Tiranë, 26 qershor 2017: Tri partitë kryesore të Republikës së Shqipërisë e mbyllën fushatën zgjedhore, pranverë 2017, në Tiranë, në Fier e në Vlorë. Asnjëra nga këto tri parti kryesore nuk shkoi për ta mbyllur fushatën në Shkodër. Atje shkoi, për ta mbyllur fushatën një parti e dështuar: Partia Socialdemokrate e Skënder Gjinushit, përfaqësuar nga një Tomë Dosh, i cili nuk di as të flasë para popullit.
Shenjat e zvetnimit të Shkodrës kanë filluar që në vitet kur Fuqitë e Mëdha ia hoqën Shkodrës hinterlandin: Podgoricën, Tivarin, Ulqinin dhe më shumë se gjysmën e Liqenit. Ish një padrejtësi dhe fatkeqësi, që shkodranët, me sa duket, nuk arritën ta kuptojnë asnjëherë dhe, në vend që të fajsonin cunguesit e territorit të tyre aq të mrekullueshëm dhe të pazëvendësueshëm në pikëpamje ekonomike, ata e kthyen në “filozofi” të vetën fajsimin e Jugut tonë, i cili edhe për vete ish cunguar e tejcunguar.
Deri në prag të Luftës së Dytë Botërore Shkodra jetoi “me dhjamin” e Rilindjes sonë Kombëtare. Atë e patën përfaqësuar në shkallë kombi një tufë rilindësish të mëdhenj: Zef Jubani e Pashko Vasa, Dasho Shkreli e Dedë Gjo Luli, Luigj Gurakuqi, Ndre Mjeda, Gjergj Fishta.
Në vitet e Luftës së Dytë, me përfaqësues Vasil Shanton, Jordan Misjen, Naim Gjylbegun, Vojo Kushin, bie në sy ndikimi sllav nëpërmjet ideologjisë komuniste, por ai ndikim nuk drejtohej kundër Shqipërisë e shqiptarëvet, sa kohë që nuk mundën të futen andej, nëndheshëm, lakmitë shoviniste të sërbo-malazezëvet.
Ndërkaq, kleri katolik, po edhe përfaqësues të tjerë, natyrisht, nuk mund të merrnin krahun e komunizmit e, rrjedhimisht, ata nuk mund ta përfaqësonin më frymën progresiste të kohës. Kështu, klerikët katolikë, Atë Anton Harapi, Atë Bernardin Palaj, Atë Donat Kurti, ishin përfaqësues të asaj shtrese që kish qenë deri atëherë në krye të prosperitetit tonë kombëtar, por që, tash e këndej, nuk mund të ishin më si dikur. Ata u persekutuan prej regjimit komunist, por tashmë si frenues e jo si përfaqësues të progresit. Ish një dhimbje që e sillte përplasja midis një sistemi të plakur dhe një sistemi të ri, i cili, me parullën “internacionale do të jetë bota e re”, po tentonte të hynte në historinë e kombevet.
Në Epokën e Enver Hoxhës, Shkodra lundroi midis kundërshtimit të nëndheshëm ndaj regjimit komunist dhe përqafimit të idealevet që i sillte Shkodrës rendi i ri. U shënua në atë gjysmë shekulli një përparim shumë i madh kulturor dhe ekonomik. Regjimi i Enver Hoxhës investoi shumë për ta përparuar Shkodrën në të gjithë aspektet dhe rezultatet ishin gjithandej të dukshëm. Por shkodranët, me filozofinë e tyre konservatore, nuk deshën t’i konsiderojnë pozitive ato përpjekje.
Në Kohën e Madhe të Enver Hoxhës, Shkodra u përfaqësua mrekullisht në të gjitha fushat e jetës: në muzikë, në art e shkencë, por edhe me prezencën e vet dinjitoze në politikën e kohës. Në muzikë një Prenk Jakovë, një Çesk Zade e deri te një Avni Mula e një Sali Mani, një tufë artistësh e mëdhenj të teatrit e të filmit, psh, një Rikard Ljare një Serafin Fanku e shumë të tjerë, në letërsi një Kolë Jakovë, një Fadil Krajë, një Skënder Drin, pastaj në shkencë një Kolë Ashtë, një Jup Kastrat, një Gjovalin Shkurtaj, një Shefik Osman, po edhe një Ahmet Osja dhe shumë kontribues të tjerë në bujqësi, në inxhinieri, në industri.
Një plejadë e tërë shkodranësh shkëlqyen nën regjimin e Enverit. Po tash ku janë shkodranët dhe ku është një pjesë e madhe e Veriut të Republikës?! Do të më vinte mire të m’i hidhte poshtë dikush këta konstatime, për mua shumë të hidhur.
Ka pasur, në kohën e Enver Hoxhës, midis shkodranëvet edhe një lloj epidemie prosllave, të cilën unë e kam vështirë me e kuptue. Shkodranët dëgjonin masivisht “Pozdravet” e Titogradit në gjuhën sllave. Ç’i shtynte shkodranët ta mbanin veshin te Radio-Titogradi?! A urrejtja ndaj komunizmit?! Por edhe jugosllavët ishin komunistë, sado që në mënyrën e tyre! Ç’ish Titogradi në krahasim me Shkodrën, ku vlonte puna?!
Në vitet që, më në fund, filloi të bjerë komunizmi, kryesisht për fajin e vet, në Shkodër u rigjallërua dhe e mori fuqinë mënyra e vjetër e gjykimit. U riinstalua fryma kapitaliste dhe mikrokapitaliste e ekonomizimit, shoqëruar edhe me mentalitetin shkodran të hershëm dominuar prej filistinizmit.
A mund t’i çojë përpara, Shkodrën dhe krejt Veriun tonë, mentaliteti i hershëm, që nga gjobëvëniet e deri te gjakderdhjet e përditshme, mbuluar, jo me burrëri, por me njolla të pista turpi, mentalitet i cili edhe në gjysmën e parë të shekullit XX ishte i vjetëruar? Filluar nga tendencat e separatizmit në fushën e gjuhës e deri te përhapja e „teorivet“: „Jugu na ka diskriminuar“ dhe “komunizmi na mori më qafë”, mendime të këtillë, a mund ta çojnë përpara Shkodrën?! A nuk duhet t’i vijë turp Shkodrës që i hoqi nga sheshi kryesor Heronjtë e Vigut dhe i zëvendësoi ata me ca tuba gazsjellësi të Azerbajxhanit?!
Pa një frymë të shëndoshë kombëtare, frymë e cila do t’i konsideronte një e të pandarë, si Prishtinën, Gjakovën e Tivarin, ashtu edhe Vlorën, Prevezën e Shkupin, as që mund të pritet që Shkodra ta zërë një ditë vendin që e ka pasur dikur në zhvillimet e Kombit tonë, dhe këtë e dëshmon më së qarti përfaqësimi i saj në politikën e sotme kombëtare dhe shtetërore. Cilët janë politikanët që e përfaqësojnë Shkodrën në Parlamentin e sotëm të Republikës së Shqipërisë?! Le të mos i përmendim me emra, por le të mjaftohemi vetëm me dy pyetje:
Cilat janë vlerat kulturore të këtyre “përfaqësuesve” të një Shkodre, dikur flamurtare e përparimit?!
Cili prej këtyre mund të krahasohet me një Gurakuq, me një Mjedë a me një Fishtë?!
Është koha që intelektualët shkodranë të reflektojnë pjekurisht. Ata duhet të mblidhen dhe t’i trajtojnë këta probleme, jo duke fajësuar të tjerët e duke ushqyer separatizma gjithfaresh, por duke i kërkuar të metat në radhë të parë te vetëvetja!
Unë jam vetë nga ato krahina dhe, natyrisht, nuk më vjen aspak mirë që nuk po e shoh Shkodrën, as te mesi e jo më në krye të Kombit tonë. Në krye të politikës, në krye të ekonomisë, në krye të urbanistikës, në krye të higjenës e pastërtisë dhe në krye të kulturës sonë kombëtare!
Gjokë Dabaj, Durrës – 24 qershor 2017