GJEKË GJONAJ: A DO TË SJELLË BASHKIMI I PARTIVE POLITIKE SHQIPTARE PRANVERËN NË MALËSI

Ulqin, 24 shkurt 2019: Të gjithë shqiptarët iu gëzuan lajmit se partitë politike shqiptare në Tuz, Alternativa Shqiptare, Lidhja Demokratike Shqiptare dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve u pajtuan të dalin në një listë të përbashkët në zgjedhjet lokale të datës 3 mars 2019. Ky koalicion, ndonëse i vonuar, megjithatë vjen në kohën e duhur për maksimalizimin e potencialit të votës dhe vullnetit të zgjedhësve të Malësisë, me qëllim të marrjes së pushtetit në përbërjen e parë të Kuvendit të Tuzit, pas mëvetësimit të kësaj komunë. Ky formalizim i vullnetit të qytetarëve dhe zgjedhësve të Malësisë menjëherë pati reflektim pozitiv dhe jehonë jo vetëm në Malësi, por edhe në hapësirën mabrëshqiptare dhe diasporë. Një përgjegjësi dhe pjekuri e tillë politike e liderëve politikë shqiptarë është edhe një shenjë e mirë që po ndodh midis tyre. Kjo marrëveshje, natyrshëm, ndodhi për shkak se përvoja e deritashme dhe rezultatet e zgjedhjeve në sistemin shumëpartiak (pluralist) në Malin e Zi dëshmoi qartë se përçarja dhe ndarja e partive politike shqiptare gjithmonë përfunduan me humbje (disfatë).
Ky bashkim i faktorëve politikë të shqiptarëve në Mal të Zi është hapi i parë i rëndësishëm drejt fitores së parë poltike të shqiptarëve në Malësi. Nuk thonë kot: “Bashkimi bën fuqinë”. Thuajse të gjithë e dimë se kjo thënie e famshme është një nga sentencat më të njohura botërisht, por rrallë herë e vëmë re se kjo frazë është e vlefshme edhe në veprimet më të vogla tonat. Po ashtu e dimë se fuqia të ruan. Të mbron. Të bën të mundur vendosjen e raporteve të mbështetura në interesin e ndërsjellët midis njerëzve, popujve, shteteve. Muret dhe kufijtë janë pengesa të papranueshme për secilin popull, pra edhe për kombin shqiptar. Rrënimi i tyre është akt civilizues, sepse çliron energjitë e mëdha të bllokuara dje, të penguara sot të një kombi që mund të prodhojë vlera dhe t’i sjellë të mira jetës në paqe dhe harmoni midis popujve. Përveç kësaj klima e mirë politike forcon mungesën e bashkëpunimit dhe prodhon marrëdhënie të shkëlqyera mes faktorëve politikë shqiptarë. Vetëm të bashkuar jemi më të fuqishëm.

Shqiptarët nuk kanë nevojë për politikën që ruan ndarjen brenda shqiptare. Shqiptarëve kurrë nuk iu ka dashur platforma politike qe ec ne trendin që ruan ndarjen brenda tyre. Sa herë që ka qenë Malësia e bashkuar ka qenë fitimtare. Shumë vendime të rëndësishme, disa prej të cilave edhe historike, që janë dukur të vështira e të rënda, por të duhura për kohën dhe rrethanat, janë sjellë falë bashkimit të malësorëve dhe besës së dhënë njëri-tjetrit. Vetëm të bashkuar malësorët (shqiptarët) mund të çojnë përpara amanetin e të parëve. Vetëm duke qëndruar të bashkuar shqiptarët në Malin e Zi mund të arrijnë të drejtat e tyre të garantuara me kushtetutën dhe ligjet e këtij shteti shumëkulturor, shumetnik dhe shumëkombësh, në ruajtjen e dinjitetit dhe identitetit të tyre nacional, gjuhësor, kulturor e të tjera. Pa asnjë dilemë nuk ka shpëtim tjetër, përveçse asimilimit dhe zhbërjes së plotë të shqiptarëve në trojet e veta etnike në Malin e Zi. Mbase popujt e vegjël (lexo pakicë) nëse nuk bashkohen ata zhduken.
Le të shpresojmë se me bashkimin e subjekteve politike shqiptare në prag të zgjedhjeve vendore në Tuz përfundimisht do të lihen anash demonstrimet e inatosura politike kundër njëri-tjetrit dhe do të marrë fund politika e deritashme e mbrapshtë, që ka prodhuar situata të pa lakmueshme për shqiptarët.
Rezultatet përfundimtare të këtyre zgjedhjeve do të tregojnë realitetin, duke menduar se nuk do të ketë shkelje ligji në këtë garë. Por kam frikën, qofsha i gabuar, se prapë do të gabohet pas përfundimit të këtyre zgjedhjeve. Andaj themi: A do të sjellë bashkimi i partive politike shqiptare pranverën në Malësi?

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura