FRANCIS PARKER YOCKEY (ULICK VARANGE): LIBERALIZMI

Pashtriku.org, 23. 07. 2015 – Liberalizmi është nënprodukti më i rëndësishëm i Racionalizmit, ndaj origjina dhe ideologjia e tij duhen treguar në mënyrë të qartë. Periudha e “iluminizmit” në historinë Perëndimore, e cila filloi pas kundër-reformimit, u theksua gjithmonë e më shumë tek intelekti, arsyeja dhe logjika, për aq sa ajo ishte e zhvilluar. Nga mesi i shekullit të 18-të, kjo tendencë prodhoi Racionalizmin. Racionalizmi i shikonte të gjitha vlerat shpirtërore si objekte të tij dhe u përpoq t’i rivlerësonte ato nisur nga pikëpamja e “arsyes”. Logjika inorganike është një aftësi që njerëzit e kanë përdorur gjithmonë për zgjidhjen e problemeve të matematikës, inxhinierisë, transportit, fizikës dhe situatave të tjera që nuk kanë të bëjnë me vlerat. Këmbëngulja e saj te ngjashmëria dhe mospranimi i përfundimeve kontradiktore, janë gjëra të zbatueshme në veprimtarinë materiale. Këto janë të kënaqshme nga ana intelektuale edhe kur zbatohen në mendimin e pastër abstrakt, si në matematikë dhe logjikë. Por, nëse ushtrohen në çdo fushë, ato kthehen në teknika të rëndomta, në supozime, përligjja e të cilave është empirike. Fundi i Racionalizmit është Pragmatizmi, vetëvrasja e Arsyes.
Ky zbatim i arsyes së përdorur në problemet materiale, bën që çfarëdo problemi tjetër të bëhet mekanik kur shihet nën “dritën e arsyes”, pa marrë parasysh ndërthurjen e ndonjë mendimi apo prirjeje mistike. Dekarti arsyetoi se kafshët ishin automate dhe në një brez a pak më vonë, vetë njeriu u racionalizua në një automat – ose në mënyrë të njëjtë, në një kafshë. Organizmat u bënë probleme të kimisë dhe fizikës, kurse organizmat mbivetjakë thjesht nuk ekzistonin, pasi ata nuk i përgjigjeshin arsyes, nuk shiheshin dhe nuk mateshin. Njutoni dha tablonë e universit të yjeve që drejtohej nga një forcë joshpirtërore vetërregulluese; shekulli i ardhshëm e hoqi idenë e shpirtit te njeriu, historia dhe vepra e tij.
Arsyeja e urren të pashpjegueshmen, të mistershmen, gjysmëdritën. Në një problem praktik, në një makineri apo në ndërtimin e një anijeje, njeriu duhet ta ndiejë që të gjithë faktorët janë nën njohurinë dhe kontrollin e tij. Nuk duhet të ketë asgjë të paparashikueshme apo jashtë kontrollit. Racionalizmi, i cili është ndjenja se çdo gjë i nënshtrohet arsyes dhe është plotësisht i shpjegueshëm prej saj, si pasojë kundërshton çdo gjë që nuk është e dukshme dhe e llogaritshme. Nëse diçka nuk mund të llogaritet, arsyeja thjesht thotë se faktorët janë aq të shumtë dhe të komplikuar, sa e bëjnë llogaritjen të parealizueshme në mënyrë praktike, por nuk e bëjnë atë teorikisht të pamundur. Kështu që edhe Arsyeja ka nevojën e saj për pushtet: çdo gjë që nuk i bindet asaj, quhet kokëfortë, ose thjesht i mohohet ekzistenca.
Kur e ktheu shikimin nga historia, racionalizmi e pa të gjithë prirjen si një unitet drejt arsyes. Njeriu ishte “zhvilluar” gjatë mijëvjeçarëve. Ai po “përparonte” nga barbaria dhe fanatizmi tek iluminizmi; nga “supersticioni” te “shkenca”; nga dhuna tek “arsyeja”; nga dogmat te kritika; nga errësira në dritë. Nuk kishte më gjëra të padukshme, nuk kishte më frymë dhe shpirt, nuk kishte më Zot, Kishë dhe Shtet. Dy polet e mendimit janë “individualizmi” dhe “humanizmi”. Çdo gjë që i ndan ato është ” irracionale”.
Ky emërtim i gjërave si të paarsyeshme, në fakt, është i saktë. Racionalizmit i duhet të mekanizojë çdo gjë dhe çdo gjë që nuk mund të mekanizohet, është domosdoshmërisht e paarsyeshme. Kështu, tërësia e historisë bëhet irracionale: kronikat, proceset e saj, forca e saj e fshehtë, fati i shkruar. Vetë Racionalizmi, si një nënprodukt i një faze të caktuar në zhvillimin e një Kulture të Lartë, është irracional. Pse Racionalizmi pason një fazë të caktuar shpirtërore?; pse ai ushtron ndikimin e tij të shkurtër?; pse venitet sërish te feja – këto pyetje janë historike, pra irracionale.

Liberalizmi është racionalizëm në politikë. Ai hedh poshtë Shtetin si një organizëm dhe mund ta shohë atë vetëm si rezultat i një kontrate ndërmjet individëve. Qëllimi i jetës nuk ka të bëjë me Shtetet, pasi ata nuk kanë ekzistencë të pavarur. Kështu, “lumturia” e “individit”, bëhet qëllimi i jetës. Benthami e shprehu këtë në mënyrën më të trashë të mundur, kur e kolektivizoi në “sa më shumë lumturi për sa më shumë veta”. Po të mund të flisnin kafshët barngrënëse, do ta përdornin këtë slogan kundër ujqërve. Për shumicën e njerëzve, të cilët janë thjesht materiale të historisë dhe jo aktorë në të, “lumturia” nënkupton mirëqenien ekonomike. Arsyeja është sasiore, jo cilësore, dhe kështu e kthen njeriun mesatar në “Njeri”. “Njeriu” është një ekzistencë për ushqim, veshje, strehim, jetë sociale, jetë familjare dhe kohë të lirë. Politika nganjëherë kërkon sakrifikimin e jetës pas gjërave të padukshme. Kjo është kundër “lumturisë” dhe nuk mund të pranohet. Mirëpo, ekonomia nuk është kundër “lumturisë”, përkundrazi, është pothuajse në një hap me të. Feja dhe Kisha rreken ta interpretojnë të gjithë Jetën, në bazë të gjërave të padukshme, dhe kësisoj punojnë kundër “lumturisë”. Kurse etika sociale, siguron qetësi ekonomike, pra sjell “lumturinë”.
Këtu, liberalizmi, gjeti dy polet e tij të mendimit: ekonominë dhe etikën. Ata përkojnë me individualizmin dhe humanizmin. Etika sigurisht është thjesht sociale, materialiste. Paçka se ruhet etika e vjetër, themelet e saj të dikurshme metafizike, janë harruar dhe ajo tani shpallet si një nevojë sociale dhe jo fetare. Etika është e nevojshme për të ruajtur rendin e nevojshëm, si një kuadër për veprimtarinë ekonomike. Megjithatë, brenda kësaj kornize, “individi” duhet të jetë “i lirë.” Kjo është thirrja e madhe e liberalizmit, “liria”. Njeriu është vetëm vetvetja dhe nuk është i lidhur me asgjë, në mos kur zgjedh vetë. Kështu, “Shoqëria” është bashkimi “i lirë” i njerëzve dhe grupeve. Ndërsa Shteti, është dhunë detyruese dhe shtypës i lirisë. Kisha është shtypëse e lirisë shpirtërore.
Në fushën politike, çdo gjë u rivlerësua nga liberalizmi. Lufta u shndërrua në konkurrencë mes njerëzve nëse shihej nga pikëpamja ekonomike, apo mosmarrëveshje ideologjike nëse shihej nga ajo etike. Në vend të përmbysjeve mistike, apo atyre ritmike luftë-paqe, ai sheh vetëm konkurrencë dhe mosmarrëveshje ideologjike, të cilat, në asnjë rast nuk kthehen në armiqësore apo të përgjakshme. Shteti bëhet shoqëri ose njerëzim nga ana etike, sistem prodhimi dhe tregtie nga ajo ekonomike. Vullneti për të ndërmarrë një qëllim politik, shndërrohet në ngritjen e një programi të “idealeve shoqërore” nga ana etike dhe të llogaritjes nga ana ekonomike. Pushteti kthehet etikisht në propagandë dhe ekonomikisht në rregullore.
Shprehja më e pastër e doktrinës së liberalizmit, është ndoshta ajo e Benjamin Konstantit. Në 1814-ën, ai hodhi pikëpamjet e tij mbi “progresin” e “njeriut”. Ai e shihte Iluminizmin e shekullit të 18-të me modelin e vet intelektualist-humanist, si pararendësin e çlirimit të vërtetë, që ishte ai i shekullit të 19-të. Ekonomia, industrializimi dhe teknika përfaqësonin mjetet e “lirisë”. Racionalizmi ishte aleati i natyrshëm i kësaj prirjeje. Feudalizmi, reaksioni, lufta, dhuna, shteti, politika, autoriteti – të gjitha këto u lanë pas nga idetë e reja dhe vendin e tyre e zuri arsyeja, ekonomia, liria, progresi dhe parlamentarizmi. Lufta, duke qenë e dhunshme dhe brutale, ishte e paarsyeshme, ndaj u zëvendësua nga Tregtia, e cila është inteligjente dhe e qytetëruar. Lufta u dënua nga çdo pikëpamje: ekonomikisht ajo ishte humbje edhe për fituesin. Teknika e re e luftës – artileria – e ktheu heroizmin personal në të pakuptimtë, dhe kështu joshja dhe lavdia e luftës, iku bashkë me dobinë e saj ekonomike. Në kohët e mëparshme, njerëzit luftëtarë mposhtnin njerëzit tregtarë, por jo më tani. Tani, tregtarët ishin kthyer në zotër të tokës.
Po të ndalemi e të mendojmë një çast, do të shohim se liberalizmi është krejtësisht negativ. Ai nuk është një forcë formuese, por gjithmonë është vetëm një forcë shpërbërëse. Ai kërkon ta shfuqizojë autoritetin e dyfishtë të Kishës dhe të Shtetit për ta zëvendësuar me lirinë ekonomike dhe etikën sociale. Është fakt që realitetet organike nuk lejojnë më shumë se dy alternativa: organizmi mund të jetë i vërtetë ndaj vetes, ose do të sëmuret dhe ndrydhet, duke u bërë një pre për organizmat e tjerë. Kështu, polariteti natyror i drejtuesve dhe i të drejtuarve, nuk mund të hiqet pa asgjësuar organizmin. Liberalizmi nuk ishte plotësisht i suksesshëm në luftën kundër Shtetit, pavarësisht nga fakti se u përfshi në aktivitetet politike gjatë shekullit të 19-të, në aleancë me çdo lloj force tjetër shtetshkatërruese. Kështu, ka pasur nacionalë-liberalë, socialë-liberalë, konservatorë të Lirë, liberalë-katolikë. Ata e lidhën veten me demokracinë, e cila nuk është liberale, por autoritare sa më s’ka, kur vjen puna tek arritja e qëllimeve. Ata u bënë me anarkistët kur forcat e Autoritetit kërkuan të mbronin veten prej tyre. Në shekullin e 20-të, liberalizmi u bashkua me bolshevizmin në Spanjë dhe liberalët evropiane dhe amerikanë ishin me bolshevikët rusë.
Liberalizmi mund të përkufizohet vetëm negativisht. Ai është thjesht një kritikë, jo një ide e gjallë. Fjala e madhe e tij, “liria”, është një fjalë negative që do të thotë në të vërtetë, liri nga autoriteti, d.m.th., shpërbërje e organizmit. Në fazat e tij të fundit, ai prodhon atomizmin social, ku luftohet jo vetëm autoriteti i Shtetit, por edhe autoriteti i shoqërisë dhe i familjes. Divorci merr të njëjtin rang me martesën, fëmijët të njëjtin rang me prindërit. Kjo mënyrë e vazhdueshme negative të menduari, solli aktivistë politikë, si Marksi, Lorenc v. Shtain dhe Ferdinand Lasali (Lorenz v. Stein, Ferdinand Lasalle), që e përdorën atë si një mjet politik. Qëndrimet e liberalizmit kanë qenë gjithmonë kontradiktore, është kërkuar gjithmonë një kompromis. Ai kërkonte gjithmonë të “balanconte” demokracinë me monarkinë, drejtuesit me punëtorët e krahut, Shtetin me Shoqërinë, legjislativin me gjyqësorin. Në një krizë, liberalizmi si i tillë, nuk ekzistonte. Liberalët u radhitën në njërën apo në tjetrën anë të betejës revolucionare, në varësi të përputhjes me liberalizmin e tyre dhe të shkallës së armiqësisë ndaj autoritetit.
Kështu, liberalizmi, në veprim, ishte po aq politik, sa çka qenë gjithmonë çdo Shtet. Ai i bindej domosdoshmërisë organike me anë të aleancave politike me grupe dhe ide joliberale. Pavarësisht nga teoria e tij e individualizmit, e cila, natyrisht, nuk do ta lejonte mundësinë që një njeri apo një grup t’i kërkonte një njeriu apo një grupi tjetër të sakrifikonte apo të rrezikonte jetën, ai mbështeti ide ” jo të lira”, si: demokracinë, socializmin, bolshevizmin, anarkizmin, të cilat kërkojnë të gjitha sakrificën e jetës.
II
Nga antropologjia e tij e mirësisë themelore të natyrës njerëzore, në përgjithësi, Racionalizmi prodhoi Enciklopedizmin e shekullit të 18-të, Frimasonerinë, Demokracinë, Anarkizmin, si dhe Liberalizmin, me gjithë degët dhe variacionet e tyre. Secila nga këto tendenca luajti rolin e vet në historinë e shekullit të 19-të dhe për shkak të shtrembërimit kritik që i shkaktuan dy Luftërat Botërore të gjithë Qytetërimit Perëndimor, ato vazhduan ta luajnë atë rol edhe në shekullin e 20-të, ku Racionalizmi është thjesht grotesk dhe transformohet ngadalë në Irracionalizëm. Kufoma e Liberalizmit, nuk ishte varrosur ende nga mesi i shekullit të 20-të. Si pasojë është e nevojshme të diagnostikohet edhe tani sëmundja e rëndë e Qytetërimit Perëndimor, që Liberalizmi e përkeqësoi me helmin e huaj.
Për shkak se liberalizmi e sheh shumicën e njerëzve si harmonikë apo të mirë, i bie që ata duhen lejuar të veprojnë si t’u pëlqejë. Përderisa nuk ka asnjë njësi të lartë, me të cilën të gjithë të jenë të lidhur dhe jeta mbivetjake e së cilës të dominojë jetën e individëve, çdo fushë e aktivitetit njerëzor, i shërben vetëm vetes – për sa kohë që ajo nuk kërkon të bëhet autoritare dhe qëndron në kuadër të “shoqërisë”. Kështu, arti bëhet “art për hir të artit”, l’art pour l’art. Njësoj, të gjitha fushat e mendimit dhe të veprimit, bëhen autonome. Feja bëhet disiplinë e thjeshtë shoqërore, pasi, po të jetë më shumë se kaq, merr autoritet. Shkenca, filozofia, arsimi, të gjitha janë botë të njëjta në veten e tyre dhe nuk i nënshtrohen diçkaje më të lartë. Letërsia dhe teknika gëzojnë të njëjtën autonomi. Funksioni i Shtetit është thjesht të mbrojë patentat dhe të drejtat e autorit. Por, mbi të gjitha, ekonomia dhe ligji janë të pavarura nga autoriteti organik, domethënë nga politika.
Lexuesit e shekullit të 21-të, do ta kenë të vështirë të besojnë se dikur mbizotëronte ideja që çdo person duhet të jetë i lirë të bëjë si t’i pëlqejë në çështjet ekonomike, edhe në qoftë se aktiviteti i tij personal shkakton urinë e qindra mijëra vetëve, shkatërrimin e tërë pyjeve dhe zonave minerale dhe dobësimin e fuqisë së organizmit; do ta kenë të vështirë të besojnë se ishte më se e lejueshme që një individ i tillë të ngrihej përmbi autoritetin e dobësuar publik dhe të dominonte me anë të mjeteve vetjake mendimet më të ngushta të popullsive të tëra, duke kontrolluar shtypin, radion dhe vëniet në skenë të dramave të mekanizuara.
Ata do ta kenë më të vështirë akoma, të kuptojnë se si një person i tillë mund të ketë në dorë dhe vetë ligjin për të zbatuar vullnetin e tij shkatërrues. Kështu, një fajdexhi mundet madje edhe në mes të shekullit të 20-të, të kërkojë me sukses ndihmën e ligjit për të shpronësuar sa fshatarë dhe fermerë të dojë. Është e vështirë të përfytyrohet se si një individ mund ta plagosë organizmin politik më shumë se kur e bën kësisoj “tokën pluhur”, sipas fjalëve të të madhit Fraiherr fon Shtain (Freiherr von Stein).
Por, kjo rrodhi në mënyrë të pashmangshme nga ideja e pavarësisë së ekonomisë dhe të ligjit nga autoriteti politik. Nuk ka asgjë madhore, nuk ka Shtet; ka vetëm individë kundër njëri-tjetrit. Gjithçka mund të jetë, por është e natyrshme që individët ekonomikisht më të shkathët të grumbullojnë pjesën më të madhe të pasurisë së luajtshme në dorën e tyre. Megjithatë, meqë ishin liberalë të vërtetë, ata nuk do të kërkonin autoritetin me anë të kësaj pasurie, pasi autoriteti ka dy aspekte: pushtetin dhe përgjegjësinë. Individualizmi, nga ana psikologjike, është egoizëm. “Lumturia” = egoizëm. Rusoi, gjyshi i liberalizmit, ishte një individualist i vërtetë dhe i dërgoi të pestë fëmijët e tij në jetimore.
Ligji, si një fushë e mendimit dhe e përpjekjeve njerëzore, ka po aq pavarësi dhe po aq varësi, sa dhe çdo fushë tjetër. Në kuadrin organik, ai është i lirë të mendojë dhe të organizojë materialin e tij. Por, ashtu si format e tjera të mendimit, ai mund të vihet në shërbim të ideve të jashtme. Kështu, ligji, në origjinë tërësia e mjeteve të kodifikimit dhe ruajtjes së paqes së brendshme të organizmit me anë të mbajtjes së rendit dhe parandalimit të konflikteve personale, u shndërrua nga mendimi liberal në një mjet për të ruajtur trazirën e brendshme dhe për t’u lejuar individëve ekonomikisht të fortë që të asgjësojnë më të dobëtit. Ky u quajt “sundimi i ligjit” – “Shteti i ligjit”, “pavarësia e gjyqësorit”. Ideja e kthimit të ligjit në mjet për të ndërtuar një situatë tërësisht të shenjtë, fillimisht nuk erdhi me liberalizmin. Në kohët e Hobsit, ndërkohë, grupe të tjera e kërkonin këtë. Por, me mendjen e tij të kthjellët, Hobsi, tha më së qarti se “sundim i ligjit, do të thotë sundim i atyre që do të përcaktojnë dhe administrojnë ligjin; se sundimi i një qëllimi ‘të lartë’, është një frazë boshe dhe në përmbajtje është sundimi konkret i njerëzve dhe i grupeve të caktuara në lidhje me një qëllim të ulët”.
Ky ishte mendim politik, i cili përqendrohet në shpërndarjen dhe lëvizjen e pushtetit. Politike është edhe të vësh në dukje hipokrizinë, imoralitetin dhe cinizmin e fajdexhiut, i cili bërtet për sundimin e ligjit, që do të thotë pasurim i tij dhe varfërim i miliona të tjerëve dhe e gjitha kjo në emër të diçkaje të lartë, të diçkaje me vlerë mbinjerëzore. Kur Autoriteti rishfaqet sërish kundër forcave të Racionalizmit dhe Ekonomisë, ai menjëherë tregon se kompleksi i idealeve të jashtëzakonshme, me të cilët e pajis veten liberalizmi, nuk ka më shumë vlerë se legjitimizmi i kohës së monarkisë absolute.
Mbretërit ishin protagonistët më të fortë të legjitimizmit, bankierët ishin përfaqësues të liberalizmit. Por, mbreti ishte i lidhur me organizmin në tërë ekzistencën e vet. Ai ishte përgjegjës organikisht edhe kur nuk ishte përgjegjës real. Kështu ishte Luigji XVI dhe Karli
I. Të tjerë mbretër të panumërt dhe sundimtarë absolutë, e kanë pësuar për shkak të përgjegjësisë së tyre simbolike. Por, bankieri ka vetëm pushtet, nuk ka përgjegjësi, as edhe simbolike, pasi emri i tij as nuk njihet në përgjithësi. Historia, Fati, vazhdimësia organike, Fama, të gjitha ushtrojnë ndikimin e tyre të fuqishëm mbi një sundimtar absolut politik, dhe përveç kësaj, pozita që ai ka, e vendos atë krejtësisht jashtë sferës korruptive. Kurse bankieri është privat, anonim, thjesht qenie ekonomike, i papërgjegjshëm. Ai nuk mund të jetë altruist; vetë ekzistenca e tij është hyjnizim i egoizmit. Ai nuk mendon për Historinë, Famën, për ecjen e jetës së organizmit, për Destinimin. Për më tepër, ai është jashtëzakonisht i korruptueshëm me mjetet bazë, pasi dëshira e tij për pushtet, do të thotë para dhe gjithmonë e më shumë para.
Në luftën e tij kundër Autoritetit, mendimi liberal zhvilloi një teori që pushteti korrupton njerëzit. Mirëpo, është pasuria e madhe anonime ajo që korrupton, pasi nuk ka kufizime mbivetjake në të, si ato që e bëjnë një burrë shteti të vërtetë të vihet plotësisht në shërbim të organizmit politik dhe që e ngrenë atë përmbi korrupsionin.
Pikërisht në fushat e ekonomisë dhe të së drejtës, doktrina liberale pati efekte nga më shkatërruese për shëndetin e Qytetërimit Perëndimor. Nuk pati shumë rëndësi që estetika u bë e pavarur, pasi e vetmja formë arti në Perëndim që kishte ende një të ardhme, muzika perëndimore, nuk i kushtoi asnjë vëmendje teorive dhe vazhdoi rrugën e vet të madhe krijuese për të përfunduar te Vagneri dhe epigonët (trashëgimtarët) e tij. Bodleri është simboli i madh i l’art pour l’art: e shpifura si bukuri. Kështu, Bodleri është liberalizëm në literaturë, sëmundje si parim i Jetës, krizë si shëndet, lëngatë si jetë e shpirtit, shpërbërje si qëllim. Njeriu si individualist, një atom pa lidhje – ideali liberal i personalitetit. Dëmi më i madh ishte në fushat e veprimit, sesa në ato të mendimit.
Lejimi që nismat në çështjet ekonomike dhe teknike të mbeteshin te individët të cilët i nënshtrohen një kontrolli të vogël politik, pati si rezultat krijimin e një grupi individësh, vullneti personal i të cilëve ishte më i rëndësishëm se fati i përbashkët i organizmit dhe milionave të popullsisë. Ligji që shërbeu për të krijuar këtë gjendje, nuk kishte asgjë të përbashkët me moralin dhe nderin. Në mënyrë që të shpërbëhej organizmi nga ana shpirtërore, ajo që u quajt moralitet, ishte e shkëputur nga metafizika dhe feja dhe lidhej vetëm me “shoqërinë”. Ligji penal reflektonte liberalizmin që dënonte krimet e dhunës dhe të pasionit, por nuk klasifikonte gjëra të tilla, si: shkatërrimin e burimeve kombëtare, hedhjen e miliona vetëve në uri, fajdenë në shkallë kombëtare.
Pavarësia e sferës ekonomike, ishte një dogmë besimi në liberalizëm. Kjo gjë nuk vihej në diskutim. U zhvillua madje edhe një abstraksion i quajtur “njeriu ekonomik”, veprimet e të cilit mund të parashikoheshin pasi ekonomia ishte një vakum. Fitimi ekonomik ishte motivi i tij i vetëm, vetëm lakmia e nxiste atë. Teknika e suksesit ishte përqendrimi në përfitimin vetjak dhe injorimi i çdo gjëje tjetër. Ky “njeri ekonomik” ishte megjithatë, njeriu në përgjithësi për liberalët. Ai ishte njësia e tablosë së tyre të përgjithshme. “Njerëzimi” ishte shuma totale e gjithë këtyre kokrrizave ekonomike të rërës.
(…)
Shkëputur nga libri i autorit ULICK VARANGE (Francis Parker Yockey) – IMPERIUM (FILOZOFI E HISTORISË DHE E POLITIKËS), botuar nga SHB – ‘HELGA’s SECRETS’, Tiranë 2010, faqe 189 – 196)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura
Read More

ZHAN-ZHAK RUSO

ZHAN-ZHAK RUSO Njeriu ka lindur i lirë, por kudo është në pranga – Ruso Zhan-Zhak Ruso (Jean-Jacques Rousseau,…