GJOKË DABAJ. Ç’PO BËHET KËSHTU ME GJUHËN SHQIPE?!(II)

Durrës, 26. 05. 2014 – 4.SHKRONJA E MADHE Nuk po marr rastet kur kjo shkronjë është përdorur në rregull. Po marr vetëm rastet kur është përdorur keq, si dhe ndonjë rast që është për t’u diskutuar. ◊“Sistemi Diellor” (f.4, f.5). Ndonëse mund të ketë vend për diskutim, me rregullat që kemi, duhej shkruar me të vogël: “sistemi diellor”. ◊“Harrjet kanë rrahjen më të shpejtë të krahëve në tokë” (f.15) Duhet me shkronjë të madhe, “Tokë”, sepse bëhet fjalë për planetin. ◊“Muri i Madh kinez” (f.22). “kinez” duhet me të madhe. Pra: “Muri i Madh Kinez”. ◊“në kinën e lashtë” (f.22). Unë mendoj që duhet: “në Kinën e Lashtë”. ◊“Sipas Budizmit” (f22). Duhet: “Sipas budizmit”, me b të vogël. ◊“ishin Faraonët” (24). Duhet: “faraonët”, me f të vogël. ◊“dhe Mbretëresha Hatshepsut” (f.24). Duhet: “dhe mbretëresha”, me m të vogël. ◊“perandoria Greke u shpërbë”. Po aty: “gjatë Perandorisë Greke” (f.27). P-ja duhet e madhe, edhe në rastin e parë, si në rastin e dytë. ◊“gjatë ndeshjeve në kolose” (f29). “Kolose” duhet me K të madhe. ◊“e quajti atë, Motor Analitik” (f.32). Duhet me shkronja të vogla: “motor analitik” dhe pa presje. ◊“pranë Ministrisë së fluturimeve Angleze” (f.43). Duhet: “pranë Ministrisë Angleze të Fluturimeve”. Siç shihet, është ngatërruar edhe rendi i fjalëvet. ◊“më 31 Mars” (f.43). Duhet “mars” me m të vogël. ◊“Ç’mund të pësojë toka” (f.44). “Toka” këtu duhet me të madhe, sepse është emër planeti. ◊“shkopi magjik” (f.47). Është titull, prandaj duhet me Sh të madhe: “Shkopi magjik”. ◊“Si e çvendos tërmeti tokën” (f.54). “Tokën” duhet me T të madhe dhe folja “çvendos” nuk duhet me ç, por me zh: “zhvendos”. ◊“në brendësi të tokës” (f.54). Duhet: “në brendësi të Tokës”, me T të madhe, sepse gjithnjë flitet për planetin Tokë. ◊“u quajtën luftëra Punike” (f.60). Duhet: “Luftëra Punike” me L të madhe. ◊“territoret Afrikane” (f.60). Duhet: “territoret afrikane”, me a të vogël. ◊“në vitin 509 para krishtit”, “në vitin 27 para krishtit” (f.60). Duhet: “para Krishtit”, me K të madhe. ◊“koloseu” (f.61). Sërish e kemi me të vogël. Duhet me K të madhe: “Koloseu”. ◊“Lufta e dytë botërore” (f.61). Duhet me të mëdha: “Lufta e Dytë Botërore”. ◊“pjesë e perandorisë romane” (f.62). Duhet me të mëdha: “Perandorisë Romake”. Jo “romane”, por “Romake”. ◊“nga qyteti Grek” (f.62). Duhet: “nga qyteti grek”, me g të vogël. ◊“luftrat e Peloponezit” (f.63). Duhet: “Luftërat e Peloponezit”, me L të madhe dhe me ë te shumësi i emrit “luftë”. ◊“Lojërat e para Olimpike” (f.63). Ndajemri “olimpike” duhet me o të vogël. ◊“mund të shpallej ‘kalorës’” (f.64). “Kalorës” duhet me K të madhe, sepse është titull nderi. ◊“lufta e parë dhe e dytë botërore” (f.65). Duhet me shkronja të mëdha: “Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore”. ◊“në të gjithë europën” (f.66). Duhet: “në të gjithë Evropën”, me E të madhe dhe me v, jo me u. ◊“Përse i përdorën Vikingët anijet e gjata?” (f.67). Emri “vikingët” duhet me v të vogël. ◊“vendodhjet e Vikingëve” (f.67). Prapë emri “vikingëve” duhet me v të vogël.
Mërziet njeriu duke hedhur në letër gjithë këtë PAPASTËRTI gjuhësore. E marr me mend që, edhe duke i lexuar gjithë këta shembuj aspak të këndshëm, lexuesi do ta ketë bezdi. Por, si mund ta pasqyrojmë ndryshe gjithë këtë gjendje jonormale?! Duke prurë 2-3 shembuj apo duke dhënë disa shifra, realiteti nuk mund të perceptohet me forcën e duhur. Duhet të mërzitemi, që të na përfshijë alarmi. Në mos, GJUHËN SHQIPE PO E MERR LUMI!
◊“periudha e lulëzimit të Artit” (f.70). Duhet: “artit”, me a të vogël. ◊“ditën e pavarësisë”, “i shpalljes së pavarësisë” (f.73). Duhen: “Ditën e Pavarësisë” dhe “i Shpalljes së Pavarësisë”, sepse janë emra të përveçm në historinë e Shtetevet të Bashkuar të Amerikës. ◊”disa të Drejta”, “të Drejta të pamohueshme” (f.73). Duhen me d të vogël: “të drejta”. ◊“ndër të cilat Jeta, Liria” (f.73). Fjalët “jeta” dhe “liria” nuk duhen shkruar me të madhe, sado që, në këtë kontekst, shprehin diçka të veçantë. Ndoshta do të ish më mirë të shkruheshin krejt me të mëdha. ◊“xhamia e Hasanit të dytë” (f.77). Duhet me të mëdha: “Xhamia e Hasanit të Dytë”. ◊“festa e domateve” (f.78). Duhet me të mëdha: “Festa e Domatevet”. ◊“të revolucionit francez” (f.78). Duhet me të mëdha: “të Revolucionit Francez”. ◊“tigriiI fundit Tasmanian” (f.78). Duhet me t të vogël: “tasmanian”. ◊“më 14 Nëntor”, “më 6 Maj” (f.79). Duhen me n të vogël dhe m të vogël: “më 14 nëntor”, “më 6 maj”. ◊“flamuri Australian” (f.80). Duhet me a të vogël: “flamuri australian”. ◊“Toka Një mrekulli” (f.84). Duhet: “Toka, një mrekulli”, me nj të vogël dhe me presje pas emrit “Toka”. ◊“Liqnjtë e mëdhenj” (f.85). Duhet: “Liqenet e Mëdhenj”, me M të madhe dhe shumësi i emrit “liqen”, jo “Liqenjtë”, por “Liqenet”. ◊“Kur u zbulua… kanioni i madh” (f.85). Duhet me të mëdha: “Kanioni i Madh”. ◊“Polinesianët” (f.85). duhet me p të vogël dhe me z, jo me s: “polinezianët”. ◊“dhe Fauna” (f.86). Duhet me f të vogël: “dhe fauna”. ◊“oqeani Indian” (f.88). Duhet me O të madhe: Oqeani Indian”. ◊“në Epokën e Bronxit” (f.91). Ndinëse mund të diskutohet, rregullat aktuale e kërkojnë me të vogla: “në epokën e bronxit”. ◊“në shpellën e Kro-manjonit”, “njerëzve të Kro-manjonit” (f.91). Duhen: “në Shpellën e Kromanjonit”. “njerëzvet të Kromanjonit”, me Sh të madhe dhe “Kromanjonit” pa vizë në mes. ◊“Jeta në tokë” (f.92). Duhet me T të madhe: “Jeta në Tokë”. ◊“Elefant Afrikan” (f.92). E-ja është fillim teksti dhe duhet e madhe, por “Afrikan” duhet me a të vogël: “afrikan”. ◊“kafsha më e madhe mbi tokë” (f.92). Duhet: “mbi Tokë”, me T të madhe. ◊“të Amerikës së jugut” (f.93). Duhet: “të Amerikës së Jugut”, me J të madhe. ◊“Çarli i madh” (f.94). Duhet: “Çarli i Madh”, me M të madhe. ◊“të Europës perendimore” (f.94). Duhet: “të Evropës Perendimore”, me P të madhe dhe “Evropës” jo me u, por me v. ◊“Rilindje europiane” (f.97). Duhet: “Rilindje Evropiane”, me E të madhe dhe me v e jo me u. ◊“në Zelandën e re” (f.100). Duhet”: “në Zelandën e Re”, me R të madhe. ◊“Sportisti Indiano perendimor” (f.102). Duhet: “Sportisti indiano-perendimor”, me i të vogël dhe me vizë në mes. ◊“Sistemit Diellor” (f.107). Duhet: “sistemit diellor”, me të vogla. ◊“15 Janar”, “4 Korrik”, “4 Tetor”, “25 Gusht”, “12 Prill”, “5 Maj”, “20 Korrik” (f.108-109). Të gjithë emrat e muajvet shkruhen me të vogël, përveç kur bëjnë pjesë në emra festash. ◊“Yjet e kuq”, “Udha e qumështit” (f.110). Duhen: “Yjet e Kuq”, “Udha e Qumështit”, me shkronja të mëdha. ◊“Homo Sapiens” (f.112). Duhet: “homo sapiens”, me të vogla, si emri njeri. ◊“Poli i jugut” (f.112). Duhet: “Poli i Jugut”, me të mëdha. ◊“kontinenti Afro-Aziatik” (f.113). Duhet: “kontinenti afro-aziatik”, me të vogla. ◊“Muri i madh Kinez” (f.116). Duhet: “Muri i Madh Kinez”, me M të madhe.
Por pak më poshtë është shkruar krejt me të vogla: “muri i madh kinez” dhe njeriu pyet veten, pasi është e kotë të pyesë dikënd tjetër: A e ka kryer 8-vjeçaren shkruesi apo korrektuesi i këtij libri? Apo e kanë shtypur librin pa kurrfarë korrektimi?! O BURRA, TA NXJERRIM NË TREG E TË MBLEDHIM CA PARA!
◊“Porta e artë” (f.116). Duhet: “Porta e Artë”, me A të madhe. ◊“e njohur edhe si Piramida e madhe” (f.117). Duhet: “Piramida e Madhe”, me M të madhe. Emri i përveçëm “Tokë” në shumicën e rastevet është shkruar me të vogël: “bimëvet të shumta mbi tokë”, “toka po bëhet…”, “të jetës në tokë” etj. (f.123). ◊“Sipërfaqja e diellit” (f.130). Duhet: “Sipërfaqja e Diellit”, me D të madhe. ◊“220° Celsius” (f.130). Duhet: “220° celsius”, me c të vogël. ◊“Sistemi Solar” (f.131). Duhet: “Sistemi solar”, me s të vogël. Por, ç’I duhet të thotë “solar”, kur mund të thotë “diellor”?! Aq më shumë, kur libri është për fëmijë. ◊“Dielli cilësohet Yll” (f.131). Ndoshta: “Dielli konsiderohet yll”. Ose: “Dielli është një yll”. Gjithsesi, emri “yll” këtu shkruhet me y të vogël. ◊“shtegu i tornadove” (f.137). Duhet: “Shtegu i Tornadove”, me të mëdha. ◊“të kores së tokës” If.139). Duhet: “të kores së Tokës”, me T të madhe.
Na përpiftë toka ty edhe mua bashkë me ty! (Këtu “toka” duhet me t të vogël, sepse ka kuptimin e dheut, baltës.) Na mbuloftë balta të dyvet!

5.SKANDALI ME PËREMRIN PYETËS: “KUSH?”
Përemri pyetës “Kush?” përdoret vetëm për njerëz. Madje edhe për njerëzit jo në të gjithë rastet. Nuk përdoret për sende, as për kafshë, as për dukuri. Në vend të përemrit “Kush?”, për sendet, kafshët dhe dukuritë, përdoret përemri “Cili?”, që ka gjini e numër: ”Cili?, Cila?, Cilët?, Cilat?”
Mirëpo, këta zotërinjtë, e kanë shkruar këtë libër shqip, por shqipen nuk e dinë.
Po i rendit rastet e këtij SKANDALI nga më alarmuesit, i cili, si shumica e këtyre shkeljeve, nuk haset vetëm në këtë libër.
“Kush është objekti më i madh…?” (f.4). Duhet: “Cili është objekti më i madh…?”
“Kush janë kontinentet më të nxehtë?” (f.7). Duhet: “Cilët janë kontinentet më të nxehtë…?”
“Kush është më i madhi në familjen e zogjve?” (f.11) A ka kuptim kjo pyetje? Sidoqoftë, forma e duhur do të ishte: “Cili është më i madhi…?”
“Kush është insekti më i vogël?” Duhet: “Cili është insekti më i vogël?”
“Kush janë karakteristikat…?” (f16) Duhet: “Cilat janë karakteristikat…?”
“Kush noton në ujë? (Flutura, harabeli, peshku)” (f.17) Duhet: “Cila nga këto gjallesa…?”
“Kush janë sistemet…?” (f.19) Duhet: “Cilët janë sitemet…?”
“Kush ishin Faraonët…?” Përgjigjja është: “Faraonët, ishin sunduesit e Egjiptit të lashtë.” (24) Para një të këtillë përgjigjeje, pyetja bëhet kështu: “Ç’ishin faraonët?” dhe nuk shkruhet me F të madhe. As te përgjigjja nuk vihet presje pas fjalës “Faraonët”.
“Kush ishin perenditë e Olimpit?” (f.26) Duhet: “Cilat ishin perenditë e Olimpit?”
“Kush ishte loja popullore…?” (f.31) Duhet: “Cila ishte loja popullore…?”
“Kush është platforma…?” (f.42) Duhet: “Cila është platforma…?”
“Kush është treni më i shpejtë?” (f.42) Duhet: “Cili është treni më i shpejtë?”
“Kush është vendi më i nxehtë?” (f.49) Duhet: “Cili është vendi më i nxehtë?”
“Kush janë veçoritë e Hollivudit?” (f.73) Duhet: “Cilat janë veçoritë e Hollivudit?”
“Kush është kontinenti më i vogël?” (f.81) Duhet: “Cili është kontinenti më i vogël?”
“Kush jam…?” (Pyet zjarri.) (f.91) Zjarri “pyet”: “Ç’jam?”, jo: “Kush jam?”
“Kush është rëndësia e motorit?” (f.96) Duhet: “Cila është rëndësia e motorit?” Ose: “Çfarë rëndësie ka motori?”
“Kush është planeti binjak i Tokës?” (f.106) Dueht: ”Cili planet është ‘binjak’ i Tokës?” Fjala “binjak” duhet në thonjëza.
“Kush ishte e veçanta e misionit…?” (f.106) Duhet: “Cila ishte e veçanta e misionit…?”
“Kush është një planet i pazakonshëm?” (f.107) Duhet: “Cili është një planet i pazakonshëm?” Nuk po merremi me formulimin e fjalisë. Po merremi vetëm me përemrin pyetës, I cili, të cilin, siç shihet në të gjithë këta shembuj, është përdorur pa kurrfarë kujdesi.
“Kush është shteti më i madh në botë?” (f.113) Duhet: “Cili është shteti më i madh në botë?”
“Kush është kompjuteri më i vogël?” (f.113) “Cili është kompjuteri më i vogël?”
“Kush është insekti ujor…?” (f.127) Duhet: “Cili është insekti ujor…?”
“Me kë ngatërrohet kikadi?” Këtu përemri “Kush?” është përdorur në rasën kallëzore, por gjithsesi gabim, sepse kikadi nuk ngatërrohet me ndonjë person, por ngatërrohet me një bimë tjetër. Duhet, pra: “Me çfarë (mund të) ngatërrohet kikadi?” Ose: “Me ç’bimë tjetër mund të ngatërrohet kikadi?”
“Kush është ishulli më i madh në botë?” (f.141) Duhet: “Cili është ishulli më madh në botë?”
Po formuloj disa shembuj me përemrin “Kush?”, sa për t’i krahasuar. “Kush po i bie ziles?” “Kush foli në telefon?” “Kush e ka shkruar këtë libër?” “Kush paska qenë për vizitë?!” “Kush je ti, që më flet ashtu?!”
Kaq dallim midis njërit e tjetrit përemër, mund ta bëjë cilido shqiptar, edhe pa bërë asnjë klasë shkollë. Prandaj dhe detyrohemi ta përsërisim shumë herë: “Ç’PO BËHET KËSHTU ME GJUHËN SHIPE?!”
6.FJALËT: NDARAS, BASHKË DHE ME VIZË NË MES
Është: “Ornitoringu sqep rosë” (f.9) Duhet: “Ornitoringu sqeprosë”.
Është: “Përshembull” (f.11, 19, 27, 41) Duhet: “Për shembull”.
Është: “Zog i porsa çelur” (f.11) Duhet: “Zog i porsaçelur”.
Është: “gjak-ngrohta” (f.13) Duhet: “gjakngrohta”.
Është: “kamufluesi shkop tropikal” (f.14) Duhet: “kamufluesi shkoptropikal”.
Është: “insekt shkop” (f.15) Duhet: “insekt-shkop”.
Është: “familja e peshqve panofull ndahet në tre grupe – panofull, kërcorë dhe halorë” (f.17) Duhet: “pa nofull”.
Është: “sëbashku” (f.18) Duhet: “së bashku”.
Është: “njëritjetri” (f.19, 78, 129) Duhet: “njëri-tjetri”.
Është: “qyteti-shtet” (f.27) Duhet: “qytet-shteti”.
Është: “motorin katër kohësh” (f.32) Duhet: “motorin katërkohësh”.
Është: “nga njëra tjetra” (f.35) Duhet: “nga njëra-tjetra”.
Është: “Nëqoftëse” (f.37, 63, 89, 118) Duhet: “Në qoftë se”.
Është: “në pasurimin e njëra tjetrës” (f.41) Duhet: “në pasurimin e njëra-tjetrës”.
Është: “rrezet ultra violet” (f.45) Duhet: “ultraviolet”.
Është: “periudhë dhjetë vjeçare” (f.63) Duhet: “dhjetëvjeçare”.
Është: “në moshën shtatë vjeçare” (f.64, 106) Duhet: “shtatëvjeçare”.
Është: “Një pirate me flamurin simbol” (f.66) Mendoj se duhet: “flamurin-simbol”, por mund ta kem edhe gabim.
Është: “Pamëdyshje” (f.73) Duhet: “Pa mëdyshje”.
Është: “sëfundi” (f.89) Duhet: “së fundi”.
Është: “planeti binjak i Tokës” (f.106) Medoj se duhet: “planeti-binjak”.
Është: “80 përqind” (f.119) Duhet: “80 për qind”.
Është: ”barishtet një thelbore” (f.119) Duhet: “njëthelbore”.
Është: “Drurikuq” (f.120) Duhetë: “Druri i kuq”.
Është: “gjak-ftohta” (f.124) duhet: “gjakftohta”.
Është: “jo vertebrorë” (f.125) Duhet: “jovertebrorë”.
Është: “kafshë pakocka” (f.125) Duhet: “kafshë pa kocka”.
Është: “lakuriqi hundë-noçkë” (f.126) Duhet: “lakuriqi hundënoçkë”.
Është: “nëntëdhjetë përqind” (f.129) Duhet: “nëntëdhjetë për qind”.

7.FJALË TË TJERA TË SHKRUARA GABIM
Është: “i bën ballë temperaturave” (f.8) Duhet: “u bën ballë temperaturave”, me “u”, sepse “temperaturave” është në shumës.
Për ta pëdorur këtë “u” si duhet, duhet bërë njëra nga këto pyetje: “Ç’gjëje i bën ballë?”, “Kujt i bën ballë?”, “Cilës dukuri i bën ballë?” Përgjigjja është: “Atyre u bën ballë.” Në vend të përemrit “atyre”, kemi përdorur emrin “temperaturave” dhe ka mbetur: “u bën ballë temperaturave”. Nga na del kjo “I” në vend të “u”-së? Del nga njëjësi: “i bën ballë temperaturës”.
Do ta hasim këtë rast keqpërdorimi pa pikë përgjegjësie, të trajtës së shkurtër të përemrit vetor, këtë zëvendësim të shumësit “u” me njëjësin “i”, në aq shumë raste, sa, lexuesit të kujdesshëm, s’ka si të mos i neveriten të tillë tekste kaq keq të NDOTUR. Dhe, duhet thënë prapë me shqetësim shumë të madh, që, një e këtillë NDOTJE, nuk gjendet vetëm në këtë libër. Po të gjendej vetëm këtu, do të ishte një e njëmijta e së keqes. Një e këtillë NDOTJE gjendet GJITHANDEJ, në një shumicë rastesh të përditshëm dhe, MUND TË MOS I VIJË PËR TË VJELLË, VETËM ATIJ QË S’E DALLON DOT KOKRRËN E KRIMBIT NGA KOKRRA E ORIZIT. QË I KA NJËSOJ, SI ORIZIN, SI KRIMBIN!
Është: “pjesa dërmuese” (f.13) Duhet: “pjesa dërrmuese”.
Është: “e xhveshin lëkurën” (f.13) Duhet: “e zhveshin lëkurën”.
Është: “Fluterëz” (f.13) Duhet: “fulterëz”.
Është: “kanë ndjesorë” (f.15) Duhet: “kanë ndiesorë”.
Është: “Ata e thithin ushqimet” (f.16) Duhet: “Ata i thithin ushqimet”.
Është: “Pendët e bishtit i krijojnë mundësinë (peshqvet) të çajnë në ujëra” (f.16) Duhet: “u krijojnë mundësinë (peshqvet)”.
Kemi edhe këtu trajtën e shkurtër të përemrit vetor në rasën dhanore “i”, e cila nuk zëvendëson apo dublon emrin në SHUMËS, por zëvendëson apo dublon emrin në NJËJËS. Trajta e plotë e përemrit vetor “ai”, në rasën dhanore, numër shumës, bën “atyre”, ndërsa trajta e shkurtër është “u”: “atyre u”. Prandaj, s’ka pse, s’ka asnjë arsye të thuhet “i”, kur bëhet fjalë për shumë peshq e jo për 1 peshk të vetëm. S’ka arsye të ndodhë kështu, përveç në daçim ta NDOTIM gjuhën!
Është: “Si e ndjejnë peshqit rrëzikun” (f.16) Duhet: “si e ndiejnë”.
Është: “Pjesa më e madhe e peshqve marrin frymë në ujë nëpërmjet verzave” (f.17) Duhet: “Pjesa më e madhe e peshqve merr frymë”. Nëse do të thonim: “peshqit”, do të duhej të thonim “marrin frymë”, ndërsa, kur themi “pjesa”, doemos duhet ta vëmë edhe lokucionin foljor në njëjës: “merr frymë”.
Është: “në ujrat tona” (f.17) Duhet: “në ujërat”. A është e nevojshme të futemi prapë në shkencë, për ta sqaruar, pse nuk bën pa “ë” dhe pse duhet pa tjetër me “ë”?!
Është: “Ujrat e detrave” (f.17) Duhet: “Ujërat e deteve”. Këtu, as emri “ujë”, as emri “det” nuk janë vënë si duhet në numrin shumës.
Është: “ndërmjet të gjithë gjallesave” (f.18) Duhet: “ndërmjet të gjitha gjallesave”.
Është: “Lëkura përbëhet nga tre shtresa” (f.18) Duhet: “Lëkura përbëhet nga tri shtresa”.
Është: “Pjesa më e madhe e qenjeve” (f.19) Duhet: “Pjesa më e madhe e qenieve”.
Është: “Pjesa më e madhe e qenjeve nuk janë të njëjtë” (f.19) Duhet: ”Pjesa më e madhe e qenieve nuk janë të njëjta”.
Është: “Gjurmat e gishtave” (f.19) Duhet: “Gjurmët e gishtave”.
Është: “Proçesi i frymëmarrjes” (f.20) Duhet: “Procesi”. Kjo fjalë është shkruar gjithandej me “ç” e jo me “c”.
Është: “Truri ka 100 miliard qeliza” (f.21) Duhet: “100 miliardë”, me ë në fund.
Është: “ngrinin tombe varrimi” (f.22) Duhet: “ngrinin tomba”.
Është: “duhej të ndjehej i lirë” (f.22) Duhet: “duhej të ndihej i lirë”.
Është: “Në Kinën e lashtë u zhvillua shtypi, endjet e mëndafshit, sizmoskopi, fishekzjarret, shkrepset, kaligrafia, kompasi magnetik, akulloret, gatimi, etj, etj.” (f.23) Nuk po hyjmë fare në analizat kuptimore. Po shikojmë vetëm mospërshtatjen në numër të foljes “u zhvillua”. Duhet, pra: “u zhvilluan” e jo: “u zhvillua”.
Është: “ishte një magjepës” (f.24) Duhet: “magjepsës”.
Është: “Zhvilloheshin lojra”, “këto lojra” (f.26) Duhet: “lojëra”.
Është: “Ç’lloj qeverisje kishin” (f.27). Duhet: “Ç’lloj qeverisjeje”.
Është: “gjatë sundimit roman” (f.27), “Harta e Perandorisë Romane”, “Gladiatorët romanë” (f.28) Duhet: “romak, romake, remakë”. Madje, për gladiatorët duhej thënë: “Gladiatorët e Romës”, sepse ata, në shumicën e tyre, nuk ishin remakë.
Siç mund të vihet re, unë kam arritur, duke qëmtuar të këtilla shkelje “të tjera” të rregullavet të drejtshkrimit, vetëm deri te faqja 28. Libri ka gjithsej 144 faqe. Në mos pastë thinja, njeriu thinjet. Në qoftë me thinja, njeriut i dalin brirët, gjersa të arrijë te faqja 144.

8.RASA E EMRIT
Është: “u inaugurua nga Titus” (f.61) Duhet: “u inaugurua nga Titusi”.
Është: “i luftës së UÇK” (f70) duhet: “i luftës së UÇK-së”.
Është: “i mbështetjes së pakufishme të SHBA, NATOS…” (f.70) Duhet: “i mbështetjes së pakufishme të SHBA-së, NATO-s”. Të vihet re këtu mbaresa rasore –S, shkronjë madhe e njëjtë me shkronjat e emërtimit të shkurtuar NATO. Shprehje e mosnjohjes më elementare të gjuhës shqipe.
Është: “një mori mrekulli të tjera” (f.72) Duhet: “një mori mrekullish të tjera”.
Është: “pavarësisë së SHBA” (f.73) Duhet: “pavarësisë së SHBA-së”.
Është: “dy tempujt e Abu Simbel” (f.76) Duhet: “Dy tempujt e Abu Simbelit”.
Është: “kështjella e Neuschwanstein” (f.78) Duhet: “kështjella e Nojshvanshtajnit”.
Është: “Kur u hap Channel Tunnel” (f.79) Duhet: “Kur u hap Çenëll-Tuneli”.
Është: “nga UNESCO” (f.79) Duhet: “nga UNESKO-ja”.
Është: “për nder të Henry Ayres” (f.80) Duhet: “për nder të Henri Ajresit”.
Është: “nga Blaxland, Wentworth dhe Lawson” (f.81) Duhet: “nga Blekslandi, Uentvorthi dhe Lausoni”.
Është: “në ishujt e Hauai”, “vargu I ishujvet Havai” (f.85) Unë mendoj se duhet: “në ishujt Havaje”, “vargu I ishujvet Havaje”. Por gjithsesi me v e jo me u.
Është: “Gjethet e Mimoza Pudica” (f.87) Duhet: “Gjethet e bimës Mimoza Pudika”.
Është: “Shpërthimi i parë i Mauna Loa” (f.89) Duhet: “Shpërthimi i pare i Mauna Loas” ose: “Shpërthimi i parë i vullkanit Mauna Loa”.
Është: “Kafka e homo sapiens” (f.90) Duhet: “Kafka e homo sapiensit”.
Është: “në Illinois të SHBA” (f.98) Duhet: “në Ilinois të SHBA-së”.
Është: “i Kushtetutës së SHBA” (f.101) Duhet: “i kushtetutës së SHBA-së”.
Është: “Meksiko, Amerika Qendrore, Berunda, SHBA, dhe Ishujt Karaibe” (f.112) Duhet: “Meksikoja, Amerika Qndrore, Berunda, SHBA-ja dhe Ishujt Karaibe”. Presja para lidhëzës “dhe”, në këtë rast, nuk duhet.
Është: “në Arizona të SHBA” (f.123) Duhet: “në Arizonë të SHBA-së”.
Është: “Buburreci ujit” (f.127) Duhet: “Buburreci i ujit”.
Është: “falë George Eastman” (f.133) Duhet: “falë George Estmanit”.
Është: “sipërfaqe më të madhe se SHBA” (f.142) Duhet: “sipërfaqe më të madhe se ajo e SHBA-së”.
Përfundimisht, po e quaj të arsyeshme t’i them, me këtë rast, vetëm 2 a 3 gjëra:
1. U kërkoj ndjesë botuesvet dhe autorëvet të librit, që i mora pikërisht ata si shembull, kur dihet që shmangiet nga gjuha normale shqipe janë sheshit gjithandej. Por edhe ata duhet ta pranojnë me dorë në zemër, se ky libër i tyre është nga më tipikët në këtë rrugë të keqe që ka marrë gjuha jonë.
2. Organet e shtetit, së pari në Republikën e Shqipërisë e prej këndej në Republikën e Kosovës e kudo ku flitet e shkruhet shqip, duhet të marrin masa të ngutshme për ta pastruar gjuhë nga të këtilla NDOTJE. E di që nuk është punë e lehtë, sepse, për të pastruar ndotjet në shtretërit e lumenjvet apo në plazhet, mund të mbledhësh disa vullnetarë, mund të angazhosh edhe ushtrinë (meqë s’është e angazhuar në ndonjë luftë), por, për të pastruar gjuhën nga “MBETJET (JO)URBANE “ , nuk hyjnë në punë as grupet e vullnetarëvet, as ushtria. Megjithatë, shtetit nuk i lejohet të rrijë duarkryq.
a) Duhet sa më parë të ndryshohet gjendja në shkollën 9-vjeçare. Unë e kam një projekt, publikuar në media para disa muajsh. Nëse organet e shtetit tonë duan vërtet ta vënë në rrugën e zgjidhjes, midis tjerash, edhe problemin e gjuhës shqipe, kam bindjen që vënia në jetë e atij projekti vetëvetiu e kryen edhe këtë detyrë, e cila është baza e qytetërimit të secilit komb.
b) Organet shtetërorë, në këtë rast Ministria e Arsimit dhe e Sportevet në koordinim me Ministrinë e Kulturës, duhet të krijojë një ekip të përhershëm monitorimi për gjuhën shqipe, me të gjitha kompetencat ligjore për të ndëshkuar çdo shkelës të normavet të gjuhës shqipe. Në një kohë kur gjejmë para dhe kemi kohë për të monitoruar, sa sekonda harxhon një television për një parti e sa për një parti tjetër, s’ka arsye të mos gjejmë kohë, njerëz dhe para, për a-të, o-të, u-të dhe i-të e gjuhës shqipe, që është gjuha e të gjitha partive.

FUND

____________________________________

GJOKË DABAJ. Ç’PO BËHET KËSHTU ME GJUHËN SHQIPE?!(I)
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=2818

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura