Gjekë Gjonaj: Doli nga shtypi libri “Udhëtim nëpër shekuj” i autorit Tomë Berishaj

Ulqin, 5 shtator 2020: Këto ditë në duar të lexuesit shqiptarë do të gjendet libri” Udhëtim nëpër shekuj” të autorit Tomë Berishaj, mërgimtar nga Malësia, i cili në vitin 1999 u largua nga vendlindja në Michigan , Detroit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky është libri tij i pestë, ku ndër të tjera na ofron të dhëna dhe ngjarje të mëdha vendimtare historike të shqiptarëve, duke filluar nga periudha e lavdishme e Gjergj-Kastriotit- Skënderbeut e deri në ditët e sotme. Libri është ndarë në pesë kapituj. Në kreun e parë, të cilit autori Berishaj i kushton më së shumti hapësirë dhe vëmendje, trajton përpjekjet e shqiptarëve ndër shekuj për të ruajtur origjinën dhe identitetin e tyre kombëtar , ngjarjet më të rëndësishme nga historia e shqiptarëve, duke filluar nga Besëlidhja e Lezhës të vitit 1444, e cila hapi një kapitull të ri në historinë e shqiptarëve, duke ndezur aspiratat e tyre për liri, pavarësi dhe për krijimin e një shteti të parë të mirëfilltë shqiptar të konsoliduar me orientim të qartë europiano-perëndimor.
Autori Berishaj, duke u bazuar në shumë vepra e shkrime dokumentare nga studiues vendas dhe të huaj, hedh një vështrim historik mbi kalvarin, torturën, keqtrajtimet e deri në ekzekutimin me vdekje nga ana e osmanlinjve të klerikëve shqiptarë në Mesjetë. Ai në këtë libër ndriçon planin djallëzor të Mehmet Reshit Pashës, i njohur si “ Masakra e Manastirit, sjell tekstin e plotë të Marrëveshjes ndërmjet mbretit shqiptar Ahmet Zogut dhe kryeministrit serb Nikolla Pashiqit sikurse dhe kontestimet e disa studiuesve të kësaj periudhë në botimet e tyre dhe në faqet e shtypit shqiptar dhe ndërkombëtar.

Temë trajtimi në këtë libër është edhe Kryengritja e Malësisë 1911, Memorandumi i Greçës, shpallja e pavarësisë së Shqipërisë dhe firmëtarët e saj, politika e spastrimit etnik, ideologjia nacionaliste serbe e Ilija Grashaninit, dëshmi e fakte për veprimet çnjerëzore të Perandorisë Osmane, pastaj jep të dhëna me interes për masakrimin e shqiptarëve gjatë Luftës Ballkanike nga ushtria serbe, ndalimin e fesë në Shqipëri, shkatërrimin e kishave dhe xhamive nga regjimi diktatorial i Enver Hoxhës, kalvarin komunist ndaj klerit fetar në Shqipëri, persekutimet e klerit, masakrën e Tivarit e ngjarje tjera tragjike të shqiptarëve.
Në këtë libër, siç thekson autori në parathënie, “do të gjeni ndonjë kritikë të ashpër drejtuar atyre shqiptarëve që dëshirojnë të ndajnë e të përçajnë gjakun tonë të përbashkët, të cilët përpiqen të theksojnë vlerat e atyre kombeve që zaptuan popullin tonë liridashës, të cilët ndërruan komb, gjuhë e fe, të cilët vlerësuan dhe vazhdojnë të vlerësojnë virtytet e turqve dhe sllavëve, e jo atë që kanë trashëguar nga të parët tanë”.
Në kreun e dytë Tomë Berishaj ka përshtatur pjesën teatrale “ Ferexhja” ose Çarçafi. Në pjesën e tretë shkruan për fjalë të urta shqiptare të ruajtura ndër shekuj. Në kreun e katërt jep një rrëfim interesant të një plaku nga Kelmendi. Libri prej 230 faqesh i shoqëruar me fotografi mbyllet me prejardhjen e fisit Berishaj.
Tomë Berishaj në librin “ Udhëtim nëpër shekuj” i fton pushtetarët, historianët dhe elitën shqiptare, që ta ruajnë me çdo kusht identitetin tonë kombëtar në rrethana të reja në Evropën e bashkuar.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura