AURENC BEBJA: SHQIPËRIA ËSHTË E SHQIPTAREVE DHE JO E POLITIKANËVE!

Pashtriku.org, 23. 01. 2016: Elita politikane, drejtuese dhe në koalicion, qoftë me formim shqiptar apo perëndimor, më krijon ndjenjën sikur po e zhyt Shqipërinë çdo ditë pak e nga pak drejt “humnerës”, pavarësisht se mundohet të dëshmojë të kundërtën. Duket sikur atë “dritën në fund të tunelit” do të na duhet shumë kohë për ta dalluar, edhe pse “tunelet shqiptare” nuk është se kanë ndonjë gjatësi metrike apo kilometrike të konsiderueshme. Më mërzit jashtë mase fakti që vendi ynë ende nuk ka arritur të nxjerrë në pah një lidership të ri politik, i cili të ngjallë besim në shoqëri.
Fatkeqësisht, shpresat e shoqërisë civile për të kaluar nga niveli i mbijetesës në atë të jetesës, shuhen me politikat dështuese dhe, natyrshëm me to, rritet dëshpërimi dhe varfëria. Për shembull, a i ishin të nevojshme investimet për “Jaguarët”, “The Economist”, “Blair”-ët, “Bunkerët”? Ndoshta, por mund të kërkoheshin alternativa të tjera më pak të kushtueshme. Kështu, një pjesë e këtyre fondeve mund të ishte investuar për ata njerëz, të cilët Gjermania po kthen çdo ditë në Shqipëri ose të tjerë që nuk arrijnë të paguajnë ilaçet apo shërbimet mjekësore, që nuk arrijnë të paguajnë energjinë elektrike, që nuk kanë me çfarë të ushqejnë fëmijët e tyre. A interesohet ndonjë i “koalicionit” për Shqipërinë e varfër? Kushedi. Në veçanti, interesohen të gjithë kur duhet një foto apo video propagandistike për fushata elektorale.
Si ka mundësi që një shtet i vogël me përafërsisht tre milionë banorë – sa një krahinë në Francë, fjala bie Bretagne – ndodhet sot në një situatë të shthurur? Ndoshta, mjafton të analizohen “veprat” e klasës politike në tërësi për ta kuptuar. Shqipëria duket se po drejtohet si një lojë pokeri nga politikanët, ku gjithçka mbështetet te shansi apo blofi. Përse një elitë politike është gjithmonë vizionare, largpamëse kur ndodhet në opozitë dhe verbohet kur gjendet në pozitë? Në rastin e parë, kjo ndodh për të marrë pushtetin, ndërsa në të dytin, që ta lëshojnë atë sa më vonë të jetë e mundur.

Në politikën shqiptare më shqetëson përdorimi i termit “koalicion”, që në teori do të thotë të kesh interesa të njëjta për qëllime të përbashkëta, ndërsa në praktikë, qëllimet marrin një formë tjetër. Sot, të bësh koalicion në Shqipëri, është sikur të bësh pakt me djallin. Shqipëria po mbahet peng pikërisht nga loja e koalicioneve djallëzore.
– A i kanë sosur limitet kësaj loje? E kanë tejkaluar, bajatosur, i ka dalë boja.
– A mund të qeveriset një shtet, kur njëri mban timonin dhe tjetri frenat? Po, por me rrezikshmëri tmerrësisht të lartë destabilizimi.
– A mund të qeveriset një vend, kur njëri partner i koalicionit merr një vendim dhe tjetri e kundërshton atë? Po, por nuk ka zhvillim e përparim. Reforma në drejtësi dhe përparimi i dosjes për në BE do të jenë testi i radhës.
– A është e këshillueshme që shqiptarët të vazhdojnë dhe të kenë besim te koalicionet politike, që në të kaluarën i kanë bërë akuza nga më të rënda njëri-tjetrit? Jo, por hallet dhe varfëria i kanë detyruar dhe futur nën kthetrat e politikanëve. Ky “besim” do të vazhdojë edhe për pak kohë, deri në pritje të një lidershipi të ri, i cili po fillon të kërkohet apo imponohet në mënyrë indirekte nga Europa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

……………………………………………………………….

Ҫka thotë Ilir Meta për Edi Ramën!

Politikanët e rinj do të distancohen nga korrupsioni dhe shqiptarët do të depolitizohen vetvetiu, ashtu siç ka ndodhur edhe më parë në vendet perëndimore dhe vetëm atëherë Shqipëria do të dalë nga udhëkryqi i eksperimenteve apo përvojave të pseudo koalicioneve politike.
Të mos harrojmë se Shqipëria është e shqiptarëve dhe jo e politikanëve. Atdheu mbi të gjitha!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura