ECURIA ZHVILLIMORE E FONDIT “VENDLINDJA THËRRET” NË GJERMANI DHE NË SHTETET TJERA PERËNDIMORE /DËSHMI ARKIVORE/

Pashtriku.org, 02. 04. 2016: [Qershor 1998, rizgjedhja e Kryesisë së Fondit “Vendlindje thërret”] (Bedri Islami – B.I.) – Po në këto ditë, pas Mbledhjes së Gjashtë të Përgjithshme, u bë edhe analiza e Fondit „Vendlindja thërret“ dhe u zgjodhën drejtuesit e rinj të saj. Jashar Salihu, i cili ishte edhe Nënkryetar i Organizatës, u rizgjodh drejtues i Fondit, ndërsa Zëvendës i tij u zgjodh Xhemail Fetahu. Ti, u zgjodhe në Stafin Drejtues, por edhe njeriu kryesor i Fondit në Gjermani. Deri asaj kohe fondi ishte i shtrirë kryesisht në anëtarësinë e Organizatës, dhe ne e kishim të detyrueshëm kontributin në Fond sipas sasisë që caktohej. Por nuk mund të mbahej lufta vetëm me kontributin e anëtarëve e të simpatizantëve të Organizatës. Pas ngjarjeve në Kosovë frymoi një mentalitet i ri në Organizatë, se Fondi nuk është vetëm i më të besuarve, pra kur në drejtimin e tij në bazë hynë me shumësi njerëz të palidhur me organizatën, ai u rrit dhe filloi të përballojë nevojat e luftës dhe të mbijetesës. Çfarë ndryshoi konkretisht, cilat ishin shkaqet e këtij hovi që mori edhe Fondi V.TH?
(Ibrahim Kelmendi – I.K.) – Paraqitja e ecurisë zhvillimore e Fondit V.Th. është goxha e ngatërruar. Megjithatë po jap ca informata telegrafike dhe vlerësime të shkurta. Së pari, vet emërtimi qe një fatkeqësi, sidomos për hapësirën gjermanofolëse. Përkthimi tekstual në gjermanisht i “Vendlindja Thërret” ishte: “Heimat ruft”. Ky paskësh qenë slogan i përhapur i nazizmit gjerman! Mediet gjermane, por edhe ato perëndimore, e shpërdoronin këtë koincidencë. Deri në mars të vitit 1998 hyrjet në Fond ishin simbolike, vetëm nga kontributet e anëtarëve të Lëvizjes, Dega j.v., dhe sigurisht që nuk mjaftonin për të ngritur ushtri të fortë. Për mjetet që kanë hyrë në Fond, nga themelimi deri në mars të vitit 1998, nuk isha i informuar se ku kanë shkuar dhe si janë shpenzuar. Di se ato i ka menaxhuar Sektori i rëndësisë së veçantë. Nganjëherë kam dyshuar se gjatë asaj kohe është abuzuar me sekretin ushtarak dhe konspiracionin edhe sa u përket mjeteve të Fondit. Nuk jam informuar ndonjëherë se Sektori duhet t’i ketë dhënë llogari Kryesisë për përdorimin e mjeteve. Nga marsi 1998 e këndej, sikur kemi bërë garë kush po grumbullon më shpejt e më shumë mjete financiare nga Fondi. Duke parë zhvillimet në Tiranë, më saktësisht duke krijuar bindjen në atë kohë, se mjetet e Fondit po i përvetësonin Xhaviti dhe Azemi dhe nuk po i investonin si duhet për të armatosur Ushtrinë tonë, nga mesi i prillit 1998 i dhashë vetes urdhër të kthehesha në Gjermani, të organizoja rrjetin logjistik të Fondit për të mbledhur sa më shumë ndihma financiare dhe pastaj të përkujdesesha që ato të mos bien në dorën e tyre, por t’ua përcillja drejtpërsëdrejti komandave të zonave në Kosovë, përmes lidhjeve e strukturave të tyre logjistike. Shumë shpejt e mbuluam Gjermaninë me të autorizuar të Fondit për të bërë propagandë dhe për të mbledhur ndihma.

Drejtuesit e Fondit “Vendlindja Thërret”, Jashar Salihu dhe Xhemail Fetahu.

Me ndihmën profesionale të Agim Reshanit, bashkëpronarit të Reisebüro “Dituria” në Dyzeldorf, bëmë databas të sofistikuar për të regjistruar të gjitha hyrjet. Njëkohësisht shtypem blloqet e faturimit, të cilët u shpërndan në gjithë Perëndimin; blemë pajisje moderne për të shtypur ID-Card me fotografi për të autorizuarit, shfrytëzuam në maksimum shërbimet teknike të bankës, ku e kishim xhirollogarinë e Fondit. E regjistruam si Fond bamirës, për të pasur favore nga tatimet. Në bankë, të drejtën e tërheqjes e kisha vetëm unë, më pas edhe Sabri Kiçmari. Te gjitha këto angazhime rriten të hyrat marramendshëm në krahasim me kohën e deriatëhershme. Rritet azhuriteti për t’i regjistruar, fal edhe shumë aktivistëve që punonin err e terr në zyrën qendrore të Fondit në Bon. Nuk do mend se për rritje kaq të hovshme të ndihmave ndikuan zhvillimet në Kosovë dhe sidomos autoriteti dhe jehona e UÇK-së. Paralelisht u angazhuam që të ngrihen e të shtrihen strukturat e Fondit në Belgjikë, Danimarkë, Suedi e Norvegji. Meqë në këto shtete unë kisha njohje më shumë se cilido bashkëveprimtar në organet udhëheqëse, përkujdesesha që ndihmat e mbledhura atje të vinin në zyrën e Fondit në Gjermani. Këtë përcaktim dhe angazhim timin e cilësuan si devijim dhe për problemet e lindura bëmë një takim të veçantë, mes kryesisë së organizatës dhe kryesisë së fondit në Gjermani, ku ishte dhe Xhemal Fetahu. Me Jashar Salihun i shtruam problemet hapur. E ndjeja se ai kishte urdhër të bënte “përqëndrimin”. Dhe nguli këmbë për këtë. Do sqaruar se Jashari, megjithatë, nuk kishte dëgjueshmëri naive, sepse e kisha informuar, por edhe vetë qe bindur ndërkohë, se mjetet duhej të shkonin në rrugë të ndryshme tek UÇK-ja.
(Bedri Islami – B.I. / Ndërhyrje) – Mirëpo, ndërkohë kishte një Vendim të Këshillit të Përgjithshëm (të LPK – sh.b) për përqendrimin e Fondit dhe ti ke qenë dakord me këtë vendim. Dhe bile, e ke mbështetur atë.
(Ibrahim Kelmendi – I.K.) – Nuk po më kujtohet. Megjithatë unë vazhdoja sipas përcaktimit tim, që ma miratonin gjithë ata që dinin çfarë po ndodhte. Për të mos e zgjatur, mjetet që dorëzoheshin në zyrë të Fondit në Gjermani dhe në xhirollogari bankare, u shkonin vetëm zonave ushtarake në Kosovë, me përjashtim të Zonës së Drenicës. Vetëm tepricat, për shkak se zonat nuk kërkonin më shumë se sa mund t’i vinin në punë, u dorëzoheshin, me miratim të Jashar Salihut, atyre që kishin lidhje me Xhavitin dhe të tjerët.
Këtu po përmend dy-tre raste, për të cilat pastaj jam penduar. Na u tha të dërgonim katër milionë DM në Lubjanë. I ngarkova Mark Bardhajn dhe Vesel Bacajn për bartjen e tyre. Kur u kthyen, ma dorëzuan protokollin e dorëzimit, të cilin e kishte firmosur Gani Thaçi, Vëllau i Hashimit. Nuk e dija rolin e tij, por meqë lufta përfundoi shpejt, dyshoja se duhet t’i ketë përvetësuar.
Rasti tjetër qe kërkesë e Shaban Mujës, për të dërguar po ashtu katër milionë DM në Austri. Me miratim të Jasharit, i përcolla. Me erdhi protokolli i firmosur si pranues nga Fatmir Zymberi. Sidomos për rastin e dytë qeshë hidhëruar, sepse te Fatmiri dyshoja për shpërdorues dhe u zhgënjeva kur mësova se Xhavit Haliti e kishte angazhuar atë. Një rast flagrant i tjetërsimit të të hyrave të Fondit ishte nga Remzi Ejupi, pronar i “Euro Koha”, dhe bëhet fjalë për rreth gjashtë milionë marka. Ai i përvetësoi të hollat e biletave të turneut gati dy mujorë të estradës së kombinuar nga Kastriot Tusha, Manjolla Nallbani, Arif Vladi, Ilir Shaqiri, Çun Lajçi, e të tjerë, të cilët u angazhuan për të ngritur moralin patriotik të emigrantëve, rrjedhimisht për të ndihmuar financiarisht UÇK-në. Remziu shpërdoroi besimin dhe na i grabiti fitimet nga ajo turne. Qe vlerësuar se ai duhet grabitur rreth gjashtë milionë DM.
Tani po sqaroi, përse nuk i dërgonim mjete financiare Zonës së Drenicës. Unë po mendoja se Azem Syla, Hashim Thaçi, që të dy nga kjo Zonë, po favorizonin Drenicën dhe prandaj nuk dërgonin armë, municion e financa në asnjë zonë tjetër. Ata që njiheshin si “shtab i përgjithshëm” kishin në dorë rreth 70 për qind e mjeteve të gjithëmbarshme të Fondit. Nga mjetet që i mbikëqyrte Fondi në Gjermani, rreth 30 për qind, i orientoja të shkonin në zona të Llapit, Dukagjinit, Shalës, Pashtrikut dhe Jezercit. Pas Çlirimit, në një takim rasti në Hotel “Victory” në Prishtinë, me të gjithë komandantët e zonave, kur po ndodhte tjetërsimi i UÇK-së në TMK, Komandanti Sami Lushtaku në prani të të gjithëve m’u ankua, se nga shtatori i vitit 1998 nuk kishin marrë nga Fondi dhe nga Shtabi “as një lekë e fishekë“. Ia vërtetoi ankesën Komandanti Sylejman Selimi. Thanë se me armë e municion ishin furnizuar kryesisht nga zonat e tjera. Të tjerë komandantë rrëfyen se ishin furnizuar nga rrjetet logjistike të tyre dhe nga ndërlidhjet, që burimet financiare i kishin nga Fondi në Gjermani. Sa më erdhi keq për Drenicën. I tregova Samiut, përse nuk ishim përkujdesur për Zonën e Drenicës dhe e fajësova atë, përse nuk na kishte informuar me kohë, meqë kishim njohje e shoqëri të ngushtë gjatë veprimtarisë sonë në Gjermani.
(Bedri Islami – B.I.: / Ndërhyrje:) – Duhet saktësuar koha se kur zona e Drenicës nuk kishte marrë ndihma. Sepse, në pragun e përfundimit të luftës, dhe ky është një rast që unë e di mirë, pikërisht tek komandanti i zonës, Sami Lushtaku, do të dërgohet një shumë e ndjeshme e të hollave, pas kërkesës së Ramiz Lladrovcit, e këtë shumë se sa ishte e di mirë; e po ashtu, edhe tek Garda e Kosovës, do të ketë një ndihmë të rëndësishme. Por është e vërtetë se, në telefonatën e fundit që kam pasur me Iliaz Kodrën, pak para se të vritej, e atëherë ai ishte komandant i Brigadës “Fehmi Lladrovci”, më pat thënë shprehimisht se nuk kishin asnjë kokërr kallamoq (shprehje për municion) për të luftuar.
(Ibrahim Kelmendi – I.K.) – Sapo Kosova u çlirua, policia gjermane ndërmori një aksion të rrufeshëm, të njëkohshëm, në gjithë Gjermaninë, rreth orës 04.30 të mëngjesit, duke bastisur rreth 400 banesa të të autorizuarve të Fondit. Njëkohësisht bastisën zyrën qendrore në Bon dhe banesën time në Këln. Konfiskuan të gjitha materialet dhe mjetet që gjeten. Të gjithë materialet e konfiskuar policia i ktheu pas një viti dhe ia dorëzoi aktivistit Shaban Thaçi (nga Llapushniku i Drenasit), me banim në Bon. Mjetet financiare, rreth 1,4 milionë marka, që policia i kishte gjetur në zyrën qendrore dhe në banesat e veprimtarëve të autorizuar dhe në xhirollogari bankare, na u konfiskuan dhe iu dorëzuan Ministrisë së financave, në emër të borxhit tatimues, që ajo ia kishte caktuar Fondit si dënim. Në pyetjen që më bëri Shaban Thaçi, se ku t’i çonte materialet evidentuese dhe dokumentacionin e Fondit, meqë ia kishin zënë bodrumin, i thashë le t’ia dorëzonte “qeverisë së përkohshme”. Por, pas Çlirimit të Kosovës disa herë e kam lutur Jashar Salihun dhe bashkëveprimtarë të tjerë kompetentë në kohë lufte, që t’i publikojmë, qoftë edhe vetëm të hyrat, me emra dhe shumat përkatëse të të gjithë donatorëve, por nuk kanë pranuar. Sekush duke u arsyetuar se nuk i kishin mundësitë, se nuk kishin kohë, sekush me arsyetimin se duhet ruajtur edhe më tej sekreti i luftës. Sa për të hyrat, që i ka evidentuar zyra në Bon, ka qenë fare e lehtë, fal dokumentacionit dhe databas, të cilat policia ia pat kthyer Shaban Thaçit. Them se ky informim telegrafik është i mjaftueshme, në kuadër të një bashkëbisedimi, nëse ndokush nuk do ta mallkojë si të tepërt.
(Bedri Islami – B.I.) – Sa e di, me vendim të Këshillit të Përgjithshëm, u ngrit Komisioni i Veçantë për shqyrtimin e ngjarjeve të luftës. Ai mori edhe vendimet përkatëse, të cilat i miratoi edhe Këshilli i Përgjithshëm. Vendimi kryesor ishte se akuzat e hedhura dhe dyshimet e ngritura ishin të pabaza. Rreth këtij raporti, asaj kohe, nuk kishte as vërejtje dhe as kundërshtime. Si drejtues i këtij Komisioni, shfrytëzoj rastin që të falënderoj edhe një herë Sejdi Gegën dhe Naser Idrizin, si anëtarë të Komisionit, për përkushtimin e tyre, seriozitetin dhe trajtimin real të ngjarjeve. Sidoqoftë, më vonë, disa probleme u ringritën. Si i kemi trajtuar asaj kohe këto ngjarje dhe si mendon tani, kur shumë gjëra janë bërë më të qarta?
(Ibrahim Kelmendi – I.K.) – Siç informove, hetimet qenë objektive. Rezultatin e tyre përfundimtar e pat miratuar Këshilli i Përgjithshëm, pa ndonjë votë kundra. Tashmë i keni publikuar disa rezultate të atyre hetimeve në librin “Enigma e një vrasjeje të trefishtë” dhe në librin “I vërteti (Ali Ahmeti)”. Hetimet patën konstatuar se akuzat që pat ngritur Hashim Thaçi në Mbledhjen e Gjashtë të Përgjithshme qenë të pasakta dhe pa prova. Por, kundër akuzuesve, nuk u morën masa ndëshkuese. Dinamika e zhvillimit të luftës pamundësoi mbajtjen e Mbledhjes tjetër të Përgjithshëm, që aty të merreshin vendimet përkatëse, të rehabilitoheshin të akuzuarit dhe të ndëshkoheshin akuzuesit. Ndërsa Mbledhja e Shtatë, e fundit e Përgjithshme, u mbajt në qershor të vitit 1999, në Prizrenin e sapoçliruar, e cila, duke qenë një Mbledhje kompetente, mori vendimin që Lëvizja ta mbyllë veprimtarinë e saj dhe të shndërrohet në një parti politike legale.
(…)
– Shkëputur nga libri: (Bedri Islami “Lëvizja – Lindje e përgjakur” – Bashkëbisedim me Ibrahim Kelmendin – Pjesët: ‘Qershor 1998, rizgjedhja e Kryesisë së Fondit “Vendlindje thërret, faqe 427 – 434’)

…………………………………………………………..

DËSHMI ILUSTRUESE
NGA ARKIVI I EDITORIT TË PASHTRIKU.ORG, SH.BERISHA

Faqja 1 dhe 5 e Statutit të ‘Bashkimit Demokratik të Shqiptarëve në Gjermani (Demokratischen Vereinigung der Albaner/innen in Deutschland – DVAD), Bochum, 8 janar 1995. Në emër të DAVD është hapur llogaria bankare e Fondit “Vendlindja Thërret”, me nr: 85431, në Sparkasse Bonn – BLZ: 38050000.

Dëshmi bankare të anëtarit të LPK’së, Sheradin Berisha (1996 – 1997). Mjete të destinuar për Fondin “Vendlindja Thërret”, në llogari të ‘Bashkimit Demokratik të Shqiptarëve në Gjermani (Demokratischen Vereinigung der Albaner/innen in Deutschland – DVAD).

Llogaritë bankare të Fondit “Vendlindja Thërret” në shtetet perëndimore, të publikuar në gazetën “Zëri i Kosovës”.

Blloqet e faturimit të Fondit “Vendlindja Thërret”.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura