GENC KASTRATI: KALENDARËT E SHQIPTARËVE(II)

Pashtriku.org, 25. 05. 2013 (Kalendari maqedon) – Ky ishte një kalendar i maqedonëve të lashtë, që në periudhën helenistike, adoptuan strukturën e kalendarit babilonas në mbretërinë e Seleukëve (W. W. Tarn), dhe strukturën e kalendarit egjiptian në mbretërinë e Ptolemejve, ndërsa ruajtën emrat e muajve maqedonë (L. Depuydt). Kalendari maqedon ka qenë kalendar i pastër diellor, një variant lokal i kalendarit të lashtë shqiptar, por gjatë shekujve IV p.e.s., tok me helenizimin sipërfaqësor të elitës maqedone, ndodhi dhe helenizimi i kalendarit, duke e futur në përdorim edhe ciklin hënor (lunar), kështu kalendari u kthye në luni-solar (E. Greswell). Ndikimi helen shihet edhe në emrat e disa muajve si artemision sipas hyjneshës Artemida, muaji panemos që gjendet edhe në kalendarët e ndryshëm të poliseve helene, etj. Përshtatja me kalendarët aziatikë ka ndodhur ende më vonë pas pushtimeve të Lekës së Madh. Neve na interesojnë emrat e muajve, një pjesë e të cilëve gjejnë shpjegim në shqip ose me emrat e muajve të kalendarit shqiptar.
Emrat e muajve maqedonë (Calendars in Antiquity…):
Hyperberetaios
Dios
Apellaios
Audnaios
Peritios
Dystros
Xanthikos
Artemisios
Daisios
Panemos
Loos
Gorpiaios

Nga këta emra po veçojmë ata që mund të lidhen me shqipen:
Hyperberetaios është kompozitë ku pjesa e dytë beretaios ka lidhje etimologjike me emrin shqip britmi (C. Malte-Brun). Në kalendarin e ri shqiptar përdoren muajt britmi i parë (shtator), britmi i dytë (tetor) dhe britmi i tretë (nëntor). Muaji hyperberetaios i bie nga fundi i shtatorit deri në fund të tetorit.
Dios është një emër i lashtë ilir për Zeusin (Aristidh Kolja e lidh me fjalën shqipe ditë). Kjo shihet edhe tek emri Diona, grua e Zeusit, kulti i së cilës në Epir ishte kult shtetëror, dhe shihet në faktin që Dios ishte një muaj autokton në kalendarin e fisit ilir të Perrhebëve (A. E. Samuel).
Peritios i bie në janar-shkurt. Edhe ky është një variant i emrit britëm (C. Malte-Brun).
Dystros është një muaj që nuk figuron tek kalendarët grekë, prandaj mund të ketë lidhje me shqipen “dyst” = rrafsh apo shesh, por se tani nuk mund të japim ndonjë shpjegim për këtë emërtim.
Daisios (maj-qershor) është emër mjaft i përhapur ndër ilirë, dhe ka kuptimin “dash”. Ndoshta ka lidhje me flijimet e bëra në atë kohë.
Loos (korrik-gusht), sipas Malte-Brunit shpjegohet me emrin Lonar që e përdorin shqiptarët për korrikun në kalendarin e ri.
Gorpiaios (gusht-shtator), duhet të ketë lidhje me fjalën shqipe ‘gjarpër’, ‘gjarpij’.
Malte-Bruni përmend dhe një shprehje të fshatarëve maqedonë ‘Krios’ të cilën ai e lidh etimologjikisht me muajin shqip ‘qershor’.

Kalendari iliro-epirot
Ky ishte varianti iliro-epirot i kalendarit lunisolar grek. Ky kalendar përdorej në Ilirinë jugore, Epir dhe në ishullin e Korfuzit. Mekanizmi më i vjetër llogaritës i quajtur “mekanizmi i Antikytherës” nga shekulli I p.e.s. që shërbente si kalkulator mekanik për njehësimin e kohës, i gjetur në detin Egje, punonte sipas këtij kalendari. Muaji i parë është emërtuar sipas qytetit epirot Phoinike (sot Finiqi afër Sarandës).
Lista e muajve:
1. Phoinikaios
2. Kraneios
3. Lanotropios
4. Machaneus
5. Dodekateus
6. Eukleios
7. Artemisios
8. Psydreis
9. Gameilios
10. Agrianios
11. Panamos
12. Apellaios

Në regjionin ku përdorej ky kalendar, gjendej dhe Dodona, ku mbaheshin çdo katër vjet lojërat sportive të quajtura Naa (R. Hannah).
Kalendari romak (Kalendari i ri apo i sotëm)
Kalendari që ne përdorim sot është kalendar romak. Në bazë të evoluimit të disa emrave si april-prill dhe august-gusht, ku shihet rënia e a-së nga emrat antikë, dukuri që ka ndodhur në gjuhën shqipe (E. Çabej), mund të thuhet se ky kalendar është përdorur nga një pjesë e popullit shqiptar që nga koha romake, pa ndërprerje. Muajt e këtij kalendari kanë vetëm 28, 29, 30 apo 31 ditë. Në zanafillë kanë qenë muaj hënorë dhe zgjasnin 29.5 ditë. Ndryshimet e mëvonshme gjatë kohës antike, kanë bërë që muajt e këtij viti të mos kenë paralelizëm të plotë me ciklin hënor, duke qenë për 1-2 ditë më të gjatë (R. Hysa).
Muaji i parë i vitit, janari, në të kaluarën është quajtur kallnor, kallnduer, që duhet të vijë nga fjala ‘kalendar’ (Rr. Zojzi). Emri kollozhek që është ruajtur diku-diku, është huazim nga bullgarishtja. Emri kallndor është përdorur që nga koha antike.
Muaji i dytë, është quajtur gjithnjë fruer, fror, që rrjedh nga lat. februar. Edhe ky duke gjykuar në bazë të evoluimit të emrit, duhet të jetë përdorur nga koha antike.
Muaji i katërt, prilli, rrjedh nga emri i Afroditës. Kjo hyjneshë me prejardhje pellazge me kuptimin ‘afron-ditën’ (A. Kolja), tek mesapët dhe etruskët u quajt Aprodita (N. V. Falaski). Nga kjo muaji u quajt Aprilis në latinisht (W. O’Neil). Dita e parë (1 prill) i kushtohej po kësaj hyjneshe dhe quhej Veneralia (W. W. Fowler). Kjo nga ana tjetër tregon për një lidhje apo ngjashmëri mes kalendarit romak dhe kalendarit të lashtë shqiptar në kohën antike, meqenëse prilli është i vendosur tërësisht brenda periudhës kur është “Pranvera” në kalendarin e lashtë, që ne e shpjeguam se rrjedh nga emri i po të njëjtës hyjneshë (Prenda). Kjo dhe ngjashmëri tjera që i përmendëm, si p.sh ditët e ujqve në dimër dhe Luperkalia romake më 15 shkurt, Festa e Zanave më 6 gusht dhe e Dianës romake më 15 gusht, janë përkime që flasin për një zanafillë të përbashkët pellazgjike të këtyre kalendarëve, ose në të kundërt për një ndikim të fortë të ilirëve mbi kulturën romake.
Muaji romak ‘jun’, ose u shqipërua nga ana e popullit si qershor, në bazë të qershive, ose në të kundërt siç mendon Malte-Bruni do të ketë qenë përdorur që më parë nga iliro-maqedonët dhe vetëm i është mbivënë si emër muajit romak.
Muaji romak ‘jul’ tek shqiptarët u quajt korrik, sepse hynte i tëri brenda asaj periudhe, që në kalendarin e lashtë quhej “Korrik”.
Muaji gusht është derivat fonetik i emrit August. Kjo tregon që ky muaj është përdorur nga shqiptarët pa ndërprerje që nga koha e sundimit romak. Edhe këtij iu dha emri shqip djegagur.
Muajt shtator, tetor dhe nëntor, ndryshe quhen edhe britmi i parë, britmi i dytë dhe britmi i tretë. Një formë tjetër është vjeshtë (e parë, e dytë, e tretë).
Tetori, nëntori dhe dhjetori, janë quajtur edhe me emra shenjtorësh: tetori – shmitri, nëntori – shëmhilli, dhjetori – shëndreu, sipas festave që mbaheshin në këta muaj nga ana e besimtarëve të krishterë.
Emërtime të tjera në shqip që janë përdorur: për dhjetorin – dimëror, nëntorin – brymuer apo brymor, etj.
Përfundim
Siç shihet kalendari romak nuk ka ndikuar aspak mbi kelandarin e lashtë shqiptar. Madje kjo shihet edhe në përdorimin e tyre paralel, si kalendari i lashtë me emra burimorë shqip (p.sh. Kryet e motmotit) dhe kalendari romak zakonisht me emra krishterë (p.sh. Shëngjergji). Në të vërtetë kalendari i lashtë, siç e shtjelluam më lart, ka ndikuar në kalendarin romak në përdorim brenda Shqipërisë, duke i dhënë emra shqip disa muajve. Rrjedhimisht, kalendari i lashtë në formën e pastër siç është ruajtur është një pasuri e madhe e folklorit dhe qytetërimit shqiptar. Ndërsa kalendarët e tjerë, iliro-epirot dhe maqedon, si dhe kalenari romak me ndikime nga folklori shqiptar, paraqesin gjithashtu një pasuri kulturore të së kaluarës iliro-shqiptare.
_____________________
Literatura:

1. “The Seven Day Circle: The History and Meaning of the Week”, Eviatar Zerubavel
2. Buletini i Institutit të Shkencavet, “Gjurmët e nji kalendari primitiv në popullin t’onë”, Rrok Zojzi, vj. 1949, Nr. 31, fq. 85-112
3. “Prozë popullore nga Drenica”, Anton Çetta
4. “Mitologjia ndër shqiptarë”, Mark Tirta, Tiranë, 2004
5. “The Dictionary of Albanian Religion, Mythology and Folk Culture”, Robert Elsie
6. “Kanuni i Lekë Dukagjinit – varianti i Pukës”, Xhemal Meçi
7. “Tradita bujqësore të shqiptarëve”, Spiro Shkurti
8. “Fjalor i Astronomisë”, Ramazan Hysa, 1978
9. “The Albanians: an ethnic history from prehistoric times to the present” Edwin E. Jacques
10. “The Greeks in Bactria and India”, William Woodthorpe Tarn (faqe 64)
11. “Civil calendar and lunar calendar in ancient Egypt”, L. Depuydt, (faqe 13)
12. “Origines kalendariæ Hellenicæ; or, The history of the primitive calendar among the Greeks”, Edward Greswell
13. “Calendars in Antiquity: Empires, States, and Societies”, Universiteti Oksfordit, (faqe 257)
14. “Greek and Roman Chronology: Calendars and Years in Classical Antiquity”, Volume 1, Part 7, Alan Edouard Samuel (faqe 84)
15. “Time in Antiquity”, Robert Hannah (90)
16. “Universal Geography, Or, A Description of All Parts of the World”, Conrad Malte-Brun, (faqe 110)
17. “Pellazgët, ilirët, etruskët, shqiptarët”, Nermin Vlora Falaski, Prishtinë, 2004 (faqe 169, 170)
18. “Time and the Calendars”, William M. O’Neil, (faqe 82)
19. “The Roman Festivals of the Period of the Republic” W. Warde Fowler, (faqe 67)
20. “Fjalor i gjuhës shqipe”, Instituti i shkencavet, Tiranë, 1954 
21. “Gjuha e perëndive”, Aristidh Kolja
22. “Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve”, Aristidh Kolja
23. Prof. Dr. Ukë Xhemaj, intervistë, http://www.sa-kra.ch/festashengjergj.htm
24. “Studime gjuhësore”, V, Eqrem Çabej, Prishtinë, 1975
25. “Trajtime dhe studime etnologjike”, Kadri Halimi, (faqe 300)

(FUND)

…………………………………….

PJESA E PARË
GENC KASTRATI: KALENDARËT E SHQIPTARËVE(I)
KLIKONI KËTU: http://www.pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=1642

=============================
SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG
KUSH ËSHTË RROK ZOJZI

Rrok Zojzi, lindi më 16 nëntor të vitit 1910 në Shkodër, ishte etnolog shqiptar. Lindi në Shkodër në një familje zejtare. Pasi mori arsimin e mesëm në qytetin e lindjes, duke bërë detyrën e arsimtarit, u mor edhe me alpinizëm, me kërkime, gjeografi e sidomos në fushën e etnokulturës. Gjatë viteve ‘30-’40 ai bëhet i njohur me shkrimet në revistat “Hylli i Dritës”, “Drini”, “Vatra shqiptare”, etj. Në vitin 1942 Zojzi përgatiti 34 ligjërata gjeografiko-etnologjike, për Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit, që u shfrytëzuan nga radio “Tirana”, radio “Korça” e radio “Kosova”. Në vitin ‘46 e motra, Maria dhe burri i saj u pushkatuan gjatë rezistencës antikomuniste të Postribës dhe kjo do ndikonte në jetën e Rrokut, i cili gjithnjë është parë si njeri me “cene në biografi”. Një prej kolegëve të tij, prof.dr. Mark Tirta, tregon se vite më parë, shkencëtarët e Zagrebit ngulnin këmbë pranë zyrtarëve shqiptarë që Zojzin ta merrnin si punonjës pranë Akademisë së Shkencave në Kroaci. Zojzi filloi punë në Institutin e Shkencave në vitin 1947, duke u bërë themeluesi i sektorit të studimeve etnologjike shqiptare. “Që në fillim i kushtoi kujdes të veçantë krijimit e zgjerimit të bazës materiale për studime shkencore, krijoi arkivin e objekteve muzeale që nën drejtimin e tij arriti deri në 22 mijë njësi. Bëri eksplorime në vise të ndryshme të virgjëra të Shqipërisë, për të mbledhur të dhëna studimi dhe për të gjurmuar e fotografuar objektet muzeore që shërbenin për arkiv”, – tregon Tirta, duke shtuar se krahas arkivit të objekteve muzeore, Zojzi krijoi fototekën, skicotekën, arkivin e dorëshkrimeve, të përkthimeve e të dokumentacionit të burimeve të ndryshme të shkruara. Madje në vitin 1948 nën drejtimin e tij u ngrit Muzeu Etnologjik Kombëtar. Prej vitit ‘47 ka punuar si etnolog pranë Institutit të Shkencave, deri sa doli në pension në vitin 1976. Ishte një nga themeluesit e shkencës së etnografisë në Shqipëri. I ngacmuar nga pasioni për të zbuluar të lashtën dhe për ta krahasuar atë me kulturën e sotme dhe për të dalë në konkluzione të drejta shkencore, e bëri atë që të shkelë disa herë, thuajse në të gjitha zonat etnografike të Shqipërisë. Rrok Zojzi ishte etnografi i hulumtimeve të thella dhe të besueshme. Duke qenë njohës i mirë i disa gjuhëve i gjermanishtes, frëngjishtes e italishtes, ai voli traditën më të mirë bashkëkohore, për të ndërtuar strukturat e etnologjisë shqiptare. Sipas profesor Tirtës, Zojzi shquhej për praktikën e veçantë të punës. “Pak a shumë ndoqi metodën që dikur kishte praktikuar Franc Nopça në eksplorime: në çdo vend ku kalonte vërente, merrte shënime e jepte gjykime për gjithçka, e studionte etnokulturën në kompleks”, – thotë etnologu. “Rrok Zojzi është i pari në historinë e etnologjisë shqiptare që hartoi anketa e pyetësorë për probleme të veçanta të etnokulturës e i shpërndau në tërë viset e Shqipërisë, sidomos ndër arsimtarë, e janë marrë përgjigje sipas fakteve të terrenit”, – vazhdon Tirta. Jo më kot e thërrisnin “arusha e maleve”, apo “alpinisti”. “Pati intelektualë të nivelit të dijes bashkëkohore që e përkrahën dhe e vlerësuan punën e tij shkencore, po pati jo pak “shkencëtarë” partiakë që e nëpërkëmbën, e keqtrajtuan, e penguan në punë, e ulën moralisht e nuk e lanë të ecte përpara. Kontaktet e diskutimet me të huajt, në shumicën e rasteve, kanë qenë për të “mollë e ndaluar”. Ka pasur ftesa për veprimtari shkencore nga Italia, Franca, Gjermania e Rumania, gjithnjë me shpenzime të palës pritëse, por asnjëherë nuk u lejua të shkojë, si njeri me “cene biografike”, – tregon Tirta, duke shtuar se gjatë viteve ‘70-’80 ka pasur 30 ftesa për në Prishtinë, po as atje nuk u lejua. Sipas Mark Tirtës, edhe një herë që u lejua të shkonte në Suedi, vetëm falë ndërhyrjes së Nexhmije Hoxhës. Megjithatë shkencëtarët e huaj e kanë vlerësuar shumë punën e Zojzit, të cilët jo rrallë herë e kanë cituar në studimet e tyre. Ai ka lënë një pasuri të tërë studimesh e materialesh burimore. Shumë syresh janë të botuara në formën e studimeve e në revista të ndryshme, të cilat nuk janë përbledhur në ndonjë botim të vetëm, ndërsa të tjera janë të pabotuara e ruhen në arkivat e Institutit të Kulturës Popullore. Duke u bërë pre jo rrallë herë edhe e “vjedhjeve” prej pseudostudiuesve, që i kanë paraqitur ato si studimet e tyre. “Zojzi është i pari që ka mbledhur në mënyrën më të gjerë të drejtën kanunore të Labërisë, që deri sot mbeti pa u sitemuar e pa u botuar e për më keq, duke u shfrytëzuar nga njëri e nga tjetri me kriter e pa kriter”, – thotë Tirta. Rrok Zojzi ka lënë një numër të madh studimesh të botuara në revista shkencore si: “Gjurmët e një kalendari primitiv në popullin tonë”, “Studime mbi veshjet kombëtare”, “Traditat e lundrimit në Shqipëri”, “Mbi të drejtën kanunore të popullit shqiptar”, “Gjurmë arkaike në veshjet tradicionale të popullit shqiptar”, “Arti popullor në Shqipëri”, e shumë të tjera. Ndërkohë që sipas etnologut Mark Tirta, ka të pabotuara në arkivat e Institutit të Kulturës Popullore një monografi rreth 100 faqe për Gjeçovin, studime për Çamërinë, studime mbi luginën e Shkumbinit, përmbledhje për Labërinë, etj. Mendohet se të tjera materiale e studime, mes të cilave dhe një monografi për Franc Nopçën ndodhen në shtëpinë e tij. (Alma Mile: Rrok Zojzi mes mitit dhe harresës, gazeta Shekulli 17/11/2005)

RROK ZOJZI – MES MITIT DHE HARRESËS

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura