Durrës, 10 shtator 2020: Teksti është ajo që është shkruar dhe që lexohet, nënteksti është ajo që kuptohet prej një teksti të shkruar.
Unë kam përpara variantin me titull “Marrëveshja Kosovë-Sërbi, në shqip”. Nuk e di si është shkruar në sërbisht, por mendja ma merr se atje është shkruar “Sërbi-Kosovë” e jo “Kosovë-Sërbi”. S’e di as variantin anglisht, por të gjitha këto mund të shikohen dhe mund të bëhen krahasimet.
I gjithë teksti që kam përpara ka 43 rreshta, por kjo varet nga madhësia e shkronjavet dhe nga gjuha, në të cilën është shkruar. Në sërbisht dhe në anglisht mund të ketë më shumë ose më pak rreshta.
Fjalia e parë fillon kështu: “Kosova dhe Sërbia kanë nënshkruar një marrëveshje ekonomike”. “Marrëveshje ekonomike”. Është shumë e rëndësishme të mbahet parasysh ky togfjalësh gjatë gjithë leximit, sepse mund të ketë raste kur nënteksti të na çojë në përfundime krejt ndryshe. Mund të ketë aty pika që të mos jenë aspak ekonomike. Por mund të ketë edhe pika ku mbahet parasysh vetëm interesi ekonomik i Sërbisë apo i SHBA-së, kurse Kosova është lënë me gisht në gojë.
Fjalia e dytë është jo vetëm e çuditshme, por edhe e papranueshme për cilindo lexues: “Më poshtë, gjeni të përkthyer në gjuhën shqipe Marrëveshjen e nënshkruar nga kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti”.
A s’e paska nënshkruar edhe A.Vuçiqi variantin shqip të kësaj marrëveshjeje? Si mund të quhet “marrëveshje” një copë tekst që e ka nënshkruar vetëm një person?! Një marrëveshje duhet të ketë të paktën dy nënshkrime!
Këtu dikush duhet të jetë i cekët. Ose hartuesit apo botuesit e kësaj gjoja “marrëveshjeje” (“marrëveshje” vetëm me vetëveten!) ose duhet të jetë i cekët lexuesi, që të mos i kuptojë ato që botohen për t’u lexuar. Por unë po e shqyrtoj këtë tekst ashu siç më ka ardhur.
Fjalia e tretë: Sërbia, në kllapa Beogradi, dhe Kosova, në kllapa Prishtina. Ç’do me thënë kjo?! Pse s’është shkruar Republika e Sërbisë dhe Republika e Kosovës?! Sepse kjo marrëveshje nuk konsiderohet marrëveshje ndërshtetërore! Shteti i Kosovës, për D. Trampin, Grenëllin dhe për A.Vuçiqin, nuk ekziston. Prandaj dhe nuk cilësohet si shtet.
Dhe mbas kësaj shmangieje të fjalës shtet, e pakta 15 herë është shkruar shprehja “të dyja palët”. Nuk është shkruar “të dy shtetet”, por është shkruar “të dyja palët”. Palë mund të jenë, një shtet me një pjesë të po atij shteti, mund të jenë dy pjesë të të njëjtit shtet, por mund të jenë edhe dy kompani, dy shoqata ose thjeshtë dy apo tre persona. Në këtë mënyrë, shpreja “të dyja palët” dinakërisht e kryen më së miri detyrën për të mos e konsideruar Kosovën shtet. Në këtë “marrëveshje” Kosova nuk është shtet! Në asnjë vend (së paku në variantin shqip) nuk përmendet fjala shtet, sepse krejt “marrëveshja” nuk konsiderohet si marrëveshje ndërsdhtetërore. Shqetësimi kryesor në këtë rast është ky: Pse po tallet bota kaq poshtërueshëm me ne shqiptarët?! Pse nuk u tall bota kështu, pse nuk bëri bota të këtilla lojëra me Slloveninë dhe me Kroacinë?!
Fjalitë që fillojnë me shprehjen “të dyja palët” janë njëkohësisht edhe pikat e “marrëveshjes”. Por nuk janë shënuar me numra. Edhe kjo mund të jetë bërë me qëllim që askush të mos mund t’i referohet zbatimit ose moszbatimit të njërës apo tjetrës pikë.
Dy pikat e para flasin për autostradën Beograd-Prishtinë dhe për hekurudhën Beograd-Prishtinë.
Pika 3 flet prapë për autostradën dhe për hekurudhën. Autostradën e quan “Autostrada e paqes”, ndërsa hekurudhën, s’e di pse, nuk e ka quajtur “Hekurudha e paqes”. Cili është në të vërtetë qëllimi praktik i ndërtimit të këtyre dy arterieve të komunikacionit? Themi “praktik” sepse në aparencë kjo duket sikur këtu i vetmi synim, fillim e mbarim idealist, është mbarëvajtja ekonomike në Sërbi e në Kosovë. Mirëpo, kushdo që e njeh realitetin në këto hapësira, e ka të qartë që, praktikisht, me anë të këtyre hekurudhavet dhe autostradave, në Kosovë do të hyjnë mallrat e Sërbisë, për t’i shitur ata 5-fish apo 9-fish më shtrenjtë, dhe do të dalin prej Kosovet mallra të papërpunuar, blerë me çmime 5-fish apo 9-fish më të ulët. Kështu, Kosova, njëlloj si edhe në të shkuarën, do të jetë një koloni e Sërbisë. Një rol i dytë i këtyre hekurudhave e autostradave, sado që aty, me qëllim, është përdorur shprehja “autostradë e paqes”, do të jetë transportimi, sa më i shpejtë dhe sa më i pandalshëm, i forcavet ushtarake sërbe: tanke, autoblina, topa, ushtarë të karocuar, nga Beogradi drejt e në Prishtinë e në Prizren. E kundërta nuk mund të ndodhë, sepse shqiptarët nuk kanë pasur kurrë as nuk kanë ndërmend të sulmojnë Beogradin. Askush nuk duhet të jetë, as kundër autostradavet, as kundër hekurudhavet. Por, në këtë rast, do të ishte e pafalshme të kalohej pa u vënë re qëllimi i vërtetë i ndërtimit të këtyre arterrieve. Qëllimi i vërtetë i ndërtimit të këtyre hekurudhave e autostradave është, që Kosova të mund të shfrytëzohet sa më shumë ekonomikisht nga ana e Sërbisë dhe, që ushtria sërbe, e armatosur deri në dhëmbë me armë ruse, të mund të rihyjë me sa më pak pengesa në atë Kosovë, prej nga, para disa vjetësh, qe detyruar të tërhiqej.
Pika 4 i siguron SHBA-së prani të plotë financiare edhe në Sërbi, edhe në Kosovë. Kjo s’ka të bëjë fare me marrëveshjen Sërbi-Kosovë. Ky është thjeshtë një shpërblim, një dhuratë, që po i jepet SHBA-së në shenjë mirënjohjeje që po e mban luftën hapur edhe këtu, njëlloj si në Lindjen e Afërme.
Pika 5 flet për doganën e Merdares. Njëlloj sikur në një ceremoni martesore të mos lihet pa u përmendur edhe dera nga do të hyjnë e dalin dhëndri apo nusja. Ka rëndësi të madhe kjo punë, të diskutohet mu në Shtëpinë e Bardhë!
Pika 6 e detyron Kosovën t’i bashkohet “zonës mini-shengen”, të sajuar nga Sërbia. Kuptohet shkoqur që “zonën mini-shengen” e ka sajuar pikërisht Sërbia dhe pyetja është këto: Për interes të kujt po e sajon Sërbia këtë lloj “shengeni”? Sigurisht, për interes të popujvet që e rrethojnë! Për interes të myslimanëvet të Bosnjës, që i griu me mitroloz dhe i rrasi trupat e tyre në varreza kolektive. Për interes të malazezëvet, të cilët Sërbia mezi ka pritur t’i shohë shtet më vete. Për interes të Maqedonisë Veriore, sepse Maqedonia Veriore ka shumë nevojë për patronatin e një Sërbie. Dhe sidomos për interes të shqiptarëvet, të cilëvet ua pat vënë zjarrin qysh në vitin 1877, 1914 e 1919, deri në Shkodër e Durrës, dhe prapë më 1999, por që nuk i shfarosi dot. Për hir të këtyre popujve po e organizon “shengenin” kjo Sërbi, e cila, nën bekimin e patriarkëvet të Kishës Sërbe, po bëhet gjithnjë e më humane.
Pika 7 i obligon të dyja palët t’ia njohin njëra-tjetrës diplomat e çertifikatat profesionale. Problem vërtet shumë i madh, për të cilin ia vlente të fluturoje deri në Vashington. Aq më tepër kur shqiptarët as që kanë ndërmend t’i përdorin ato diploma për t’u punësuar në Sërbi. Me përjashim të shqiptarëvet të Anamoravës dhe të Sanxhakut (që në këtë marrëveshje nuk përmenden fare) dhe që puna e diplomavet të tyre, po të ish Sërbia në rrugën e Zotit, do të mund të rregullohej pa shkuar, as në Vashington e as në Bruksel.
Në pikë 8, në mos gabohem në numërim, Departamenti amerikan e Energjisë merr përsipër “studimin e fizibilitetit” me qëllim “përdorimin e përbashkët” të Liqenit të “Ujman- Gazivodës”. Shkurt dhe qartë: Liqenin e “Ujman-Gazivodës” nuk e paskan studiuar inxhinierët projektues qysh në kohën kur janë ndërtuar ato diga, por u dashka ta studiojnë inxhinierët amerikanë, tani, mbasi është ndërtuar e mbushur me ujë! Kush nuk e kupton që D. Trampi po do t’ia ofrojë edhe Sërbisë atë ujëmbledhës, në mënyrë që aty kurrë të mos gjendet zgjidhja!?
Pika 9 kërkon që, të dyja palët, t’i shumëfishojnë burimet e tyre të energjisë. Kur thuhet burimet “e tyre”, s’është aspak e qartë pse duhej përfshirë në marrëveshje ky “shumëfishim” i energjisë! Apo ndoshta nuk duhet t’i “shumëfishojë” e energjitë secila palë më vete?! Edhe këtu shihet qartë që D. Trampi “ka harruar” që Kosova dhe Sërbia janë dy shtete.
Pika 10 e kësaj “marrëveshjeje” është marrë me tashmë të famshmen 5G, e cila ka të bëjë thjeshtë me SHBA-në. Kosova dhe Sërbia kanë të bëjnë me këtë çështje po aq sa Franca, Gjermania apo Polonia. Është edhe këtu e qartë që D.Trampi e ka futur këtë pikë, me qëllim për t’u thënë, edhe Sërbisë, edhe Kosovës, se ju duhet të jeni totalisht të varur nga unë. Ç’bën D. Trampi me Kinën, qoftë edhe lidhur me një 5G, janë të detyruar të bëjnë edhe Sërbia e Kosova.
Pika 11. Të dyja palët (jo të dy shtetet, por të dyja palët) duhet të rrisin kontrollin e pasagjerëvet ajrorë. Edhe për këtë pikë ia ka vlejtur të fluturonin përfaqësuesit supremë “të të dyja palëvet”, nga Evropa në Amerikë. Mbas kësaj, çdo gjë do të shkojë fjollë në transportin ajror, pasi stjuardesat e kanë lexuar sakaq “marrëveshjen historike”!
Pika 12. Të dyja palët zotohen të promovojnë liritë fetare. Dhe aty, dy çështjet kryesore dhe të vetme janë: Kishat ortodokse, të quajtura “sërbe”, në tokën e shqiptarëvet, dhe pronat e dikurshme të hebrenjvet. Të gjitha pikat, në vend që t‘i zgjidhin problemet, i ngatërrojnë palët edhe më keq, por kjo pikë, diç më shumë se të tjerat, i çon dy popujt në konflikte të pafundmë. D. Trampi është një atillë arbitër, që u hedh benzinë zjarrevet, ngado që shkon.
Pika 13 flet për personat e humbur. Nuk e specifikon që ata persona i ka vrarë edhe humbur ushtria pushtuese e Sërbisë, por thotë, thjeshtë dhe me gjakftohtësi, se duhet të studiohen kockat e atyre njerëzve. Këtu cinizmi s’ka fund.
Pika 14. Dy palët duhet të angazhohen që homoseksualizmi të mos konsiderohet “krim”. (Se kush e ka konsideruar “krim” homoseksualizmin, e dinë vetëm ata që e praktikojnë këtë lloj erotike). Të mos konsiderohet “krim” jo vetëm në Sërbi e Kosovë, por Kosova e Sërbia, pas kësaj “marrëveshjeje”, të angazhohen që homoseksualizmi të mos trajtohet si “krim” as në 69 vendet, ku ky lloj relatash ndërnjerëzore, nuk e ka fituar ende lirinë që e meroton. Zaten, pse ka bërë gjithato vajtje-ardhe Grenelli, në mos për të triumfuar edhe në këto hapësira liria e të qenit homo?! A mund të harrohej problemi i madh i homoseksualëvet në një marrëveshje “EKONOMIKE” midis një kombi pushtues dhe një kombi që po kërkon të mos pushtohet më?! Në një takim të tillë s’kish pse përmendej KRIMI EKONOMIK (pa thonjëza) që ka kryer Sërbia në Kosovë! Aty, njëra ndër çështjet kryesore të marrëveshjes, duhej të ishte zanati i të hipurit burri burrit dhe gruaja gruas!
Pika 15. Sërbëvet dhe shqiptarëvet nuk u mjafton armiqësia me njëri-tjetrin, por duhet t’i bëjnë armiq edhe palestinezët. D.Trampi u kërkoi që, po të duan të shkojnë mirë me “mbrojtësin” e tyre, ata nuk duhet ta përkrahin Ejzbollahun. Ata që Amerika i ka bërë armiq, Sërbia dhe Kosova nuk kanë të drejtë t’i quajnë miq. Sidomos Kosova (që na qenka myslimane!), duhet mu aty në Jerusalem ta ngrejë ambasadën. Mu aty ku luftëtarët e Hejzbollahut, me të drejtë, mund t’i hedhin një ditë nja dy a tri bomba.
Pika 16. Kosova DËNOHET që, për një vit, të mos kërkojë anëtarësim në asnjë organizëm ndërkombëtar. Dhe, si një ajrosje që praktikohet me të burgosurit, Sërbia “zotohet” që të mos lobojë, plot një vit, për çnjohjen e Kosovës. Dënohet Kosova, sepse e ka merituar të dënohet, përderisa nuk ka ditur, as ta ruajë lirinë e vet dhe as të kërkojë e realizojë njohje në të gjithë shtetet dhe në të gjithë organizmat ndërkombëtarë!
Pika 17. Kosovës i dhurohet si mollë sherri njohja reciproke me Izraelin. Ne, sigurisht, nuk kemi qenë dhe nuk jemi kundër miqësisë me Izraelin, por Izraeli nuk duhej të kish pritur kurrsesi ndërhyrjen e D. Trampit dhe nuk duhej të kish kërkuar çuarjen e një ambasade shqiptare në Jeruzalem. Izraeli duhej ta kish njohur me kohë këtë shtet të ri shqiptar dhe unë besoj që hebrenjtë e kuptojnë pse po them kështu.
…Kjo është “Marrëveshja” Sërbi-Kosovë! Apologjetët e kësaj “Marrëveshjeje”, o janë të paaftë për të gjykuar, o janë hipokritë të llojit më të përbuzshëm.
Por ne, megjithkëtë, e kemi një shpresë. Ne e dimë që SHBA-ja nuk na ka trajtuar dhe nuk trajton si D. Trampi. Shpresën e kemi te fitorja e Xho Bajdenit.
9 shtator 2020 Gjokë Dabaj