Gjekë Gjonaj: Krojet publike në Triesh rrezikojnë zhdukjen nga faqja e dheut

Ulqin, 25 shtator 2020: Krahina e Trieshit përveç se është një vendbanim i hershëm malor me një thesar të pasur trashëgimor ka një traditë të veçantë edhe sa i përket krojeve publike, që rrezikojnë zhdukjen nga faqja e dheut. Këto objekte kulturore me vlera të mëdha historike e kulturore gjinden në secilin fshat të Trieshit. Në këtë trevë ka 15 kroje publike dhe disa kroje familjare.
Në fshatin Rudinë janë pesë kroje publike: Kroni i Lekashit, Gurra e Margilajve, Saranxha e Sërdanit, Gurra e Thanzëns dhe Kroni i Llogzës mbi Malin Qyteza e Madhe. Në fshatin Nikmarash ndodhen dy kroje: Kroni i Nimkmarashit dhe Kroni i Bështjerrës. Në katundin Muzheçk janë dy kroje: Kroni i Muzheçkut dhe Gurra e Muzheçkut. Në katundin Budzë është Kroni i Liqëthit. Në vendbanimin Bisaq ndodhet Kroni i Bisaqit. Në fshatin Stjepoh është Kroni Stjepohit. Në fshatin Bëkaj është Kroni i Bëkajve, kurse në fshatin Poprat është Kroni Popratës.
Krojet publike burimore në Triesh kanë ekzistuar mjaft heret. Por, nuk dihet saktësisht se kur janë ndërtuar ato pasi nuk ekzistojnë të dhëna të sakta e as shënime historike. Mendohet se janëqindravjeçar – shekullor. Vetëm në njërin prej tyre figuron data e ndërtimit. Ai është Kroni i Nikmarashit, i ndërtuar në qendër të fshatit me të njëjtin emër në vitin 1882. Krojet në Triesh janë ndërtuar me gur gëlqeror të gdhendur në madhësi të ndryshme. Ndërtuesit e tyre sipas gojëdhënave kanë qenë vetë trieshjanët. E përbashkëta e krojeve të Trieshit është thjeshtësia në realizim, pa pretendime në vështrim arkitektonik dhe shpesh edhe pa instalime shoqëruese të lidhura me funksione të tjera, por që në ndërtimin e tyre kane gjetur zbatim koncepte të qarta të natyrës teknike.

Jeta në Triesh pa kroje, gurra e saranxha ka qenë e pamundshme. Uji nga krojet dhe gurrat ka shërbyer për furnizim të banorëve dhe kalimtarëve me ujë të pijshëm, për nevoja higjienike dhe për ujitjen e bagëtive. Ky ujë flori, siç e quajtën gjeneratat e vjetra të Trieshit, ka qenë burimi kryesor i jetës. Krojet gjithmonë kanë qenë faktor vendimtar për ekzistencën e trieshjanëve.
Ato kanë qenë edhe vendtakimi i banorëve dhe kalimtarëve të ndryshëm. Fshatarët në buzëmbrëmje pranë krojeve të tyre zhduknin lodhjen e ditës. Bisedonin dhe argëtoheshin derisa binte mbrëmja. Krojet veçmas gjallëronin nga zërat e grave dhe vajzave të cilat kur afrohej të perëndonte dielli në çdo fshat vinin të veshura e të stolisura me mbushë ujë me buljera në shpinë e kova në dorë. Kovat me ujë të ftohtë i merrnin në dorë dhe me to u jepnin për të pirë ujë atyre që takonin rrugës apo burrave të vjetër të cilët dilnin buzëmbrëmjeve në vende të caktuara në këto fshatra. Takimet dhe shoqërimet e burrave, djemve, grave dhe vajzave ishin mjaft të gëzuara. Banorët e sotëm, e më shumë ata të larguar veçanërisht për krojet e vjetra kane dashuri edhe si vende të rëndësishme takimi që zgjojnë kujtime, nostalgji dhe mall.
Të gjitha këto kroje, të cilat ishin një element i rëndësishëm i përditshmërisë së trieshjanëve, kanë mbetur edhe sot. Një numër vogël i tyre është në funksion, ndërsa pjesa tjetër jo. Shumica e banorëve të dikurshëm janë larguar nga Trieshi, prandaj tani nuk ka kush të përkujdeset për to. Ato janë lënë në mëshirën e kohës dhe të fatit. Si të tilla sot janë dëshmi e kujdesit të munguar të banorëve, mërgimtarëve e pushtetarëve.
Pushteti i ri në Komunën e Tuzit do të ishte mirë sikur të fillojë zbatimin e projektit për pastrimin e krojeve publike jo vetëm në Triesh, por në krejt territorin e Malësisë, pasi të konstatojë dëmtimet e theksuara në sipërfaqet e krojeve të gurit nga faktorët atmosferik, mbetjet e pluhurit, ngjyra, myshqet, njollat dhe papastërtitë tjera. Përkujdesja institucionale ndaj objekteve të trashëgimisë kulturore në Malësi me aplikimin eventual të metodave profesionale do të mundësonte jetëgjatësinë e tyre duke e ruajtur origjinalitetin që kanë.
 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura