PROF.DR.AGIM ZOGAJ: HISTORIK I USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS NË JAVOREN ‘ZËRI’ (DHJETOR 1997 – MARS 1999) (Pjesa I)

Prishtinë, 20 korrik 2020: (Kumtesë shkencore)
Abstrakti
Duke pasur parasysh, rolin e medieve në afirmimin e rolit historik, kombëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pra, kontributin e medieve në shkrimin e historisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kumtesa përkatëse trajton, gjithnjë me qasje kritike dhe objektivitet shkencor shkrimet e Javores Politike Shqiptare , “ZËRI” për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke përfshirë periudhën dhjetor 1997 – mars 1999, pra, deri në fillimin e bombardimeve të NATO-së mbi caqet ushtarake, para ushtarake e policore serbe. Trajtesa hulumton, studion qasjet, interpretimet, qëndrimet nga shumë këndvështrime që, gjithnjë sipas komenteve, analizave, vështrimeve, intervistave, reportazheve nga fushëbeteja i bëheshin luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, luftës së popullit të Kosovës për çlirim nga sundimi serb. Nga ato analiza të politikanëve shqiptarë dhe ndërkombëtar të kohës, në intervista të cilat “ZËRI” i botonte me udhëheqës të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe me personalitete eminente ndërkombëtare, me analistë ushtarakë, diplomatë, gazetarë, opinionistë etj. shihej qartë rrita, afirmimi, popullarizimi dhe faktorizimi i vazhdueshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si në rrafshin ushtarak ashtu edhe në atë diplomatik ndërkombëtar. Vlerësoj se, të gjitha shkrimet në Javoren Politike Shqiptare “ZËRI”, derisa ajo revistë u botua, fund i marsit 1999, janë kontribut dhe dëshmi të rëndësishme për shkrimin, hartimin objektiv të historisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Fjalë kyçe: “Zëri”; UÇK; Politikë; Çlirim, Luftë; Kosovë.
Javorja politike shqiptare ,,Zëri” , pa dyshim është ndër të parat që me shkrimet e veta, menjëherë pas daljes së komunikatave të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës arriti që të sensibilizojë opinionin shqiptar, por edhe atë ndërkombëtar me aktivitetet luftarake dhe politike të UÇK-së që nga paraqitja e saj . Shkrimet, analizat, komentet, intervistat me aktor, udhëheqës të UÇK-së, me politikanë, studiues, analistë vendorë si dhe ata ndërkombëtar i dhanë fuqizim afirmimit të luftës së popullit të Kosovës me në krye UÇK-në për çlirimin nga pushtimi serb/ jugosllav. Javorja politike shqiptare , “Zëri”, me temat e drejtpërdrejta, me intervista të shumta politike, që për temë e kishin daljen dhe luftën e UÇK-s- si dhe me reportazhet nga fushëbetejat kishte sensibilizuar jo vetëm opinionin mbarëshqiptar, por edhe atë ndërkombëtar të kohës, sepse diplomatë të shumtë të asaj kohe kishin dhënë intervista, pikëpamjet e tyre dhe të qeverive të shumta evro – perëndimore për luftën çlirimtare të popullit të Kosovës. Kështu, përmes shkrimeve, raporteve nga fushëbeteja, komenteve, editorialeve, intervistave me personalitete të shquara ndërkombëtare, “Zëri” arriti që, para publikut shqiptar gjithandej të shpalos, të identifikojë dhe jo vetëm të regjistrojë opinionet, vlerësimet dhe, qëndrimet e diplomacisë ndërkombëtare në lidhje me luftën e UÇK-së.

Kështu, në numrin e datës 6 dhjetor të vitit 1997, ,,Zëri” në shkrimin me titull, “UÇK: Një kronologji e shkruar me komunikata”, nënvizon se: “ …shikuar në retrospektivë, qysh nga paraqitja e komunikatës së parë në opinionin e UÇK-së, rrethe të caktuara politike kosovare patën treguar një dozë të caktuar rezervë, lidhur me ekzistencën dhe veprimtarinë e kësaj organizate (1) . Sipas artikullshkruesit të Zërit, një qëndrim i tillë është “mbajtur për një kohë relativisht të gjatë”. (2) Pra, gjithnjë sipas “Zërit” mund të kuptohej se, në opinionin publik, politik shqiptar në Kosovë ende vazhdonte të kishte një paqartësi në lidhje me ekzistimin, veprimin UÇK-së, prandaj edhe përmbajtja e kumtesave të publikuara nga Shtabet politike të UÇK-së ishin të interpretuara nga shumë këndvështrime. Ndër opinionet e ndryshme, të cilat , gjithsesi më tepër mund të konsideroheshin se ishin luftë speciale e shërbimeve sekrete të Serbisë, ishte përshtypja, spekulimi se ato po i “shkruan” shërbimi sekret serb për të krijuar huti, pa qartësi në opinionin shqiptar. Madje, kishte ide, pikëpamje sikur Serbia kishte dorë në ato Komunikata me emblemën e UÇK-së, me qëllim për të krijuar pretekst për ta rritur edhe më fuqishëm dhunën ndaj popullatës së pa mbrojtur shqiptare të Kosovës.
Më pas, autori i shkrimit, duke bërë një retrospektivë kronologjike të daljes së parë publike të komunikatave të UÇK-së shkruan se më 17 shkurt të vitit 1996 në gazetën “Bujku” është botuar komunikata e parë publike UÇK-së. (3) Kjo e dhënë, ky fakt, gjithsesi është me interes të madh për studiuesit e historisë së lindjes dhe veprimtarisë së UÇK-së.
Artikullshkruesi, pasi thekson interesimin e opinionit për të ditur më shumë, madje siç shprehet, për të vërtetën për UÇK-në, më tej konstaton se “me gjasë e vërteta e plotë për UÇK-në do të tregohet më vonë” (4). Kuptohet, ishte kohë kur Ilegalja Atdhetare Shqiptare, pra dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, që në fakt ishte krahu i armatosur, ushtria e Ilegales Atdhetare Shqiptare po vepronte në ilegalitet të thellë dhe, pikërisht nga forta e veprimit ilegal, politik dhe të aksioneve ushtarake po krijonte opinion publik, simpati, përkrahje dhe po e fuqizonte moralin e popullit për luftë të armatosur.
“ Zëri” në numrin e datës 13 dhjetor të vitit 1997, trajton në mënyre analitike dhe për herë të parë me qasje dukshëm më transparente fenomenin UÇK. I themi fenomenin UÇK, sepse për kohën, UÇK-ja ende po vepronte nga ilegaliteti i thellë dhe, natyrisht se, për shumë kë, nuk mund të kuptohej se ishte themeluar dhe po vepronte ushtria e djemve të Kosovës, pra Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Presioni sistematik i pushtuesit serb, sundimi gati një shekullor i Serbisë, përkatësisht i Jugosllavisë mbretërore dhe i Jugosllavisë AVNOJI-ane kishin lënë pasoja, gjurmë të thella në psikologjinë e popullit shqiptar, i cili, edhe pse kishte zhvilluar kryengritje të shumta kundër pushtimit serb/jugosllav asnjëherë nuk kishte pasur aleat përveç përkrahjes, më tepër politike, morale,vëllazërore të shtetit shqiptar.
Kësaj radhe në shkrimin me titull, “Kompromiset dhe guerilja ”artikullshkruesi, pasi vlerëson se “rezistenca e Drenicës sfidon fuqinë kontrolluese të ushtrisë serbe” më tej konstaton se “UÇK-ja tashmë ka demonstruar prezencën dhe aftësinë e organizimit të aksioneve në të gjitha viset e Kosovës”. Pra, në këtë fazë, vlerësohet se UÇK-ja ekzistonte, vepronte realisht dhe, ngadalë po bëhej fuqi e respektueshme në luftën kundër pushtuesit serb/jugosllav. Madje, duke pasur parasysh jehonën e madhe të aksioneve të UÇK-së, rritjen e popullaritetit të saj anë e mban Kosovës, autori i komentit vë në spikamë përkrahjen dhe simpatinë e madhe që për një kohë të shkurtër, pra, në ata muajt e fundit të vitit 1997, e kishte fituar UÇK-ja. Gjithnjë, sipas komentit të sipër cekur, UÇK-ja me veprimet e saj, organizimin dhe aksionet e fuqishme luftarake kundër pozicioneve të pushtuesit serb, po kalonte në fazë të re të organizimit, të fuqizimit dhe sidomos kundërvënies së suksesshme të armatosur ndaj forcave serbe, policore, ushtarake, paraushtarake, atyre të shërbimit server serb/jugosllav dhe të tjera. Nga, formulimi i pikëpamjeve të komentuesit, vërehet një vetësiguri për fuqizimin ushtarak, politik të UÇK-së përballë armikut serb.
Prandaj , artikullshkruesi konstaton se: “Sa i përket UÇK-së, që ditëve të fundit fitoi një publicitet të gjerë, gjëja më e rëndësishme në paraqitjen e kësaj ushtrie nuk ishte vetë fakti i daljes në skenë publike, sa ishte me rëndësi duartrokitjen dhe brohoritja e popullit”. Me një transparencë, deri atëherë të pa bërë publike, javorja “Zëri” e cila printe ndër shtypin shqiptar të kohës me guximin, jo vetëm gazetaresk, publicistik, por kombëtar e vë theksin, pra, tek entuziazmi, lumturia, gëzimi, ngazëllimi i popullit të Kosovës me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e cila kishte dalë nga shpirti liridashës, guximtar, i pa përulur i secilit shqiptar të Kosovës dhe më gjerë. UÇK, pra shumë shpejt u bë pjesë e shpirtit, e vullnetit, e ëndrrave të popullit të Kosovës, sepse, siç del edhe nga përmbajtja e komentit të sipër cekur, i madh e i vogël u identifikuan me UÇK-në, me ushtrinë e popullit e cila kishte dalë në mbrojtjen kombëtare të popullatës.
Autori, i cili mendon se kualifikimi më i saktë për UÇK-në do të ishte ai i gueriles specifike shqiptare, si një lëvizje çlirimtare e drejtuar kundër pushtuesit, mendon se “ problemi i Kosovës qëndron te terrorizmi shtetëror serb, dhe jo te UÇK-ja”.
“Zëri”, gjatë periudhës së viteve 1997,1998 dhe 1999, në drejtim të sensibilizimit të opinionit ndërkombëtar rreth luftës çlirimtare të UÇK-së dhe të popullit shqiptarë të Kosovës, kishte bërë depërtimin të rëndësishme përmes intervistave me personalitete të larta të diplomacisë, publicistë, analistë dhe ekspert ndërkombëtar .
Kështu, Pitër Kingç, bashkëkryetar i Komitetit për çështje shqiptare në kongresin amerikan, në intervistën për “Zëri” të datës 13 dhjetor 1997 me titullin “UÇK-ja është rezultat i injorimit të Rugovës nga Serbia dhe Amerika”, mes tjerash deklaron se “sa di unë, qeveria jonë ende nuk e ka të qartë se kush është prapa UÇK-së “ ndërsa sipas diplomatit amerikan, personalitetet e UÇK-së kanë ardhur në përfundim se “nuk ka alternativa tjera për zgjedhjen e problemit përveç përdorimit të dhunës kundër regjimit serb”. (5) Ishin ato, opinionet e para, të dhëna një media shqiptare të një diplomati të lartë amerikan, i cili siç shihet nga vlerësimet e tij, pranonte se, për atë kohë, pra dhjetor 1997 edhe Stejt Departamenti Amerikan nuk kishte informacione të mjaftueshme, bazike për atë se, kush qëndronte prapa UÇK-së. Por, diplomati amerikan, Piter Kingç megjithatë konstaton se, fakti që politika pacifiste e Rugovës / LDK-së / nuk po jepte rezultatet në çlirimin e Kosovës nga sundimi serb ishte ndër faktorët që, determinoi organizimin ushtarak të popullit të Kosovës, gjithnjë nën drejtimin e UÇK-së e themeluar nga Ilegalja Atdhetare Shqiptare / Lëvizja Popullore e Kosovës /.
“Zëri”, në numrin e datës 27 dhjetor të vitit 1997 boton intervistën me Ibrahim Rugovën i cili, për herë të parë, drejtpërdrejt në një pyetjen rreth UÇK-së deklaron se “ Shumë është duke u spekuluar rreth atij grupi , siç thuhet, se unë nuk kam informacione se ekziston një formacion e organizatë e tillë në Kosovë”. (6)
Në numrin e parë të janarit 1998, në shkrimin me titull, “Qetësia mashtruese para stuhisë” artikullshkruesi i “Zërit” sikur paralajmëron qasje edhe më analitike dhe më të drejtë për drejtë rreth zhvillimeve në Kosovë.
Pasi konstaton se në mozaikun e politikës nacionale të Kosovës është shfaqur UÇK-ja, autori shkruan se “ Me shfaqjen e UÇK-së, duket që në Kosovë lindi një front tjetër i refuzimit, jo vetëm pasivë , por një i armatosur”. Pra, gjithnjë sipas artikullshkruesit, fjala ishte për shfaqjen e rezistencës aktive, të organizuar nga një qendër politiko – ushtarake e popullit të Kosovës. Ndërsa, vet fakti i paraqitjes së formacioneve të organizuara, ushtarake të UÇK-së, për kohë dhe hapësirë, pra në janarin e vitit 1998 ishte një indikator i fuqishëm se, populli i Kosovës nuk mjaftohet më me rezistencën paqësore dhe se, pushtuesi serb/ jugosllav do të ballafaqohej fuqishëm me kryengritjen e armatosur të popullit shqiptar. Pa dyshim, realiteti i ri i krijuar në Kosovën, atëherë të robëruar nga sundimi serb, kishte reflektime të shumta edhe në planin e diplomacisë ndërkombëtare, Serbisë ndërsa, po i bëhej me dije se, kishte ardhur koha e ballafaqimit në fushën e betejës dhe se shqiptarët e Kosovës, përmes UÇK-së ishin të vendosur ta çlironin popullin dhe vendin nga sundimi serb.
Autori konstaton se ekzistimi i UÇK, tashmë është një realitet, ndërsa diskutimet pro et kundër ekzistimi të UÇK-së janë ndezur edhe në Shqipëri, duke cituar deklaratat e Neritan Cekës, Pandeli Majkos, Sali Berishës etj. Ndërsa, lidhur me heshtjen e LDK-së lidhur me UÇK-në autori shkruan se LDK-ja nuk guxon edhe gjatë ta fus kokën në zalle dhe ta vërshoj popullin me deklarata tashmë qesharake se nuk kemi informata për UÇK-në, kur pjesëtarët e armatosur të UÇK-së u japin intervista dhe propozojnë edhe para gazetave të huaja.
Në të njëjtin numër, në shkrimin me titull “ Uashingtoni pret prononcimin e udhëheqjes së Kosovës rreth UÇK-së”,të shkruar nga korrespondenti i “Zërit” në Nju-Jorku, artikullshkruesi bën të ditur se “ Së shpejti CIA do të ftohet për tu informuar më hollësisht disa kongresistë rreth UÇK-së dhe udhëheqjes së Kosovës, e cila deri më tani ju ka shmangur përgjegjësisë, duke u shprehur “ se nuk ka informacione për një organizatë të tillë , do të bëhet trysni që të deklarohet dhe ta denoncoj UÇK-në”. Pra, gjithnjë sipas korrespondentit të javores politike shqiptare “Zëri” nga Washingtoni, Qeveria amerikane i përcillte me shumë kujdes zhvillimet në Kosovë, pra, veçmas paraqitjen e UÇK-së, rolin e saj, qëllimet, objektivat, mënyrën e organizimit, fuqinë e saj ushtarake, politike si dhe ndikimin në popullatën shqiptare. Artikulli i mësipërm, kishte bërë me dije opinionit shqiptar në Kosovë dhe gjithandej, pra edhe Qeverisë shqiptare në Tiranë se, zhvillimet në Kosovë, sidomos pas daljes publike të UÇK-së janë në agjendë të rëndësishme të politikës amerikane dhe të pozicionimeve të reja në agjendat e gjeopolitikës së Perëndimit. Ky fakt, pra, i përcjellë përmes korrespondentit të “Zërit” nga Washingtoni, kishte ndikim dhe jehonë të madhe jo vetëm tek strukturat e atëhershme politike të Kosovës, por edhe tek popullata dhe, veçmas ishte domethënëse për Drejtorinë Politike të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së drejtuar nga z. Hashim Thaçi.
VIJON…
_____________
Referebca:

1,,Zëri” . 6/12/1997. Prishtinë.
2 Po aty.
3 ,,Bujku” 17/02/1996.
4 Po aty.
5,,Zëri” 1997/1998/1999
6Po aty 27/12/1997

__________________________

PROF.DR.AGIM ZOGAJ: HISTORIK I USHTRISË Ã’ÂªLIRIMTARE TË KOSOVËS NË JAVOREN ‘ZËRI’ (DHJETOR 1997 – MARS 1999) (Pjesa II)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=10301

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura