GJOKË DABAJ: EPOKA E LAMPEDUZËS! (NR.1)

Durrës, 09. 02. 2015 – (Analizë social-politiko-ekonomike e fillimshekullit XXI) – Dëshirë për të mbërritur diku e s’mbërrin asnjëherë. Dëshirë për të gjetur jetën dhe gjen vdekjen. Paguan për të kapur një tokë shprese e mbytesh lemerishëm në një det të pashpresë. Kjo është EPOKA E LAMPEDUZËS, epoka pas shembjes së Murit të Berlinit. Do të mund ta quanim edhe EPOKA E OTRANTOS apo EPOKA E SEGEDIT, por atëherë shikimi ynë do të kufizohej kryesisht në planin kombëtar shqiptar, në një kohë kur dukuria është një tragjedi GJITHNJERËZORE nga më të papërballueshmet. Për Segedin mjafton të vëmë në dukje vetëm kaq: Segedi është një qytet që gjendet në shtetin hungarez, por i banuar kryesisht me popullatë sërbe. Në kohën e embargos ndaj Sërbisë, në vitet 1990 e këndej, biznesmenët sërbë të Segedit dhe shoferët sërbë të Segedit, kanë luajtur rol shumë të rëndësishëm në thyerjen e asaj embargoje. Kush mund të na sigurojë që, po këta sërbë, shtetas hungarezë, nuk po luajnë edhe sot një rol antishqiptar, duke bashkëpunuar me sërbët e Sërbisë, në BOSHATISJEN më të re të Kosovës?!
***
Por, le ta shohim problemin në planin më të gjërë, sepse s’janë vetëm shqiptarët viktima të Otrantos apo të Segedit! Është EPOKA E LAMPEDUZËS ajo që, PAS SHEMBJES SË KOMUNIZMIT, po i çon popujt drejt humneravet, ashtu siç thuhet se i çon trupat qiellorë, në rrugën e moskthimit, një e quajtur VRIMË E ZEZË.
***
PAPËRGJEGJËSIA e atyre që iu besua ndërtimi i një SISTEMI TË RI SHOQËROR, që u quajt KOMUNIZËM, në dhjetëvjetëshat postkomunistë, po paguhet shumë shtrenjtë: Ajo PAPËRGJEGJËSI ndihmoi shumë për të dalë në skenën e historisë EPOKA E LAMPEDUZËS. Pikërisht PAPËRGJEGJËSIA e ish-komunistëvet, që u shndërruan në BIRBO PUSHTETMBAJTËS ANTIKOMUNISTË, është njëri nga shkaqet që në botë na u shfaq, kaq e lakuriqtë dhe kaq rrënqethëse, kjo që unë po e quaj EPOKA E LAMPEDUZËS. Titot, Hrushovët, Jelcinët, Gorbaçovët, deri te fare i vogli Ramiz Alia i ynë, ishin BIRBOT PUSHTETMBAJTËS, që i hodhën në baltë aspiratat e miliona punëtorëve, fshatarëve dhe intelektualëve. Në Jugosllavi, në Poloni, në Hungari, në Çekosllovaki, në Bullgari, në Rumani, në Kinë, në Korenë e Veriut, në Vietnam, gjithkund pati mijëra e dhjetëra mijë mini-Hrushovë, NJERËZ JOSERIOZË, të cilët, duke mos e kuptuar detyrën që ua kishin lënë amanet miliona luftëtarë e dëshmorë të REVOLUCIONIT SOCIALIST E KOMUNIST, ndihmuan që, jo vetëm vendet e tyre, por krejt planeti Tokë, të shndërrohej në një LAMPEDUZË, në një sferë të rrumbullakët, gur e ujë, ku njerëzimi kërkon JETËN dhe gjen VDEKJEN.

Epoka e Lampeduzës!

Ikja nga Kosova, janar 2015!

Deri këtu nuk fola për KAPITALISTËT e Botës Kapitaliste. Fola për ata që e gënjyen botën me premtimet e një jete të lumtur, PA TË SHFRYTËZUAR E PA SHFRYTËZUES, dhe që, sapo u ulën në karriket e pushtetit, i hodhën premtimet, njërin pas tjetrit, në koshat e plehëravet.
Fola për ata gjoja “realizues” të komunizmit, të cilët, pasi s’ua mori mendja të shkonin më tutje, NUK DESHËN TA VRISNIN MENDJEN as për mënyrën se si do të bëhej RIKTHIMI në kapitalizëm. RIKTHIMI, po them, në një kapitalizëm JO SI AI I MËPARSHMI, sepse ai i mëparshmi dihet ku e çoi njerëzimin. E çoi te Hitleri dhe te Hiroshima!”
***
Por, tash, që nuk ka më as KOMUNISTË, as KOMUNIZËM, (Edhe sikur të ketë, ata s’mund të bëjnë më asgjë, sepse popujt u dogjën njëherë prej ëndrrës së komunizmit), krejt fatin e botës e kanë në dorë KAPITALISTËT. Ç’po ndodh me botën, sot, kur krejt fatin e botës e kanë në dorë KAPITALISTËT?!
Do parë, së pari, kush janë KAPITALISTËT e sotëm. KAPITALISTËT e sotëm janë, përgjithësisht, ata që nuk e deshën komunizmin dhe që u ngritën në mbrojtje të PRONËS PRIVATE, në një kohë kur VETË ATA i kishin lënë qysh më parë pa prona qindra milionë njerëz. Janë ata që u ngritën kundër KRIMEVET të komunizmit, me të drejtë, por që VETË ATA, para se të vinte komunizmi, i kishin vrarë, burgosur e internuar dhe vazhdonin të vrisnin, burgosnin e internonin, qindra mijë shkelës të ligjevet TË TYRE. Janë ata që nxorën “teori” e “dokumente” për MBROJTJEN E TË DREJTAVET TË NJERIUT, pa i përcaktuar më parë, rigorozisht, DETYRAT E NJERIUT. Janë ata që u ngritën KUNDËR ATEIZMIT dhe në mbrojtje të religjionevet tradicionalë, duke qenë VETË ATA shkelësit më flagrantë e më hipokritë të të gjithë parimevet të religjionevet.
***
Kemi kështu 2 forca që konverguan dhe bënë që njerëzimi, sot, të jetojë pa rrugëdalje EPOKËN E RËNDË TË LAMPEDUZËS.
Ata që grumbullojnë njerëz dhe i nisin drejt LAMPEDUZËS, nuk janë as fetarë, as patriotë, as humanë. As ata që i presin këta fatkeqë, nuk mund të themi se shquhen, as si besimtarë perendiadhurues dhe as si njeridashës. Të vetmit që, në rastet kur jepet alarmi se diku në afërsi të brigjevet të LAMPEDUZËS, po mbytet një turmë lumturikërkuesish, rendin për të shpëtuar ç’të mundin, mund të konsiderohen si të frymëzuar sado kudo prej humanizmit. Por, sa i vlen njerëzimit një i tillë humanizëm?! Kujt i hyn në punë një i tillë humanizëm, i cili s’është në gjendje ta neutralizojë tragjedinë qysh te burimi?!
Sa vlen thirrja e zonjës A.Jahjaga, frymëzënë e zëmbytur: “Mos e braktisni Kosovën!” ?! Frymëzënë e zëmbytur që në zanafillë, qysh në emërimin e saj si presidente!
***
Srebrenica bëhet varri më i madh masiv i Pasluftës së Dytë Botërore. Aty jugosllavët vrasin jugosllavë. Nga Kosova dëbohen 1 milion shqiptarë, hapen pa numër varre masivë dhe përdhunohen 20 mijë gra. Në Bosnjë përdhunohen edhe më shumë gra e vajza. Meksika, në krahun tjetër të globit, po mbushet me varre masivë dhe, bashkë me viktimat, po mbulohen edhe vetë trafikantët nën baltën e po atyre varreve. Bagdati, pas rrëzimit të një diktatori me emrin Sadam Husein, polli mijëra kriminelë, të cilët, duke dashur të vrasin sa më shumë të tjerë, po vrasin lemerishëm edhe vetëveten, pa e marrë vesh kurrë arsyen e vërtetë, johyjnore: Pse po ndodh kështu?! Atje, myslimanët po vrasin myslimanë. Tripoli, pas fundit pa lavdi të një tjetër diktatori me merin Muamer Kadafi, u shndërrua edhe ai në një oborr qeniesh të pakontrollueshme, të cilat mund të vjedhin apo rrëmbejnë 10 avionë përnjëheresh, por pa e ditur për çfarë qëllimi, human apo hyjnor, do të përdoren ata avionë. Në Egjipt jepen pënjëheresh nga 500 dënime me vdekje. (A do të mund të ndodhte kështu në një botë që udhëhiqet nga ligjet e drejtësisë?!). Në Siri, një pushtetar kriminel, vret 200 mijë shtetas të vet, nxjerr në rrugë 2 milionë të tjerë dhe 1 milion fëmijë të shtetit të vet i shndërron në turma viktimash të pafajshme, bashkë me nënat e tyre, që shesin veten për 5 cent. Në Mosul e qytete të tjerë, hapësira ku thonë se dikur kanë lulëzuar “Kopshtet e Varur të Edenit”, mbyllen gratë nëpër kafaze prej hekuri dhe shiten në treg, siç shiten edhe pulat e pularivet. Gazetarëvet alarmpërhapës u priten gurmazët para kameravet, në mënyrë “ceremoniale”. Mosuli, e qytete të tjerë të “Kopshtevet të Varur të Edenit”, por edhe të “Kullës së Babilonit”, bëhet kështu qyteti, ku me qindra fëmijë, pasi të jenë shtrirë me fytyrë përdhe, vriten me breshëri kallashnikovësh. Një sarkazëm e papërballueshme! Kallashnikovi është prodhuar dikur për të mbrojtur jetët e fëmijëvet, ashtu si Nobeli, që e pat shpikur dikur dinamitin për punë të mira e jo për të hedhur në erë makinat e rivalëvet! Në mes të SHBA-së, një i sëmurë, i sëmurë nga të gjitha këto që po ndodhin, futet në një shkollë dhe vret kë t’i zënë plumbat. Në Suedi, një tjetër, si ai i SHBA-së, shkon e vret kë të mund në një ishull. Në një vend të Afrikës rrëmbehen 200 vajza dhe s’dihet ku i kanë çuar e ç’është bërë me ato qenie të njoma, lindur jo për t’u rrëmbyer e humbur, por për t’u bërë nëna. Në Rripin e Gazës, Izraeli rrafshon përtokë mijëra banesa njerëzish. Banesa njerëzish, jo çerdhe milingonash! Në Kanalin e Otrantos mbyten mizorisht 83 shqiptarë. Një grua e mirë, në një televizion shqiptar, kërkon ditë e natë NJERËZ TË HUMBUR. Gjithandej nëpër botë, familjet, nënat, motrat, bijtë, s’pushojnë së kërkuari NJERËZ TË HUMBUR. Kufijtë e Greqisë, pra, kufijtë juglindorë të BE-së, i “kërcënojnë” disa qindra mijë, dikush thotë, mbi 1 milion klandestinë. Anembanë botës TRAFIKOHEN FËMIJË. Sa milionë fëmijë të braktisur, pa familje, bredhin nëpër rrugët e Rio de Zheneiros?! Në Republikën e Shqipërisë, si dhe në shumë vende të tjerë, në vend që toka të mbillet me grurë, mbillet me KANABIS SATIVA, drogë të cilën e konsumon EVROPA E BASHKUAR, më me ëndje se ç’do të konsumonte mjaltin. Në Afrikë, ka para për të blerë armë automatike dhe fishekë, që afrikanët të vrasin njëri-tjetrin, por s’ka para për të blerë bukë për njerëzit, që i kanë gjymtyrët si shkopinj të thatë, shenjë e një urie të papërfytyrueshme.
***
Në Francë, ndërkaq, një nënë me 4 fëmijë braktiset nga i shoqi, dhe këtë BRAKTISËS TË FAMILJES SË VET, francezët e zgjedhin për KRYETAR SHTETI.
Të gjithë kryetarët e shtetevet të planetit tonë, në EPOKËN E LAMPEDUZËS, i ngjajnë, pak ose shumë, këtij të Francës. Njerëzimi s’ka ku gjen tashmë një PRIJËS TË DENJË, sepse, në mos e pastë shushatur marihuana apo heroina, e kanë shushatur “teoritë” e të martuarit burrë me burrë e grua me grua, “teoritë” e të “eksperimentuarit” paramartesor, “teoritë” e ufovet, “teoritë” e alienëvet, si dhe FLUTURIMET me avionë, sot këtu, nesër atje, pa mbaruar asnjë punë. PRIJËS TË MIRËFILLTË, serioz e të përkushtuar, nuk ka askund në këtë EPOKË LAMPEDUZE, në një kohë kur duhej në çdo 10 mijë banorë të ketë një të tillë.
Ne shqiptarët po alarmohemi, me të drejtë, ndoshta me më shumë të drejtë se cilido komb tjetër i Evropës, pse po na ikin njerëzit. A vërtet është vështirë të gjendet pse po na ikin njerëzit?! Ata po ikin, se BANKAT e Amerikës dhe të Evropës Perendimore PO I MBLEDHIN PARATË TONA dhe po i çojnë në metropolet e tyre. Ç’bënë gjermanët me minierat tona të lignitit dhe me elektroindustrinë e Kosovës? Ç’bëri Perendimi, “çliruesi” ynë, me minierat tona të Trepçës dhe me industrinë tonë në Zveçan e gjetkë?! Çfarë u bë me minierat e bakrit florimbajtëse të Rubikut e Mirditës? Kush po e merr atë pasuri?! Kush po e merr kromin e Republikës së Shqipërisë?! Ku po shkon çimentoja e Nënkrujës dhe e Gjadrit? Ç’po bëhet me naftën shqiptare?! E ndërtuam një aeroport në Kukës, por gjermanët nuk na lanë ta vëmë në punë, sepse „dëmtoheshin“ interesat e tyre në Rinas.
Dhe prapë po kthehem te BANKAT. Cili është roli i BANKAVET në këtë EPOKË NJERËZIMMBYTËSE TË LAMPEDUZËS?! Roli i BANKAVET, dhe I TË GJITHA VEPRIMTARIVET TË TJERA EKONOMIKE, është: Të grumbullojnë para në disa pika të globit, kryesisht në vendet e Perendimit, të krijojnë atje një lloj parajse të rreme dhe pastaj të çuditen: „PSE PO E MËSYJNË KËSHTU POPUJT PERENDIMIN?!“
***
Në EPOKËN E LAMPEDUZËS, ka pedofilë me mijëra, pleq e të rinj, seksomanë të qurrepsur e të jargavitur. Ka përdhunues femrash, që hipin nëpër trena (psh në Indi) dhe i lemerisin gratë, duke ua shqyer, edhe të mbathurat edhe këmbët. Ka edhe pushtetarë kameleonë me shumicë, pushtetarë që i vënë të tjerët dhe që fryhen si tullumbace. Por SHPËTIMTARË, as të popujvet të vet, as të mbarë njerëzimit, NUK KA.
Në EPOKËN E LAMPEDUZËS, lemeritë janë pa mbarin dhe monstrat janë të panumërta, por SHPËTIMTARËT nuk shihen askund. S’ka SHPËTIMTARË në EPOKËN E LAMPEDUZËS, ndaj edhe njerëzimi PO MBYTET në det të thellë, po VETËMBYTET, pa e arritur dot bregun e shpëtimit.
A do të mund të lindë ky PLANET, më në fund, një NOE TË RI, të paktën sa për t‘i shpëtuar nga zhdukja: një çift njerëzish, nga një çift kafshësh dhe shpendësh dhe sado pak fara bimësh?! Pa një RELIGJION TË RI, të zhveshur nga misticizmi, njerëzimi zor se do të mund ta kapërcejë EPOKËN NJERËZIMMBYTËSE TË LAMPEDUZËS.

Shtator 2014 – shkurt 2015
Gjokë Dabaj – kontakti: [email protected]
 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura