TAKIM NË VLORË ME POETIN LAUREAT RUDOLF MARKU NGA LEZHA E POETËVE

TAKIM NË VLORË ME POETIN LAUREAT RUDOLF MARKU NGA LEZHA E POETËVE

MSc. Albert Habazaj

përgjegjës i Bibliotekës shkencore “Nermin Vlora Falaschi”, Universitetit Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë

Moderator i veprimtarisë

Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë zhvillon këtë takim në formën e një bashkëbisedimi të ngrohtë me Poetin Laureat Rudolf Marku, veprimtari që mendoj se përbën një ngjarje letraro-kulturore të veçantë jo vetëm për Universitetin tonë, por edhe për qytetin kulturëdashës të Vlorës.

Që kjo veprimtari e organizuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike dhe Ballkanistike, Departamenti i Letërsisë dhe gjuhës shqipe, Shoqata e Shkrimtarëve dhe Poetëve “Petro Marko” dhe Biblioteka shkencore “Nermin Vlora Falaschi” e Universitetit tonë në formën e një feste letrare apo më mirë si një kuvendim kulturor zhvillohet në mjediset e Bibliotekës, është një fatmirësi, besim dhe përgjegjësi që na ngarkoi Rektori i Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, prof. dr. Roland Zisi, njëkohësisht një ndër studiuesit më të njohur të Letërsisë Shqipe.

Që në këtë veprimtari merr pjesë vetë Rektori bashkë me albanologun e njohur, prof. Bardhosh Gaçe është vlerësim serioz.

Që Poeti Laureat Rudolf Marku shoqërohet nga poeti elitar Sadik Bejko, me një nga përkthyesit më të mirë të vendit Bajram Karabolli dhe Piktori i Popullit Nestor Jonuzi është fisnikëri e lartë kriujese dhe qytetare.

Nuk kam ndërmend të bëj një jetëshkrimin e autorit, ndoshta të domosdoshëm, sidomos për studentët, që mbushin këtë auditor, por në këtë rast do ta quaja burokratikisht të tepërt, sepse Rudolf Marku është një poet antologjik specifik, por shumë i dashur për dashamirësit e poezisë së sotme shqipe, sepse gjatë pyetjeve tuaja Dolfi do të na i dëftojë të gjitha e do të zbërthehet, si bora e bukur në prill…

Rudolf Marku është zotëri i poezisë dhe sot ne, këtu në Vlorë, kemi një festë letrare kuptimplotë: Dolfi bën 50 vjet që princëron në Principatën e Poezisë. Një gjysmë shekulli! Qoftë e përgjithmonshme poezia e Rudolf Markut dhe e poetëve vargjebukur!

Ndërkohë, “brenda kureshtjes dhe gëzimit”, nëse I FTUARI YNË SPECIAL më lejon të përdorë këtë shprehje të të parit Poet Laureat shqiptar Rudolf Marku, shpallur nga Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit së bashku me Ministrinë e Kulturës, dëshiroj t’ju them se veprimtari dhe politikani, atdhetari i devotshëm dhe qytetari universal, poeti e shkrimtari, redaktori dhe kritiku, eseisti dhe përkthyesi, i ndëshkuari dhe i trajtuari, mësuesi dhe pedagogu, nëpunësi dhe diplomati kulturor, biografi  dhe antologjiku Rudolf Marku, ky dekadenti i atëhershëm, vetëm 21 vjeçar me gabime ideologjike shfaqur qysh në vëllimin e parë poetik “Me shokët e mi”, kritikuar në Pleniumin IV të Komitetit Qendror të Partisë të 73-shit, sot, falë talentit të rrallë letrar, erudicionit të thellë dhe mendimit bashkëkohor filozofik, me vëllimet poetike që ka botuar, është renditur si njëri ndër poetët më të talentuar të gjuhës shqipe. Ai, edhe si romancier, veç të tjerash, shquan edhe për natyrën satirike koniciane, duke na dhënë karikaturën e politikës dhe gazetarisë shqiptare të tranzicionit. Ky autor ka marrë shumë medalje e çmime nga më të lartat letraro-kulturore, por meqë Dolfi beszdiset nga dekoratat, nuk po ia përmend, veçse dua të them, se ai ka meritën se është i pari që i ka paraqitur lexuesit elitar shqiptar shumë autorë të huaj të konsideruar të ndaluar. Rudolf Marku ka bërë të këndojnë shqip me shqipërimet apo redaktimet pena të rënda si Thomas Streans Eliot, Ezra Pound (Paund), W. Oden, Giuseppe Ungareti, apo si redaktor, Kostantinos Petrou Kavafis e Milan Kundera e shumë autorë të tjerë të shek. XX.

Ai është mirëpritur shumë nga lexuesit shqiptarë dhe të huaj, po ashtu dhe është vlerësuar lartësisht nga kritika letrare shqiptare dhe e huaj. Robert Elsie e  quan “Poet intelektual, i meditimeve dhe gjykimeve të urta”.

Në kujtesën time dhe të grupmoshës sime, vijnë si 3 skalione me dallgë drite, që, në rrafshin e poezisë së sotme në Shqipëri, tronditën Tiranën metropolite me poezinë e viteve 1975. Ishin pikërisht Tropoja e Veriut me trininë e shenjtë letrare: të ndritshmin Hamit Aliaj, si dhe Skënder Buçpapaj e Ndoc (Anton) Papleka; Tepelena e Jugut me trininë e shenjtë letrare: të ndritshmit Petrit Ruka e Qazim Shemaj, si dhe Ilirian Xhupa, si dhe shpërthimi nga Lezha Veriperëndimore me trininë e shenjtë letrare: të ndritshmin Ndoc Gjetja, si dhe Preç Zogaj e Rudolf Marku.

Ndjej detyrimin, se qoftë edhe telegrafisht, mund t’tju them dy fjalë për autorin. Rudolf Marku ka lindur më 28.10.1952 në Lezhë, në qytetin e Poetëve, ka kryer studimet e larta për Gjuhë – letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës dhe ka punuar për disa vjet në gazetën letyrare “Drita”, në faqet e së cilës i paraqiteti lexuesit shqiptar shumë poetë të rinj apo të ndaluar më parë. Në vjeshtë 1991, u emërua në Ministrinë e Punëve të Jashtme për problemet e marrëdhënieve kulturore me botën, më pas u bë deputet dhe Londra… Por zonjat dhe zotërinjtë Poezisë së çmuar “nuk e duan veten të mbytur nga zëri i partisë”. Në fakt, të paktën në Shqipëri, nuk janë partitë në opozitë me njëra-tjetrën, por poetët janë në opozitë me partinë në pushtet, kushdoqoftë ajo.

Pa e lënduar autorin, kujtojmë se lindja e parë poetike e tij, “Shokët e mi” më 1974 e syrgjynosi në fshat. Por ai nuk u tërhoq nga Udhëtimi magjik i poezisë së bukur. Në vitin 1977 boton vëllimin e dytë poetik “Rruga”; më 1982 “Sërishmi”;  “E dashur”, 1985; “Udhëtim për në vendin e gjërave që njohim”, 1989; pa përmendur romanet e autorit dhe antologjitë e përgatitura, vijojmë me vëllimin poetik “Një ballkanas në Londër”, 2012; apo vëllimin më krenar të derisotëm “Rrathë të brendashkruar”, Tiranë, Onufri, 2020/ Athinë, 2023, etj.

Deri më sot, në katalogun online të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë kemi 195 regjistrime të gjetura nga Rudolf Marku, ndër to 28 registrime bibliografike janë libra, ku Marku shfaqet si autor, bashkautor, përkthyes, redaktor, përgatitës tekstesh shkollore, përpilues antologjish.

Rudolf Marku është poet i mençur, i pranvertë në ndjenja e i thellë në mendime, që përbën tipologji të poetit modern shqiptar në univers. Ai është një poet që fal dashuri jo me bardhakë, as me dete por me oqeane shpirti.

Edhe pse mund të mendohet që R. Marku ka një vend midis hermetikëve, ky, lezhjani londinez, është poet i galaktikave të shpirtit human

Rudolf Markun, veç të tjerash, e admiroj, sepse ai i do poetët me vlera si veten, ndoshta dhe më shumë. Aq më tepër që ai i ka kushtuar një nga poezitë më të bukura të mundshme që kam lexuar unë  lirikut altruist shqiptar Frederik Reshpjes, të cilin, jo vetëm se e kam takuar për herë të parë në Tiranë në vitin 1996 me dashamirësin tonë të madh prof. dr. Bardhosh Gaçe, por se e çmoj për lirikat e tij të arta të trishtimit. Më lejoni t’jua lexoj këtë poezi, që vjen si Ditiramb i rrallë e buron gurrë mirësie, që kullon dinjitet letrar dhe njerëzor:

Rudolf Marku

Frederik RESHPJES

Poet skandaloz, rebel, i lirë si një zog,

Të ngritën kurthe kafazesh- burgjesh kudo,

Dhe ti që përherë i injorove zingjirët, qelitë, gardianët

Kurr nuk e përmende vetminë sa një kontinent të Poetit,

Ti që talleshe me kafazet, që pëlqeje t’i vije në një rrjesht

Gjahtarët, kritikët, lavdikërkuesit, mediokrit dhe kostumet e lakuriqsisë së Mbretit;

Asnjë varg për vitet e burgjeve,asnjëherë

Pa të shkuar ndërmend t’i ktheje vuajtjet në dyqane shkëmbimi valutor

Në poste ambasadorësh, lavdi të rreme, reçensione – Hosaná,

Në dyqane spekulative ku shesin lirinë.

Ty, që të mjaftojnë veç krahët e mëdhenj,

të arrish përjetësinë.

Krahët e tu prej aeroplani qenë tepër të mëdhenj për kafazët,

Le të rrinë aty gardalinat e verbërta:

Brenda kafazeve me dyer të çelura të presin lavdinë!

***

POETI LAUREAT I LETËRSISË SHQIPE DHE SHKRIMTARI SHQIPTAR, RUDOLF MARKU, NË NJË BASHKËBISEDIM LETRAR NË UV

Ditën e mërkurë, datë 05.04.2023, në mjediset e Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi” të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlore, u zhvillua bashkëbisedimi me poetin Laureat të Letërsisë Shqipe dhe publicistin shqiptar, Rudolf Marku, i cili shoqërohej nga Piktori i Popullit, Nestor Jonuzi, nga poeti Sadik Bejko dhe përkthyesi i mirënjohur Bajram Karabolli.

Të pranishëm në aktivitetin e organizuar në formatin e një bashkëbisedimi, në kuadër të 50-vjetorit të Udhëtimit Poetik të Poetit Laureat, Rudolf Marku, ishin poetë, shkrimtarë, artistë, piktorë, studentë dhe pedagogë të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë si dhe dashamirës të librit.

Aktiviteti u moderua nga Drejtori i Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi”, z. Albert Habazaj.

Prof. Dr. Bardhosh Gaçe e cilësoi Rudolf Markun si një nga të rrallët shkrimtarë që, me gjuhën e përshtatshme dhe të kuptueshme nga të gjithë, përmes stilit të tij letrar na ka dhuruar vepra të pasura dhe koherente. Përmes këtyre veprave ai ka arritur të ndërtojë një vepër të pasur dhe koherente përtej konteksteve historike, politike dhe gjeografike në të cilat ka jetuar poeti.

Përkthyesi Bajram Karabolli, në referatin e tij, shprehu konsideratat më të larta për poetin dhe publicistin Rudolf Marku, duke e cilësuar atë si një përfaqësues shumë dinjitoz të letërsisë i cili me stilin e tij i ka dhuruar lexuesit letërsi të mirëfilltë jo vetëm përmes krijimeve të tij por edhe përmes përkthimve të realizuara me mjaft mjeshtëri..

Poeti Sadik Bejko duke iu referuar motivacionit për të cilin Rudolf Marku u vlerësua me titullin “Poet Laureat”, theksoi faktin se, ai i ka shërbyer kulturës kombëtare, duke sjellë në shqip shumë nga kryeveprat e poezisë botërore.

Rektori i Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, Prof. Dr. Roland Zisi, në përshëndetjen e tij falënderoi poetin dhe publicistin Rudolf Marku për praninë e tij në mjediset e UV-së në një bashkëbisedim mjaft të çmuar. Rektori i UV-së, Prof. Dr. Roland Zisi, pohoi se, kontributi i Poetit Laureat të Letërsisë Shqipe dhe publicistit Rudolf Markui në Letërsinë Shqipe është i jashtëzakonshëm pasi përmes vargut të tij, Rudolf Marku, ka arritur të shpreh me një gjuhë të përshtatshme atë që mbetet përherë te njeriu, duke kapërcyer kontekstet historike, politike e gjeografike.

Dr. Asime Feraj, në referatin e saj u ndal konkretisht tek ndihmesa që Rudolf Marku ka dhënë për gazetën “Drita”.

Piktori I Popullit Nestor Junuzi, pohoi se, Rudolf Marku, jo vetëm i ka rezistuar kohës së censurës komuniste, ai tani po i bën ballë edhe largësisë gjeografike ndaj Shqipërisë.

Publicisti Ahmet Demaj, njëkohësisht kryetar i Shoqatës Atdhetare-Kulturore “Labëria”për degën Vlorë  dhe përkthyesja e gazetarja Laureta Petoshati, në fjalët e tyre përshëndetëse pohuan se një personalitet i tillë si Rudolf Marku është krenari për të gjithë ne, për sa shumë ai i ka dhuruar Letërsisë Shqipe përmes krijimtarisë së tij të jashtëzakonshme.

Poeti Laureat, publicisti Rudolf Marku, përveç që ka një penë që flet shumë nëpërmjet saj, ai tregohet edhe tejet modest për këtë sukses, duke e parë këtë arritje më shumë si një vlerësim për poezinë shqipe.

Ai falënderoi Rektorin e UV-së për organizimin e aktivitetit, ndërsa shprehu kënaqësinë që është pjesë e një bashkëbisedimi të tillë, mes shkrimtarëve, artistëve, piktorëve, studentëve dhe pedagogëve të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, duke theksuar faktin se, nuk ka kënaqësi më të madhe për një krijues se fakti që vepra mbërrin në duar që e kuptojnë si duhet mesazhin që ajo përcjell.

Poeti Laureat i Letërsisë Shqipe dhe publicisti shqiptar, Rudolf Marku, iu përgjigj pyetjeve të shumta të studentëve të UV-së, të cilët ishin mjaft të interesuar për të ditur më shumë rreth krijimtarisë së tij ndërsa studentët; Eraldo Hatia dhe poetja e re, Razielda Hitaj, përshëndetën përmes referimeve të tyre duke recituar edhe poezi nga krijimtaria e poetit.

__________

GANI ILJAZI, MËSUESI I PARË I TËRBAÇIT

 Drita atdhetare e mësuesit dhe luftëtarit Gani Iljaz Habazaj edhe në gazetën “Drita” të Gjirokastrës

Albert Habazaj

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura