GJOKË DABAJ: FJALA IME NË MBLEDHJEN NISMËTARE TË ‘PËRKUJDESJES GJITHSHQIPTARE’ (PRIZREN, 10 QERSHOR 2016)

Pashtriku.org, 16. 06. 2016: Të nderuar pjesmarrës, në këtë tubim që unë do ta quaj hyrje fatlume në një të ardhshme të re të historisë së shqiptarvet. Të dashur shokë të mi dhe të Bejtush Isufit, shokë dhe miq të njëri-tjetrit, disa prej nesh të njohur, të lidhur e të afruar njëri me tjetrin prej shumë vitesh, të afërt në mendime e në ndjenja dashurie ndaj Kombit e Atëdheut, na shkoftë puna mbarë.
***
– Pyetja e parë që na imponohet sot është kjo: Pse jemi mbledhur këtu?! Ç’na ka shtyrë që të nisemi nga Tirana, nga Prishtina e nga vende të tjerë të Atëdheut tonë dhe të mblidhemi në këtë vend të shenjtë, që quhet Prizren, dhe pikërisht në këtë përkujtim të shenjtë të 10 qershorit 1878, të përpjekjes së parë praktike e konkrete për të krijuar një shtet kombëtar shqiptar?!
***
– Pyetja e dytë do të ishte: Kush jemi ne, që po duam të bëjmë këso punësh kaq të mëdha?! A s’ka ky komb njerëz më të shquar, njerëz më të mëdhenj?! Ka sigurisht. Ka ky komb me shumicë njerëz të shquar e të fuqishëm, por ja që, me sa duket, na ra ne shorti ta fillojmë këtë punë. Dhe unë po dua të ëndërroj e të dëshiroj që secilin prej njerëzvet kontribues të këtij kombi t’i shohim në të ardhshmen të mbledhur pikërisht këtu dhe pikërisht rreth kësaj ideje dhe këtij vizioni shpëtimtar për kombin shqiptar.

***
– E kam thënë edhe në vende të tjerë: Jemi më mirë se dikur por nuk jemi as përafërsisht aty ku duhet dhe nuk jemi ashtu si duhet. Jemi të copëzuar në 6 shtete! Jemi të shpërndarë, kashtë e kokrra, në krejt botën. Jemi duke u shkrirë e duke u tretur midis kombevet të tjerë në mënyrën më të papranueshme dhe, unë do të thosha në mënyrën më absurde: Thjeshtë duke përdorur edhe atje ku s’është nevoja, p.sh në shtëpi, gjuhën e dikujt tjetër në vend të gjuhës shqipe dhe duke u deklaruar e regjistruar jo si shqiptar, por si turk, si grek, si malazez, si amerikan, si italian, si gjerman, si australian. Dhe e gjithë kjo ndodh, o nga frika e dhunës, nën hijen e rëndë të pushtetit të një më të forti, o nga servilizmi prej mjerani për të fituar farë “barazie” me atë tjetrin. Rezultati: Lindin qindra mijë fëmijë shqiptarë, por nuk jetojnë si shqiptarë, nuk plaken si shqiptarë dhe nuk vdesin e nuk varrosen si shqiptarë.
***
– Në anë tjeter kemi lindur shqiptarë, por ka ardhur një ditë e papritur, një turmë gjakatarësh të armatosur dhe na ka shëndërruar sakaq në kufoma. Me mijëra! Të rrënqethet mishtë, kur lexon analet e masakrave që kanë ndodhur mbi këtë popull krejt të paaftë për t’i parandaluar mynxyrat! Por të mbyt trishtimi i rëndë, kur sheh që ka ardhur: Junani, shkau, turku dhe kush ka mundur, na ka vrarë, na ka djegur të gjallë, na i ka ngulur foshnjat në hell dhe ne kemi harruar. Dhe pastaj ka ardhur prapë shkau, greku (që i thoshin junan), halldupi, fashisti italian, nazisti gjerman, bombarduesi anglez dhe… e kemi harruar përsëri.
***
– Dhe tash unë, bashkë me ju miqtë e mi, po bëj këtë pytje: A do të lejojmë që edhe në të ardhshmën të na i djegin foshnjat dhe të na i dhunojnë gratë e vajzat gjithfarë monstrash që sillen këndej rrotull?! Të parët tanë kanë faj të rëndë që nuk i kanë marrë masat e nevojshme për të qenë më të lidhur njëri me tjetrin e më të fortë për t’u mbrojtur prej rrëziqesh. A do të lejojmë edhe ne, pra brezi ynë, që të shkelemi siç jemi shkelur, që të copëtohemi siç jemi copëtuar dhe të shkrihemi siç jemi shkrirë deri më sot?!
***
– Shoqëritë tona, administratat e shtetevet tanë, i ka infektuar rëndë korrupsioni. Nuk merr dot një dokument pa dhënë para nën dorë, nuk zë dot një vend pune pa dhënë para nën dorë. Nuk shkon dot te mjeku, nuk fiton dot një gjyq, nuk merr dot një provim në fakultet. Sado i kujdeshëm të jesh si shofer, nuk të lënë policët pa ta marrë një gjobë.

– Por nuk është vetëm kjo anë. Është edhe ana tjetër. Unë si shofer e vë rripin e sigurimit vetëm kur shoh policin përpara, mua, si nxënës apo si student, nuk më rrihet pa i shkelur rregullat e provimit, pa kopjuar apo pa marrë dikënd në telefon që të më tregojë një formulë. I shkruajmë formulat në pëllëmbë të dorës apo në kofshët poshtë fustanit.
***
– Sheshet i mbushi me letra, me qese e me shishe plastike, dhe ke frikë të dalësh në breg të lumit se në vend të rrjedhes së ujit, sheh pyje leckash varur nëpër shelgjet. Ke frikë t’i hedhësh një sy liqenit të bukur të Fierzës apo të Ulzës, se, në vend të ujit të kaltër, sheh koloni shishesh dhe gjithfarë pisllëqesh ngjizur e rrasur pranë brigjevet. Plazhe të pistë. Ujëra të zez, që përzihen me ujin e pijshëm dhe me ujin ku duam të lahemi. Vidhet uji, shpohen tubat e ujësjellësavet ku nuk ta merr mendja. Vidhet korenti. Sajohen mënyra pa fund për të mos e paguar rrymën elektrike. Falsifikohen pasaportat, falsifikohen patentat, lejet e shoferëvet, falsifikohen diplomat. Priten pyjet barbarisht dhe shndërrohet natyra e bukur e Shqipërisë në shkretëtirë. Të zë trishtimi kur përfëtyron Liqenet e Lurës.
***
– Vritemi nëpër rrugë, në aksidente automobilësh, me dhjetëra, me qindra, me mijëra, ditë pas dite e vit pas viti, pa ia gjetur vetes dermanin. Madje pa e kërkuar një rrugë shpëtimi.
***
– Vritemi njëri me tjetrin për një plep, për një gardh, për një fyerje tek pimë birrë rreth tavolinës. Vritemi dhe ngujohemi me mijra familje, duke ua nxirë jeten fëmijëvet të pafajshëm. I pajtojmë dy familje të gjakosura, sakaq gjakosen katër të tjera.
***
– Qindra familje, ose marrin tatëpjetën duke u munduar të ruajnë sundimin e burrit, shumë herë arrogant, të paarsyeshëm e shkapërderdhës i paravet, ose shpërbëhen, duke braktisur çdo lloj rregulli e përgjegjësie ndaj prindit, ndaj vëllait, ndaj motrës, ndaj fëmijës.
***
– Bëhet shqiptari një farë udhëheqësi, zë kryet e një partie a të një zyre shtetërore dhe i harron të gjithë obligimet ndaj Kombit e ndaj Atdheut. I shet interesat e Atdheut! E përdhos veten, por, në të shumtën e herëvet, edhe familjen. I harron obligimet ndaj familjes dhe kërkon shtretër “inkonjito” nëpër motele, me studente.
***
– Puna ka ardhur deri aty, sa, me mijra bij e bija të këtij vendi kërkojnë të largohen sa më parë. Thonë, të ikim nga sytë këmbët, veç këtu të mos rrimë.
***
– Problemet janë të pafund. Zgjidhjet na kanë munguar dhe po vazhdojnë të na mungojnë.
***
– Pyetja shtrohet: A mund ta gjejmë një rrugë efikase, për të mos na ndodhur kështu? A mund ta shërojmë vetvetën si komb? A mund të hapim horizonte optimizmi? A mund të bëjmë që, shqiptari i Republikës së Shqipërisë dhe shqiptari i Republikës së Kosovës të dëshirojnë të rrojnë këtu? Të dëshirojnë këta të rrojnë këtu, por edhe ai ortodoksi shqiptar i Çamërisë, I greqizuar, dhe ai myslimani shqiptar i Plavës, i Rozhajës e i Peshterit, i boshnjakizuar, edhe ai shqiptari katolik i Tivarit, i sllavizuar, edhe shqiptari ortodoks i bullgarizuar, të dëshirojnë të kthehen në origjinën e vet. Të dëshirojnë ta mësojnë e ta përdorin gjuhën shqipe dhe të jenë krenar që i takojnë një kombi të mirë.
***
– Sepse nuk ka asnjë dyshim që ne jemi një komb i mirë në thelbin tonë. Ne kemi qenë dhe jemi një komb i mrekullueshëm, sepse ndryshe nuk do të kishim arritur gjallë deri në shekullin 21.
***
– Mirëpo ne na ka munguar në të gjitha kohët një INSTITUCION i kohezionit. I kemi shoqatat, me dhjetëra, por ato nuk e kryejnë dot rolin e kompaktësimit të kombit, po nuk u inkuadruan nën një udhëheqje të vetme kombëtare. I kemi partitë politike, por ato, për vet natyrën e tyre, e kanë participuar kombin. I kemi qeveritë tona, ose më mirë të themi, i kemi dy qeveri e gjysmë. Ato kanë detyrë të punojnë për kombin, qoftë edhe në ato parcela që na i kanë lejuar të fuqishmit e botës, por, për fat të keq, ne si popull nuk kemi qenë në gjendje deri tash të sjellim atje njerëzit e duhur.
***
– Duke analizuar të gjitha këto situata që i ceka këtu sipërfaqësisht për shkak të kohës që e kufizojnë rregullat e çdo tubimi, unë, por besoj që do të pajtohen me mua edhe shumë të tjerë, të pranishëm e jo të pranishëm, se kemi ardhur në një pikë historike, kur duhet ta kuptojmë se nuk mund të shkohet më tutje pa krijuar një organizëm kombëtar, gjithëpërfshirës dhe afatëgjatë.
***
– Unë, kam diku rreth 60 vjet që kam jetuar me problemet e Kombit tim. Shqiptarë të tjerë janë me mijëra që kanë jetuar me të njëjtët halle. Jo pak prej tyre janë flijuar në altarin e Kombit e të Atëdheut dhe ne na mbetet detyrë, që edhe në emër të tyre të bëjmë diçka.

– Nuk është koha për të bërë eksperimente as për t’u kufizuar në zgjidhje afatëshkurtëra, është koha për të themeluar një INSTITUCION të qëndrueshëm dhe afatgjatë, i cili do të mund t’i sigurojë këtij kombi jetë më të moralshme, jetë më të mirë dhe jetë më të sigurtë, jo vetëm në 10 apo 50 vjetët e ardhshëm, por në të gjithë shekujt që vijnë.
***
– Nuk është vendi këtu për kurrfarë mendjemadhësie, sepse nuk kemi shpikur ndonjë gjë të madhe. Themelet e kësaj godine na i kanë vënë rilindësit tanë kombëtarë e madje edhe ata të humanizmit e renesancës evropiane, siç ishte Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i cili u pat thënë arbërvet: “Lirinë nuk jua solla unë, atë e gjeta këtu midis jush.” Në këto rrethana ne nuk na mbetet tjetër, veçse të gjejmë mënyra si ta ruajmë e çojmë më tutje veprën e tyre madhështore, njëkohësisht edhe shpëtimtare.
– ***
– Godina që po përpiqemi të ngrejmë ne, mbi themelet pikërisht të asaj që e kanë projektuar paraardhësit tanë, i ka 3 komponentë TË PANDRYSHUESHËM dhe TË PANEGLIZHUESHËM: Ka një TEORI KOMBËTARE, të cilën ne duhet ta sistemojmë dhe ta vëmë në dispoziocion të brezavet, ka një UDHËHEQJE QENDRORE, të cilën ne duhet ta konstruktojmë dhe ta konstituojmë me kujdesin më të madh, dhe ka një RRJET THEMELATASH VENDORE për zbatimin në terren të çdo parimi që na sugjerojnë, teoria jonë gjithkombëtare udhërrëfyese, ideologjike e moralo-edukative, si dhe udhëheqja e institucionit tonë.
***
– Institucionin në fjalë unë e kam quajtur PËRKUJDESJA GJITHSHQIPTARE, ndërsa themelatën për zbatimin konkret në terren të asaj Përkujdesjeje e kam quajtur FJALËMIRA E GJUHËS SHQIPE. Mbetet tash, o të gjejmë dy emërtime më të përshtatshëm, o të mbajmë këta që kemi.
***
– Dua të theksoj këtu me të madhe që një institucion ideologjik gjithpërfshirës e rrjedhimisht, edhe ky i yni, nuk mund të ketë asgjë as kundër qeverivet të veta, as kundër partivet dhe as kundër ndonjë individi të veçantë. Parimi ynë është ai i mjekësisë: Mjeku nuk lufton asnjëherë kundër pacientit por kundër sëmundjes. Kështu ndodh edhe në fushën e drejtësisë. Drejtësia, në thelbin e vet, nuk lufton kriminelin, por krimin duke u përpjekur ta rikthejë kryerësin e krimit në rrugën e mbarësisë.
***
– Parimi ynë është (dhe nuk mund të jetë kurrsesi ndryshe): të mos i imponohet asnjë shqiptari, as mendimi religjioz (ose e kundërta, antireligjioz) as mendimi partiak, madje as nacional. Nuk është lehtë të zbatohet ky parim, por institucioni ynë do ta zbatojë me rigorozitetin më të madh. Rilindësit e kanë formuluar këtë parim prej kohësh. Simbolikisht ata kanë shpallur se „feja e shqiptarit është shqiptaria“, që do të thotë: në radhë të parë ne jemi shqiptarë, sepse të tillë jemi lindur, pastaj besimin le ta ketë secili si t’i duket atij më e arsyeshme.
***
– As në lidhje me konceptin Atdhe e Shqipëri ne nuk na lejohet të luajmë prej asaj që na kanë lënë trashëgim rilindësit: Shqipëria fillon në jug të Nishit dhe shtrihet deri në Prevezë. As kjo nuk është punë e lehtë, sepse copëtimet administrativo-shtetrorë na e kanë shkatërruar dhe sakatuar edhe terminologjinë. Duhet, pra, ta vëmë rregullin e duhur në terminologji dhe pastaj t’ua sqarojmë atë edhe fqinjëvet tanë dhe krejt botës. Bota ka faj që e ka copëtuar Shqipërinë, por ajo ka faj edhe që e ka cunguar emrin Shqipëri. Pse nuk e quan bota Irlandën e Veriut Angli apo Britani?!
***
– Na shkoftë mbarë kjo punë e madhe dhe u shkoftë mbarë, në vazhdim të kohëve të ardhshme, edhe brezavet që do të vijnë pas nesh, deri sa të ekzistojë edhe një komb i vetëm në botë!
Gjokë Dabaj – Prizren, më 10 qershor 2016

***
GJOKË DABAJ: PLATFORMË – PËRKUJDESJA GJITHSHQIPTARE
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=4687

Më poshtë lexoni platformën në formatin “PDF”:
GJOKË DABAJ: PLATFORMË – PËRKUJDESJA GJITHSHQIPTARE
https://pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/gjoke%20dabaj%20plaforme%20perkujdesja%20gjithshqiptare.pdf

==============================================

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura