FRANCIS PARKER YOCKEY (ULICK VARANGE): DEMOKRACIA

Pashtriku.org, 25. 07-. 2015 – Një nënprodukt tjetër i rëndësishëm i racionalizmit, është Demokracia. Kjo fjalë ka shumë kuptime. Në Luftën e Parë Botërore, kaloi në pronësi të forcave ekstraevropiane dhe u shpall sinonim i liberalizmit. Sigurisht që ky kuptim ishte polemizues dhe ka disa pikëpamje të ndryshme për sa i përket kësaj. Por më parë, të tregojmë origjinën historike të Demokracisë.
Ajo doli në pah në mes të shekullit të 18’të me ardhjen e Racionalizmit. Racionalizmi e shfuqizoi Historinë si një nga bazat për çfarëdo mendimi apo përpjekje të çfarëdoshme dhe për këtë arsye, Kisha dhe Shteti, Fisnikëria dhe Kleri nuk kishin të drejta të bazuara tek tradita. Arsyeja është sasiore, dhe kështu Rendet e shoqërisë u konsideruan si më pak të rëndësishme, se masat e popullatës. Shekujt e mëparshëm i referoheshin monarkut me emrin e vendit përkatës. Kështu, mbreti i Francës, ishte “Franca”. Një asamble e Rendeve të shoqërisë, u quajt gjithashtu “Francë” ose “Angli” ose “Spanjë”. Por, për Racionalizmin, nuk ishte përcaktuese cilësia, por sasia, kështu që masa u bë kombi. “Njerëzit” u bë një fjalë polemizuese për të hequr Rendet dhe për t’u mohuar atyre të drejtën e ekzistencës politike. Në fillim, masa u quajt “Rendi i tretë”, por më vonë të gjitha Rendet u mohuan.
Megjithatë, ideja e Demokracisë është plot me dëshirë për pushtet; nuk është thjesht një abstraksion, është një ide organike, me forcë mbivetjake. Zhvillimi i gjithanshëm që prodhoi Racionalizmi, epoka në të cilën Kultura kthehet në Qytetërim, ishte pa dyshim, një krizë e organizmit Perëndimor. Pra, ishte një sëmundje dhe Demokracia ishte sëmundje, por ishte diçka, nëpër të cilën ka kaluar çdo Kulturë e Lartë dhe, për këtë arsye, u nxit nga një nevojë organike. Demokracia nuk kërkon kompromis, as “balancim”, as shkatërrimin e autoritetit – ajo kërkon pushtet. Ajo i mohon Shtyllat, në mënyrë që të zërë vendin e tyre.

Demokracia autentike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës!

Një karakteristikë e Demokracisë, është se ajo hodhi poshtë parimin aristokratik që barazonte rëndësinë shoqërore me atë politike. Ajo donte ta përmbyste këtë dhe të bënte që rëndësia shoqërore të varej nga ajo politike. Pa dyshim që ky ishte themelimi i një aristokracie të re dhe, në të vërtetë, demokracia ishte vetëshkatërruese: kur mori pushtetin, ajo u shndërrua në aristokraci.
Napoleoni ka edhe në këtë drejtim, rëndësinë më të madhe simbolike. Ai, demokrati i madh, Vulgari i madh, bëri Revolucionin kundër Dinastisë dhe Aristokracisë, por krijoi Dinastinë e tij dhe shpalli Marshallët dhe Dukët e tij. Ky nuk ishte cinizëm, as braktisje e besimit – Napoleoni si Perandor ishte po aq Demokrat, sa ç’ishte atëherë kur pastroi rrugët e Parisit nga bandat. Demokracia, duke mobilizuar masat e popullsisë, e ngre mjaft potencialin e fuqisë së kombeve dhe të Kulturës. Demokracia është ideja se një Dukë nuk bëhet prej kësaj një Marshall, por një Marshall bëhet prej këtij fakti një Dukë. Si teknikë sundimi, ajo është vetëm një metodë e re për lindjen e udhëheqësve politikë. Ajo bën që rangu social të varet nga rangu politik-ushtarak, në vend të së kundërtës.
Dinastia e re e Demokracisë dhe aristokracia e re demokratike, janë të ushqyera me të njëjtën dëshirë për vazhdimësi, si ajo që u dha frymë dinastive Hohenshtaufen, Kapet, Norman, Habsburg, Uelf, baronëve feudalë, emrat dhe traditat e të cilëve ende vazhdojnë.
Po të flasim historikisht, Demokracia është ndjenjë dhe nuk ka të bëjë fare me “barazinë”, “qeveritë përfaqësuese” apo gjëra të tilla. I tërë cikli i Demokracisë, u ngjesh në simbolikën intensive të karrierës relativisht të shkurtër të Napoleonit të madh. Formula e këtij burri, La carriére ouverte aux talens, shpreh çfarëdo ndjenje “barazie” që përmban Demokracia, me një fjalë, mundësi të barabarta. Nuk ka asnjë farë ideje për heqjen e rangjeve apo klasifikim të të drejtave. Revolucioni, Konsolidimi, Imperializmi – kjo është historia e Demokracisë.
Por, themi se shprehja e gjithë ciklit të Demokracisë në hapësirën e shkurtër të jetës së Napoleonit, ishte simbolike, vetëm sepse Demokracia e kishte përpara shumicën e jetës së saj prej dy shekujsh. Demokracia nuk është një tërheqje nga Realiteti, nga Lufta, Historia dhe Politika, siç është Liberalizmi. Ajo mbetet në politikë, por synon ta bëjë politikën një gjë të masave. Ajo kërkon t’ia nënshtrojë gjithkënd politikës dhe ta bëjë gjithkënd një politikan. Vërejtja e Napoleonit për veprën e Gëtes “Politika është Fat”, shpreh këtë zgjerim të bazës së pushtetit politik që është Demokracia. Deri në fund të shekullit të 18-të, lufta dhe politika ishin për Kabinetet, Mbretërit dhe ushtritë e vogla profesionale. Politika dhe lufta, rrallë preknin njerëz të zakonshëm. Demokracia e ndryshoi të gjithë këtë: ajo e vuri të gjithë fuqinë njerëzore të kombit në fushëbeteja; i detyroi të gjithë të kenë një opinion mbi çështjet e pushtetit; i detyroi më pas të shprehnin mendimin e tyre në plebishite dhe zgjedhje. Nëse dikush nuk e kishte një opinion të pavarur – dhe më shumë se 99% e njerëzve nuk e kanë – ajo i detyronte me një mendim të caktuar dhe u thoshte që ai ishte mendimi i tij.
Fati e deshi që ideja e Demokracisë të lindte në të njëjtën kohë me Epokën e Ekonomisë. Kjo do të thoshte se tendenca e saj autoritare do të mbytej dhe ashtu ndodhi. Asaj do t’i duhej të priste një epokë politike për t’u shprehur përsëri, pas shkëndijës së shkurtër të lavdisë së Napoleonit. Por, fundi i Epokës së Ekonomisë, ishte edhe fundi i Idesë së Demokracisë. Kështu që, Demokracia, në të vërtetë, gjatë historisë së saj, ishte një shërbëtore e Ekonomisë në betejën kundër Autoritetit.
Demokracia ka dy pole, aftësinë dhe masat. Ajo i futi të gjithë në politikë dhe u lejoi njerëzve të suksesshëm dhjetëfishin e pushtetit që ka pasur ndonjëherë kushdo monark absolut. Por dhe vetë Napoleoni, nuk mund t’u bënte ballë forcave që Paraja mobilizoi kundër tij në Epokën e Ekonomisë, ku diktatorët më pak demokratë, u goditën më lehtë. Në Amerikën e Jugut të zotëruar nga spanjollët, ku pushteti i parasë nuk ishte absolut, një traditë e tërë e diktatorëve demokratë – Bolivari, Rosas, Francia, O’Higins, për të përmendur disa nga më të njohurit-treguan prirjet e fuqishme autoritare në qeverisjen popullore.
Por, në shumicën e vendeve, mbeti vetëm fjalori i demokracisë dhe kjo u dha mundësi fuqive ekonomike të sillen në një mënyrë pak a shumë absolute, pasi ata e goditën Shtetin me anë të Demokracisë, dhe pastaj e blenë Demokracinë. Në kushtet demokratike të mëvonshme – në rastin tonë që prej 1850’ës – pushtet kishte vetëm bankieri, interesave të të cilit i shërbente anarkia e konstitucionalizuar, që quhej Demokraci. Kështu, fjala demokraci, u bë pronë e Parasë dhe u transformua nga kuptimi historik në kuptimin që ka në shekullin e 20’të. Shtrembëruesit e Kulturës, e përdorin si mjet për të mohuar dallimet cilësore mes kombeve dhe racave; kështu, i huaji, duhet pranuar në pozitat e pasurisë dhe autoritetit. Për bankierin, kjo do të thotë “sundim i ligjit” – ligjit të tij, i cili e bën të mundur fajdenë e pashembullt me anë të monopolit të tij të parasë.
( … )
II
Historia është kataklizmike; por është edhe e vazhdueshme. Ngjarjet sipërfaqësore, shpesh janë jashtëzakonisht të dhunshme dhe të habitshme, por, nën to, kalimi nga një Epokë në tjetrën, është gradual. Kështu Demokracia nuk u kuptua aspak nga protagonistët e saj të hershëm si një ulje e gjithçkaje njerëzore në nivelin e qenieve njerëzore më pak të vlefshme. Përhapësit e parë të saj vinin nga shtresat e larta të Kulturës, nga majat. Ata që nuk vinin prej andej, u rrekën të japin përshtypjen se në të vërtetë ishin të tillë: “de” Robespierre, “de” Kalb, “de” Voltaire, “de” Beaumarchais. Ideja fillestare ishte që të bëheshin të gjithë, le të themi, fisnikë. Natyrisht, në urrejtjen e verbër dhe të apasionuar të Terrorit të vitit ’93, nuk dallohej dot, por Tradita nuk vdes në një sulm dhe, nga ana sociale, beteja e Demokracisë kundër Traditës, është e gjatë dhe e vështirë.
Tendenca politike autoritare e Demokracisë, siç u pa, u mbyt që në lindje nga fuqia e Parasë në një Epokë Ekonomike. Por, më vonë, ajo fjalë u bë një slogan në betejën sociale dhe në betejën ekonomike. Ajo gjithmonë do të thotë masë, sasi, numra kundrejt cilësisë dhe traditës. Versioni i parë i idesë, ishte ta ngrinte gjithkënd në të drejtën e pronës së përbashkët dhe, si u pa që kjo ishte e parealizueshme, lindi ideja tjetër që të shkatërroheshin të gjitha cilësitë dhe vlerat madhore, duke i shkrirë ato te masat. Sa më e dobët të ishte tradita, aq më i madh ishte suksesi i frymës së masave. Kështu, në Amerikë, fitorja e saj ishte e plotë dhe parimi i masës u zbatua edhe në fushën e arsimit. Amerika, me më pak se gjysmën e popullsisë së tokës së Kulturës Perëndimore, kishte në shekullin e 20-të dhjetë herë më shumë institucione të ashtuquajtura të arsimit të lartë. Sepse është e thënë që demokracia duhet të dështojë në çdo gjë, edhe në sukses. Praktika e dhënies së një diplome të gjithëve, do të thoshte se diploma nuk kishte më kuptim.
Kulmi në këtë drejtim u arrit nga një shkrimtar amerikan, i cili e quajti kiminë e lartë, fizikën, teknikën dhe matematikën si “jodemokratike”, sepse ato zotëroheshin nga një pakicë, dhe kështu kishin prirje për të krijuar një aristokraci. Atij njeriu nuk i ka vajtur kurrë ndër mend, se teoria e Demokracisë, gjithashtu zotërohet nga një pakicë: këto masa nuk mobilizonin veten; Fryma e epokës, e cila vepron mbi individë të caktuar të popullsisë, shpërndan ndjenjën se çdo gjë duhet vënë në lëvizje, çdo gjë duhet të jetë e hapur, të dalë nga gjendja shpirtërore, t’i jepet “masës”, të numërohet e të llogaritet.
Dhe kështu, me ardhjen e shekullit të 20-të, “Demokracia”, ka një kuptim të ndryshëm nga ai fillestar. Dy polet fillestare të Aftësisë dhe Masës, janë shkrirë për qëllimet e forcave të Ekonomisë, e cila jep fjalën “demokraci” për këtë shekull. Ato forca vendosën në të vetëm kuptimin e masës dhe e përdorin atë për të luftuar idenë e rilindur të Autoritetit. Lordët ekonomikë të tokës, mobilizuan masat kundër autoritetit të Shtetit dhe i dhanë kësaj emrin e gabuar “demokraci”. Epoka e Politikës Absolute fillon duke mobilizuar masat kundër pushtetit të Parasë dhe Ekonomisë dhe do të arrijë synimin e Napoleonit për rivendosjen e Autoritetit. Por, në fund, nuk do të ketë më plebishite, nuk do të ketë më zgjedhje, nuk do të ketë më propagandë, as audiencë në masë që të ndjekë dramat politike. Dy shekujt e demokracisë përfundojnë me Perandori. Me vdekjen natyrore të idesë se masat janë të rëndësishme, Autoriteti nuk bën asnjë apel intelektual për të justifikuar veten. Ai thjesht është aty dhe kjo nuk është një problem.
(…)
Shkëputur nga libri i autorit ULICK VARANGE (Francis Parker Yockey) – IMPERIUM (FILOZOFI E HISTORISË DHE E POLITIKËS), botuar nga SHB – ‘HELGA’s SECRETS’, Tiranë 2010, faqe 201 – 205)

___________________
Shkrimet tjera të autorit:
FRANCIS PARKER YOCKEY (ULICK VARANGE): LIBERALIZMI
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=62&shkrimi=4325
***
FRANCIS PARKER YOCKEY (ULICK VARANGE): KOMUNIZMI
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=62&shkrimi=4331

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura