GJEKË GJONAJ: GJEKË GJONLEKAJ, FAQJA E BARDHË E TRIESHIT NË AMERIKË

Ulqin, 06. 11. 2014 – Unë personalisht nuk e kam takuar asnjëherë protagonistin e këtij shkrimi. Me këtë bashkëvendas nuk kam zhvilluar asnjë bisedë. Si emër e mbaj mend qysh se ai punonte gazetar i Zërit të Amerikës, në vitet 80-të të shekullit të kaluar. Nëse nuk gabohem ishte shqiptari i parë nga trevat etnike shqiptare në Mal të Zi, që përmes valëve të këtij radiostacioni prestigjioz ndërkombëtar informonte opinionin për problemet e shqiptarëve në Ballkan dhe diasporë. Prej atëherë kam fituar bindjen se fjala është për një intelektual të mirëfilltë i përkushtuar vendlindjes dhe kombit shqiptar. Ky respekt ndaj tij vazhdon edhe sot. E përbashkëta jonë është se jemi nga e njëjta trevë ku respektohet shumë tradita, trashëgimia familjare dhe virtytet e malësorëve. Të rritur e të edukuar në një rreth shoqëror në frymën kombëtare, të ushqyer me brumin shqiptar. Kemi të njëjtin emër. Të njëjtat iniciale GJ.Gj. Kemi studiuar në Kosovë. Kemi qenë dhe jemi koleg (gazetar). Dhe çka është më me rëndësi na bashkon përpjekja jonë modeste që me fuqinë e pendës të afirmojmë vlerat tona kombëtare.


Personalitet me veprimtari të gjithanshme
Veprimtaria e Gjonlekajt është e pasur, e gjërë dhe shumëdimensionale, me një shtrirje në disa fusha. Renditet në mesin e gazetarëve më të rëndësishëm shqiptar të diasporës në fundshekullin e kaluar. Ai ka bashkëpunuar dhe bashkëpunon me shumë gazeta e portale shqiptare, por edhe me shtypin e huaj. Emri i tij tashmë është një zë i njohur në botën e gazetarisë shqiptare. Me veprimtarinë e tij në fushën e shtypit Gjonlekaj ka propaganduar zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare, ashtu siç bënte bashkëvendasi i tij Nikollë Ivanaj dhe shumë publicistë të tjerë shqiptarë në periudhën e Rilindjes Kombëtare. Përveç gazetarisë, ai është i njohur si intelektual, si humanist, si botues, si atdhetar i devotshëm i angazhuar gjithnjë për zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve në Ballkan, por edhe si orator, apo siç themi ne trieshjanët gojëtar, që flet bukur para popullit. Në gjykimin tim Gjekë Gjonlekaj është një intelektual i angazhuar, që nuk pajtohet kurrë me atë që mendonte se nuk duhet të ishte ashtu. Është një mendje e pavarur që vazhdimisht merrë pjesë në shqetësimet e popullit të vet dhe jep mendimin e tij të pavarur. Dhe kjo nuk është pak.
Profili gazetaresk
Me anë të shkrimeve, komenteve, ngjarjeve historike, reportazhe dhe profile historike, qytetare e intelektuale, Gjonlekaj solli nëpërmjet Zërit të Amerikës, jetën e komunitetit shqiptar në Amerikë, e të shqiptarëve jashtë trungut amë. Profili i publicistit, intelektualit dhe gazetarit të njohur Gjekë Gjonlekaj në vitet 1982-1992, kur punoi si gazetar në Zërin e Amerikës i përket brezit të artë të gazetarëve në mëgrim, të cilët me fuqinë e mendjes së mprehtë, në sajë të përkushtimit, pasionit e përgjegjshmërisë morale, qytetare e intelektuale na ka dhënë gazetarinë bashkëkohore, profesionale. Përmes profesionit të gazetarit vlerësoj se na dha profilin e tij shoqëror e qytetar të njohur jo vetëm nga kritika e kohës, por edhe nga opinion publik shqiptar.
Preokupimi kombëtar
Nga njohjet dhe informacionet e mia ky veprimtar e aktivist i palodhur i komunitetit shqiptar në Amerikë, gjatë gjithë jetës së tij në këtë kontinentë të mundësive dhe lirive të mëdha, ka qenë i preokupuar për mbrojtjen e çështjes shqiptare. Sidomos u shqua për veprimtarinë e tij në realizimin e aspiratave të popullit shqiptar në Ballkan, veçmas në dekadën e fundit dhe të parafundit të shekullit të kaluar, periudhë kjo tepër e rëndësishme për çështjen shqiptare. Ka marrë pjesë aktive në organizimin e veprimtarive të shumta të tilla atdhetare në Nju-Jork, Uashington e qendra të tjera, duke e njohtuar Qeverinë Amerikane me padrejtësitë që u bëhen shqiptarëve nga sistemet totalitare komuniste dhe për kërkesat e tyre për liri e pavarësi. Në formimin e tij kombëtar ndoshta kanë ndikuar sadopak edhe bashkëvendasit tonë: Prof.dr. Mirash Ivanaj, ministër i Arsimit në Shqipëri, njëri ndër intelektualët më të njohur të kombit shqiptar dhe Atanas Gega, autor i një vepre të rëndësishme për Skënderbeun.
Takimi me nobelisten shqiptare
Në jetën e përditshme si gazetar Gjonlekaj ka patur kontakte me personalitete të kulturës, intelektualë e qytetarë të thjeshtë, figura të njohur të politikës shqiptare dhe asaj të huaj. Në karrierën e tij në fushën e gazetarisë, si çdo gazetar, besoj se ka përjetuar momente të ndryshme, të këndshme, kritike, dëshpruese e të trishta. Por jam i sigurt se momenti më mbresëlënës nga eksperienca e tij është intervista me Nënë Terezën- simbolin e identitetit modern shqiptar. Takimi i tij i parë me humanisten shqiptare të përmasave botërore ishte në vitin 1988 në Nju-Jork. Gjonlekaj, duke raportuar për Radion e Zërit të Amerikës për nobelisten shqiptare, arriti të regjistrojë zërin e Nënë Terezës në recitimin e uratës tradicionale “Puna e Pendimit”, në gjuhën shqipe

Nënë Tereza flet shqip
Mother Teresa speaks albanian

Nga ky fragment i inçizuar nga z. Gjonlekaj dhe i transmetuar, siç theksova, nga Zëri i Amerikës, të gjithë shqiptarët anë e mbanë botës mësuan se Nënë Tereza nuk e kishte harruar gjuhën e origjinës – shqipen edhe pas një largimi prej 60 vjetësh nga qyteti i Shkupit dhe qëndrimit të saj në ambijente joqshqiptare, apo siç thoshte Ali Podrimja “Ç’është e vërteta, lutjet as uratat në gjuhën shqipe Nënë Tereza nuk i kishte harruar për të gjallë, as nuk mund t’i thoshte në një gjuhë tjetër”. Gjonlekaj ka patur fatin e madh të takojë disa herë Nënë Terezën dhe ka pasur korrespondencë me të. I lumi ai që e ka takuar dhe njohur personalisht këtë simbol të humanizmit shqiptar, këtë ikonë të mbarë njerëzimit. Ndërkaq Nëna Terezë në vitin 1997 kur Kongresi Amerikan e shpalli qytetare nderi, iu kishte drejtuar vëllaznisë Gjonlekaj: “Çdo punë e bërë/me zemër të plotë/e ofron njeriun/pranë të madhit Zot… (E juaja fisnike, shtator 1997).
Kontributet në fusha të tjera
Përveç veprimtarisë publicistike dhe atdhetare Gjekë Gjonlekaj ka lënë gjurmë të pashlyera edhe në fusha të tjera. Të flasësh për të dhe të mos përmendet kontributi i tij i madh në fushën e botimeve dhe në rrafshin humanitar është e pamundur dhe e pashmangshme. Shtëpia botuese “Gjonlekaj” në Nju-Jork ka botuar kryesisht në gjuhën angleze shumë vepra kapitale nga letrat shqipe, ndër të cilat veçojmë: veprat madhore të Faik Konicës dhe Kanunin e Lekë Dukagjinit të At Shtjefën Konstantin Gjeçovit. Me këto dhe botime të tjera në gjuhën angleze Gjonlekaj mundësoi njohjen e kulturës shqiptare në vendet anglishtfolëse. Sponsoroi shumë aktivitete kulturore e shkencore në Nju-Jork, kushtuar figurave të mëdha të kombit shqiptar. Gjekë Gjonlekaj dhe vëllai i tij Luca, përpos kontributit që kanë dhënë në shumë drejtime të tjera në të mirë të popullit shqiptar, janë angazhuar edhe në fushën e humanizmit njerëzor. Në këtë aspekt nuk ka munguar as kontributi i tyre në vendlindje. Trieshjanët ndjehen krenarë për vëllezërit Gjonlekaj. Ata thonë me bindje se Gjonlekajt janë faqja e bardhë e Trieshit në Amerikë.

……………………………………….

Intervistë me Z. Gjekë Gjonlekaj

Fjalimi i z. Gjekë Gjonlekaj, Mars, 2008 New York:

…………………………………………………………..

(Ilustrimet i përzgjodhi editori i pashtriku.org, Sh.Berisha)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura