EMIN HALIMI: PARTNERITETI MINISTRI – REZONANCË, APO NDYRËSIA E NJË FARSE

(Skenderaj, 02. 10. 2012) – Jemi njerëz, prandaj edhe sëmuremi. Dhe sëmundja, sidomos kur është e rëndë, u sjell trishtim atyre që i godet, ndërkohë që dikujt tjetër, për t’u ruajtur baraspesha e gjërave, i sjell kënaqësi. Po kujt? – mund të thoni ju, të çuditur. Armiqve? Jo, kurrsesi! Sdomos kur ata janë të fisëm. Sëmundja jote u sjell kënaqësi atyre të cilëve do të detyrohesh t’u biesh në dorë: mjekëve (shumicës) dhe spitaleve private (të gjithave).
Ta zëmë sëmuresh, larg qoftë, nga kanceri. Për të mos u sorollatur korridoreve të spitaleve publike, detyrohesh të kërkosh derman në spitale private. Për to ti nuk je një njeri, një jetë, por një rast. Një rast për t’u zhgërryer! Ata të marrin në dorë e të trajtojnë me “mrësjellje”. Paratë do t’i gjesh ku të mundesh. Analizat do t’i bësh, poashtu në laboratorë privatë. Mjeku që të ka operuar, i cili mund të qëllojë shumë i njerëzishëm, pas konstatimit të diagnozës, të udhëzon se çfarë duhet të bësh. Të thotë se kimioterapinë do ta bësh në spitalin publik dhe radioterapinë, pasi që asaj do t’i vijë radha pas katër muajsh, mund ta bësh poashtu në spitalin publik, sepse apratura moderne, e blerë shtrenjtë është duke pritur prej vitesh, në qese najloni, në bodrumet e Institutit Onkologjik dhe duhet të vihet në punë deri atëherë. Kimioterapinë vërtet do të ta bëjnë në spitalin publik, me pak shpenzime dhe kjo është për t’u përshëndetur. Po radioerapinë ku do ta bësh, me që ajo e spitalit shtetëror, për interesa të dreqi e di se të kujt nuk lëshohet se nuk lëshohet!
I drejtohesh Shkupit, se të kanë thënë se e bëjnë mirë. Atje t’i marrin 50 euro vetëm pse të regjistrojnë në një sportel. I pyet për terminin dhe të thonë “të shohim se ç’thotë kompjuteri”. Kompjuteri thotë se mund të fillosh pas tre muajsh. Ti duhet t’i fillosh pas një jave. Koha s’pret. I pyet, sa për informacion, për çmimet dhe mënyrën e pagesës. Të thonë se paratë duhet të paguhen në dorë dhe kur ministria jote i qet paratë në konton e spitalit, ne t’i transferojmë në konton që do ta hapësh – në filan bankë.

Fehmi Agani, ministri i shëndetësisë apo i shamive dhe ferexheve!

……………………………

Për Tiranën të flasin keq: duhet t’u japësh para edhe portierëve, pajisja është e dalë mode, pastaj duhet të banosh me qira gjashtë javë… S’të ngelet tjetër pos t’ia mësysh ‘Rezonancës’. Ajo të pret “krahhapur” veçse kur ua lypë një profaturë për shërbimet që do t’i kryesh, s’ta japin se “kështu ka thënë drejtoresha”. U thua se profatura nuk obligon gjë, por më kot! Ti nuk e di se gjithçka është e llogaritur me saktësi – që të mos i marrësh kurrë ato para… Ndërkohë e ke bërë kërkesën në minstri por – pa profaturë… Ministria e Shëndetësisë e miraton kërkesën në parim, por “s’di” ku t’i paguajë paratë… Paratë, ti, natyrisht ia paguan “në një dërrasë” spitalit privat “Rezonanca” dhe për këtë nuk merr deftesë, por një letër të thjeshtë 5×5 cm ku nënshkruan ti dhe ai që t’i merr ato. Ti s’i jep rëndësi kësaj cikërrime se ke halle më të mëdha. Edhe shteti ka halle më të mëdha… Pas shumë insistimesh, kur tashmë i ke kryer shumicën e seancave, më në fund ta bëjnë profaturën. Por jo sa ka kushtuar trajtimi, por për 10% më të ulët. As kësaj s’i jep rëndësi. Të nxiret çka të nxirret! – thua. E dërgon profaturën në Ministri që ta kompletosh kërkesën. Atje të thonë se gjthçka është në rregull dhe paratë do të paguhen për pak ditë. Dhe ashtu ndodh. Pas pak ditësh të thërrasin që ta marrësh vendimin për kërkesën e miratuar dhe dëshminë se paratë për ty i janë paguar Rezonancës. Ti gëzohesh, i falënderon dhe, natyrisht, s’të shkon mendja për hile. Me letra në dorë shkon në Reznancë për t’i marrë paratë. Dhe ç’ndodh? Aty përjeton njërin nga zhgënjimet më të mëdha të jetës! E kupton se të kanë mashtruar! E kupton se shteti yt, për të cilin s’ke kursyer asgjë, është tallur me ty në mënyrën më të poshtër! E kupton se i gjithë ai komunkim me “mirësjellje” i shtetit me ty ka qenë një farsë, ka qenë një lojë e ndyrë: Në Rezonancë ta hedhin para turinjve një letër – dëshmi se të nesërmen paratë i janë kthyer Ministrisë – me kërkesë të ministrit, siç thotë drejtoresha e famshme. Ajo, para kamerave të televizionit, përcjellë me një ngërdheshje të neveritshme, bën deklaratën: ”Paj pse të mos i kthej? Ato para me kanë pikë si pej qiellit” (!!??) Dhe ti natyrshëm hidhërohesh në shtetin, i cili është për të mbrojtur qytetarët dhe jo në Reznancën e cila është për t’i rrjepur ata, bashkë me shtetin. E kupton se ata janë bashkë – njëri të mban, tjetri të rjep! 
E kupton poashtu se nuk je i vetmi. Brenda atyre pak ditësh sa sorrollatesh korridoreve të Ministrisë, takon të paktën edhe dhjetë si ti. Po për një vit, sa të tillë do të jenë?! Ti bën edhe përpjekjen e fundit duke kërkuar nga Ministria që ta korrigjojë këtë keqkuptim. Ajo, duke e quajtur vetën tashmë të larë, se një herë t’i ka paguar paratë, nuk skuqet fare dhe të nxjerr si alibi një udhëzim adminstrativ se paratë nuk mund t’i paguhen pacientit pasi të ketë filluar trajtimin mjekësor (!?). Të njëjtën urdhëresë administrative sipas të cilës t’i ka lejuar ato mjete ! E ti mund të kesh marrë para me fajde për të bërë ato trajtime.
Urojmë që ndonjë ministër a pushtetar tjetër, e sidomos Ministrin e Shëndetësisë (apo më mirë, Ministrin e Shamive), nuk e godet ndonjë infarkt, sepse, me që ndërhyrja duhet të bëhet më shpejt se sa që mund të kryhen procedurat sipas Udhëzimit administrativ, ata do të mbetën pa i marrë ato para, për të cilat kanë aq nevojë. Por, jo! Kurthin admnistrativ ata e kanë kurdisur për pacientët fatkeqë e të pakrahë. Për vete dhe për njerëzit e vet kanë udhëzime të tjera “administrative” me të cilat mjekohen spitaleve të Europës.
Me qymezet shëndetësore të Kosovës e me kusarët e “rezonancave” le të merremi ne. Ne që me dorën tonë këta pushtetarë i kemi hipur në maje të kokës sonë!
Fat më të mirë nuk meritojmë!
Emin Halimi – Familjar i një të sëmuri me kancer
Adresa: Skenderaj, rr.”Shaban Jashari” p.n.
Tel: 044 192 195
P.S. këto janë ngjarje të jetuara pikë për pikë dhe posedoj dokumentacionin për gjithë ç’është thënë. Konsideroj se është me interes për publikun që të njoftohet me këto marifete…

…………………………………………..

SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG

Autori i këtij shkrimi, mashtrimin dhe zhgënjimin e ka përjetuar në Spitalin e Përgjithshëm “Rezonanca” në Prishtinë, ku Drejtor gjeneral i këtij spitali është Dr.Ramadan Idrizaj, ndërsa drejtoresh gruaja e tij ATIJE IDRIZAJ, pikërisht ajo drejtoresh e FAMSHME, për të cilën shkruan (në këtë artikull) z.E.Halimi!

Shikoni foton:


Për më tepër lexoni në faqen zyrtare të SP: “REZONANCA”:
http://rezonanca.com/rezonanca/index.html

___________________________________


 Presidenti “historik” Ibrahim Rugova me çiftin e Spitalit të Përgjithshëm “Rezonanca”, Ramadan e Atije Idrizaj, gjatë inaugurimit të këtij spitali!

…………………………………………………………..

Shtojcën e përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura