Durrës, 23 tetor 2017: Sigurisht, do të doja më parë t’i mësoja dhe t’u krijoja kushtet djemvet shqiptarë për të mos u bërë kriminelë, por edhe si kriminelë do të doja t’i mbroja, mundësisht deri në shkallën sa populli disave prej tyre t’u këndonte këngë.
Por Saimir Tahiri po më duket këto ditë si një qyqar, i trembur dhe i rrëgjuar. S’po ka asgjë të përbashkët me Bilbilenjtë.
“Bilbilenjtë trembëdhjetë,
vanë në litar vetë!”
As Ed Rama s’po ka asgjë të përafërt me Bilbilenjtë tanë të famshëm. Të kishin thënë të paktën: “Pushka top!” dhe me aq t’ua mbyllnin gojën të gjithëvet. Pushka top ju bëftë, ju që po doni ta mbytni Shqipërinë!
Nuk është fjala këtu për të mbrojtur krimin! Asnjë popull nuk i ka mbrojtur dhe nuk i mbron kurrë krimet si dukuri!
Por fjala është për t’i vënë gjërat secilën në vend të vet dhe, kur t’i vëmë gjërat secilën në vend të vet, atëherë mund të dalë që një kriminel shumë i madh në dukje, të mos jetë, veçse një keqbërës fare i vogël, një shtesë a një bisht i një krimi të gjithpërhapur. Mund të ndodhë madje edhe që, një që quhet kriminel, të mos ketë qenë kurrë i tillë, përkundrazi, të ketë qenë një hero dhe populli t’i ketë ngritur përmendore. Çdo gjë duhet vënë në kuadrin historik përkatës dhe të analizohet në rrethanat përkatëse historike.
Deri në vitin 1990, në Kohën e Enverit, ne në Republikën e Shqipërisë, i dënonim VETË kriminelët tanë. Nuk na i dënonin italianët, as grekët. Kishim policinë tonë, me uniformë dhe të fshehtë, kishim hetuesinë tonë, kishim prokurorinë, kishim gjykatat, kishim kodin penal tonin. Të gjithë ligjet e shtetit tonë ishin të miratuar në Kuvendin tonë Popullor.
Mbas vitit 1990, na i quajtën KRIMINELË, edhe policinë, sidomos atë të fshehtën, edhe hetuesinë, edhe prokurorinë, edhe gjykatat, edhe kodin tonë penal, rrjedhimisht, edhe Kuvendi ynë Popullor dilte si një çerdhe kriminelësh apo kukullsh. Na i quajtën kriminelë apo kukulla të gjithë këta dhe na detyruan t’u japim dëmshpërblim ish-të dënuarvet, të quajtur “politikë”, por që në shumicën e tyre ishin shqeto ordinerë. U jep para populli shqiptar ish-kriminelëvet, duke e quajtur kriminel shtetin që kishim atëherë, pa i bërë kurrfarë gjyqi! Ka një çerek shekulli që ish-të dënuarvet u japim para, nga paratë tona, duke i lënë fëmijët tanë pa bukë, ndonëse atyre ish-të dënuarve nuk u është bërë asnjë gjyq rehabilitimi dhe askush nuk e di: A ishin vërtet të pafajshëm ata njerëz?!
Në Kohën e Everit, këtu në Republikën e Shqipërisë, ne i dënonim VETË kriminelët dhe pikërisht se i dënonim VETË, nuk kish këtu as prodhim e trafik droge, as prostitucion, as trafik të qenievet njerëzore, as tregtim e transplant kriminal të organevet të njeriut, as prodhim të falsifikuar pijesh e ushqimesh, as korrupsion në administratë, gjykatë apo mjekësi. Asnjë nga këta krime nuk përbënte FENOMEN dhe nuk kish mundësi të përhapej në masë.
Mirëpo, pushtetarëvet të Evropës, pushtetarëvet të krejt Perendimit e ndoshta të krejt botës, nuk u pëlqente që këtu në Republikën e Shqipërisë të mos kish të këtillë krime dhe mezi pritën që t’i shpallnin KRIMINELË dënuesit dhe ndëshkuesit e kriminelëvet dhe popullin shqiptar ta detyronin t’u paguante dëmshpërblim ish-të dënuarvet. Jo vetëm atyre që ishin dënuar me të padrejtë, se kish aty-këtu edhe të atillë, por të gjithëvet pa përjashtim, qoftë edhe hajdutëvet në rrjetin tregtar, hajdutëvet në bujqësi, mjaftonte që prokurori të kish shqiptuar fjalët: Ti je armik! U detyrua populli shqiptar t’u paguajë dëmshpërblim të gjithë kriminelëvet dhe tradhtarëvet të kombit të vet, që kishin ardhur këtu si diversantë nga Jugosllavia, nga Greqia apo nga Italia, si dhe t’ua kthejë tokat ish-bejlerëvet dhe ish-kulakëvet, të pasuruar ndër shekuj duke rrjepur popullin e vet dhe duke i shërbyer lloj-lloj pushtuesi.
Pushtetmbajtësit dhe pushtetglorifikuesit e Evropës dhe të krejt Perendimit, mbas vitit 1990 e këndej, nuk u lanë shqiptarëvet shtigje të tjerë për të jetuar, përveç emigrimit nga sytë këmbët dhe drogës, grabitjes, prostitucionit, jo vetëm seksual, por edhe atij politik.
E kishim një bujqësi dhe na e shkatërruan. Na e copëzuan tokën ngastra-ngastra! E kishim një industri dhe na e rrënuan gjer në themele! E kishim një tregti të pastër si loti dhe na e zëvendësuan me varreza veturash, me rroba „gabi“ dhe me lloj-lloj ushqimesh gjenetikisht të modifikuar, domethënë, me ushqim të helmët!
Me se të merreshin shqiptarët, të cilët nuk janë mësuar, as t’ua shtrijnë të tjerëvet dorën prej lypsari, as të vdesin rrugëvet?!
Shqiptarët do të merreshin me diçka! Në fund të fundit, shqiptarët do të merreshin me të gjitha ato punë, me të cilat merrej prej kohësh “bota e përparuar”. Do të merreshin me punë të ndershme, siç po merren qindra mijë prej nesh, dhe këtu shprehjes BOTË E PËRPARUAR nuk i vihen thonjëzat, por do të merreshin edhe me aso punësh që, në mjediset e kësaj “bote të përparuar”, sjellin para me shumicë.
Mirëpo, çfarë ndodhi në këtë çerek shekulli?! Asaj “bote të përparuar” që nuk i pëlqeu puna jonë e ndershme, asaj “bote të përparuar” që shtirej sikur i dhimbseshin kooperativistët tanë, tash nuk po i pëlqejnë as kultivuesit dhe tregtarët tanë të lëndëvet narkotike.
“Kur të hanë grerëzat?!” më pyeti një i afërmi im, tek po shkruaja këta rreshta, dhe u përgjigj vetë: “Grerëzat të hanë atëherë kur ua prish folenë.”
Përse po i sulmojnë kaq shumë, policia italiane dhe policitë e tjera, kultivuesit dhe trafikuesit tanë të drogës dhe nuk po nxjerrin në gjyq asnjë vjedhës të këtushëm të brendshëm?! A mos e kanë hallin për mbrojtjen nga helmimi sistematik i miliona përdoruesvet të drogës anembanë Evropës dhe anembanë SHBA-së?! Jo! ATYRE PO U IKËN FITIMI NGA DUART, sepse shqiptarët janë njerëz të zotë edhe në punë të këqia, siç janë të zotë gjithandej edhe punët e mira.
Shqiptarët, këta të zotët për së prapthi, po ua marrin tregun BOSËVET TË DROGËS, prandaj bosët e drogës (nënkupto edhe PIRAMIDAT QEVERISËSE të Perendimit), po kërkojnë që të arrestohen, mundësisht, që të gjithë shqiptarët, që nga ata që e mbjellin (sepse, në rendin botëror të sotëm të konkurencës, s’kanë levërdi të mbjellin asgjë tjetër), deri te kryeministrat tanë, që realisht nuk kanë ç’t’u ofrojnë tjetër shtetasvet të vet. Nuk kanë ç’t’u ofrojnë, sepse: Shkoni e shihni në Rinas si i transportojnë BANKAT E HUAJA thasët me para, që i fitojnë duke rrjepur këtë vend dhe këtë popull! Shkoni e shikoni!
Atëherë, ç’më takon mua t’u them, kësaj Evrope, kësaj Amerike e ndoshta mbarë njerëzimit?! Mua më takon të them kështu:
Le të shkojnë më parë në litar, në gijotinë a në karriken elektrike, Vladimir Putini, Donald Trampi, Kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar, Kancelarja e Gjermanisë, Presidenti i Francës dhe Kryeministri i Italisë, të cilët JO MË KOT dhe jo pa levërdi i LEJOJNË: drogën, prostitucionin (seksual, politik, parlamentar, juridik etj.), trafikimin e njerëzvet, trafikimin kriminal të organevet dhe prodhimin e ushqimevet NJERËZIMHELMUES!
Mjafton të ndalemi te shprehja JO MË KOT dhe do ta kuptojmë që pikërisht KËTA janë kryekeqbërësit e botës sonë të shekullit 21. Disa prej tyre po i mbajnë ditë e natë gishtat mbi butonat e armëvet atomike! Disa prej tyre s’po lënë gurë pa lëvizur, që të ketë luftëra në Botën Arabe dhe në përgjithësi në vendet ku ka shumicë myslimane dhe ku nuk ka as armë atomike, as ideologji për të qenë, që t’i çojë këta popuj në fitore!
Pra, le të shkojnë më parë ata në litar e pastaj të shohim cili prej shqiptarëvet e meriton litarin: Sali Berisha, Fatos Nanoja, Ilir Meta, Lulzim Basha, Ed Rama etj. etj..!
Le të shkojnë më parë në litar kryepolicët e SHBA-së (doemos edhe ata të fshehtët), kryepolicët e Rusisë (kuptohet, edhe të fshehtët), të Britanisë, të Gjermanisë, të Francës e të Italisë, pastaj ta çojmë në litar a në pushkatim edhe Saimir Tahirin tonë!
E përdora fjalën litar si simbol i ndëshkimit kapital, por ne e dimë që, të paktën Evropa, i ka hequr nga përdorimi edhe litarin, edhe veglat e tjera të ndëshkimit të kriminelëvet me jetëndërprerje, dhe i ka zëvendësuar të gjitha këto me dofarë burgjesh që, në rastet më të shumtë, ngjajnë me do shtëpi pushimesh TË SHTHURURA, në të cilat e mbajnë “rregullin”, jo gardianët, por vetë kriminelët.
Para se të ndëshkohet, për shembull, kryeparlamentari i shtetit tonë, duhet të ndëshkohen kryeparlamentarët e mbarë Evropës së sotme, të cilët, në mos qofshin pjesë e drejtpërdrejtë e krimit, janë toleruesit dhe rrugëhapësit, rrugëlejuesit e të gjithë krimevet që sot janë të pranishëm, jo si raste të shkëputur, por si FENOMENE shoqërorë tepër të rrëzikshëm!
Do të doja, pra, të vihem në mbrojtje të të gjithë kriminelëvet të Shqipërisë, siç do të mund të bënte cilido avokat i tyre, jo se ua miratoj veprën, por sepse BURIMIN E KRIMIT e shoh gjetkë, e shoh te SHTETET E MËDHENJ, te ata që sot po e çojnë njerëzimin në një katastrofë milona herë më kriminale se Habilajt e Balilajt e një Shqipërie kaq të vogël. Shqipërinë që po e vrasin përditë me gjithë ç’ka, që nga potencialet e PAFUNDË natyrorë deri te energjitë tona të pashterrshme POZITIVE njerëzore!
Bilbilenjtë nuk plaçkisnin popullin, por plaçkisnin të huajtë, grabitës dhe rrëmbyes të pasurivet të Shqipërisë. Bilbilenjtë plaçkisnin edhe plaçkitësit vendës dhe plaçkën ua ndanin fukarenjvet. Pikërisht këtu do të doja ta bëja dallimin.
Do të doja, pra, ta mbroja këtë kategori të Kombit Shqiptar, e cila, në të vërtetë, nuk është PROTAGONISTE, por SHTESË dhe VIKTIMË e krimit gjithnjerëzor! Do të doja t’i mbroja kriminelët e Kombit tim, jo për t’i nxjerrë krejt të pafajshëm, por për t’i ndëshkuar VETËM AQ SA MERITOJNË dhe VETËM ATËHERË kur në bankën e të akuzuarit të jenë vënë, jo BISHTRAT, por KRERËT e krimit gjithnjerëzor.
Mirëpo, po më vjen keq që, këta të akuzuarit tanë të sotëm, nuk po u ngjajnë Bilbilenjvet tanë të dikurshëm, Bilbil Sakos e Bilbil Resulit, zulmëpashuar në qindra vjet! Nuk po u ngjajnë as Bilbilenjvet e as Osman Takës! As Osman Takës e as Sefë Koshares! As Sefë Koshares e as Oso Kukës! As Oso Kukës e as Azem Bejtës! Këtu po e ndiej veten të trishtuar.
Gjokë Dabaj – Durrës 20-22 tetor 2017