Ulqin, 01. 04. 2015 – Miku im, akademiku Gjovalin Shkurtaj më njoftoi përmes postës elektronike me botimin e ri “Onomastikë dhe etnolinguistikë” për të cilin veç i kanë ardhur shumë përgëzime, si nga prof.dr. Bahtiar Kryeziu, prof.dr. Basil Schader nga Zvicra, prof. Aljula Jubani, prof. Thoma Dhima dhe të tjerë. Ky lajm i gëzuar më nxiti të shkruaj këtë artikull, me mundimin që të jem sa më korrektë dhe sa më i sinqertë, përballë punës shkencore shumëvjeçare të këtij intelektuali, i cili në qarqet akademike vlerësohet si njëri nga përfqësuesit e sotëm më të dalluar të fushës së gjuhësisë.
Të shkruash për miqtë e shtrenjtë të jetës dhe të familjes është shumë e vështirë nga droja e subjektivizmit. Mirëpo ky frikësim më shkrihet sikur akulli në diell përballë punës shkencore shumëvjeçare të një intelektuali me mendje të ndritur, i cili në qarqet akademike vlerësohet si autoritet shkencor elitar dhe si njëri nga përfqësuesit më të dalluar të fushës së gjuhësisë brenda dhe jashtë Shqipërisë, siç është akademiku Gjovalin Shkurtaj. Ç’rëndësi kanë fjalët e mia, kur atij i flet puna dhe vepra e vet?
Këtë personalitet të rëndësishëm të shkencës dhe kulturës shqiptare e njoha qysh herët përmes artikujve të tij në revistat shkencore “Studime filologjike”,“Gjuha jonë”, “Kultura Popullore” dhe në përmbledhjen me studime të zgjedhura “ Dialektologjia shqiptare”, në kohën kur studioja për gjuhë dhe letërsi në Kosovë, kurse fizikisht e kam parë, për herë të parë një mbrëmje në një lokal në Tiranë, në vitin 2000, me të cilin më njoftoi dom Nikë Ukgjini. Prej atëherë nuk u harruam. Përkundrazi u miqësuam, dhe sot jam krenar e mburrem për miqësinë që kemi me këtë figurë të shquar të Malësisë së Madhe dhe me zonjën e tij të mrekullueshme Leonorën, një intelektuale e mirëfilltë, zonjë e kulturuar e bijë e një dere të njohur të Vlorës me traditë shqiptare.
Në kujtesën time kam shumë detaje nga shoqërimi ynë i përbashkët, shumë vëllazëror, biseda të çiltëra, të sinqerta, fjalë zemre, pa doreza, këshilla e shaka, pastaj shëtitje rrugëve dhe rrugicave të Ulqinit, në Plazhin e Madh, në Plazhin të Vogël, në grykën e Adës ku derdhet lumi Buna, në Kalanë mijëvjeçare të Ulqinit, pastaj përjetimin e tërmetit në fshatin Shëngjergj e shumë takime të tjera në konferenca e tubime shkencore në Ulqin e Tiranë. Mjalti i të gjitha mbresave është mikpritja në shtëpinë e tij në Tiranë dhe në Durrës, ku ai me bashkëshorten e tij, një natë dhe një ditë, familjarisht na ofruan bujarinë, ngrohtësinë dhe respektin më të mundshëm njerëzor.
Nuk mund të lë pa përmendur edhe shoqërimin tonë nëpër qendrat më të njohura tregtare të Tiranës e deri në qytetin e Durrësit, ku u joshëm me natyrën e bukur dhe me flladin e freskët të detit, duke mos na lejuar të shpenzojmë asnjë lek. Mosha nuk u pengoi atyre që të na gjenden pranë dhe të japin gjithçka nga vetja e tyre, duke mos e kursyer as xhepin, as kohën, as mundin, vetëm e vetëm për të na nderuar. Një pritje vërtetë vëllazërore dhe bujare, që na kënaqi ato ditë shpirtin dhe na ushqeu mendjen. I këtillë është për ne çifti intelektual Gjovalin dhe Leonora Shkurtaj. Ua paçim hua!
Përveç kësaj profesori na ka nderuar edhe me vlerësimet e tij meritore për librat e mi, si redaktor dhe si autor i disa shkrimeve në shtypin e shkruar dhe deklaratave në mediat pamore në Shqipëri dhe në Mal të Zi. Është nder për mua, që librin tim “Bijtë e shqipes” e zbukuron parathënia me nënshkrimin e akademikut të nderuar.
Edhe një fakt tjetër dua ta theksoj, i cili pasqyron karakterin dhe dashamirësinë që ka profesori për miqtë e vet. Duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarit të së përditshmes “Start”, që botohet në Tiranë, se cili libër ju ka bërë të reflektoni më së tepërmi, kur e keni lexuar, akademiku Shkurtaj është përgjigjur: Kam lexuar dhe lexoj shumë libra, sigurisht, duke u pykëzuar e anuar më shumë nga mjeshtëria ime e gjuhësisë, por, edhe disa prej drejtimeve të studimeve të mia të viteve të fundit, më dety rojnë të ndjek jo vetëm librat e gjuhësisë, por edhe shkrime të tjera me karakter sociologjik, politologjik dhe historik etj. Prej këtyre fushave, kryekreje mund të përmend librin ”Përplasja e qytetërimeve” të Samuel P. Huntington-it dhe “Identitete vrastare” të Amin Malouf-it, përkthyer në një shqipe të këndshme e të saktë nga A. Kumbaro. Po ashtu, më ka lënë mbresa edhe libri “Prekë Cali, Piramidë e kufijve të Shqipërisë” i Gjekë Gjonajt.
Kolegët e tij shprehen se profesor Shkurtaj është ndër dialektologët më të mirë të Shqipërisë. Autor i disa kërkimeve dhe studimeve nga kjo fushë, ka bërë hulumtime dialektologjike në krahina të ndryshme brenda dhe jashtë shtetit shqiptar, në Kosovë, në Mal të Zi dhe në diasporat shqipfolëse. Autor i disa monografive dialektologjike, bashkautor në veprën madhore të gjuhësisë shqiptare: “Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe”; anëtar i Shoqatës Ndërkombëtare “Amici Linguarum” Gotteborg, Suedi; anëtar i Komitetit Shqiptar për ALE (Atlas Linguarum Europae); anëtar i Këshillit Ndërakademik të Gjuhës Shqipe.
Forcën e tij intelektuale, mençurinë, dijen dhe përvojën profesionale si dialektolog e filolog, prof. Shkurtaj e ka shpalosur për vite me radhë në shumë libra që nuk lidhen vetëm me gjuhësinë tradicionale, por edhe me disiplina të reja studimore, siç janë onomastika dhe etnolinguistika, duke hartuar për herë të parë edhe tekstet universitare “Sociolinguistika” dhe “Etnografia e të folurit”.
Si pedagog përgatiti breza studentësh dhe studiuesish, të cilët ndër vlerat më të mira shkencore e mësimore ruajnë dijet e tyre të fituara edhe nga studimet e librat e profesor Gjovalinit, pasi është një mendje në kërkim të vazhdueshëm. Modeli i tij i punës u bë shkollë për studentë e studiues. Disa nga kolegët e tij, që kanë punuar gjatë me Gjovalin Shkurtajn në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Tiranë, kur ai për shumë vjet ishte edhe drejtues i Departamentit të Gjuhës Shqipe, më konfirmuan se ai u shfaq kurdoherë para kolegëve e studentëve si punëtor i palodhur, me vullnet të paepur dhe mjaft prodhimtar. Gjithmonë me skeda në xhep për të shënuar fjalë e shprehje që i interesojnë, gjithmonë me kompjuterin në dorë, duke fiksuar dukuritë që lidhen me kuturën e gjuhës shqipe apo me prirje të zhvillimit të shqipes së mediave shqiptare. Në shumë konferenca vendore, kombëtare e në disa kongrese e ndërkombëtare, kushtuar gjuhës shqipe ose filologjisë shqiptare, ku ka marrë pjesë, ai ka thënë fjalën e tij me peshë për problemet e shqipes, duke e përfaqësuar denjësisht shkencën shqiptare. Në veprat e tij për kulturën e gjuhës sonë të bukur, që trashëgim na e lanë të parët, ai ka mbrojtur pa u lodhur gjuhën letrare, nivelin e standardit të saj e normën e njësuar kombëtare, e ka pasuruar dhe e ka begatuar këtë thesar të paçmueshëm të shqiptarëve:
Gjuha shqipe është tipar themelor i kombit shqiptar, prandaj atë duhet ta ruajmë dhe ta mbrojmë, ta shkruajmë e ta flasim sa më thejshtë e sa më bukur. Natyrisht edhe ta pasurojmë e ta vlerësojmë, ashtu si të gjitha kombet e qytetëruara, të cilat punojnë shumë për mbrojtjen e gjuhës amtare si tipar i përbashkësisë dhe i njëjtësisë së kombit. Rregullat e drejtshkrimit dhe normat e shqipes standarde duhen parë gjithmonë si pronë kombëtare dhe karakteri kombëtar i tyre duhet ruajtur e pasur gjithmonë parasysh.
Por ai, në publikimet e tij është shprehur i bindur se: gjuha shqipe, si çdo gjuhë tjetër e kombeve të qytetëruara, shkon duke bërë edhe zhvillimet e veta, ndien dhe pasqyron edhe trysnitë e zhvillimeve të gjithanshme gjeoplolitike dhe ekonomiko-shoqërore e sidomos arsimore e kulturore të shoqërisë shqiptare. Kam qenë e mbetem ithtar i thënies urtake të At Justin Rrotës se “gjuha shkon tue bamë ato ndryshimet e veta” si dhe i konceptit të shëndoshë të atij studiuesi se njeriu, sipas rasteve e rrethanave “mundet me e dredhe g-juhën” duke iu përshtatur rrethanave dhe mjediseve.
Me punën e tij të palodhur shkencore madhore që ka bërë dhe po bën për të mirën e kombit shqiptar, akademiku ynë Shkurtaj, ndjek e vazhdon me dinjitet rrugën e shembullin e pararenëdësve e mësuesve të tij: E. Çabejt, M.Domit, Sh.Demirajt, S.Rizës, A.Kostallarit, S.Floqit, A.Dodit, J.Gjinari, J. Thomait etj., duke qenë kurdoherë në ballë të punëve e krah për krah me kolegët e tij të mirënjohur, si Kolec Topalli, Emil Lafe, M.Çeliku, B.Beci, S.Mansaku, Sh.Rrokaj, R.Ismajli, Sh.Islamaj, F. Altimari e të tjerë, si vazhdues i denjë i patriotëve dhe lëvruesve të mëdhenj të shqipes, Konstantin Kristoforidhit dhe Aleksandër Xhuvanit.
Vitet kalojnë, e profesor Shkurtaj i ka kaluar shtatëdhjetë pranvera. Më 4 prill të këtij viti do të mbushë 72 vjet. Fatmirësisht gjithnjë është vital. Ka mendësi të kthjellët. Punon shumë. Kërkon. Hulumton. Gjurmon. Analizon. Krahason. Vlerëson. Ka pasion e vullnet. Duke botuar libra të rinj vazhdon të jetë këmbëngulës në misionin e tij të kahershëm për t’ua mësuar brezit të ri sa më mirë gjuhën e ëmbël shqipe, për t’ua ngulitur në shpirt dhe në zemër.
Në planin njerëzor është tepër i veçantë si rrallëkush. Burrë me moral. I brumosur me virtyte të larta shqiptare, të fituara në fëmijërinë e tij të hershme në Malësisë së Madhe,ku bashkë me këngët e kreshinëve e traditën e kuvendit të bukur, ai ka marrë së andejmi edhe burrërinë, edhe bujarinë dhe, mbi të gjitha, thjeshtësinë e Malësisë e të malësorëve krenarë. Mjafton ta takosh vetëm një herë dhe ky njeri e shkencëtar i mrekullueshëm, i thjeshtë në komunikim, por i thellë në mendime, me atë buzëqeshjën e tij të ëmbël, me pamjen e tij fisnike, të bën për vete. Të bën të mos e harrosh kurrë dhe, dashuria për të çdo ditë sa shkon e rritet. Këtë dashuri dhe respekt të madh për të e kam dhe do ta ruaj përgjithmonë. Profesor Gjovalinit i uroj nga zemra 72 -vjetorin e tij të lindjes, duke i dëshiruar jetë të gjatë dhe shëndet të mirë.
Me këtë shkrim modest s’bëra asgjë tjetër vetëm se shleva një borxh për së gjalli ndaj kësaj figure të ndritur të gjuhësisë shqiptare, ndaj këtij biri të Malësisë sonë të Madhe, të dijshëm dhe të urtë, fjalëmatur e punëmbarë, për të gjithë veprimtarinë dhe punën e tij. Kjo është, jo vetëm nder, por edhe obligim e detyrë e jona, mendoj unë.
………………………………………………………………
Problemet me shkrimin e gjuhës shqipe,
Gjovalin Shkurtaj në “Ditë e Re”- 20 shkurt 2015