GILBERT GARDES: KOSOVA – NJË VEND PARADOKSAL (2)

Pashtriku.org, 27. 09. 2016: Me tezën e Mathieu Aref, “Hulumtim mbi Pellazget në zanafillen e qyterërimit grek 9” dhe kartën arkeologjike të Kosovës e publikuar nga Instituti arkeologjik i Kosovës, qartësohet kërkimi mahnitës i rrënjëve të kujtesës shqiptare që kontribuon në mënyrën e vet në mitin e rikthimit të vazhdueshëm. Të ripërvetësosh kohën e kaluar, të bësh një lloj ekspansioni mendor në vend të një ekspansioni territorial është urtësi. Fitorja mbi të ardhmen fillon me ripërvetësimin paqësor të së kaluarës.
Ky kantier i përhershëm mundëson të vërtetohet se civilizimet e tre popujve të lashtë të shquar kanë pasuar njëri tjetrin në territorin e Kosovës. Secili ka gjuhën e tij, me dialektet e saj të mundshëm, gjuhë gojore më shumë se e shkruar. Pellazgët mendohet të kenë qenë banorët e parë, Ilirët pasuan, nën emërtimin topografikë Dardanë. Të ardhur nga Lindja, historia e tyre mitike i lidhë ata me Dardani 10. Nga bashkimi i tyre në Dardanië lindin albanët, emër i dhënë më vonë kësaj popullate e cila vet riemërohet me emrin Shqiptar.
Çështja e raporteve me “grekët” përparon. Ky emërtim fsheh një përzierje etnish ndër më kryesorët prej të cilave janë edhe Pellazgët, që jetonin në ato territore para Dorianëve dhe Egjipto-fenikasve të ardhur në shekullin e VIII para erës sonë. Sado e largët të jetë, ekziston një lidhje gjaku ndërmjet grekëve dhe shqiptarëve. Mbase kjo mund të shpjegoj mentalitetin epik që kanë të përbashkët këta dy popuj.
Ndonëse një mori provash dëshmojnë një vazhdimësi etnike të pakontestueshme ndërmjet civilizimeve Pellazgë, Ilirë dhe shqiptar, mungon ende ”Guri i Rozetës11” që do të zgjidhte këtë puzzle (mister) gjuhësor. Sidoqoftë, një pjesë e madhe e etimonëve të shqipes bashkohore, të panjohura në të kaluarën, sqarojnë sot fjalë të lashta të cilat mbetën për tu përkthyer.
Sot, rrethimi është qarë. Banorët e Kosovës me dashamirësi dëgjojnë tinguj të huaj miqësore në vendin e tyre, aq më shumë që nga nevoja, të shumtë janë mërgimtarët që kanë “fërkuar trurin e tyre” me të tjerëve, siç do shprehej Montaigne12… Pas shekuj harrese, kujtesa shqiptare ringjallet dhe sjellë zgjidhje çështjeve polemike të kujtesës evropiane.

NGA KUJTESA E HUMBUR TE KUJTESA E RIKTHYER
Vetëdijesimi për ekzistencën e një trashëgimie shqiptare saktësohet kur, në botën e mbyllur të komunizmit, historianët të privuar nga marrëdhëniet ndërkombëtare, i kthehen studimit të “folklorit vendor”. Studimet e kulturës popullore shqiptare, Kërkimet albanologjike, revistat e publikuara, në shqip dhe në frëngjisht, të cilat u bën edhe vetë tani trashëgimi e pazëvendësueshme, i paraprijnë publikimeve të Institutit arkeologjik të Kosovës. Nderim këtyre pishtarëve të cilët, duke parafrazuar Rabelais13, do të mund të shpreheshin ” janë gurë të gjallë ata për të cilët shkruaj!”.
Përveç trashëgimisë së arkitekturës fetare, Kosova krijoi edhe një art e të banuarit të veçuar. Krijues, i përshtatur sipas vendeve, i mahnitshëm për gjenialitetin e strukturave të ndërtimit dhe konceptimin e shkathët të qarkullimeve, ky art vjen nga lashtësia por zhvillohet veçanërisht në shekullin XIX, duke u pasuruar edhe nga leksionet mbi rehatin të Osmaneve.
Restaurimi i një arkitekture në frymën e atyre që e kanë krijuar, më shumë se një mirësjellje ndaj brezave të ardhshëm, është një kërkim i të vërtetës së domosdoshme, ndryshe do rrezikohej të venitej imazhi i një kombit. Një dekadë studimi dhe vendqëndrimit (2005-2015) më mundëson të kem një vrojtim të ri, shumë disiplinor dhe të pavarur mbi trashëgiminë e ndërtuar të Kosovës, dhe të përshëndes përmirësimin e gjendjes së saj dhe vetëdijesimin në rritje të administratës dhe popullatës për këtë pasuri të përbashkët të njerëzimit. Paqja e rikthyer, çdo hapë i hedhur drejtë restaurimeve, largon ethet e luftës dhe rojet vrojtuese, kujdes i nevojshëm në kohëra të turbullta.
Të krahasohen gjendjet e njëpasnjëshme të një arkitekture para dhe pas restaurimit është mbresëlënëse në të gjitha kuptimet e fjalës. Restaurimi nënkupton ”kthimin në gjendjen autentike”, duke respektuar frymën origjinale të krijuesit të saj. Rinovimi nënkupton “kthimin e pamjes ose dukjes së re”, që të kënaqet syri i vrojtuesit të rëndomtë. Vepra bis që vjen si rezultat nuk është më autentike, por duket si e parë në një pasqyre shtrembëruese. Shikimi i një dublikate të tillë do të shtrembëronte kujtesën e brezave.
Restaurimi duhet të jetë i shpejt por jo i nxituar. Xhamia e Kaçanikut është një shembull i një rinovimi të mirë por i një restaurimi të diskutueshëm. Vërtetë, ndryshimet e më parme dhe niveli i degradimit përbëjnë pengesa por duhet të ketë një kujdes të veçantë që restaurimi të mos jetë në kundërshtim me historinë.
Një përmendore funerale si tyrbja e bukur zyrtare e sulltan Muratit nuk duhet të jetë shkas për mburrje të pavend, mbasi ashtu mund ta ndjejnë vizitorët shqiptarë të ndjeshëm. Ringjallja e antagonizmave në mes të islamit turk dhe krishterimit perëndimor nuk është qëllimi i synuar nga një restaurim, madje edhe nëse një karakter agresiv eventual, i qenësishëm në konceptimin e një monumenti ekziston, duhet të ruhet, por të shpjegohet me sqarimet e nevojshëm. Restaurimet duhet të jenë të paanshëm.
Shtatoret monumentale publike shqiptare në Kosovë, fillojnë të shfaqen zyrtarisht vetëm pas përkujtimit të njëqind vjetorit të Lidhjes së Prizrenit më 1978.
Shtatoret në këmbë të dy themeluesve të lirisë shqiptare, Abdyl Frashëri dhe të Ymer Prizrenit (nuk dihet përse Sylejman Vokshi, anëtar i kësaj treshe udhëheqëse, nuk ka qenë fare i paraqitur), i kanë nxjerrë mjaft telashe skulptorit, Agim Çavderbasha. Është dashur të zhvarrosën eshtrat e Ymer Prizrenit dhe të rindërtohet fytyra e kësaj figure e cila ishte rrahur gjerë në vdekje, mbasi nuk ekzistonte asnjë fotografi e tij. Të vandalizuara nga serbët, këto kryevepra u rrënuan dhe Ymer Prizreni u vra për së dyti.
Mundësia e krijimit të një skulpture monumentale publike të lirë shqiptare në Kosovë filloj vetëm pas viti 1999. E lehtësuar nga përdorimi i lehtë dhe çmimi i lirë të bronzit ngritja e kësaj trashëgimie metalike të re është e konsiderueshme. Çdo skulptor mund të jetë artizan i vet, si Luan Mulliqi, apo të përdorë shkritoren e Pjerin Kolnikajt, në Mënik, afër Tiranës.
Për krijimin e reliefëve, busteve, shtatoreve në këmbë dhe kalorëse artistët i referohen Odhise Paskalit “At i skulpturës shqiptare”. Kosova fillimisht falënderon Madelin Olbrajtin dhe Bill Clintonin duke i emëruar rrugët me emrat e tyre, ndërsa këtij të fundit iu bë një shtatore në Prishtinë nga skulptori Izedin Mustafa. Në këtë piedestal të mirënjohjes po ngritët pak nga pak një seri figurash e cila përmban joshjen e panteonit të Kosovës.
Kategoria e mirëbërësve, heronjve e martireve privilegjohet: Isa Boletini, Rexhep Bislimi (2012, Maksim Mero, skulptor) … Adem Jashari, i fortifikuar në shtëpinë e vet dhe i masakruar nga serbët me familje dhe përkrahësit e tij prej më shumë se 80 veta, mishëron figurën e heroit të flijuar. Ai ngërthen një tip të ri të komemoracionit. I ruajtur si një relikt fetar, tërësia e memorialit Adem Jashari ruhet si muze tragjik i tmerrit, siç është në Francë Oradour-sur-Glane 14 dhe është vend i një pelegrinazhi laik gjithpopullor.
Personalitetet katolike si Ndre Mjeda, Shtjefën Gjeçovi, Fan Noli (etj…) janë të njohur, ashtu si dhe atdhetarë erudit si Anton Çetta ( Fatmir T.H. Gjakova, skulptor).
Shqiptarët e Kosovës vazhdojnë kërkimin e tyre në kujtesën historike. Duke rindërtuar kujtesën heroike, ata zënë hapin e shekujve të humbur për t’iu bashkërenduar skulpturës perëndimore. Por kjo e fundit është zhvilluar në dobi të artit jo-figurativ dhe të temave jo historike, të lidhura me zbavitjen dhe gëzimin.
Pogradeci dhe Tirana e kanë zënë hapin. Kalimtari përshëndet qenin e vogël të poetit Lasgush Pogradeci i cili shëtitë zotërinë e vet, shtatorja e të cilit, vepër e Mumtas Dhramit, është më shumë portret se figurë.
Ndërkohë, dy figura të kudo ndodhura ndajnë kujtesën kolektive. Paradoks, ekzistenca e tyre i vendos ata në kufijtë e botëve të ndryshme, në mes të dy etnive, ashtu sikur shqiptarët, të shtrirë në udhëkryqin e civilizimeve të ndryshme.
I vlerësuar si themelues , bashkues, mbrojtës i Kombit dhe “pararojë e Krishterimit”, Gjergj Kastrioti, i njohur si Skënderbe (1405-1468) është portretizimi i shkëlqyeshëm i heroit shqiptar, përsosmëria dhe pasqyra e shndritshme e identitetit shqiptar. Një Shtatore kalorëse e tij është vënë fillimisht në Krujë (Janaq Paço, 1959), pastaj e dyta në Tiranë (nga Odhise Paskali, 1983) dhe e treta në Prishtinë ( 2001 sipas Janaq Paços).
Përmasat e këtij përkujtimi të shumëfishtë të heroit në kalë, veshur me koracë dhe i armatosur, shtatlartë, tejkalohet mirësjellshëm në Kosovë dhe në nivelin ndërkombëtar, nga një grua e vogël, Nënë Tereza (1910-1997), të cilës artistët mundohen rishtazi ti gdhendin sa më bukur fytyrën e vrazhdë por me një buzëqeshje të ëmbël, duke u dalluar nga njëri tjetri fal variacioneve subtile të vijave të kaltra të mbulesës së saj të bardhë. Dobësia triumfuese e dhjetëra figurave nga bronzi me tiparet e kësaj mirëbërëse të njerëzimit, në të cilën thirren si Shqiptarët edhe Maqedonët, vjen në kohën e duhur për të zbutur epshet luftarake.
KUJTESË APO ANTI KUJTESË? LUFTË APO PAQE?
Art politik, monumenti publik është një armë. Që nga revolucioni francez, kjo vegël demokratike i jep popullit, i cili supozohet të frymëzohet nga to, shembullin e elitave të zgjedhura për të frymëzuar kombin drejtë një ardhmërie më të mirë. Por, nëse keqpërdoret, skulptura politike shërben si instrument sundimi dhe falsifikon historinë.
Zhvillimi i ri i monumentit politik në Ballkan nuk është i rastësishëm. Çdo vend, nën pretekstin e përkujtimit të lavdisë së tij, thërret në piedestal dhe nën qiell armatën e panumërt të elitave të tij të vdekura.
Teatri i ballafaqimit në mes të sllavëve dhe shqiptarëve është vendosur në lindje, në mes të Kosovës dhe Maqedonisë, dhe vë në lojë edhe Greqinë. Si në teatrin e bulevardit15, grindja është çështje e trashëgimit. Ndarja e përkujtimit të Aleksandrit të Madh (Leka i Madh), dhe në një masë më të vogël të Nënë Terezës, është një nyje e pazgjidhshme e cila ngërthen motivime tjera.
Për të shmangur një konflikt të përgjithshëm, derdhja e bojës dhe bronzit në vend të barotit është një zgjedhje që duket e qëlluar para këtij rreziku. Luftërat ballkanike vazhdojnë me shtatore të ndërmjetme. Ashtu si dikur kampionet fyheshin me njëri tjetrin, mburreshin me kapadaillëkun e tyre, për tu tërhequr më në fund para se të vinte te derdhja e gjakut, edhe sot para syve tanë ndodh një “mbartje ”, madje një “psikodramë kolektive”.
“Fabula e gdhendur e dy Aleksandërve ” ngërthen një shembull bindës. Skena zhvillohet në Shkup, kryeqyteti i maqedon i pëlqyer nga shqiptarët e Kosovës, dikur vend përzierje në mes Dardanëve dhe Trakëve… Sot, me ndërmjetësimin e shtatorëve të tyre kalorësiake, këta dy personazh i bëjnë ballë njëri tjetrit. Kush janë ata?
Thoma-Thomai Dhamo, artist nga Tirana, me nismën e pakicës shqiptare bëri një shtatore të Skënderbeut. I hipur mbi kalin e tij në stilin e “kalit duke ecur”, heroi shqiptar shfaqet me elegancën mbretërore të një klasicizmi të kulluar, stil i frymëzuar nga vepra pararendëse në Itali dhe Francë. E izoluar, kjo skulpturë cilësore është e privuar nga kuadri minimal i cili do ta vinte në pah.
Një figurë tjetër, e porositur nga qeveria dhe e përfunduar në vitin 2013, ngrit Aleksandërin e Madh në piedestal. -“Çfarë lidhje ekziston në mes këtyre “heronjve?” do të pyeste lexuesi. E tëra shpjegohet kur e konstatojmë se emri Skënderbeu i cili përkthehet me Aleksandër bej, është një homazh Aleksandërit të Madh! T’i thurësh lavdi njërit nënkupton ta popullarizosh tjetrin. Kjo situatë paradoksale e dy Aleksandrave “të dallueshëm, por të pandashëm”, të dy ”binjakëve virtual” të paraqitur në rivalitet në kundërshtim me historinë, bëhet edhe më absurde kur mësojmë se nëna e heroit antik ishte shqiptare! Kjo fabule e çuditshme, a nuk është e denjë të jetë një libret e operës? Edhe aty, realiteti tejkalon trillimin.
Përkujtimi i Aleksandërit të Madh në Shkup është një operë: urbane, arkitekturale, e gdhendur. Duke rrugëtuar nëpër kohë, vizitori rrugëton brenda një historie të rishkruar dhe imponuar nga një Qeveri e cila përvetëson një origjinë dhe bënë ashtu Greqinë, e cila në Pela dhe Selanik ka shtatoret e saj kalorëse të Aleksandrit të madh, të irritohet…
Ky realizim përfshinë urbanizmin e riorganizuar të qendrës së qytetit, gjë që a priori është një ide e shkëlqyer. Vardari dhe ura e tij e ripërtërire, dikur e ndërtuar nga osmanët (dhe jo nga serbet) e përshkruajnë Shkupin në listën e qyteteve në rrugëtimin e tij. Katër luanë, 5 metra të lartë, fisnikërojnë këtë arkitekturë të leverdishme të qytetit. E lartë prej dymbëdhjetë metrave, dhe njëzet e dy metrave me piedestalin e saj, shtatorja me kalë, përsosmërish e stilit barokë në të gjitha kuptimet e fjalës, është shenjë madhështore.
Harqe triumfi, shtatore të ulura, në këmbë, me kalë, ujëvara etj e plotësojnë pikturën. Ndjekin njëri tjetrin edhe dhjetëra personazhe, si në ndonjë muze në ambient të hapur: Nikola Karev, Goce Delqev, Dame Gruev, Car Samueli i parë (I), presidenti i parë Metodija Andonov Cento.. Kirili dhe Metodi etj. Çmimi i paraparë për këtë libër vizatimor në relief, sipas marrëveshjes me Shkritoren Artistica Marineli të Florencës, arrinte një shumë prej 4,5 milionë euro, qysh në vitin 2008…
Padyshim, ky bolivud i skulpturës, gjigantisim, gjestikulativë, grandilokuent, bën të shtrembërohet fytyra e njohësve të këtyre çështjeve si dhe të profaneve qoftë edhe për arsye të kundërta. Edhe pse është i tillë, bronzi nuk duhet të tingëllon bosh.
PARADOKSET ULTIME- DREJT NJË FATI TË RI TË KOSOVËS?
Kujtesë kolektive e njerëzimit, trashëgimia mbetet pasi të jenë zhdukur të gjallët të cilët e kanë krijuar atë. Kjo lidhje themelon të ardhmen tonë.
Larmia e burimeve të kësaj trashëgimie i japin Kosovës një joshje të misterit. Veçanërisht komplekse, studimet kërkojnë aftësinë për ti përkthyer një numër të madh të gjuhëve: shqipen,arabishten, greqishten e vjetër dhe të re, italishten, latinishten, serbishten, turqishten… Ajo që duket ndërlikim për disa quket pasuri nga të tjerët. Kosova është një vend i pa zëvendësueshëm i kujtesës universale.
Përveç trashëgimisë specifike të formave dhe të ngjyrave, të bukurisë dhe ndjenjave të këtij vendi të vogël, ajo shfaqet si një vendtakim dhe një laborator i marrëdhënieve Perëndim-Lindje e Mesme. Pasur parasysh këtë të vërtetë, të ruhet edhe guri më i vogël është çështje jetike. Siç shprehej Victor Hugo:
“Monumentet e një të kaluare të pikëlluar nuk na përkasin, ato janë pasuri e së ardhmes”

Një kohë të gjatë e vendosur nën thonjëza, Kosova kthehet në gjirin e përbashkët. Një kthim i gjërave kur dihet përgjegjësia historike e fuqive perëndimore në traktatet fatkeqe për shqiptarët.
Më shumë se për të vënë në vend një padrejtësi, pranimi i Republikës së Kosovës në UNESCO, është sikur të mirëpresësh me dashuri dhe urtësi të “ fëmijën e artë” të kthyer në djepin e tij! Është të mirëpresësh një trashëgimi evropiane, duke llogaritur se gjysma e popullatës, të vendit sado të vogël, jeton jashtë kufijve të vet.
Tallje e fundit dhe e dyfishtë e historisë. Në njërën anë, shqiptarët, të çrrënjosur, të larguar, të dëbuar, të mërguar, të mohuar, por të pathyeshëm, të ngulmuar nga shija, nomad nga nevoja, duke menduar se i dhanë fund rrugëve të mërgimit, duhet tu bien pendët. Të detyruar të marrin sërish shkopin e pelegrinit në kohën kur Evropa do ti integrojë, a do të bëhen ata, përkrah figurës së çifutit endacakë, shqiptarë endacakë? Në këtë fat të ri kolektiv, a do të duhet të ecin në hapat e pjesës tjetër të mbarë njerëzimit të ribërë… nomad? Paradoksi i fundit dhe i dyfishë?
___________________
Referencat:
1. Gilbert Gardes, Le guide de l’Albanie, Paris, 1995, shtëpia botuese La Manufacture, 1995, 269 faqe.
2. Seria e artikujve “Lyon et le Kosovo” wshtw publikuar në gazetën zyrtare të Lyonit në mars-qershor 2006 dhe përkthyer e botuar nga Arban Bislimi në shqip në qershor 2006.
3. Gilbert Gardes, “Mathieu Aref ose memoria shqiptare e rikthyer”, Qershor 2012 kumtuar nw konferencën “Pellazget në zanafillën e qytetërimit grek” tw Profesor doktor Mathieu Aref organizuar nw UPIL Rene Cassin nga Shoqwria Bashkimi Shqiptar.
4. Profesor Christian Gut është ish- konservator Kryesor i Arkivës Kombëtare Franceze dhe specialistë i kulturës Shqiptare, në vitin 2001 publikon Kanunin e Lek Dukagjinit në gjuhen frënge.
5. Cikli i librave mbi tavolinën e rrumbullaket flet për mbretin mitik të britanezeve Artur i cili supozohet të ketë jetuar rreth shekullit VI. Ujdhesa e Avalonit është vendi ku sipas romanit është përpunuar shpata magjike e ekskalibur dhe ku jeton Zana.
6. Libër vështrues prej 628 faqe mbi gjendjen ekonomike, shoqërore dhe gjeografike të Jugosllavisë, botuar nga shtëpia botuese Hachette në Paris.
7. Berit Backer është antropologe norvegjian e cila studioj traditat shqiptare në Isniq dhe paraqiti tezën e Magjistrimit me këtë titull në vitin 1979 në universitetin e Oslos. Libri u publikua post mortum në vitin 2003 nga Robert Elsie dhe Antonia Young në shtëpinë botuese Dukagjini.
8. Normanet janë popull Viking që jeton në veri-perëndim të Francës të cilët njihen nga urtësia popullore si të pavendosur dhe për përgjigjet dhe qëndrimet jo të prera. “Të përgjigjesh si norman” nënkupton në Francë një përgjigje apo qëndrim jo i prerë.
9. Teza e Mathieu Aref, « Recherches sur les Pélasges, à l’origine de la civilisation grecque » u mbrojtë me datën 3 janar 2012 në universitetin e Sorbonnes. Nën patronatin e “Shoqërisë Bashkimi Shqiptar” teza e Mathieu Aref u promovua me 3 Qershor 2012 në Lyon (Francë) në Universitetin Rene Cassin. Shoqëria Bashkimi Shqiptar ka organizuar promovimin e tezës së Mathieu Aref bashkërisht me shoqatën AEAUL me 12 tetor 2012 në universitetin e Lausannes dhe me shoqërinë 28 Nëntori në Prishtinë me 14 Nëntor 2012 në Institutin Albanologjik dhe në fakultetin filozofik.
10. Në mitologjinë e lashtë greke djalë i Zeusit, themelues i Qytetit të Dardanisë që gjendet buzë Bosforit, themelues i fisit të Dardanëve, trashëgimtarët e të cilit themeluan Trojën.
11. “Guri i rozetës” është një pllakë me mbishkrime hieroglife dhe greke të lashtë të Egjiptit të lashtë e cila është zbuluar në vitin 1799 nga një ushtar francezë në Egjiptë. I njejti tekst i mbishkruar në dy gjuhë mundëson deshifrimin e hieroglifëve i cili arrihet nga egjiptologu francez JeanFrançois Champollion në vitin 1822 në Paris.
12. Michel de Montaigne është filozof dhe moralist i Renaissances (Rilindjës) franceze (1533/1592).
13. Francois Rabelais është shkrimtar i kohës së humanizmit dhe Rilindjes Franceze (1483-1553).
14. Me 10 Qershor 1944 forcat naziste SS rrethojnë fshatin e Oradour sur Glane në periferi të qytetit të Limoges në Francë, fshati digjet i tëri dhe masakrohen 642 viktima civile. Rrënojat e fshatit janë mbajtur në gjendjen ekzistuese dhe vizitohen nga vizitorët në shenjë përkujtimi. Në afërsi të fshatit është ndërtuar në vitin 1999 Qendra e përkujtimit të Oradour sur Glane.
15. Në pjesën e dytë të shekullit XVIII teatri popullor i Parisit vendoset në shëtitoren e Bulevardit të tempullit. Shprehja franceze i referohet një zhanri te teatrit konvencional, popullor, i cili synon me efekte të lehta të pëlqej dhe zbavitë kalimtarin.

Gilbert Gardes
________________
Përgatitën dhe përshtatën:
– Arban Bislimi: Asistent hulumtues i Z. Gilbert Gardes- Redaktoj dhe përshtati
– Izet Sylaj: Përkthyes gjyqësor i gjuhës frënge
– Ardian Ramadani: Përkthyes
(Titulli në origjinal: LETRA DARDANE -PARADOKSALJA KOSOVË)

=================================================

GILBERT GARDES: KOSOVA – NJË VEND PARADOKSAL (1)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=5688
***
GILBERT GARDES: KOSOVA – NJË VEND PARADOKSAL (2)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=5689
—————————
NË FORMATIN ‘PDF’:
GILBERT GARDES: KOSOVA – NJË VEND PARADOKSAL
https://pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/Gilbert%20Gardes%20Kosova.pdf

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura