Durrës, 01. 07. 2014 – Problemi që po shtroj në këtë shkrim, nuk është një problem që EDHE mund të trajtohet, por EDHE mund të mos trajtohet. Problemi që po shtroj këtu, ka të bëjë me jetën normale ose me VDEKJEN E DHUNSHME të dhjetëra mijë apo edhe qindra mijë njerëzve në këtë gadishull në vitet që do të vijnë. A do të ketë më masakra si ajo e Bihorit më 5 janar 1943?! A do të ketë më masakra si ajo e Paramithisë më 27 qershor 1944?! A do të ketë më masakra si ajo e Srebrenicës?! A do të ketë më masakra si ajo e Prekazit, e Reçakut dhe si dhjetëra masakra të tjera që u bënë në Kosovë në fundin e shekullit XX?! A do të ketë më therje kroatësh nga ana e sërbëvet dhe therje sërbësh nga ana e kroatëvet?! (Kujto lotiqevcat dhe nediqevcat në Luftën e Dytë Botërore!) Ky është problem!
“ZËRI I AMERIKËS” dha më 27 qershor 2014 një njoftim, i cili duhej t’i shërbente si kambanë alarmi secilit intelektual ballkanas. Në Sarajevë dhe në Pale, ngjitur me Sarajevën, në të njëjtin shtet, vrasja e princit Ferdinand para 100 vjetësh, trajtohet në 2 mënyra, jo të ndryshme, por të KUNDËRTA. Në shkollat me nxënës myslimanë veprimtaria e organizatës “Mllada Bosna”, punë e së cilës ishte edhe atentati ndaj princit Ferdinand, trajtohet si një veprimtari e Sërbisë për të pushtuar Bosnjën. Pak kilometra më tutje, në shkollat me nxënës boshnjakë ortodoksë, të cilëvet ua kanë mbushur mendjen se nuk janë boshnjakë por sërbë, e njëjta organizatë “Mllada Bosna” cilësohet si një organizatë çlirimtare, ndërsa atentatori Gavrillo Princip konsiderohet hero i kombit sërb.
Pa u zgjatur në analiza të përimtuara të krejt kësaj kontradikte në trajtimin e ngjarjevet të shkuara, a nuk do të thotë kjo që qysh pasnesër mund të kërcasë një rrahje masive midis gjimnazistëvet të Pales dhe gjimnazistëvet të pjesës tjetër të Sarajevës dhe, pas disa vjetësh, mund të ndizet sërish një luftë popujvrasëse në atë pjesë të Ballkanit?!
Nisur së këndejmi, çdo intelektual që i ka mendtë aty ku duhet t’i ketë, fare kthjellët dhe realisht i shqetësuar, do të duhej të shtronte një varg të gjatë pyetjesh KONKRETE dhe të përfytyronte me mendje pasojat përkatëse.
Si e trajton hitoriografia greke spastrimin etnik në Çamëri?! Jo më larg se sonte u bë një tubim në Tiranë lidhur me çështjen e madhe BALLKANIKE të Çamërisë dhe unë bëj pyetjen: A kish në atë tubim ndonjë intelektual grek? Aty s’kishin ardhur (s’ishin ftuar) as intelektualët e Shqipërisë, jo më të vinin ata të Greqisë!
Si e trajton historiografia sërbe spastrimin etnik në sanxhakun e Nishit, ndodhur në gjysmën e dytë të shekullit XIX?! Sa herë që e dëgjoj këngëtaren Norë Nishliu, më shkon mendja pikërisht atje, te masakrat që janë bërë mbi popullin tonë në 600 apo 700 fshatrat e asaj krahine. Po të rinjtë e sotëm sërbë a e dinë, dmth a e kanë mësuar në shkolla ç’u kanë bërë gjyshërit e tyre gjyshërvet të Norë Nishliut?! Se për tenistin Gjokoviq ata dine shumë gjëra. Po për Norën?!
Si i trajton historiografia sërbe, jo veç pushtimin nga ana e tyre të sanxhakut të Nishit apo të rajonit rreth Pazarit të Ri, që edhe emrin e sotëm e ka Sanxhak, por edhe pushtimin e Kosovës e të pjesëvet të tjera të Shqipërisë në gjysmën e parë të shekullit XX?! Klerikët pravosllavë dhe politikanët konservatorë sërbë e quajnë Kosovën “Stara Sërbija” (“Sërbia e Vjetër”). Vallë, a pyesin ndonjëherë gjimnazistët sërbë: Po “Nova Sërbija” (“Sërbia e Re”) cila është, meqë Kosova qenka “Sërbia e Vjetër”? Ç’përgjigje do t’u jepnin profesorët nxënësvet të vet në të atilla pyetje?
Si e trajton historiografia e Sërbisë pushtimin e krahinavet të Vojvodinës nga ana e Sërbisë? A thuhet: U PUSHTUAN Baçka, Banati, Sllavonia, Novi Sadi, Subotica, apo thuhet: U ÇLIRUAN ato hapësira të banuara deri vonë me popullsi josërbe?!
Në anë tjetër, ç’thotë historiografia greke në lidhje me Maqedoninë Egjease? Ç’thotë historiografia bullgare lidhur me zgjërimin e saj në vitin 1878 deri thellë në tokat e Shqipërisë? Si e trajton historiografia bullgare pjesën sllave të Republikës së Maqedonisë dhe, pas kësaj, çfarë thuhet në historiografinë bullgare për Shkupin, për Tetovën dhe për qytetet e tjerë shqiptarë, deri edhe për Pogradecin, Prrenjasin e Librazhdin?!
Lidhur me atë çfarë thanë e thonë sllavomaqedonët e Republikës së Maqedonisë për bashkështetasit e tyre shqiptarë, edhe nëpër enciklopedira, dihet tashmë. Dihet edhe çfarë thonë kryekishtarët ortodoksë e pravosllavë, Irinej, Amfillohije, Janullatos (Sebastjani i sotëm) e të tjerë, lidhur me abacinë, në shekuj katolike, të Ratëzit në Tivar, lidhur me kishën e Shën Mërisë në Kranjën e Shkodrës, si dhe lidhur me kishat e Himarës apo edhe kisha të tjera ortodokse në Republikën e Shqipërisë.
Si thotë historiografia malaziase për Spuzhin dhe Podgoricën? A thotë se janë PUSHTUAR ata 2 qytete prej Malit të Zi, apo thotë se janë ÇLIRUAR? Si e trajton sulmin mbi Shkodër historiografia malaziase në tekstet e shkollavet të mesme?
Që Perandoria Osmane ka qenë një shtet pushtues në viset e Ballkanit (gadishull, të cilit ia ka ndërruar edhe emrin), duhet ta pohojë edhe vetë historiografia turke, jo më t’u kërkojë shqiptarëvet “për ta ndryshuar terminologjinë”.
Atë që shqiptarët (arnautët) janë shfaqur negativë, psh në rrethimet e Vjenës, duhet ta thotë edhe historiografia shqiptare. Madje me të madhe.
Atje ku Sërbia dhe Mali I Zi kanë luftuar për çlirimin e vet, duhet ta thonë të gjithë tekstet e historisë në të gjithë shtetet e Ballkanit, përfshirë aty edhe ata të Turqisë. Por edhe faktin që këta 2 shtete u shndërruan në pushtues të territorevet që nuk u takonin, duhet ta pohojnë edhe vetë historiografitë e Sërbisë e të Malit të Zi.
Në historiografi e, rrjedhimisht, edhe në gojët e politikanëvet, qeverisësit e gjysmës së dytë të shekullit XX, Gj.Dimitrovi, N.Çaushesku, T.Zhivkovi, E. Hoxha, J.B.Titoja, qeveritë kapitaliste të Greqisë e të Turqisë, duhet të dalin ashtu siç ishin e jo të fliten broçkulla si t’i mbushet mendja njërit apo tjetrit.
E gjithë kjo duhet të shkojë te gjimnazistët jo me përmbajtje luftënxitëse, por ashtu siç e kërkojnë interesat integrues të kombevet të Ballkanit. Të thuhet, me cilësime konkretë, çdo gjë e keqe që ka ndodhur dhe të dënohet çdo vepër dhune prej të gjithëvet. Jo vetëm prej atyre që e kanë pësuar.
Historiografia shqiptare e thotë fjalën e vet, por atë nuk e lexojnë fare as gjimnazistët malazias, as grekë, as sërbë, as turq, as bullgarë, as kroatë. Nxënësit e këtyre vendeve nuk e dinë çfarë thonë shqiptarët për gjyshërit e tyre. Kjo nuk është e metë për t’u anashkaluar as për t’u neglizhuar. Mjafton të shikohet si flasin për njëri-tjetrin të rinjtë e këtyre vendeve në të quajturit rrjete socialë.
Intelektualët shqiptarë, filluar nga akademikët e deri te ai i shkallës më modeste, as që merren fare me analizat e tekstevet shkollorë të Republikësë së Greqisë, të Republikës së Bullgarisë, të Republikës së Turqisë, të Republikës së Sërbisë apo të Republikës së Malit të Zi.
Për intelektualët shqiptarë që jetojnë në atë pjesë të Shqipërisë që e ka shteti i Malit të Zi, detyra e parë dhe më e rëndësishmja do të ishte, t’i merrnin tekstet shkollorë të Republikës së Malit të Zi, t’i analizonin një për një vendet ku nuk respektohen të vërtetat shkencore, ta zëmë, vendet ku thuhet se Tivari e Ulqini janë ÇLIRUAR prej Malit të Zi në vitin 1878, dhe t’ia paraqesin ato analiza Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës të shtetit malazias me kërkesën për t’i korrigjuar shtrembërimet e historisë. A e kanë bërë këtë punë intelektualët shqiptarë që jetojnë në shtetin malazias? Atëherë shtrohet kjo pyetje: Ç’efekt ka organizimi i “Mis Shqipërisë” në Kalanë e Ulqinit, kur gjimnazistët e Cetinjës dhe të Nikshiqit i quajnë Tivarin dhe Ulqinin gjeografikisht “Cërrnogorsko Primorje” (“Bregdeti Malazias”)?! Me çfarë disponimi shpirtëror e dëgjon rinia malaziase Aleksandër Gjokën, kur ai del e këndon në Ulqin?! Po jua them unë. Ata thonë: Ky qenka i yni, sepse emrin e paska Aleksandar! Kaq dinë ata, nëse u bie rasti ta shohin.
Z.Edi Rama e tha, tek po udhëtonte nëpër Evropë, se viti 2014 është një vit pa luftëra në gadishullin e Ballkanit. Mirë tha, por, pyetja që unë jam i detyruar ta shtroj, si njëri prej intelektualëve të këtij gadishulli, është kjo: Kush i siguron popujt e Ballkanit që nesër përsëri të mos kacafyten njëri me tjetrin, kur dihet që në edukimin e rinisë së secilit prej këtyre kombeve ka kaq shumë diversitete?!
Mbështetur në atë informacion që dha “ZËRI I AMERIKËS” lidhur me diversitetin aq flagrant në interpretimin e shkaqevet apo sebepevet që çuan në Luftën e Parë Botërore, si dhe në të gjitha pyetjet që i bëra unë, nxitur pikërisht nga ai informacion, askusht nuk mund ta sigurojë Ballkanin që nuk do të ketë më luftëra midis këtyre popujve. Madje as inkuadrimi në Bashkimin Evropian nuk e shpëton dot Ballkanin prej luftëravet njëri me tjetrin, nëse nuk do të merren masa të ngutshme PËR TË BËRË KORRIGJIMET NË KREJT SHKENCAT E BALLKANISTIKËS.
E vetmja rrugë që do të çonte drejt paqësimit të situatës në Ballkan, është, që intelektualët e Ballkanit të mbledhin mendjen dhe të bëhen të vetëdijshëm se pikërisht ATA duhet dhe mund ta shpëtojnë këtë gadishull prej masakravet dhe prej të gjithë tmerrevet të luftëravet. Ka në këtë gadishull, sa madhështor, aq edhe tragjik, me mijëra intelektualë të kthjellët. Kërkohet, pra, ngutshëm, që ata të ORGANIZOHEN.
Natyrisht, që këtu duhen shpenzime. Natyrisht që Evropës Perendimore i takon të investojë edhe në këtë fushë. Madje në këtë fushë më parë se në cilindo sektor tjetër, sepse mjafton të kujtojë Luftën e Dytë Botërore, filluar pikërisht këtu, dhe vargun e gjatë të luftërave, zhvilluar në këto hapësira, aq sa lumenjtë tanë, shekull pas shekulli, nuk çojnë në detra vetëm ujë, por edhe gjak.
Intelektualëvet shqiptarë u takon më të parëvet që ta nisin këtë punë paqtimi përmes pranimit të të vërtetavet prej të gjithëvet. U takon më të parëvet, sepse dihet që asnjëri prej këtyre kombeve s’ka bërë varre më shumë se në në këto 150 vjetët e fundit. Të bëhemi nismëtarë që të rregullohen TEKSTET SHKOLLORË, përndryshe nuk mund të pritet që rinia e këtyre kombeve të shkojë mirë njëra me tjetrën.
Ca kasapë e ca viktima kasapësh, asnjëri nuk do të jetë i lumtur.
Shiheni edhe njëherë reportazhin që e dha “ZËRI I AMERIKËS”. Për ata që na shikojnë nga larg, ai reportazh mund të mos jetë tjetër, veçse një kallëzim interesant. Madje, për shumëkënd mund të jetë thjeshtë një kuriozitet. Por për ne që jetojmë këtu, që lindim dhe rritim fëmijët këtu, që edhe po na rrihen fëmijët përditë nëpër rrugët e Shkupit, ai reportazh, o duhet të merret si kambanë alarmi, o duhet të pranojmë që jemi të verbër, të shurdhër dhe të paaftë për të parandaluar katastrofat.