(Pashtriku.org, 26. 03. 2012) – Të pyesësh një shqiptar në sh XXI se cili është Atdheu i shqiptarëvet dhe të mos dijë të të përgjigjet ekzakt, është sa çudi aq edhe turp i pakapërdishëm. Na ngushëllon vetëm fakti që nuk jemi të vetmit, sepse së paku këtu në Ballkan një pjesë e mirë e popujvet, psh sërbët, grekët etj, nuk e dinë me saktësi cili është atdheu i tyre.
Atdheu i shqiptarëvet është SHQIPËRIA. Me emërtimin SHQIPËRI ne nënkuptojmë atë hapësirë gjeografike e cila përfshihej nën këtë emër para se të fillonte të copëtuarit e saj: Prej Tivarit në Spuzh, Prijepole, Rrasë ( të quajtur Rashkë), Bllacë, Prokuple, Leskovc, Vranjë, Kumanovë, Veles, Musinë, Arnisë, Grebenë, Meçovë, Artë, Prevezë dhe prapë në Tivar… (Duke i përfshirë brenda kufijvet tanë të gjithë këta vende që i përmendëm.) Pra, me makrotoponimin SHQIPËRI ne kuptojmë atë hapësirë gjeografike që kanë kuptuar edhe rilindësit tanë në sh XIX, pavarësisht nga parcelimet politiko-shtetërorë që i janë bërë këtij vendi në ndërkohën prej sh XIX e këndej. Dokumente që e përcaktojnë këtë hapësirë që quhet SHQIPËRI, ka me qindra. Ne nuk kemi asnjë të drejtë dhe asnjë arsye as ta zmadhojmë, as ta ndryshojmë dhe as ta zvogëlojmë Atdheun e të parëvet tanë.
Arsyetim: 1.Ne vërtet jemi pasardhës të ilirëvet, por nuk jemi trashëgues të krejt atdheut të ilirëvet. Kjo do të thotë që ne nuk kemi të drejtë ta zmadhojmë nocionin gjeografik SHQIPËRI. 2.Ne vërtet jemi pasardhës të arbërvet, etnitet që u krijua në Mesjetë në një pjesë të trojevet të ish-ilirëvet, prej ish-ilirëvet, por nuk jemi trashëgues pikë për pikë të tokavet të arbërvet. Kjo do të thotë që ne nuk kemi të drejtë ta ndryshojmë nocionin gjeografik SHQIPËRI as sipas kufinjvet ku shtriheshin viset e arbërvet. 3.SHQIPËRINË vërtet e kanë copëzuar shtetërisht disa herë, që nga gjysma e dytë e sh XIX e këndej, por ne prapë nuk na lejohet as ta copëzojmë atë, as ta zvogëlojmë atë edhe gjeografikisht. Çështja e kufijvet të shtetevet është temë tjetër, çështja e shtrirjes gjeografike të një vendi është temë tjetër.
Të tjerët mund të duan, dhe duan, dhe kanë dashur, dhe kanë bërë ashtu si kanë dashur, në një shumicë rastesh, por ne nuk na lejohet të pranojmë, të paktën me fjalë, të folur apo të shkruar, atë çfarë mund të duan të tjerët. Ne nuk mund të pranojmë atë çfarë duan sërbët, ne nuk mund të pranojmë atë çfarë duan grekët ose çfarë bëjnë në praktikë a thonë 2 fqinjët tanë më të vegjël, sllavomaqedonët e malazezët. Këtu nuk është fjala për miq apo për armiq. Këtu është fjala për një qëndim shkencor ndaj problemit, i cili, po të mos trajtohet si duhet, shkakton dëme të papërfytyrueshëm.
Po marr si shembull, jo prerësit, copëtuesit e Atdheut tonë, por njërin prej miqvet tanë më të dëshmuar, z.Noen Malkolm. Ai thotë që Anamoravën nuk duhet ta quajmë Kosovë Lindore. Mirëpo ne nuk mund të jemi të një mendimi me z.N.Malkolm, me gjithë respektin që kemi për të. Anamorava, përfshirë këtu edhe Vranjën, është pjesë e Kosovës, Kosovë Lindore, dhe, në kuadrin e ktrejt Atdheut tonë, është pjesë e Shqipërisë Verilindore.
Që të mund të ndryshohen emrat e vendevet, duhet së paku të ndryshojë emri i popullit që ua ka dhënë emrin atyre vendeve. Duhet, pra, të zhbëhet ai popull ose të kalojë në një cilësi të re. Madje edhe në të tillë raste, emri i vendit shpeshherë ruhet, duke e trashëguar popuj të tjerë. Kështu, për të ndryshuar emrin e Shqipërisë, të cilësdo pjesë të saj, do të duhej të shuhej krejt Kombi ynë dhe prapë ai emër mund të mos ndryshohej. Por, përderisa kjo ende nuk ka ndodhur, përderisa ne ende nuk jemi zhdukur, as ATDHEU I SHQIPTARËVET nuk ka pse të shfytyrohet. Ai mbetet ai që ka qenë dhe emri i tij mbetet SHQIPËRI.
Me qenë se jemi te emërtimi, të ndalemi pak edhe te e shumëpërfolura “Shqipëri e Madhe”. Thamë pak parë që ne nuk mund të nënkuptojmë me Shqipëri krejt vendet që përfshiheshin nën emërtimin Iliri. Nëse me Shqipëri do të nënkuptonim tokat ku dikur shtrihej Iliria, me të gjithë nënemërtimet e saj, pikërisht kjo do të vërtetonte që ne pretendojmë një “Shqipëri të Madhe”. Do t’ish vërtet një marrëzi, sepse një e tillë “Shqipëri” do të fillonte në Trieste, do të shkonte në Singidunin e dikurshëm, Beogradin e sotëm, do të zbriste drejt Selanikut, do të kthehej te gjiri i Ambrakisë e prej andej, përmidis të 2 detrave, do të mbyllej sërish me Triesten. Do t’ish vërtet një halucinacion.
Por, në anë tjetër, kur ne të kërkojmë emërtim shkencor të Atdheut tonë të kohës në të cilën jetojmë, askush nuk mund të na akuzojë se po kërkokemi “Shqipërinë e Madhe”. Kjo Shqipëri, të cilën ne po kërkojmë ta quajmë të tillë, qoftë edhe të ndarë siç është në disa shtete, është fare e vogël në krahasim me sa duhej të ishte, nëse të parët tanë, ilirët, do ta kishin pasur një strategji për vete, e pakta një të atillë strategji siç e kishin bashkëkohësit e tyre, latinët.
Do përmendur edhe fakti që disa pjesë të kësaj SHQIPËRIE, kaq të vogël, prapëseprapë janë tjetërsuar etnikisht në këtë ndërkohë prej sh XIX e këndej. Psh trevat e Toplicës, Kosanicës, Kurshumlisë, Leskovcit, Vranjës, Podgoricës, Follorinës etj tashmë banohen fare pak ose aspak me shqiptarë. Ne nuk mund të pretendojmë që krejt këto treva të përfshihen në një shtet tonin që ndoshta do të mund ta krijojmë në të ardhshmen. Por kjo nuk duhet të na lajthitë a të na pengojë kurrsesi që ato toka të vazhdojmë t’i quajmë toka shqiptare. Ato do të vazhdojnë të quhen pjesë gjeografike të Shqipërisë deri sa të ekzistojë këtu në Ballkan një komb që quhet Komb Shqiptar. Banorët e atyre vendeve, që tashmë nuk janë shqiptarë, do të quhen kolonistë, siç quhen të tillët në çdo vend tjetër të Botës. Në Belfast mund të rrojnë me mijëra anglezë a skocezë, Belfasti mund të mbetet edhe 1000 vjet të tjerë në të njëjtin shtet me anglezët dhe skocezët, por Belfasti prapë do të quhet qytet i Irlandës.
Përse të ndodhë ndryshe me Shqipërinë? Se e panë të arsyeshme malazezët dhe sllavomaqedonët që Podgoricën dhe Shkupin t’i bëjnë kryeqytete të shtetevet të vet, kjo nuk do të thotë që Podgorica dhe Shkupi kanë dalë jashtë Shqipërisë. Fakti që Shkupi dhe Podgorica janë caktuar, janë zgjedhur, si kryeqytete të 2 shtetevet nominalisht joshqiptarë, përbën vërtet një problem shumë të madh. Por kjo nuk do të thotë që shqiptarët me një të këtillë “fakt të kryer”, “fait accompli”, duhet të pajtohen, të thonë: “Epo mirë. Meqë u bë kështu, le të mbertet kështu.” Natyrisht, kjo nuk do të thotë as të kundërtën: Të merren sëpata e hanxharë dhe të zhbëhen të këtilla punë të pamenduara pjekurisht në kohën e duhur. Për të nxjerrë një qytet, madje jo një qytet, por qoftë edhe një fshat, qoftë edhe një shtëpi të vetme, jashtë një atdheu, ka procedura të gjata, të ndërlikuara dhe shumë të vështira, sepse me përgjegjësi të mëdha para historisë. Ka përplasje diplomatike, ka negociata, ka padi, ka gjyqe ndërkombëtarë, ka referendume dhe prapë, pa vendime të posaçëm parlamentesh, jo një qytet, por edhe një shtëpi nuk mund ta nxjerrësh jashtë atdheut. Të gjithë shqiptarët, por veçanërisht ata që emërtohen si “truri i kombit”, duhet da kuptojnë mirë: Nëse do të pajtohemi që Podgoricën dhe Shkupin t’i konsiderojmë si qytete që gjeografikisht ndodhen jashtë Shqipërisë, në të ardhshmen jo të largët shqiptarët do të detyrohen të thonë që edhe Himara, Mitrovica, Korça, Shkodra, ndodhen jashtë Shqipërisë. Shenjat janë pakundërshtueshmërisht të dukshëm, për këdo që ka sy, sidomos prej vitevet ’90 të sh XX e këndej.
Në asnjë dokument ndërkombëtar nuk thuhet shprehimisht që kjo ose ajo pjesë e shkëputur shtetërisht prej Shqipërisë nuk do të quhet më SHQIPËRI. Ka vetëm vendime kongresesh e konferencash për kufij shtetërorë. Janë emërtuar shtetet, Sërbi, Greqi, Mali i Zi, Shqipëri, Maqedoni, më vonë këtyre emërtimeve politikë u janë përshtatur pa kurrfarë logjike edhe emëtimet gjeografikë. Emërtime të cilët në radhë të parë janë shprehje e dobësive skandaloze të vetë shqiptarëvet.
Po krahasojmë vetëm 2 dëshmi, nga të cilat njëra është e mbëstetur në realitetin gjeografiko-historik, ashtu si duhet, tjetra në realitetin politiko-shtetëror, të 2-ja hartuar prej shqiptarësh.
I.10 personalitete të kulturës e politikës shqiptare, midis të cilëvet Sami Frashëri nga Përmeti dhe Pashko Vasa nga Shkodra, në një letër që i dorëzojnë ambasadorit francez në Stamboll, z. Furnië, SHQIPËRINË, në vija të trasha, duke mos dashur ta ngarkojnë letrën me hollësira, e kanë përcaktuar kështu: “kufijtë e saj… fillojnë nga Tivari, Shkodra e gjithë malet e banuar me katolikë, Peja, Kurshumlija, Prishtina, Leskofci, Vranja, Shkupi, Përlepi, Manastiri, Follorina, Kosturi, Grebeneja, Pindi, Kolariti, Arta, dhe kalojnë në Gjirin e Ambrakisë” (Krs.Sh.2,f.473)
Koordinatat e SHQIPËRISË, sipas këtij dokumenti, janë këto: Në gjërësinë veriore midis gradës 39 dhe gradës 43 e gjysmë (39˚-43˚,30’), në gjatësinë lindore midis gradës 19 dhe gradës 22 (19˚-22˚), duke e kaluar pak 22-shin në relacionin Alakin-Bredejë.
Në Fjalorin enciklopedik shqiptar, Tiranë 1985, te zëri SHQIPËRIA, thuhet kështu: “Vend në Evropën juglindore, në P(erendim) të Gadishullit Ballkanik, midis koordinatave gjeografike 39˚38΄ dhe 42˚39΄ të gjërësisë V(eriore) dhe 19˚16΄ dhe 21˚4΄ të gjatësisë L(indore).”
Në këtë mënyrë, vetë shqiptarët e sh XX kanë lënë jashtë nocionit gjeografik SHQIPËRI dy të tretat e asaj SHQIPËRIE që shqiptarët e sh XIX e kishin cilësuar si të tillë. Do të flasim për këto gjëra, më se skandaloze e njëkohësisht tejet vetëposhtëruese, në kapitujt që pasojnë.
( Shkëputur nga libri “Strategjia e shqiptarëvet“, i autorit Gjokë Dabaj )