GJOKË DABAJ: EMRA KRYEVENDESH NË ARBËRINË VERIPERENDIMORE

Durrës, 29. 06. 2013 – Në këta muaj vere, kur njerëzit tanë vijnë në bregdet për t’u çlodhur, atyre ua ka ënda të bisedojnë nga pak edhe lidhur me emrat e vendevet nga u bie rasti të kalojnë. I dëgjojmë shpeshherë që, tek shqiptojnë një emër, pyesin njëri-tjetrin: Nga mund të ketë ardhur ky emër? Cili të ketë qenë kuptimi i tij fillestar? Shumë prej tyre edhe mundohen të bëjnë shpjegime. Flasin nganjëherë pa kurrfarë mbështetjeje shkencore, por thjeshtë me hamendje. Disa, që kanë lexuar nga diçka, përpiqen ta thonë fjalën e vet disi më me kompetencë. Por, në fund të fundit, që të gjithë ndahen të pasqaruar, sepse e shohin që s’është aspak e lehtë të depërtohet në të atilla fshehtësi, mbuluar me mjegull, me tym e me hi, shekull pas shekulli.
Megjithatë, njerëzit vazhdojnë të shfaqin mendime. Ata bisedojnë herë-herë me orë të tëra, ulur mbrëmjeve në ndonjë verandë, në ndonjë lulishte, apo edhe ditën, shtrirë mbi rërë.
Shkrimi që po sjell këtu, shpresoj që do t’ua shuajë sadopak kureshtjen bisedarëvet, të cilët, kam bindjen se nuk janë të pakët, në këto ditë pushimesh, nëpër plazhet e këtij bregdeti.

Do t’ia fillojmë nga veriu e do të vijmë drejtë jugut.
Grykat e Kotorrit: RISANI, PERASTI, vetë KOTORRI, mali LLOVQEN sipër Kotorrit, TIVATI. Më në jug është BUDVA, pastaj, edhe më në jug, tashmë, jo Arbëri e dikurshme, por edhe Shqipëri e sotme, TIVARI, ULQINI, SHASI, SHKODRA, DRISHTI.
Mora vetëm disa nga të quajturit makrotoponime, emra kryevendesh, përndryshe, e gjithë kjo trevë është e ngjeshur me mijëra emra vendesh më të vegjël, emra vendesh më pak të njohur, mikrotoponime, në të cilët, duke i qëruar fonetikisht, arrihet pashmangshëm në gjuhën arbërishte dhe, ende më thellë, doemos, edhe në ilirishten. Shtresat latino-dalmatine, më vonë italo-veneciane, pastaj sllave dhe, së fundi, aty-këtu, edhe arabo-turke, janë që të gjitha vetëm mbulesa, të cilat gjasojnë shumë: me hirin, me llavën vullkanike, me rërën lumore apo edhe me borën; dhe mjafton t’i heqësh, t’i qërosh, me mjetin e nevojshëm, ato mbulesa, që të dalë atje bërthama zanafillëse, thelbi i një kulture shumë më të hershme dhe, çuditërisht TË PAASGJËSUESHME.
Për të gjithë këta tponime janë dhënë mendime të ndryshëm, udhëndriçues, por shpeshherë edhe udherrësues. Duke respektuar gjithë çfarë është thënë, unë po sjell këtu mendimin tim, rezultat i hulumtimevet dhe studimevet të mi shumëvjeçarë.
– RISANI, në dokumentet antikë dhe në Mesjetë shënohet kryesisht me formën RIZON. Ka qenë kryeqyteti i shtetit të Ilirisë Qendrore, para se të bëhej Shkodra ose, në ndonjë rast, krahas me Shkodrën. Ndodhet mu në RRËZËN e një masivi rrethues malor, i cili i rri përmbi dhe është aq i thepisur, sa të duket se po i RRËZOHET qytezës përsipër. Mendoj që emri i tij lidhet pikërisht me emrin RRÂNZË, rrëzë, ose me foljen e sotme shqipe ME U *RRËZUE, pra, vend që RRËZOHET, vend mbi të cilin bien shkëmbinj dhe gurë. Sigurisht, nuk do harruar një rregull i përgjithshëm: Shumica e emravet të qytetevet vijnë nga mikrotoponimet paraekzistues, që do të thotë se një i tillë emërtim, *RRÂZËN apo *RRËZONË, ka ekzistuar për atë vend para se aty të hidhen themelet e atij qyteti.
PERASTI është një qytezë pak më në perendim të Risanit. Kam përshtypjen që ky emër lidhet me emrin e arbërishtes RRASË. Formanti PE- do të merret si parashtesë, ndërsa -T-ja është nyjë shquese e gjinisë asnjanëse në gjuhën shqipe. Terreni është pikërisht i tillë, vend me RRASA. Në një fazë të mëhershme ky emërvend mund të ketë qenë: *MBËRRASËT/Ë-I.
KOTORRI, së hershmi është quajtur DEKADARON. Duhet të mbajmë parasysh se kjo formë emri, ashtu si edhe të emravet të tjerë, është gjetur në dokumente në gjuhë të huja, jo në gjuhën tonë. Kështu, në të tillë raste, në procesin e shpjegimit, është e lejueshme edhe ndonjë përqasje tingëllore, duke e ditur që të huajt edhe mund të mos i kenë shqiptuar fjalët siç i shqiptonin vendësit. Në këtë rast, forma DEKADARON është shumë e afrueshme me formën *TË KATËR ANË. Nuk duhet të çuditemi, sepse të tillë toponime ka edhe sot në gjuhën shqipe. Psh TE KATËR RRUGËT, në Shijak, TE TRI URAT në Përmet etj. KOTORRI është vërtet, të thuash, i rrethuar nga TË KATËR ANËT me masive malorë. Pra, është e mundur që emërtimi të ketë ardhur prej shprehjes *MAL NË TË KATËR ANËT dhe pastaj: *TËKATËRANË, *TËKATËRANI. Forma KOTORR që ka dalë nga *TËKATËRAN, është e mëvonshme dhe e shpjegueshme. Parashtesa me prejardhje nyjore TË-, ka rënë, R-ja dhe N-ja, me rënien e zanores midis tyre, janë gjendur pranë e pranë dhe, si në mjaft raste në gjuhën arbërishte, kanë prodhuar tingullin RR.
LLOVQEN është emri i malit që ndodhet mu sipër Kotorrit. Konsiderohet mali kryesor në shtetin e Malit të Zi. Për t’u ngjitur deri në lartësitë e atij mali, këndej, nga ana e Kotorrit, duhet ecur nëpër një rrugë me shumë LEQE, me shumë kthesa apo dredha. Kështu, mali që sot në gjuhën malazeze quhet LLOVQEN, ka të ngjarë që në arbërishten mesjetare, ose edhe më heret, të jetë quajtur *LEQËN,-I. Të tilla rrugë malore me kthesa të shumta ka shumë në vargmalin e Dinarikëvet. Ato në shqip quhen: ose LEQE, ose SHKALLË. Mund të kujtojmë këtu toponimin LEQET E HOTIT, në Malësinë e Madhe, në veri të Shkodrës.
TIVATI është qytet në jugperendim të Kotorrit. Fillon kështu një varg emërvendesh me fjalën VA në rrënjë, dhe, që të gjithë këta vende janë pranë ujëravet të cekët, të kalueshëm me këmbë apo të përshtatshëm për të lidhur aty mjete lundrimi. TIVAT, mendoj unë, vjen prej iliro-arbërishtes *TË VATË, ku edhe nyja e përparme TË-, edhe nyja e prapme shquese –TË, janë formante të gjuhës shqipe që i hasim gjithandej të ngurtësuar nëpër toponime. Nyjën e përparme TË- si formant fjalëformues, e gjejmë qysh te Homeri, në emërtimin TEUKËR, që shënon banorin e EUKRISË. Unë jam habitur, kur i kam gjetur te Virgjili të dyja këto forma: Edhe TEUKËR, edhe EUKRI. Siç thashë, TIVATI gjendet pikërisht në njërin nga VANET e grykavet të Kotorrit. Sa i përket prejardhjes së emrit VA,-NI, i krahasueshëm me fjalën latinishte VADUM, me kuptimin ujëra ose lumenj, prej nga vjen edhe fjala sllave VODA, rusisht VADA, ujë, kjo do të ishte temë tjetër e bisedës.
BUDVA, qytet më në jug të Grykavet të Kotorrit, dikur quhej BATUA. Edhe këtu kemi emrin VA, si pjesë të kompozitës. Nuk është rrënjë fjale, si te emri TIVAT, por është njëra nga 2 rrënjët e emrit të përbërë, kompozitës, *BAT+VA. Rrënja BAT, për mendimin tim, është emërtim ilir për anije. Ose më mirë të themi: Emërtim ilir për mjet lundrimi. BAT, diçka që BATOHET, diçka që lëkundet, sepse gjendet përmbi ujë. Në shqipen e sotme kemi foljen ME U BATUE, me u kthye më një anë, gati për t’u rrëzuar. BATUA, pra, do të ketë pasur kuptimin: VA I BATËVET, liman ku akostohen mjetet e lundrimit. Në frëngjisht, BATEAU (bato), do të thotë anije. Mundet që të jetë prej ilirishtes.
TIVARI, qytet që gjendet mu në vendin ku përfundon të zbriturit prej malevet të Rumisë, pra, mu në vendin ku përfundon TË VARURIT nga malet. E kam shpjeguar edhe në vende të tjerë, emri i këtij qyteti vjen nga mikrotoponimi *NË TË VARË. Forma, më e hershmja, duhet të ketë qenë: *ËN(Ë)TËVAR, prej nga ka shkuar te italianët ANTIVARI, me Ë-në nistore të shndëruar në A. Sllavët e kanë marrë prej variantit latino-kishtar, ANTIBARI, ku dihet se V-ja dhe B-ja shpeshherë alternohen, këmbehen, ia kanë hequr pjesën ANTI-, duke e konsideruar si parashtesë kundërshtuese, dhe e kanë quajtur BAR. Forma ANTIBARI është interpretuar, prej jogjuhëtarësh, si emër që i është vënë këtij qyteti për shkak se ndodhej përballë BARIT të Italisë. Në të vërtetë, përballë Barit të Italisë ndodhet Vlora, dhe duhet të kalohen: Apollonia, Durrësi, Shëngjini dhe Ulqini, pa të mbërrihet deri te Tivari. Një shpjegim tjetër i është bërë emrit të Tivarit, prej gjithfarë mosnjohësish të gjuhëvet, nga sllavishtja BARA, bërrakë, moçal, sepse poshtë Tivarit paska qënë një kënetë, dhe, shpjegimi në fjalë, është lidhur edhe me shqipen BARUSHTINË. E gjithë kjo dëshmon, së pari, mosnjohje të gjuhës arbor-shqipe, nga ana e atyre shpjeguesve, dhe, së dyti, mosnjohje të fonetikës historike dhe të ligjevet të tjerë të fjalëformimit. Me foljet: ME U VAR dhe ME U LËVARË, kemi, po në këto hapësira, edhe 2 toponime të tjerë: KRAVAR, në Anë të Malit, që vjen nga *KRAHU I VARUN, dhe LËVAR apo LIVAR, që është forma më e hershme e LJARES dhe që do të thotë: vend i LËVARUN.
ULQINI. Edhe për emrin e këtij qyteti janë dhënë mendime të tjerë. Ka mendime që thonë se vjen nga KOLKINIUM, sepse ka qenë koloni e kolkidasvet, por etimologjia që është pranuar prej shumicës së gjuhëtarëvet, është që në rrënjën e këtij emërvendi qëndron apelativi UJK, në formën e tij më të vjetër ULK. Ndërkaq, unë kam një tjetër mendim. Unë mendoj që emri i ULQINIT ka në rrënjën e vet foljen ME U ULË. Mund të mendohet një formë si kjo: *ULTËSINË. Tingujt T dhe S, duke e humbur zanoren e ndërmjetme Ë, duke u reduktuar, pra, zanorja Ë midis tyre, kanë dhënë tingullin C. Është përftuar ashtu forma *ULCIN, pastaj, kësaj forme i janë prapashtuar prapashtesat -ION apo -IUM dhe, në këta kushte, N-ja, e ndodhur para një I-je, ka evoluar në NJ, për t’ia kaluar, në fund fare, natyrën e vet qiellëzore tingullit C dhe për të mbetur vetë përsëri N e jo NJ. Si çdo etimoligji, natyrisht, edhe kjo është e ngatërruar, por s’është çudi, pasi Ulqini ka mbi 2000 vjet që ekziston. Folja ME U ULË ka shërbyer edhe në të tjerë toponime të Antikiteitit. Psh i quajturi “fisi” ilir, në të vërtetë, banorët ilirë të Myzeqesë së sotme, quheshin TAULANTË, me kuptimin fusharakë, popullsi që jetonte në vende TË ULËT (*TËULËNTË, -T). Edhe emri antik i VLORËS, që ishte AULONA, s’është tjetër, veçse *E ULËNA, me kuptimin: vend i ulët, luginë. Për Vlorën është thënë që vjen nga apelativi i greqishtes AVLON, luginë, por, në të vërtetë, janë greqishtja e më vonë latinishtja, ato që e kanë marrë këtë fjalë prej ilirishtes dhe kjo shpjegohet me zbërthyeshmërinë e kësaj fjale në shqipen e sotme. Çdo fjalë e ka prejardhjen aty ku ajo mund të zbërthehet në pjesë më të vogla.
SHASI e ka pasë formën e hershme SVACIUM apo SOVACIA. Forma SHAS duket se ka ardhur me një lloj ndërrimi vendesh të tingujvet SH dhe S. Ka qenë *SASH, e dalun prej *SVASH, dhe sllavët, me prirjen për të bërë metateza, i kanë thënë SHAS. Shqiptarët e kohëvet të vona kanë shkuar pas emërtimit sllav, duke harruar të vetin, ashtu siç i thonë sot Katërkollës Vlladimir. “Prej ka je?” “Prej Vlladimirit.” Forma latine SVACIUM shihet qartë që ka një S- për parashtesë dhe një VA si rrënjë. Ndërsa C, që në latinishten vulgare lexohej Ç, do të ketë ardhur prej një T-je, nyjë e prapme e gjinisë asnjanëse dhe prej një SH-je, mbaresë lokativi, si te KOLËSH, MALËSH etj. Pra, mund të mendojmë një *SVATSH plus –IUM. Rrënja VA përligjet edhe këtu, njësoj si te BUDVA e te TIVATI, sepse edhe këtu ka një liqen, një VA liqenor, ngjitur me një bërryl lumi. S-ja është parashtesë që haset gjithandej në onomastikën e Arbërisë.
SHKODRA dikur quhej SCODRA. Forma SCUTARI është e mëvonshme, italo-veneciane, prej nga ka dalë edhe varianti në sllavisht, variant edhe më i vonshëm, SKADAR. Kemi qartësisht një rrënjë KODËR dhe një parashtesë S-, njëlloj si te *SVATSH (S+VA+T+SH) apo te SKURAJ (S+GUR+AJ) etj. Pse rrënja është KODËR dhe pse kjo rrënjë është e shoqëruar me S- përpara, do parë edhe vendi ku gjendet Kalaja e Shkodrës, pasi asnjë emër vendi nuk vihet kot dhe nuk krijohet kot së koti. Sa për S-në, e dimë tashmë që ka dhënë në Mesjetën e Mesme një SH, pra, nga SCODRA ka dalë SHKODRA, siç ka dalë nga SCHOLA fjala SHKOLLË.
DRISHTI, dikur, nëpër dokumente të shkruar në gjuhë të huaja, DRIVASTUM. Prapë këtu kemi një fjalë të përbërë, një kompozitë, si te BUDVA (*BATVA). Rrënja e parë është DRI, emër i përgjithshëm, apelativ, që dikur duhet të ketë pasë kuptimin e lumit. E hasim gjithandej në tokat e Ilirisë, që nga ZARA e Dalmacisë (JADER), nga lumi DRINA, degë e lumit Sava, te 2 DRINAT tanë, DRINI I BARDHË e DRINI I ZI, pastaj toponimet GJADËR, ZADRIMË, BALLDREN, e deri te lumi DRINO pranë Gjirokatrës dhe toponimi DROPULL që vjen nga DRINOPOL. Kjo rrënjë DRI lidhet pa tjetër me fjalën që sot konsiderohet greke, IDHOR, ujë, latinisht: hydria, enë për ujë, por që unë nuk besoj të jetë, as greke, as latine, në zanafillë. Rrënja e dytë e emërvendit DRIVASTUM, është prapë VA, -NI, emër ky që e konstatuam edhe te TIVATI, te BUDVA e te SHASI dhe që në të gjithë rastet ka të bëjë me ujë të cekët, ku mund të kalohet me këmbë apo ku mund të lidhen mjetet e lundrimit. Formanti –ST te DRIVAST, prej nga ka dalë më vonë -SHT, në formë e sotme DRISHT, duhet të jetë një prapashtesë ngjashmërie apo shtrirjje.
Konkluzioni im, në fund të kësaj bisede, është që, në këto hapësira të Arbërisë së dikurshme Veriperendimore, ka lulëzuar dikur një kulturë arbërore e atillë që gjurmët e saja hasen në çdo pëllëmbë të këtyre vendeve. Në këtë ngërthesë, në këtë kuadër, makrotoponimet, midis të cilëvet emrat e qytetevet, sigurisht që nuk dëshmojnë një jetë fisesh apo nomadësh, siç na i paraqesin studiuesit e derisotëm, jo mjaftësisht të informuar, por, përkundrazi, dëshmojnë praninë këtu të një populli THEMELVËNËS QYTETËRIMESH.
Përveç këtyre që i shpjegova, edhe MEDUA, Shëngjini i sotëm, edhe DURRËSI (*DYRRAHËSI), edhe, në krahun verior, CETINJA, ZENTA (ZETA e sotme), METEONI (MEDUNI I sotëm), KUÇI, që të gjithë këta makrotoponime e gjejnë shpjegimin në gjuhën shqipe.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura