GЁZUAR 7 – 8 MARSI
MËSUESJA ARTISTE
Mësueses dhe këngëtares popullore SHPRESA KAPO ÇELAJ dhe, nëpërmjet këtyre vargjeve, – një tufë me trëndafila poetikë për të gjitha mësueset dhe gratë shqiptare, që janë kurora e dinjitetit njerëzor me sakrificat e tyre për emancipimin qytetar të familjes dhe shoqërisë.

Dr. Albert HABAZAJ
Ikin vitet, fluturojnë
Gjashtëdhjetë e gjashtë sot,
Pleqërinë nuk e kuptojmë
Një fjalë që s’e themi dot.
*
Gjashtëdhjetë e gjashtë vite
Shpresa Kapo Çelaj mbush
Në furtunë e shkëlqim drite
Udhëtoi jo si shumë kush.
*
Me grupin tonë të zemrës
10 Shqiponjat e Tërbaçit
Lart ia ngritët vlerat këngës
Këngës labe – vetë ilaçit.
*
Me familjen – mbretëreshë
Si mësuese – prind i dytë,
Me shqipet – labçen hyjneshë
Ta duam si të dy sytë.
***

JU MBANI BOTËN NË DUAR
– Reflektim dhe nderim për 8 Marsin, Ditën Ndërkombëtare të Grave –
(Nisem nga Tërbaçi im të thur këtë këngëz për vajzat, gratë dhe nënat e Labërisë, Vlorës dhe Shqipërisë sonë, brenda dhe jashtë kufijve zyrtarë)
Dr. Albert HABAZAJ
Vajza, gra, nëna e gjyshe,
Jeni Shqiponja Tërbaçi,
S’ka se si të jeni ndryshe
O mëllëri nga kulaçi.
*
Kulaç malli, dashurie
Për shtëpi e për Atdhe,
Mbushur me mjaltë mirësie
Shenjtore me frymë për ne.
*
Gremisni paragjykime
Luftoni për botë të re,
Ju s’njihni ditë për pushime
Amazona si rrufe.
*
Sot ne u themi gëzuar,
Pse mos t’u themi përditë?!
Ju mbani botën në duar,
Ju botës i jepni dritë.
*
Ju jeni urata vetë,
Luftëtare shumë trime,
Pastroni qiellin nga retë
Shqiponja në fluturime.
*
Kolona virtyti, nderi
Kurora të dinjitetit,
Pasqyra, ku thyhet terri,
Sheh veten sinqeriteti.
*
Bija, motra, nuse, dada
Nga ju ka frikë ligësia,
Se ju çani barrikada
A u faltë Perëndia!
***

MËSUESI – MISIONAR DRITE
DR.ALBERT HABAZAJ
“Vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit nuk maten kurrë” (Konfuci)
*
Kur nxënës ne kemi qenë
Mësuesi quhej prind i dytë,
Dinjiteti i tyre kishte vlerë,
Si mësuesit s’kishte të dytë.
*
Ata qenë të mençur shumë,
Qenë si male hyjnorë,
Ata qenë diell në furtunë,
Një nga një u bën’ meteorë.
*
Mësuesit më ikën një nga një,
Fisnikët e mi të lartë,
I kam, dhe pse s’ua dëgjoj atë zë,
Në frymëmarrjen time dit’ e natë.
*
Ku t’i gjej t’u puth fjalën
Siç puth Dheun e Flamurin,
Si bregu i detit pret valën
Pres urtësinë e tyre të Burrit.
*
Mrekulli mund të ndodhë vërtet
Të bëhem sa një e mijta e tyre,
Ata erdhën e ikën profetë,
Dhe zbukurojnë qiellin me yje.
*
Nderim mësuesve të mi
Më të mirëve në botë,
Baras qenë me Perëndi,
Diell që thyen çdo shqotë
