GENC KASTRATI: KALENDARËT ILIRO – SHQIPTARË (2)

Prishtinë, 14. 03. 2015 – (Kalendari maqedon) – Ky ishte një kalendar i maqedonëve të lashtë, që në periudhën helenistike, adoptuan strukturën e kalendarit babilonas në mbretërinë e Seleukëve[43], dhe strukturën e kalendarit egjiptian në mbretërinë e Ptolemejve, ndërsa ruajtën emrat e muajve maqedonë[44]. Ai ka qenë fillimisht një kalendar i pastër diellor, një variant lokal i kalendarit të lashtë shqiptar, por gjatë shekullit IV p.e.s., tok me helenizimin sipërfaqësor të elitës maqedone, ndodhi dhe helenizimi i kalendarit, duke e futur në përdorim edhe ciklin hënor (lunar). Rrjedhimisht, ai do të kthehej në luni-solar[45]. Ndikimi helen shihet edhe në emrat e disa muajve si ‘Artemision’ sipas hyjneshës Artemida, muaji Panemos që gjendet edhe në kalendarët e ndryshëm të poliseve helene, etj. Përshtatja me kalendarët aziatikë ka ndodhur më vonë pas pushtimeve të Lekës së Madh. Neve na interesojnë emrat e muajve, një pjesë e të cilëve gjejnë shpjegim në shqip ose me emrat e muajve të kalendarit shqiptar.
Emrat e muajve maqedonë:
Hyperberetaios
Dios
Apellaios
Audnaios
Peritios
Dystros
Xanthikos
Artemisios
Daisios
Panemos
Loos
Gorpiaios[46]

Nga këta emra po veçojmë ata që mund të lidhen me shqipen:
Hyperberetaios është kompozitë, ku pjesa e dytë ‘beretaios’ ka lidhje etimologjike me emrin shqip britmi[47]. Në kalendarin e ri shqiptar përdoren muajt britmi i parë (shtator), britmi i dytë (tetor) dhe britmi i tretë (nëntor). Muaji hyperberetaios i bie nga fundi i shtatorit deri në fund të tetorit.

Dios është një emër i lashtë ilir për Zeusin, duke u nisur nga fakti se varianti ‘Deipaturos’ konsiderohet tradicionalisht si emri ilir për Zeusin ‘Ati i qiellit’[48]. Kjo vërehet edhe tek emri Diona, gruaja e Zeusit, kulti i së cilës në Epir ishte kult shtetëror si dhe tek fakti se Dios ishte një muaj autokton në kalendarin e fisit ilir të Perrhebejve[49] Peritios i bie në janar-shkurt. Edhe ky është një variant i emrit britëm[50].
Dystros është një muaj që nuk figuron tek kalendarët grekë, prandaj mund të ketë lidhje të mundshme me shqipen ,,dyst’’ që nënkupton një rrafsh ose shesh.
Daisios (maj-qershor) është emër mjaft i përhapur ndër ilirë, ku vlen të përmenden motërzime të tij në format antroponimike Dassus, Dassius, Dazos si dhe tek etniku Dassaretae. Ai mund të përqaset me shqip. ,,dash’’. Ndoshta ka lidhje me flijimet e bëra në këtë muaj.
Loos (korrik-gusht), sipas Malte-Brun shpjegohet me emrin Lonar që e përdorin shqiptarët për korrikun në kalendarin e ri.[51] Malte-Bruni në këtë rast gabon, pasiqë muaji lonar i shqipes vje nga greqishtja ‘allonar’ që dmth ‘shirës’ pra muaji i shirjeve, ndërsa Loos për mendimin tim do të duhej të lidhej me fjalën shqipe ‘lëm’, (lëmi i grurit, ‘lama e grunit’).
Gorpiaios (gusht-shtator), duhet të ketë lidhje me fjalën shqipe ‘gjarpër’, ‘gjarpij’. Nga vezët e bollës çelin të vegjlit pikërisht gjatë kësaj kohe, të shtojmë dhe faktin se kulti i gjarpërit ishte i përhapur ndër parardhësit e shqiptarëve pa dallim, prandaj emri i muajit duket i përligjur kah ana kuptimore.
Malte-Brun përmend dhe një shprehje të fshatarëve maqedonë ‘Krios’ të cilën ai e lidh etimologjikisht me muajin shqip ‘qershor’.[52] Por edhe këtu nuk pajtohem me të, pasiqë Krios duket më afër fjalës shqipe ngrijës, për më tepër fjala shkrij rrjedh pikërisht nga -krij, duke i shtuar pjesën mohuese ‘sh’.
Kalendari iliro-epirot
Ky ishte varianti iliro-epirot i kalendarit lunisolar grek. Ky kalendar përdorej në Ilirinë jugore, Epir dhe në ishullin e Korfuzit. Mekanizmi më i vjetër llogaritës i quajtur “mekanizmi i Antikytherës” nga shekulli I p.e.s. që shërbente si përllogaritës mekanik për njehësimin e kohës, i gjetur në detin Egje, punonte sipas këtij kalendari.
Lista e muajve:
1. Phoinikaios
2. Kraneios
3. Lanotropios
4. Machaneus
5. Dodekateus
6. Eukleios
7. Artemisios
8. Psydreis
9. Gameilios
10. Agrianios
11. Panamos
12. Apellaios

Në trevat ku përdorej ky kalendar, gjendej dhe tempulli i Dodonës, ku mbaheshin për çdo katër vjet lojërat sportive të quajtura Naa[53].
Kalendari romak (Kalendari i ri apo i sotëm)
Kalendari që ne përdorim sot është ai romak. Në bazë të evoluimit të disa emrave si april-prill dhe august-gusht, ku shihet rënia e a-së nga emrat antikë (dukuri fonetike që ka ndodhur në gjuhën shqipe), mund të thuhet se ky kalendar është përdorur nga një pjesë e shqiptarëve që nga koha romake, pa ndërprerje. Muajt e këtij kalendari kanë vetëm 28, 29, 30 apo 31 ditë. Në zanafillë kanë qenë muaj hënorë dhe zgjasnin 29.5 ditë. Ndryshimet e mëvonshme gjatë kohës antike, bënë që muajt e këtij viti të mos kenë paralelizëm të plotë me ciklin hënor, duke qenë për 1-2 ditë më të gjatë.[54] [55] Muaji i parë i vitit, janari, në të kaluarën është quajtur kallnor, kallnduer, që duket se vjen nga fjala ‘kalendar'[56]. Emri kollozhek që është ruajtur pjesërisht, është huazim nga bullgarishtja. Emri kallndor është përdorur që nga koha antike.
Muaji i dytë është quajtur gjithnjë ,,fruer’’ ose ,,fror’’rrjedh nga lat. februar. Edhe ky duke gjykuar në bazë të evoluimit të emrit, duhet të jetë përdorur nga koha antike.
Muaji i katërt, prilli, rrjedh nga emri i Afroditës. Kjo hyjneshë me prejardhje pellazge me kuptimin ‘afron-ditën'[57], tek mesapët dhe etruskët u quajt Aprodita[58], dhe nga kjo muaji u quajt Aprilis në latinisht[59]. Dita e parë (1 prill) i kushtohej po kësaj hyjneshe dhe quhej Veneralia[60]. Kjo nga ana tjetër tregon për një lidhje apo ngjashmëri mes kalendarit romak dhe kalendarit të lashtë shqiptar në kohën antike, meqenëse prilli është i vendosur tërësisht brenda periudhës kur është “Pranvera” në kalendarin e lashtë, që ne e shpjeguam se rrjedh nga emri i po të njëjtës hyjneshë (Prenda). Kjo dhe ngjashmëri tjera që i përmendëm, si p.sh ditët e ujqve në dimër dhe Luperkalia romake më 15 shkurt, Festa e Zanave më 6 gusht dhe e Dianës romake më 15 gusht, janë përkime që flasin për një zanafillë të përbashkët ballkanike të këtyre kalendarëve, ose në të kundërt për një ndikim të fortë të ilirëve mbi kulturën romake.
Muaji romak ,,jun’’, ose u shqipërua nga shqiptarët si qershor, në bazë të qershive, ose në të kundërt siç mendon Malte-Brun duhet të ketë qenë përdorur qysh më parë nga iliro-maqedonët dhe vetëm i është mbivënë si emër muajit romak.
Muaji romak ,,jul’’ tek shqiptarët u quajt korrik, sepse hynte i tëri brenda asaj periudhe, që në kalendarin e lashtë quhej “Korrik”.
Muaji gusht është derivat fonetik i emrit ’’August’’. Kjo tregon që ky muaj është përdorur nga shqiptarët pa ndërprerje që nga koha e sundimit romak. Edhe këtij iu dha emri shqip ,,djegagur’’.
Muajt shtator, tetor dhe nëntor, ndryshe quhen edhe britmi i parë, britmi i dytë dhe britmi i tretë. Një formë tjetër është vjeshtë (e parë, e dytë, e tretë), e cila poashtu është huazuar nga muaji “Vjeshtë” i kalendarit të lashtë.
Tetori, nëntori dhe dhjetori, janë quajtur edhe me emra shenjtorësh: tetori – shmitri, nëntori – shëmhilli, dhjetori – shëndreu, sipas festave që mbaheshin në këta muaj nga ana e besimtarëve të krishterë.
Emërtime të tjera në shqip që janë përdorur: për dhjetorin – dimëror, për nëntorin – brymuer apo brymor, etj.
Nga kalendari romak kanë mbetur edhe festa. Kështu viti i ri romak që festohej me 1 mars, vazhdoi të festohej tek iliro-shqiptarët, por në kuadër të kalendarit julian pësoi zhvendosje për 13 ditë më vonë, e cila nuk u korrektua me rastin e reformës gregoriane. Prandaj sot në një pjesë të Shqipërisë së mesme, festohet “Dita e verës” më 14 mars, që e ka pra datën juliane të vitit të ri romak. Në këtë festë janë zhvendosur thuaja shumica e ritualeve të Kryemotit, siç janë verorja apo penjtë e dredhur me ngjyra, gjelbrimi si zbukurim i ndërtesave, etj. pasiqë edhe viti i ri romak ishte njëkohësisht fillim i vitit dhe fillim i verës. Kjo zhvendosje (nga Kryeviti më 1 mars), vërehet edhe tek rumunët[61], bullgarët,[62] etj. pasiqë ka ndodhur herët gjatë sundimit romak, dhe është trashëguar tek popujt mesjetarë të gadishulit Ballkanik, por siç shihet në zonat veriore nuk ka arritur të depërtojë, pasiqë kjo festë romake nuk njihet fare, ndërsa ritualet e Kryemotit kanë mbetur në datën e vet (6 maj).
Rezyme
Në këtë punim paraqitëm para lexuesit katër kalendarë më kryesorë të përdorur nga iliro-shqiptarët në periudha të ndryshme historike. Kalendari i lashtë shqiptar është më i vjetri ndër ta, dhe që i ka mbijetuar më së miri kohës, dhe i vetmi kalendar origjinal shqiptar. Kalendari maqedon ashtu siç na ka ardhur në ditët tona përmes dokumenteve historike, ka qenë një variant maqedon i kalendarit helen, ashtuqë kalendari helen u mor për bazë ndërsa emrat e muajve ishin pjesërisht në maqedonishte. Kjo vlen edhe për kalendarin iliro-epirot. Kalendari romak u imponua gjatë sundimit shekullor romak, por siç shihet nga argumentet e stivuara më lart, kalendari romak nuk ka ndikuar aspak mbi kalendarin e lashtë shqiptar. Madje kjo shihet edhe në përdorimin e tyre paralel, si kalendari i lashtë me emra burimorë shqip (p.sh. Kryet e motmotit) dhe kalendari romak zakonisht me emra të krishterë (p.sh. Shëngjergji). Në të vërtetë kalendari i lashtë, siç vumë në dukje më lart, ka ndikuar në kalendarin e përdorur në Romën e lashtë, ashtu edhe më vonë në kalendarin romak në përdorim brenda Shqipërisë, duke i dhënë emra shqip disa muajve. Rrjedhimisht, kalendari i lashtë në formën e pastër siç është ruajtur është një pasuri e madhe e folklorit dhe qytetërimit shqiptar.
Kalendari i lashtë ka gjithashtu një shtrirje në mbarë rojet shqiptare. Ai ka të njëjtën strukturë në cilëndo krahinë. Kjo tregon që ky kalendar është element kulturor me funksion unifikues për kombin shqiptar. Për dallim nga puna e zakonshme e etnologëve që përfshin kryesisht shtjellime teorike, artikulli im që nga fillimi i punimeve i është dedikuar edhe praktikës në terren, duke u bazuar në dëshirat e shumë njerëzve për të ruajtur e vazhduar më tej traditat shqiptare.
Ndërsa kalendarët e tjerë, iliro-epirot dhe maqedon, si dhe kalendari romak me ndikime nga folklori shqiptar, paraqesin gjithashtu një pasuri kulturore të së kaluarës iliro-shqiptare, dhe të dhëna me rëndësi për shkencën e historisë.

– FUND –

________________
Literatura:
1. Mark Tirta, “Mitologjia ndër shqiptarë”, Tiranë, 2004
2. Rrok Zojzi, Buletini i Institutit të Shkencavet, “Gjurmët e nji kalendari primitiv në popullin t’onë”, vj. 1949, Nr. 31, fq. 85-112
3. Robert Elsie, “The Dictionary of Albanian Religion, Mythology and Folk Culture”,
4. Eviatar Zerubavel, “The Seven Day Circle: The History and Meaning of the Week”,
5. Anton Çetta “Prozë popullore nga Drenica”,
6. Xhemal Meçi “Kanuni i Lekë Dukagjinit – varianti i Pukës”, Tiranë, 1997
7. Spiro Shkurti, “Tradita bujqësore të shqiptarëve”,
8. Ramazan Hysa, “Fjalor i Astronomisë”, 1978
9. Eqrem Çabej, “Studime gjuhësore”, V, Prishtinë, 1975
10. William Woodthorpe Tarn, “The Greeks in Bactria and India”,
11. L. Depuydt, “Civil calendar and lunar calendar in ancient Egypt”,
12. Edward Greswell, “Origines kalendariæ Hellenicæ; or, The history of the primitive calendar among the Greeks”,
13. Universiteti Oksfordit, “Calendars in Antiquity: Empires, States, and Societies”,
14. Alan Edouard Samuel, “Greek and Roman Chronology: Calendars and Years in Classical Antiquity”, Volume 1, Part 7,
15. Robert Hannah, “Time in Antiquity”,
16. Conrad Malte-Brun, “Universal Geography, Or, A Description of All Parts of the World”,
17. Nermin Vlora Falaski, “Pellazgët, ilirët, etruskët, shqiptarët”, Prishtinë, 2004
18. William M. O’Neil, “Time and the Calendars”,
19. W. Warde Fowler, “The Roman Festivals of the Period of the Republic”
20. Instituti i shkencavet, “Fjalor i gjuhës shqipe”, Tiranë, 1954
21. Howard H. Scullard, “A History of the Roman World”,
22. Kadri Halimi,”Trajtime dhe studime etnologjike”,
23. Skënder Anamali, Hëna Spahiu, “Stoli arbërore”,Tiranë, 1988,
24. Richard Francis Burton, “Camoens: His Life and His Lusiads” – Volumes 3-4
25. Jörg Rüpke, “The Roman Calendar from Numa to Constantine: Time, History, and the Fasti”,
26. Benjamin W. Forston, Indo-European Language and Culture: An Introduction, 2011
27. Alan Edouard Samuel, “Greek and Roman Chronology: Calendars and Years in Classical Antiquity”, Volume 1, Part 7
28. Carleton Coon, “The Races of Europe”,
29. Aedh Rua, “Celtic Flame: An Insider’s Guide to Irish Pagan Tradition”,
30. Christopher R. Fee, “Gods, Heroes, & Kings : The Battle for Mythic Britain”,
31. Demush Shala, “Letërsia popullore shqiptare”, Prishtinë, 1974,
32. John Bell, “Bell’s New Pantheon; Or, Historical Dictionary of the Gods, Demi-gods, Heroes and fabulous personages of Antiquity”,
33. D. M. Murdock, “Acharya S, Christ in Egypt: The Horus-Jesus Connection”,
34. Deborah L. Kopka, “Eastern Europe and Russia”,
35. Mercia MacDermott, “Bulgarian Folk Customs”,

________________________________________
[1] Rrok Zojzi, “Gjurmët e nji kalendari primitiv në popullin t’onë”, Buletini i Institutit të Shkencavet, vj. 1949, Nr. 31, fq. 85-112
[2] Ramazan Hysa, Fjalor i astronomisë, fq. 145
[3] Mark Tirta, “Mitologjia ndër shqiptarë”, Tiranë, 2004, fq. 253 dhe 256
[4] Rrok Zojzi, “Gjurmët e nji kalendari primitiv në popullin t’onë”, Buletini i Institutit të Shkencavet, vj. 1949, Nr. 31, fq. 85-112
[5] Rrok Zojzi, “Gjurmët e nji kalendari primitiv në popullin t’onë”, Buletini i Institutit të Shkencavet, vj. 1949, Nr. 31, fq. 85-112
[6] Rrok Zojzi, “Gjurmët e nji kalendari primitiv në popullin t’onë”, Buletini i Institutit të Shkencavet, vj. 1949, Nr. 31, fq. 85-112
[7] Në trevat e Kosovës, këto të dhëna janë përcjellur nëpër breza dhe ende mund të dëgjohen nga të vjetrit.
[8] Mark Tirta, “Mitologjia ndër shqiptarë”, Tiranë, 2004, fq. 249
[9] Eviatar Zerubavel “The Seven Day Circle: The History and Meaning of the Week”, fq 12
[10] Eviatar Zerubavel “The Seven Day Circle: The History and Meaning of the Week”, fq 25
[11] Robert Elsie, “The Dictionary of Albanian Religion, Mythology and Folk Culture”, shih: “e marta” “e enjtja”
[12] Spiro Shkurti, “Tradita bujqësore të shqiptarëve”, fq. 122
[13] Spiro Shkurti, “Tradita bujqësore të shqiptarëve”, fq. 124
[14] Xhemal Meçi, “Kanuni i Lekë Dukagjinit – varianti i Pukës”, Tiranë, 1997, fq. 57
[15] Mark Tirta, “Mitologjia ndër shqiptarë”, Tiranë, 2004, fq. 39
[16] Anton Çetta, “Prozë popullore nga Drenica”, fq. 286
[17] Mark Tirta, “Mitologjia ndër shqiptarë”, Tiranë, 2004, fq. 377-379
[18] Robert Elsie, “The Dictionary of Albanian Religion, Mythology and Folk Culture”, shih: “Mastjani, Shën” dhe “Ndou, Shën”
[19] Robert Elsie, “The Dictionary of Albanian Religion, Mythology and Folk Culture”, shih: ” Gjon Pagëzori, Shën”, “Korrunat, Festa e të “, ” Ndou, Shën|”, “Rrëshajët”
[20] Mark Tirta, “Mitologjia ndër shqiptarë”, Tiranë, 2004, fq. 277
[21] Kadri Halimi, “Trajtime dhe studime etnologjike”, fq. 300
[22] Mark Tirta, “Mitologjia ndër shqiptarë”, Tiranë, 2004, fq. 261, 262
[23] Robert Elsie, “The Dictionary of Albanian Religion, Mythology and Folk Culture”, shih: “Mëria, Shën”
[24] Robert Elsie, “The Dictionary of Albanian Religion, Mythology and Folk Culture”, shih: “Aligjyni”
[25] Mark Tirta, “Mitologjia ndër shqiptarë”, Tiranë, 2004, fq. 116
[26] Robert Elsie, “The Dictionary of Albanian Religion, Mythology and Folk Culture”, shih: “Mëria, Shën”
[27] Xhemal Meçi, “Kanuni i Lekë Dukagjinit – varianti i Pukës”, Tiranë, 1997, fq. 127, 128
[28] Robert Elsie, “The Dictionary of Albanian Religion, Mythology and Folk Culture”, shih: “Dhimitri, Shën”
[29] D. M. Murdock, “Acharya S, Christ in Egypt: The Horus-Jesus Connection”, fq. 82,
[30] John Bell, “Bell’s New Pantheon; Or, Historical Dictionary of the Gods, Demi-gods, Heroes and fabulous personages of Antiquity”, fq. 141, shih “Brumae”
[31] Demush Shala, “Letërsia popullore shqiptare”, Prishtinë, 1974, fq. 16
[32] Howard H. Scullard, “A History of the Roman World”, fq. 9, 19
[33] Robert Elsie, “The Dictionary of Albanian Religion, Mythology and Folk Culture”, shih: “Vlashi, Shën”
[34] Robert Elsie, “The Dictionary of Albanian Religion, Mythology and Folk Culture”, shih: “Todorja”
[35] Christopher R. Fee, “Gods, Heroes, & Kings : The Battle for Mythic Britain”, fq. 65
[36] Aedh Rua, “Celtic Flame: An Insider’s Guide to Irish Pagan Tradition”, fq. 100
[37] Carleton Coon, “The Races of Europe”, http://www.theapricity.com/snpa/chapter-VI3.htm
[38] Robert Elsie, “The Dictionary of Albanian Religion, Mythology and Folk Culture”, shih: “Thanasi, Shën”
[39] Robert Elsie, “The Dictionary of Albanian Religion, Mythology and Folk Culture”, shih: “Nevruzi”, “Zonja Nunciatë”, “Dita e Verës”
[40] Skënder Anamali, Hëna Spahiu, “Stoli arbërore”,Tiranë, 1988, fq. 39, fig. 55, figura këtu është ripunuar nga autori sa për paraqitje
[41] Skënder Anamali, Hëna Spahiu, “Stoli arbërore”,Tiranë, 1988, fq. 79
[42] Skënder Anamali, Hëna Spahiu, “Stoli arbërore”,Tiranë, 1988, fq. 48, fig. 78
[43] William Woodthorpe Tarn, “The Greeks in Bactria and India”, fq. 64
[44] L. Depuydt, “Civil calendar and lunar calendar in ancient Egypt”, fq. 13
[45] Edward Greswell, “Origines kalendariæ Hellenicæ; or, The history of the primitive calendar among the Greeks”, fq. 186-187
[46] Universiteti Oksfordit, “Calendars in Antiquity: Empires, States, and Societies”, fq. 257
[47] Conrad Malte-Brun, “Universal Geography, Or, A Description of All Parts of the World”, fq. 110
[48] Benjamin W. Forston, Indo-European Language and Culture: An Introduction, 2011, fq. 465
[49] Alan Edouard Samuel, “Greek and Roman Chronology: Calendars and Years in Classical Antiquity”, Volume 1, Part 7, fq. 84
[50] Conrad Malte-Brun, “Universal Geography, Or, A Description of All Parts of the World”, fq. 110
[51] Conrad Malte-Brun, “Universal Geography, Or, A Description of All Parts of the World”, fq. 110)
[52] Conrad Malte-Brun, “Universal Geography, Or, A Description of All Parts of the World”, fq. 110)
[53] Robert Hannah, “Time in Antiquity”, fq. 90
[54] Jörg Rüpke, “The Roman Calendar from Numa to Constantine: Time, History, and the Fasti”,
fq. 41-43
[55] Ramazan Hysa, “Fjalor i astronomisë”, fq. 143, 144
[56] Rrok Zojzi, “Gjurmët e nji kalendari primitiv në popullin t’onë”, Buletini i Institutit të Shkencavet, vj. 1949, Nr. 31, fq. 85-112
[57] Richard Francis Burton, “Camoens: His Life and His Lusiads” – Volumes 3-4 – fq. 89
[58] Nermin Vlora Falaski, “Pellazgët, ilirët, etruskët, shqiptarët”, Prishtinë, 2004 fq. 169, 170
[59] William M. O’Neil, “Time and the Calendars”, fq. 82
[60] W. Warde Fowler, “The Roman Festivals of the Period of the Republic” fq. 67
[61] Deborah L. Kopka, “Eastern Europe and Russia”, fq. 102
[62] Mercia MacDermott, “Bulgarian Folk Customs”, fq. 190

…………………………………………………………..
PJESA E PARË:
GENC KASTRATI: KALENDARËT ILIRO – SHQIPTARË (1)
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=3713

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura