SABIT ALIDEMA: HALIL ALIDEMA – METEORË LIRIE (3)

Pashtriku, 29 mars 2021:
5. VEPRIMTARIA EDUKATIVO-ARSIMORE E ÇIFTIT BASHKËSHORTOR- HALILIT DHE TEUTËS
(Mësuesit e popullit)
Halil Alidema pasi e kreu Normalen e Prishtinës bashkë me shoqën e vet të shkollës, tani i martuar me të, si një çift ideal bashkëshortorësh, karrierën e tyre të mësuesisë e filluan në fshatin e largët malor, në Firajë të komunës së Shtërpcës.

Si mësues të rinj, plot vullnet dhe energji, filluan me zell të madh t’i arsimonin voglushët e shkollës së fshatit Firajë. Ata u bënë të afërt e të dashur për nxënësit e tyre. Nuk pritonin fare të punonin në shkollë pa ndërprerë tërë ditën, që nga mëngjesi e deri në mbrëmje. Madje puna edukativo-arsimore e tyre nuk kufizohej brenda katër mureve apo oborrit të shkolës, por ata u bënë mësues dhe edukues edhe të popullit.
Halili ishte shumë komunikativ e modest në sjellje dhe duke vënë kontakt me fshatarë, shpejt i përvetësoi ata. Ai kishte ndikim të madh te masa e popullit, por edhe ata kishin besim të plot në mësuesin e tyre të dashur e të nderuar Halil Alidemën. Halili u mor edhe me aktivitete të infrastrukturës së fshatit: meremetimin e rrugëve, elektrifikimin e fshatit, rregullimin e oborrit të shkollës, etj. Përveç kësaj Halili tek fshatarët ushtronte edhe ndikim të madh politik e patriotik, të cilët do t’i bëhen krah i fortë e bashkëmendimtarë në realizimin e synimeve drejt lirisë e pavarësisë së Kosovës.

Halil dhe Teuta Alidema

Po ashtu edhe mësuesja Teuta Kryeziu-Alidema, ishte një Afërditë e vërtetë. Ajo shkonte shtëpi më shtëpi dhe vënte kontakt me vajzat e gratë fshatare të Firajës. Me sjelljen e saj të çiltërt e burrërore, me modestinë e fisnikërinë e saj si mësuese e zellshme e me ideale të larta në rrugën e edukimit e arsimimit të femrës shqiptare, ajo i përvetësoi dhe i bindi se shpëtimi ynë është arsimimi i vajzave dhe grave shqiptare. Sepse vetëm kështu ne i bëhemi krah djemëve e burrave tanë, vetëm të shkolluara e të arsimuara ne mund t’i shërbejmë popullit e atdheut tonë, u fliste vijimisht mësuesja Teutë motrave të veta të Firajës. Halili e Teuta u familjarizuan me fshatarët e Firajës, duke marrë pjesë në çdo gazmend apo rast vdekjeje, ata ndanin të mirën e të keqen bashkë me popullin.
Pra, kështu ata u bënë popullor, të afërt e të dashur për tërë fshatin. Respekti e kujtimi për këtë çift ideal bashkëshortorësh, si mësues dhe edukues të popullit, do të lënë gjurmë të thella dhe do të kujtohen gjatë. Ndonëse ka kaluar një gjysmë shekulli, kujtimet për këtë çift bashkëshortorësh ende janë të freskëta. Këtë bindje e dëshmojnë kujtimet e nxënësve, të grave dhe të burrave të fshatit Firajë, që do t’i ndeshim në këtë vepër në kreun: TË TJERËT PËR HALILIN, ku mund të shtojmë edhe për mësuesen e dashur e simpatike- Teutën. Edhe sot shkolla e Firajës mban në korridor fotografinë e Halilit dhe Teutës.
Pas shërbimit në shkollën e Firajës, Halili dhe Teuta, do të shërbejnë edhe në shkollën tetëvjeçare të vendlindjes së Halilit – në Pozheran.
Këtu, këta dy punëtor arsimorë e gjallëruan jetën kulturore të shkollës e të fshatit Pozheran e të rrethinës së tij; sepse gëzonin përkrahje e respekt edhe nga nxënësit edhe nga qytetarët e Pozheranit. Nuk kanë thënë kot: “Guri i randë n’vend të vet”. Halili këtu ishte edhe më i fortë edhe më i përkrahur, kështu që kjo shkollë lulëzonte në çdo aspekt dhe ishte shembull jo vetëm për shkollat e komunës së Vitisë, por për të gjitha shkollat e rajonit të Anamoravës.
Mirëpo, këtë jetë idilike, këtë sukses të Halilit, u ranë shpejt në sy punëtorëve të UDB-esë së Jugosllavisë moniste. Halili ra në kundërshtim me ta dhe përcillej në çdo hap, ndaj me ndikimin dhe përkrahjen e shkokut të shkollës Qerim Gashit, Halili me Tetutën, më 1962 shërbyen në shkollën tetëvjeçare të Malishevës, aso kohe komunë në vete.
Halili e Teuta kudo që punuan, edukuan dhe arsimuan nxënësit dhe popullin, duke zhvilluar një veprimtari edukativo-arsimore të fuqishme, vunë temelet e arsimit dhe ngjallën dashurinë e ndjenjën atdhedashëse e arsimdashëse. Prandaj si të këtillë mund t’i emërtojnë me plot të drejtë: Mësues të merituar të popullit.
6. PUNA NË FAKULTET FILOZOFIK
Halili me përkrahjen e shokëve dhe ndihmën konkrete të akademik Ali Hadrit, filloi punën në administratën e Fakultetit. Këtu Halili zgjeroi rrethin e shokëve e miqve të vet, jo vetëm ndër punonjësit e administratës së Fakultetit, por edhe ndër profesorë e ligjërues, kuadër i lartë mësimor, duke gëzuar respekt e autoritet të madh si njeri i fjalës e i besës, si njeri guximtar dhe i vendosur. Shi, për këtë arsye, ai u nxit të fillojë studimet në Fakultetin e Drejtësisë, të cilat i kreu me sukses. Edhe punën në administratën e Fakultetit Filozofik e kryente me saktësi e përgjegjësi të lartë. Ai gëzonte autoritet edhe te studentët e Fakultetit, ku punonte, por edhe te një numër i madh i studentëve të Universitetit të Prishtinës, te të cilët do të ketë edhe ndikim e frymëzim në demonstratat e vitit 1968, e veçanërisht në ato të vitit 1981 të Pranverës së Madhe Studentore, për të cilat do të dënohet 11vjet burg të rëndë si udhëheqës i “Grupit të intelektualëve shqiptarë”.
Ndonëse kishte kryer studimet në Degën e Albanologjisë në Fakultetin Filozofik, viti 1968 Halilin e gjeti student të Fakultetit të Drejtësisë. Kështu që në vitin 1973, Halili kreu edhe Fakultetin Juridik. Nën ndikimin e profesor Ali Hadrit, Halili i filloi studimet pasuniversitare dhe më 1978 magjistroi në shkencat historike me temën: “Paqa e Shën Stefanit dhe Ballkani”, të cilën e kreu me sukses.
Në Fakultet Filozofik nuk u lejua të punonte si kuadër mësimor, sepse për sistemin serbosllav politikisht ishte i papërshtatshëm, ndaj ishte gjithnjë i ndjekur dhe i përcjellur nën hetime të rrepta nga shërbimet sekrete serbe. Ndërkaq, teza e doktoranturës e përgatitur me titull: “FUQITË E MËDHA DHE BALLKANI”, për shkak të arrestimit dhe të dënimit më 11vjet burg, mbeti pa u realizuar.
Viti 1981 përsëri e gjeti në ballë të demonstratave të studentëve.
– VIJON –

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura