të ndierin Isa Elshani.
Ke ai dhe bashkëveprimtarët në Gjermani ndihesha i sigurt se nuk do më pengonin për atë “komplot” – që aty e tutje ndihmat financiare që grumbulloheshin në Fond në Gjermani të mos i dorëzoheshin më komplotistit e puçistit Xhavit Haliti. Pra, ishin sfilitëse përjetimi dhe vuajtja që Xhaviti kur nuk dha mjete as për bukë e djath për rreth 1500 kryengritës, të cilët erdhën në fund të marsit 1998 në Tropojë që të armatosëshin për t’u kthye të luftonin në Kosovë. Fatkeqësisht, gjatë gjithë këtyre viteve, Gafurr Elshani mund që nuk u ka rrëfyer as bashkëveprimtarëve të ngusht, se çfarë përjetuam atë ditë kur Gafurri i kërkoi mjete financiare Xhavitit dhe si i ishte përgjegjur ai. Fal një miku të Qerimit (vuthjanit Perlat Gojçi nga Qeremi), Gafurri dhe unë mund të shkonim në BajramCurr, sepse ai po na bartte urgjent me xhip të tij dhe shprehu gatishmëri që ta financonte ushqimin e kryengritësve, që tashmë Kryeministri Nano dhe Drejtori i Policisë Sokol Bare kishin urdhëruar policinë në Tropojë t’i mbante të rrëthuar në Viçidol dhe me uri t’i detyronin të regjistroheshin e të shpërndaheshin në kampe, si refugjatë…
Kam harruar nëse atëherë isha anëtar i Këshillit të Fondit, apo isha vetëm nga korriku 1998, kur KP më votoi (në mbledhjen e mbajtur në Würzburg).
Nga maji 1998 deri në fund të majit 1999, jam përkujdes të mos i shkonte nga Fondi në Gjermani asnjë financë bandës komplotiste të Xhavitit, Azemit dhe Hashimit, edhe pse disa herë ca bashkëveprimtarë nga Shtutgarti dhe Munihu me rrethina, u dërgonin ndihmat atyre në Tiranë apo i dorëzonin te Kryetari Jashar Salihu (duke anashkaluar Zyrën në Bonn).
Fatmirësisht edhe Jashar Salihu pati treguar mirëkuptim ndaj asaj “arrogance” që praktikoja, duke më toleruar ta shkel “cetralizmin demokratik” (të Xhavit Halitit); Jashari i besonte raportimit tim se ndihmat po ua dërgonim shtabeve të zonave në Kosovë dhe në Zyrën e Fondit në Tiranë, të cilën e administronin Halil Selimi dhe Ramiz Lladrovci.
Fatkeqësisht në fund të majit apo në fillim të qershorit 1999, ajo bandë më mashtroi, duke shpërdoruar marionetat e saj në Zvicër, prandaj m’i grabiti 8 milionë DM (që ua dorëzuam Gani Thaçit në Lubljanë, 4 milionë, dhe 4 milionë tjerë Fatmir Zymerit). Përherë e kam vuajt atë mashtrim. Ndërsa ata që më mashtruan asnjëherë nuk kanë reflektuar dhe nuk kanë dhanë llogari, kush i ka “avullua” ato 8 milionë DM. Uroj që ndonjëri që më ka mashtruar për t’i dërguar ato 8 milionë, është i pranishëm në tryezën që keni organizuar dhe ka kurrajo të reflekton…
Po e shpërdor rastin për të informuar se kur e vizituam në shtratin e vdekjes në Paris Jashar Salihun, në prani të Bardhylit (Mahmuti), Agushit (Buja) dhe Adem Grabovcit, i pata thënë Jashës: “ngutu të vdesësh se nuk po na pritet, meqë do të shpërdorojmë vdekjen Tënde për të kamufluar vjedhjet e mjeteve të UÇK-së”. Sikur ai të mos më përqafonte, me lotë përfaqe, do të pendohesha pse ia pata thënë, por atë përqafim e kuptova se po më kërkonte falje që nuk më kishte dëgjuar nga viti 1996, por u shpërdorua nga Xhaviti, Azemi e Hashimi…
Fatkeqësisht në mbarim të Luftës dhe, pasi e mbyllëm Fondin (sepse “ministri” Adem Graboci e shpalli Fond të “qeverisë së përkohshme”), nuk u tregova vigjilent për të strehuar arkivin dhe mjetet financiare të Fondit (Vendlindja Thërret) në ndonjë vend të sigurt, por na befasoi me bastisje BKA (Bundeskriminalamt / Enti Federativ i Kriminalistikës). Po ta kisha atë arkiv do t’i kisha publikuar emër për emër, kush sa ka ndihmuar dhe kujt ia kemi dorëzuar mjetet financiare (meqë kishim formuar databazë elektronike për evidentim të gjitha hyrje-daljeve).
Po shpresoj, ju të “qendrës” se Fondit do të skuqeni në këtë rast, pse nuk i keni publikuar deri tani të dhënat që u kanë shpëtuar pa ua konfiskuar institucionet zvicerane.
PS.: Para ca ditëve u befasua Bardhyli kur i tregova si e kemi korruptuar Kryeprokuroren zvicerane Carla Del Ponte për ta zhbllokuar Fondin në Zvicër, në korrik 1998…
Krejt për fund, qysh kur u ktheva në Kosovë pas Lufte, jam marrë me hulumtim, sa mjete financiare të Fondit V.TH. u janë dhanë bashkëveprimtarëve e bashkëluftëtarëve në Kosovë. Nait Hasani e Rexhep Selimi, të cilëve duhet t’u jenë dorëzuar ca ndihma simbolike gjatë viteve 1994-1997, refuzonin të informonin. Të tjerët ankoheshin se nuk ishin ndihmuar nga banda që e komandonte Xhaviti, e cila i ka “menaxhuar” rreth 70 % të mjeteve të Fondit. Bile Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm, Sylejman Selimi, dhe Komandanti i Shtabit të ZO të Drenicës, Sami Lushtaku, në prani të Komandantit Agim Çeku dhe të të gjithë komandantëve të zonave operative, patën thënë: “Nga shtatori 1998 deri në qershor 1999, Zona Operative e Drenicës nuk është ndihmuar me asnjë lek e fishek nga Fondi Vendlindja thërret.” Po në atë ndej komandantët e SHP, Sylejmani dhe Agimi, patën rrëfyer se asnjëherë nuk kanë pas as infomim për qarkullimin e financave të UÇK-së, e le më të kenë pas ndikim në menaxhim të tyre. Agim Çeku në humor pat thën: “Nuk më ka dhënë kush as para xhepi për cigare.” Dhe kjo ndodhte sepse “ndërmarrja e përbashkët kriminale”, siç i ka diskualifikuar Prokurori Smith, – e përbërë nga “udhëheqësit” Xhavit Halit, Azem Syla, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Adem Grabovci…, – i kishin kap financat e UÇK-së, që përmes tyre ta kapnin e komplotonin UÇK-në.
Fatmirësisht LPK-ja dhe UÇK-ja sfiduan edhe atë bandë sabotuese e komplotiste!
(Ibrahim Kelmendi)
Më 3 dhjetor 2023
– Kumtesë e paraqitur në “tryezën” e datës 3 dhjetor 2023, e mbajtur në Zvicër nga Shoqëria «LËVIZJA» (*)
Në pamundësi për pjesëmarrje fizike, kjo kumtesë (e autorit Ibrahim Kelmendi) u prezantua gjatë mbajtjes së “tryezës” dedikuar Fondit „Vendlindja Thërret“.
______________
SHTOJCË E PASHTRIKUT
(*) FONDI «VENDLINDJA THËRRET» – FONDI PËR FINANCIMIN E ÇLIRIMIT TË KOSOVËS
Në respekt, e nderim të të gjithë veprimtarëve të Fondit «Vendlindja Thërret», i formuara dhe drejtuara nga Lëvizja Popullore e Kosovës, me rastin e 30-vjetorit, Shoqëria «Levizja», në Zvicër, organizon dhe mbanë
T R Y E Z Ë
Për shkak të kompleksitetit shumëdimenzional të tematikave, T R Y E Z A nuk ka pretendime për ndriçimin e tërësishëm të gjithë veprimtarisë së Fondit.
Për këtë, T R Y E Z A synon vetem një përpjekje në nxjerrje në sipërfaqe të kontributit të të gjithë veprimtarëve të Lëvizjës Popullore të Kosovës si promotore e Projektit, përmes UÇK-së, Çlirimin e Kosovës dhe dy Lufterave tjera të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medevegje e Bujanovc në Kosovën Lindore dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në ish-Maqedoni.
Edhepse të vetëdijshëm se mirënjohja është më e pakta për kontributin e dhënë, Shoqëria «LËVIZJA», gjithë veprimtarëve në Mergatë, duke ua uruar 111 Vjetorin e Festës së Flamurit, thellësisht i falenderon për gjithëçka që i dualen në krah Atdheut e Kombit!
T R Y E Z A, do të mbahet, më 3 dhjetor 2023, në këtë adresë:
RESTAURANT CENTRUM, 5436 WÜRENLOS (Ag), LANDSTR.64, duke filluar nga ora 13 :00
Për informacion, Tel: 0041 76 706 77 65, Sejdi Gega
===================
ECURIA ZHVILLIMORE E FONDIT “VENDLINDJA THËRRET” NË GJERMANI DHE NË SHTETET TJERA PERËNDIMORE /DËSHMI ARKIVORE/ Nga bashkëbisedimi Ibrahim Kelmendi & Bedri Islami
DËSHMI ARKIVORE NGA ARKIVI I PASHTRIKUT
Faqja 1 dhe 5 e Statutit të ‘Bashkimit Demokratik të Shqiptarëve në Gjermani (Demokratischen Vereinigung der Albaner/innen in Deutschland – DVAD), Bochum, 8 janar 1995. Në emër të DAVD është hapur llogaria bankare e Fondit “Vendlindja Thërret”, me nr: 85431, në Sparkasse Bonn – BLZ: 38050000.
Dëshmi bankare të anëtarit të LPK’së, Sheradin Berisha (1996 – 1997). Mjete të destinuar për Fondin “Vendlindja Thërret”, në llogari të ‘Bashkimit Demokratik të Shqiptarëve në Gjermani (Demokratischen Vereinigung der Albaner/innen in Deutschland – DVAD).
Blloqet e faturimit të Fondit “Vendlindja Thërret”.
::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::
CILI FOND E FINANCOI UÇK-në?!
Nga Muhamet Kelmendi