Ulqin, 8 mars 2020: Në zgjedhjet e 9 dhjetorit 1990 kanë marrë pjesë edhe shqiptarët në Mal të Zi, pasi për herë të parë formuan subjektin e tyre politik – Lidhjen Demokratike në Mal të Zi, me kryetar Mehmet Bardhi.
Kuvendi themelues i saj u mbajt me 9 shtator 1990 në Tuz-Malësi, në kohën e turbullirave të mëdha politike dhe shoqërore te ne. Qëllimi parësor i kësaj lëvizjeje shqiptare me program kombëtar e demokratik, e cila u mirëprit nga shumica e shqiptarëve në Mal të Zi, ishte artikulimi i kërkesave politike të shqiptarëve, duke u bërë nismëtare e proceseve të pluralizmit, që ishin në nismë jo vetëm në ish-republikat e Jugosllavisë, por edhe në vendet e bllokut të atëhershëm socialist.
Formimit të LD në MZ i parapriu themelimi i Forumit Demokratik të Shqiptarëve në Mal të Zi, në muajin gusht të të njëjtit vit, si subjekt jo partiak. Meritë e këtij Forumi është hartimi dhe shpallja e Memorandumit Special të Shqiptarëve në Mal të Zi, të cilin më vonë LD në MZ do t’a bëjë pjesë të Platformës dhe Programit të vet politik.
Lidhja Demokratike në Mal të Zi përfitoi zemrat e të gjithë shqiptarëve në Mal të Zi, të cilët me masivitet u votua në zgjedhjet parlamentare të 9 dhjetorit 1990 në të gjitha vendvotimet në viset shqiptare. Ky subjekt politik i shqiptarëve nuk doli e vetme në këto zgjedhje por garoi në koalicion me Partinë e Aksionit Demokratik në Mal të Zi dhe Partinë e Barazisë. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve konfirmoi se LD në MZ arriti të fitojë 4 ulëse në Parlamentin e Malit të Zi. Ky ishte suksesi më i madh i përfaqësimit politik të një subjekti politik shqiptarë në Kuvendin e Malit të Zi që nga viti 1990 e deri më sot. Këtë rezultat brilant nuk e arriti asnjë subjekt politik shqiptar në Mal të Zi që nga vendosja e pluralizmit politik në shtetin malazez.
Përveç 4 deputetëve nga radhët e Lidhjes Demokratike në Mal të Zi në legjislaturën e parë të Kuvendit pas rënies së sistemit komunist ishin edhe katër deputetë të tjerë shqiptarë nga radhët e subjekteve politike joshqiptare. Ja, cilët ishin deputetët e parë shqiptarë në parlamentin malazez pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë:
Gjergj Gjokaj – Titograd – Koalicioni Demokratik
Mustafë Çapuni – Ulqin – Koalicioni Demokratik
Xheladin Zeneli – Ulqin, deri më 24.2.1992 (dorëhiqet) – Koalicioni Demokratik
Skender Hoxha – Ulqin, nga 31.3.1992 – Koalicioni Demokratik
Tahir Peraziqi – Ulqin- Koalicioni Demokratik
Gjergj Berishaj – Titograd – Bashkimi i Forcave Reformiste
Skender Elezagiq – Ulqin – Bashkimi i Forcave Reformiste dhe
Frano Dedvukaj – Titograd – Lidhja Komuniste e Malit të Zi.
Në zgjedhjet e para parlamentare u konfirmuan dhjetë lista të cilat i paraqitën dhjetë parti politike veç e veç ose në koalicion dhe kandidatë të pavarur. Pragun për hyrjen në Kuvendi e arritën vetëm katër lista zgjedhore.
Në këto zgjedhje Lidhja Komuniste e Malit të Zi doli bindshëm e para , duke fituar 171.000 vota , apo 83 nga 125 ulëse në Kuvendin e Malit të Zi.
Bashkimi i Forcave Reformiste të Jugosllavisë për Mal të Zi fitoi 17 ulëse dhe u rëndit si fuqia e dytë në Parlamentin e Malit të Zi. Ky subjekt politikë përbëhej nga këto parti: Partia Socialiste e Malit të Zi, Lidhja Liberale e Malit të Zi, Partia Socialiste e Malit të Zi, Partia Socialdemokrate, Organizata e Pavarur e Komunistëve, dhe Partia e Barazisë Nacionale.
Partia Popullore e Malit të Zi doli e treta në këto zgjedhje, duke fituar 13 ulëse në Parlamentin e Malit të Zi.
Koalicioni Demokratik , i cili përbëhej nga Lidhja Demokratike në Mal të Zi, Partia e Aksionit Demokratik në Mal të Zi dhe Partia e Barazisë , u rëndit si fuqia e katërt në Kuvendin e Malit të Zi me 12 vende.
Partia Politike, Lidhja Komuniste e Malit të Zi, me vendim të Kongresit të 11-të , të mbajtur më 22 qershor 1991, ndërron emrin e partisë politike në Partia Demokratike e Socialistëve e Malit të Zi. Kongresi në të njëjtën kohë vendosi që kandidatët e Lidhjes Komuniste në organe e pushtet janë zgjedhur në zgjedhjet e para pluraliste në Mal të Zi në vitin 1990. Kështu deputetët e Lidhjes Komuniste, në këtë përbërje të Kuvendi njëdhomësh, pas ndryshimit të emrit të partisë, vazhduan mandatin e deputetit si deputet të Partisë Demokratike të Socialistëve.
Krijimi i një rendi të ri pluralist në Mal të Zi nuk nënkuptonte një shkëputje të plotë nga socializmi sepse në partitë e asaj periudhe, në përgjithësi nuk vërehej ndonjë ndryshim i mirëfilltë i ndarjes nga socializmi. Pas zgjedhjeve të mbajtura në dhjetor të vitit 1990, qeveria e re e pranoi demokracinë, sistemin shumëpartiak, liritë dhe të drejtat e njeriut, por edhe në qeverinë e re të themeluar në janar të vitit 1991 akoma dominonin elementet autoritare karshi elementeve demokratike, pasi Mali i Zi ishte në federatë me Serbinë.