DR.JORIDA SOTIRI: IDENTITETI PERSONAL I POEZISË

Tiranë, 21 korrik 2020: Vështrim mbi librin “KOHË PËR VETEN” të autores Angjelina Marku
Panorama e shqyrtuar në këtë vëllim poetik nxit nevojën për të shprehur në art ndjenjat, arsyetimet, përballjen e mendimit, dashurinë dhe gjendjen humane të autores Angjelina Marku. Ky libër mund të shijohet nga çdo lexues, ku trashëgohet mes vargjesh filtri i një krijueseje moderne nën fjalimin e fjalës artistike. Libri me poezi “Kohë për veten” përbëhet nga disa cikle poetike të strukturuar në kapituj, ku secili mbart një kronologji të zhvillimit të mendimit.

Fillimisht na prezantohet “Marshi i dashurisë”, në të cilin, simbolikisht, pasqyrohet ndjenja sublime e kësaj force platonike e shprehur bukur, ku qaset shpresa nën melodinë e violinës dhe rrëfimit përballë Zotit. Në mënyrë metaforike, “Era e fryn errësirën”, nëna dhe sakrificat e saj përmbysin botën. Uni poetik shpaloset në “Lirikë për një shpirt”, më pas shpirti i brengosur kërkon “Klithje në heshtje” të melankolisë për të gjetur “Adresën e atdheut”, ku shpirti vajton në kërkim të tij, duke rritur “Frymën e shpresës”.
Shpresa dhe lumturia kanë vlerë në tokën mëmë. Autorja e mërguar, nga vendi e njëherësh nga kultura, synon të rindërtojë historinë e vet shpirtërore me një dashuri të madhe nëpërmjet një diskursi të shumëllojshëm. Në këtë formë klasike, autorja dëshiron të shprehë dy nga ndjenjat më të fuqishme të njeriut: dashurinë dhe mallin (personal, për dashurinë dhe mallin për Kosovën). Format fikse, të vargut e frenojnë shpërthimin emocional, ndërkohë që emocioni e rrit dramacitetin e brendshëm të poetes. Malli, kalimi nga ëndrra në jetë, krijojnë gjendje të forta emocionale.

Gjuha është themel i qëndrueshëm për krijimin artistik dhe vetëdijen moderne në kërkim të stilit me trajta të reja, si shenjë e formimit letrar. Poetja shkruan për të rikujtuar të kaluarën e për të projektuar të ardhmen, mandej këtë projeksion Marku synon ta mbartë si vetëdije te lexuesi. Në “Letër vendit tim”, ajo e përcjell dashurinë për kombin përmes reflektimit nga vlerat tradicionale shpirtërore në besimin e për rëndësinë e këtyre vlerave në projeksionin e së ardhmes. Ekzistencialiteti i Markut, “Kur të iki”, rri në vetëdijen e heshtur, në emocionin e autores, duke projektuar objektin e kësaj poezie.
Statusi i krijueses shprehet me një shumëllojshmëri tingëllimash, simbolesh, pasthirrmash, strofash, metrikash, metaforash, krahasimesh, epitetesh pra, me gjithë repertorët e elementeve moderne të ngjyrimit emocional. Duke na dhënë fuqishëm dimensionin e gjuhës poetike, vlerat artistike të fjalëve, kërkesat ndaj fuqisë emocionale të tingujve të nxitura në këtë tekst poetik, përcillen vlera të pamohueshme. Funksionalizimi i tingullit në dobi të plotësisë kuptimore do t’i bënte poezitë e Markut të konsideroheshin si model i harmonisë së përmbajtjes me formën në kërkimin e një lexuesi të ri. Vetëdija e brendshme sjell dëshirën e një shkrimtareje ndryshe, ku intertekstualiteti i qëllimshëm e i hapur sjell gërshetimin e simbolikave rreth krijimit të këtyre poezive.
Në kontingjentin filozofiko-simbolik të saj përshkruhet një ndjenjë, që buron dhe rikthehet te dashuria përmes topikës së mallit. Lidhja e heshtur mes vargut dhe shpirtit kërkon të gjejë pak kohë sonte. Vetëdija kulturore e Markut është themel i qëndrueshëm i këtij cikli poetik dhe vetëdije moderne, si shenjë e formimit emocional. Kronologjia poetike synon të krijojë harmoninë e kulturës dhe të gjuhës, si shenjë e identitetit të pjekurisë artistike. Plot elegancë vijnë titujt, përcaktimet konceptuale dhe ligjshmëria poetike. Për të kërkuar një stil trajtash të të shkruarit, thelbi shpirtëror kthehet në shenjë të identitetit personal.
Njëjtësimi i ndjenjës me simbolin poetik është shprehje e potencialitetit prefekt. Ajo beson në misionin e krijuesit, prandaj ky vëllim poetik e dëshiron lexuesin, duke nxitur dialogun e përhershëm në të. Kështu, sugjerimi i vetëm është të lexohet ky vëllim…. e, kush mundet, të shijojë magjinë e artit të librit “Kohë për veten” të autores Angjelina Marku!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura