MUSTAFË KRASNIQI: KOSOVA SOT, NË VEND SE TA GËZOJE, PO E VUAN LIRINË!

(Gjermani, 10. 10. 2012) – “Dheu i lirë i Kosovës po i hanë bijtë e vetë, ndërsa Kosovën po e hanë maskarenjtë” – Duke lexuar shkrimin e Halil Selimi: “ÇLIRIMTARËT E VJETËR DHE KOMITETLINJTË E RINJË!” u ndjeva tepër i prekur, nga ajo që veprimtaria e Selimit dhe i shumë shokëve tjerë ishin të pashembullta, e me plotë bindje e them se pa këta djem ideator sot nuk do të ishte kjo pjesë e Shqipërisë çfarë është sot, ndonëse ende nuk është arritur qëllimi, por ajo më kryesorja që ishte, u arrit me largimin nga vatra tona, të policisë, ushtrisë dhe paramilitarëve të pushtuesit serbosllav. Kjo arritje u bë në saje të UÇK-së, këtyre idealistëve, dëshmorëve të kombit, që nuk kursyen mundin, djersën dhe as më të vlefshmen, jetën për të mirën e kombit.
Ky shkrim sikur na rikujtoi periudhën e mëhershme, atë periudhë që shkonte dhe vlonte gjaku rrek, periudhën kur flisnim dhe me tërë sakrificën, angazhoheshim për ta sqaruar popullin se kush është armiku ynë dhe shërbëtorët e tij, përpjekjet për t’i vënë para popullit ato fytyra që ishin kundër ardhmërisë dhe çlirimit të Kombit, ato fytyra të errëta, që dukeshin se po jepnin dritë dhe janë për dritën e kombit, në realitet këto fytyra të errëta të këtyre komitetlinjëve ishin jo serioze ku nga prapaskena mbillnin urrejtje, futnin në palcë frikën popullit me…, sjellin kob dhe mbi të gjitha mjerimin e kombit, si:- me shpifjen dhe përkuljen e këtyre Komotetlinjëve, burgosshin Idealistët, humbnin pa gjurmë atdhetarët e kombit, ndiqeshin familjet me traditë kombëtare e tjerë, e për këtë më së miri përmes një letre nga burgu na e shpjegonte profesori i filozofisë, atdhetari dhe idealisti i çështjes kombëtare, Ukshin Hoti.
Më poshtë citon autori në fjalë “- Pas luftës, në liri, shumëkush mendonte se koha e komitetlinjëve kishte ikur. Pikërisht tani, u gjend “i forti” i luftës dhe fitores, kundrejt tyre edhe kundrejtë vetë shokëve të tij dhe ju jep dorën, për t’i ringritur deri në kulmin e hierarkisë pushtetare, triumfalisht! Ndërsa, çlirimtarët vazhdojnë të vetëflijohen dhe vetësakrifikohen nga mjerimi edhe në liri!… Dhe, Kosova, sot, në vend se ta gëzojë, po e vuan lirinë! Jo nga pushtimi klasik i Serbisë, por nga pushtimi i pushtetarëve të rinj, mjerisht! Dheu i lirë i Kosovës po i hanë bijtë e vetë, ndërsa Kosovën, po e hanë maskarenjtë, MEDET!”

Rekrutimi i komitetlinjëve të rinjë! Erdhi dita e tyre për t’u rikthyer deri në majat e piramidës së një pushteti të ri. Tani të fituar nga çlirimtarët, në politikë!!!

…………………………………………………

Vërtet një kohë e pa kohë, në vendet që synojnë një jetë demokratike, e sidomos shtetet të dala prej lufte, e ato nga Lufta në ish-Jugosllavi, në bazë të veprimtarisë, etikës dhe meritës janë shpërblyer dhe dënuar të merituarit. Ata që janë dëshmuar se kanë qenë shërbëtorë të pushtuesit janë dënuar në emër të popullit dhe jo shpërblyer si po ndodhë tek kombi ynë në përgjithësi, e në veçanti në Kosovë. Kjo dukuri te ne, mjerisht, po ndodhë e kundërta, po shpërblehen ish- komitetlinjët, apo bijtë e tyre ndonëse edhe shërbëtorët e armikut, e në anën tjetër po injorohen bijtë e kombit, ata që dhanë jetën dhe gjymtyrët e trupit për lirin që ne sot e gëzojmë, duke mos i harruar shumë veprimtar të devotshëm që sot janë anashkaluar dhe përbuzur nga politika ditore, po edhe nga ca shokë që sot vetën e njohin për zot dhe harrojnë luftën dhe mundin që ndoshta është edhe më tepër se këta që e trumbetojnë vetën se janë vetëm këta aktorët kryesor, e realisht nuk përputhet me realitetin, sepse e vërteta flet ndryshe, por kjo le t’i mbetet historisë, e jo në emër të dëshmorëve, gjakut të tyre (që për fat të keq këta dëshmorë përmenden vetëm kur kanë nevojë politikanët) të përfitojnë, apo ta ruajnë pozitën. 
“Na ishte njëherë edhe një Komitet krahinor, që vrante e kthjellte për më se 50 vjet në Kosovë! Por, janë edhe sot, deri në majat më të larta të pushtetit tonë, popullor!… Pinjollë të komitetlinjëve të Serbisë. Pretendentë të pasardhësve për në pushtetin tonë të ri!”
Dikush sikur na e ngritë zërin, si dikur që dikush na e shkruante historinë, thotë të mos shkruhet historia reale, historinë duhet ta bëjnë ata që munden dhe kanë pak pushtet, ata që synojnë karrierizmin, që flasin me një të vockël punë dhe bëhen zot i një çështje. Vërtetë pajtohem me autorin kur thotë se: – UÇK-ja ishte tërë populli dhe e popullit -, e unë po e them edhe këtë se: – UÇK-në nuk e krijuan tre apo katër e dhjetë veta të cilët pretendojnë që të fitojnë merita në emër të saj, por lirinë dhe UÇK-në e sollën Idealistët, veprimtar të shumët që një pjesë e tyre sot injorohen nga ca tipa… që harrojnë se mbi të gjitha është kombi dhe vlera e saj, e jo karriera dhe pozita pushtetare.
E kuptoi autorin në fjalë se sa i prekur është, po realisht një idealist, veprimtar dhe atdhedashës si autori në fjalë është vështirë të heshtësh, të paktën para kësaj situate tepër të neveritshme që mundin e çlirimtarëve ngadalë-dal donë ta hedhin në humnerë ata…. Fatmirësisht ende vepron vullneti dhe ideali i idealistëve që po e ndjekin rrugën e lirisë së plotë deri te bashkimi i kombit dhe në as një moment nuk kanë rënë pre e ca…dhe karrieristëve për ta ndalur rrugën në gjysmë për interesa të ngushta, madje autori thotë “Tani Kosova është e lirë dhe UÇK-ja i takon të kaluarës së lavdishme, përgjithmonë! Ndërsa përfaqësuesit e saj pushtetarë, nuk ia kanë ngenë as ta kujtojnë”.
Për ta përforcuar pozitën e tyre pushtetare, apo partiake rekrutojnë komitetlinjë të rinj kinse këta qenkan më të pjekur a të zot në politikë. Për kundër kësaj pozite çfarë po kalon Kosova, unë do të them me plotë bindje se UÇK-ja jo vetëm që i takon të kaluarës së lavdishme, por kjo do të mbetët një udhërrëfyes për të ardhmen e Shqipërisë Etnike, jo me këta tipa…, që vetën e quajnë për zot, apo me rekrutimin e komitetlinjëve, e as me servilët, nënshtruesit e politikës ditore, e as me ata rrehagjokësat, por vetëm me ata bij që e nderojnë kombin gjakun e dëshmorëve.
“Dhe tani, gjithandej Kosovës së lirë, dëgjojmë lajme plotë trishtim, për vetëvrasje të çlirimtarëve nën mjerim! Por, edhe lajme të “mira” për rikthimin masovik të komitetlinjëve, të vjetër dhe të rinj, në pushtetin e fituar me mund, gjak e sakrificë, po nga ata që edhe sot po bien viktimë e pushtetit dhe pushtetarëve komitetlinjë!”- Mjerisht në Kosovën e lodhur po eksperimentojnë lloj-lloj tipash…, në vend të bukurës kanë sjellë të shëmtuarën, në vend të zhvillimit kanë sjell mjerimin, ku e ringjallin prapë “poemën e mjerimit”.
Kafshatë që s’kapërdihet asht, or vlla, mjerimi,
kafshatë që të mbetë në fyt edhe të ze trishtimi
kur shef ftyra të zbeta edhe sy të jeshilta
që të shikojnë si hije dhe shtrijnë duert e mpita.
Mbase ky shkrim i këtij autori do ta prekë çdo atdhetar, shqiptar të Shqipërisë Etnike, nga ajo se si kemi synuar më parë – ta heqim shkaun nga dera dhe ta gëzojmë lirinë ashtu si mundëm pa vjedhje, injorime, përbuzje, pa iu dhënë mundësi atyre…(që për fat të keq një pjesë e tyre gjendet edhe nëpër organe më të larta, qoftë partiake, ligjore, apo edhe shtetërore)që me dhjetëra e mijëra djemve ua shqiptuan dënimin më burgim të gjatë, të atyre që edhe i dënuan ca djem me vdekje tinëzare, të atyre që luftën e drejtë e quanin prodhim të Serbisë, të atyre që në njëfarë forme e shërbyen armikun kundër lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Këtë shkrim po e përfundoi me thënien “Dheu i lirë i Kosovës po i hanë bijtë e vetë, ndërsa Kosovën, po e hanë maskarenjtë”. Ka ardhur koha e fundit , duhet që ta kuptojmë se pa një pastrim të dukshëm, pa largimin e njerëzve të neveritshëm nga skena politike-partiake nuk do të ketë paqe dhe liri të pritshme çfarë kemi synuar dhe synojmë, nuk do të ketë zhvillim dhe heqje mjerimi pa largimin e këtyre tipave… dhe vërtetë është koha e fundit që, në këtë liri, të mendojmë për të ardhmen e kombit, për jetën dhe kulturën e popullit, për shëndetin që mjerisht kjo është bërë një hallkë e rëndë për popullatën, për njeriun që i mungon leku dhe nuk ka mundësi shërimin pa dhënë lekun. A nuk është mjerim dhe turp për politikën e sotme që një pacient që lufton me jetën dhe vdekjen të vdes pse nuk ka lek, apo të vuan me s’mundje pse i mungon leku?- Si shembull për të keq nëpër klinikat tona,ato që janë shtetërore, mungon vlera dhe të çmuarit e jetës, mungon sinqeritet dhe betimi i Sokratit. Për këta pacient posa të shtrihen nëpër këto klinika duhet të hedhet më vrap nga një klinik në tjetrën, klinika private, për t’i bërë analizat çfarë e këshillon mjeku, qoftë të gjakut, apo ndonjë fotografim të nevojshëm(se gjoja këto klinika nuk po i poseduakan këto aparatura), e thjesht pacientit i mjerë, patë a s’patë, duhej ta gjejë disi lekun, ose për ndryshe të përballet me sëmundjen dhe vdekjen.
Qëllimisht e ilustrova këtë pjesë të shkrimit me këtë shembull të klinikave tona, sepse kjo është si pasoj e atyre që mendojnë për xhepin dhe karrierën e vet, të atyre që e kanë harruar të kaluarën jo të largët, duke përjashtuar komitetlinjët, që për ta s’ka pasur kurrë krizë, sepse të tillët silleshin dhe sillen- si është moti e ndërrojnë gëzofin-fjalë e urtë.
E për këtë i bashkohem mendimit të Autorit se – Kambana e alarmit po bie! Shpëtimi nuk është në ikje!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura