GJENEVA VAZHDON SOLIDARIZIMIN ME SHQIPTARËT E KOSOVËS, TË VRARË DHE TË ZHDUKUR NGA USHTRIA DHE POLICIA FASHISTE E SERBISË
Nga Arif Ejupi
Në kuadër të ditës ndërkombëtare të të vrarëve dhe të të zhdukurve pagjurmë në komunën Meyrin të Republikës dhe kantonit të Gjenevës, është organizuar një manifestim solidarizimi me të gjitha viktimat që ende nuk kanë varr e as urnë me hirin e trupit të tyre.
Meqenëse mbante ditë me vapë tubimi kushtuar mijëra viktimave në mbarë botën është mbajtur në parkun “Jardin botanique alpin” të komunës Meyrin.
Organizator i këtij manifestimi në bashkëpunim edhe me shoqata të tjera joqeveritare të Gjenevës, ka qenë shoqata “Jardin des Disparus-Meyrin” e krijuar në vitin 2000.
Kjo shoqatë jofitimprurëse që qëllim të vetëm ka luftën kundër krimit të organizuar çdo vit nëpërmjet tubimeve të këtij lloji apelon për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut në mbarë botën.
Tubimin e ka hapur zonja Arta Kryeziu-Osmani, aktiviste shumëvjeçare e shoqatës në fjalë. Ajo mbi 100 (njëqind) pjesëmarrës të pranishëm në këtë ngjarje i ka njoftuar me programin dhe referuesit e temave.
Si një nga krimet gjenocidiale që ende kullojnë gjak dhe janë plagë e hapur e mijëra familjeve janë theksuar masakrat e kryera nga kryekasapi i Ballkanit Sllobodan Millosheviq dhe makineria e tij në Srebrenicë të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe në qytete e fshatra të ndryshme të Kosovës.
Një gjenocid i tillë i kryer në prag të shekullit të -XXI- fatkeqësisht ende ka mbetur i pandëshkuar nga Bashkësia Ndërkombëtare. Z. Pierre Alain Tchudi, mbrojtës konsekuent i të drejtave dhe lirive të njeriut dhe anëtar i Komitetit “Jardin des Disparus de Meyrin” njoftoi të pranishmit që në kujtim të të zhdukurve pagjurmë nga sistemet diktatoriale dhe raciste janë mbjellë në hapësirat e parkut “Le jardin des disparus de Meyrin” disa fidanë.
Mbi gjenocidin serbë të kryer ndaj shqiptarëve duarthatë foli edhe z. Kushtrim Gara, përfaqësues i Komisionit për të zhdukurit pagjurmë i Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Gara tha që përpjekjet e pareshtura të palës kosovare për ndriçimin e viktimave ende të pagjetura deri me tani nuk kanë dhënë ndonjë rezultat, ngase Serbia nuk është duke zbatuar asnjë nga marrëveshjet e nënshkruara.
Nga kjo lojë e paskrupullt e Serbisë shihet qartë se ajo nuk është penduar fare për gjenocidin e ushtruar ndaj shqiptarëve të Kosovës. Si pasojë e kësaj ne jemi të detyruar që ndaj kësaj papërgjegjësie absolute të Serbisë të protestojmë deri sa familjeve të traumatizuara dhe në ankth t’u kthehen eshtrat e më të dashurve të tyre.
Me një diskutim të shkurtër dhe përmbajtjesor është paraqitur edhe Dr. Arsim Gërgjaliu, ekspert i Mjekësisë ligjore. Dr. Gërgjaliu si përfaqësues i Institutit të Mjekësisë ligjore të Republikës së Kosovës, tash e 25 vite me seriozitetin më të madh është marrë dhe merret me identifikimin e të vrarëve dhe të zhdukurve pa gjurmë nga regjimi kriminal i Milosheviqit, i akuzuar për krim e gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës.
Dr. Gërgjaliu ndihet mjaft i zhgënjyer kur sheh që Serbia vazhdon me lojën e djallit, duke fshehur edhe pas shumë e shumë viteve eshtrat e të masakruarve dhe të të zhdukurve shqiptarë pagjurmë, në mesin e të cilëve edhe të intelektualit të shquar dhe Atdhetarit të devotshëm Ukshin Hoti, profesor në Universitetin e Kosovës.
Kurse z.Selami Hoti, nga organizata joqeveritare “For New Life Kosovo” e Republikës së Kosovës, çmoi lartë përpjekjet e të gjitha organizatave dhe individëve në periudhat e mëhershme që së reshtën së punuari për zbardhjen dhe identifikimin e të vrarëve dhe të të zhdukurve nga Serbia, gjatë viteve 1997-1999.
Z.Hoti mendon që krimi dhe gjenocidi serbë duhet të pasqyrohet në vazhdimësi edhe nëpërmjet tryezave dhe debateve të ndryshme, si dhe me shkrimin e librave, në mënyrë që brezi i rinj të mësojë të vërtetën e këtyre krimeve dhe masakrave.
Serbia me elaborate të hartuara nga Akademikë e Priftërinj të saj, ka kryer dhunë dhe gjenocid të vazhdueshëm ndaj shqiptarëve edhe përpara viteve 1945, 1956, 1968, 1981, 1990, 1997, 1999 e deri në ditët e sotme.
Sipas z.Hoti mosndëshkimi i Serbisë nga Bashkësia Ndërkombëtare për krimet dhe gjenocidin e ushtruar ndaj shqiptarëve rrit orekset e saj, për krime të reja.
Serbia, lehtë mund të merret edhe si model nga vende me sisteme diktatoriale, që jetëgjatësinë e tyre në pushtet e vazhdojnë me aneksime të vendeve fqinje dhe vrasje e likuidime të njerëzve të pafajshëm.
Ndërkaq, zonja Kumrije Karaçica, po ashtu anëtare e shoqatës joqeveritare “For New Life Kosovo” u ka bërë thirrje të gjitha organizatave qeveritare dhe joqeveritare që të ndihmojnë në gjetjen e të zhdukurve pagjurmë nga Serbia, me kusht që familjet e këtyre të vrarëve dhe të masakruarve të kenë të paktën një varr të gjyshit, gjyshes, babait, nënës, vëllait apo motrës në tokën e Kosovës martire.
Rrëfimet e tyre rrëqethëse para të pranishmëve i kanë shpalosur edhe disa nëna dhe motra tonat të mbijetuara nga këto masakra.
Blerim Bunjaku prej vitesh në Gjenevë, ka deklamuar fragmente të shkruara nga artisti ynë i madh Reshat Arbana “Bijtë e humbur”.
Një kontribut të jashtëzakonshëm rreth kësaj problematike është duke dhënë edhe Artisi i njohur kosovar Ramë Dardania, alias Ramë Beqiri, pjesëmarrës i Betejës së Koshares, Ai ka hapur në vende të ndryshme të Evropës, ekspozita të punuara me një mjeshtri të rrallë, kushtuar të të vrarëve dhe të të zhdukurve në Kosovë, nga ana e Serbisë, fashiste.
Ky i rinj i talentuar ka zgjuar kureshtjen e mijëra vetave me një ekspozitë të hapur kohë më parë në Pragë të Çekisë.
Tubimin e ka përshëndetur edhe zonja Diana Cakolli, zëvendëskonsulle në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Gjenevë të Zvicrës.
Gjatë qëndrimit në Gjenevë, delegacionin nga Kosova e ka shoqëruar Z. Xhavit Islami nga shoqata VITIA.
Këtë manifestim tashmë tradicional edhe kësaj radhe e ka mbështetur Komuniteti Shqiptar i Gjenevës, i udhëhequr nga z. Nasuf Nuhiu.