BEHXHET SHALA BAJGORA: LËMSHI PASZGJEDHOR, DREJT ZGJIDHJES APO RRUGA PËR ANARKI!

Prishtinë, 22 korrik 2017: (Të gjithë fituan, leshin e Marisë) – Kaluan zgjedhjet dhe u certifikuan rezultatet. PAN-i doli fitues si koalicion kurse VV si subjekt politik. Tash ka mbetur formimi i institucioneve që në shikim të parë dukej si diçka e lehtë por se doli një çështje shumë e komplikuar. Para zgjedhjeve, në një analizë për Epokën e Re kam parashikuar se PAN i fiton zgjedhjet por se do ta ketë shumë vështirë të gjej partnerë për qeverisje. Zgjedhjet sollën befasi, rënie të PDK-së dhe LDK-së dhe ngritje të VV-es. LDK-ë mbeti si ofertë kujdestare për këto subjekte politike për ndërtimin e institucioneve, pra mund të llogaritet si subjekt që ofron shërbime e jo që të tjerët ofrojnë shërbime për LDK-n. Pas rrëzimit të qeverisë Mustafa, të pakënaqurit e LDK-së deklaruan se gabimi kryesor i LDK-së ishte se u shndërrua në patericë të PDK-së e që sipas mendimit tim nuk ishte fare e vërtetë shkaku se pozitat kryesore në qeveri ishin të LDK-së dhe se për herë të parë ky subjekt, pas përfundimit të luftës e mori postin e kryeministrit që ishte një mundësi e madhe për LDK dhe të cilën nuk e shfrytëzoi. Realisht LDK -në e dëmtuan “çunat e rebeluar“ të LDK -së të cilët, që nga dita e parë e bllokuan Isa Mustafën dhe të cilët Shën Isai i mallkoi publikisht në sallën e Kuvendit të Kosovë për t’i ekzekutuar pastaj duke i eliminuar nga lista për deputetë. Kjo është e vërteta dhe disa të LDK u sollën sikur kur një kurvar e tradhëton gruan tërë kohën dhe pastaj , kur ndahet nga ajo e akuzon për imoralitet që është një veti shumë e ulët . Në vend se të ndahen si njerëz duke e respektuar dinjitetin e njëri-tjetrit ata u ndanë me 100 mijë fjalë dhe akuza. Një mashkull që ka dinjitet edhe kur e gjenë gruan thellë lakrave sillet në atë mënyrë që nuk e akuzon ate por se ndarjen e arsyeton me mospërputhje të karaktereve. Ata që vet janë të pistë dhe të pamoralshën i nxjerrin të palarat e partnerit, për t’i mbuluar të palarat e veta. Disa “skifterë“ të LDK -së që kur bënë koalicion me PDK silleshin si pula të ndukura tash po dalin si luftëtarët më të mëdhenj të LDK -së dhe kundërshtarët më të mëdhenj të PDK -së apo PAN-it duke i harruar se nuk jemi duke jetuar në kohën e Ali Bungut por në kohën kur regjistrohet çdo fjalë e thënë dhe çdo premtim i dhënë . “ Mbrojtësit “ më të mëdhenj të LDK -së janë dëmtuesit më të mëdhenj vinë të LDK-së dhe duan ta sigurojnë mbijetesë politike dhe fizike duke iu mbështetur të gjithë atyre që vinë apo janë në pushtet. Nuk e kuptoj pse është dashur të presin diçka më tepër nga PDK kur vet deputetët dhe themeluesit e kanë dëmtuar LDK-në. Nuk ka qenë detyrim i PDK-së ta forcojë LDK dhe vetëm injorantët kanë besur për këtë. Disa “skifterë“ të LDK-së i janë ofruar PDK-së duke kërkuar ndihmë për marrje të partisë. Këto janë të vërtetat të cilat i dinë të gjithë ata që kanë pasur njohuri elementare për zhvillimet në Kosovë . Tash “ mosdurimin “ ndaj PAN-i ose , më mirë ta them kundër PDK e kanë shndërruar në urrejtje dhe po përpiqen ta shlyejnë të kaluarën kolaboracioniste duke u bërë sa më shumë refuzues dhe duke krijuar një armiqësi krejtësisht të panevojshme dhe të cilës askush nuk i beson. Se VV e ka këtë qëndrim , është e pritshme dhe për rrethanat tona e kuptueshme aq më parë që këtë qëndrim e ka pasur konsistent . Në rrethana normale, të gjithë bisedojnë me të gjithë pa pasur nevojë të shkelin apo tradhëtojnë qëndrimet e tyre politike dhe të tjera. Ikja nga takimet dhe dhe bisedimet është demonstrim i mosbesimit ndaj vetes dhe bashkëpartiakëve.
PDK e ka fituar ate që e ka merituar dhe po i paguan faturat e mëhershme. Nuk ka dënim më të madh nëse e humbni respektin dhe askush nuk dëshiron të bashkëpunojë me ju. Nëse keni problem me disa individë edhe mund ta shpërndani fajësinë dhe përgjegjësinë por nëse keni problem me një shumicë atëherë shikojeni veten në pasqyrën e realitetit dhe mos krijoni situata imagjinare . Pikërisht kjo ka ndodhur me PDK prandaj , ndonëse është fituese me PAN-in mendoj se është dashur të kalojë në opozitë mirëpo , gjithashtu mendoj se së pari duhet ta votojë çdo qeveri dhe çdo kryeministër pavarësisht se kush është, para se të kalojë në opozitë ! Kështu do të vepronin strategët politik dhe ata që shohin pak më larg se hunda e tyre pavarësisht sa është e madhe ajo apo a është hunda e Besim Dinës apo Morena Tarakut . Mirëpo , këtë partitë tona nuk e bëjnë këtë kurse edhe PDK është parti e këtij nënqielli!

LDK po e shfrytëzon situatën duke e rritur pazarin përballë VV. Po e kërkon postin që deri dje e pati Shën Isai por tash për Avdullah Hotin kurse VV deklaron se nuk do të pranojnë asnjë qeveri që nuk udhëhiqet nga VV dhe Albin Kurti kryeministër ! Nuk mund të jenë dy kryeministra e as dy qeveri prandaj vështirë të jetësohet një marrëveshje midis VV dhe LDK, pa lëshuar pe nga qëndrimet njëra nga partitë . Po të donte VV të hiqte dorë nga posti i kryeministrit atëherë do të bënte koalicion parazgjedhor me LDK dhe sot , në atë rast , nuk do të bisedonim se kush do të jetë kryeministër. LDK nuk është e gatshme të shkojë në opozitë dhe vetëm po aktron me këtë kërcënim. Po të ishte e gatshme për opozitë LDK do të bënte reforma duke u lëshuar hapësirë të rinjve e jo që fjalën kryesore ta kenë despotët komunalë që , në fund të fundit nuk do ta përfillin as Shën Isain. E keni rastin kur këta elefantë ( por që nuk e kanë inteligjencën e elefantëve ) i kanë shërbyer Rugovës , i kanë shërbyer Fatmir Sejdiut , po i “ shërbejnë “ Shën Isait dhe pastaj ua kanë kthyer kurrizin, kur ata rënë nga fiku! LDK , që nga vdekja e Rugovës kërkon vota nga varri i Rugovës dhe duke instrumentalizuar anëtarët e ngushtë të familjes Rugova ndonëse këta nuk marrin fare erë nga politika ! Po pse erdhëm në këtë gjendje ? Këto janë arsyet :
PDK nuk u reformua me kohë dhe e humbi hapin e që u reflektua me humbjen e besimin te thuaja të gjithë partnerët. Nuk kishte rini regjenruese politike dhe, edhe kur formalisht e bëri këtë e kishte një rini të paemancipuar politikish mos të them thuaja analfabete politike . Nuk ishte fare aktive , as në mediet sociale e as në fushatë duke menduar se të vjetrit e bëjnë punën për ta kurse ata, duke u mbështetur në parimin se: “kush rri nën dardhë, ha dardha “vërtet do të hajnë dardha kurse doli se se dardhat u bënë thana prandaj iu mpinë dhëmbët dhe më nuk mund të kafshojnë politikisht ! Nuk u bë ndërrimi i gjeneratave me kohë kurse të pakënaqurit e kësaj partie, nuk e ndihmuan partinë por , në shumë raste e sabotuan , edhe kryetarin sikur edhe partinë. Kjo është fatura e parë , të tjerat vinë pastaj. Hoqën dorë nga shokët e idealit , të burgut , të gjakut dhe të luftës për t’u dhënë hapësirë horrave , bijëve dhe bijave të atyre që luftuan kundër shqiptarëve dhe Kosovës e të cilët pastaj u bënë kallëzues të tyre para ndërkombëtarëve duke u krijuar dosje dhe duke kaluar në subjekte tjera politike.Votuan marrëveshje dhe ligje, morën vendime të cilët kundërshtarët politikë i materializuan në dëm të tyre dhe në dobi të këtyre subjekteve. Pas luftës u dhanë pas të mirave materiale që nuk ishin të tyre por se i përvetësuan pandershëm . Idealizmin që ishte shtytës dhe mobilizues për përballimin e torturave në burgje , për luftën e lavdishme të UÇK-së e zëvendësuan me një hedonizëm grykës. Bënë aq lëshime saqë edhe luftën e lavdishme ua dorëzuan në dorë penguesve të luftës dhe atyre që , në emër ta pacifizmit e promovuan nënshtrimin dhe dorëzimin. Në këtë situatë më së shumti në këtë drejtim përfituan VV dhe LDK. Si krah i luftës u përqanë deri në armiqësi dhe siç më tha një mik imi nga lufta të cilin padrejtësisht e mbajtën në burg , pas luftës nuk bënë kurrë fjalë për çështje kombëtare dhe shtetëror por për çështje pasurore. Kadri Veseli e mori udhëheqjen e partisë në kohën më të vështirë kur kishte kundërshtime dhe brenda partisë e të cilat u heshtën por u shpërfaqën në kohën e zgjedhjeve . Kadri Veselit nuk i mungon korrektësia dhe është i fjalës mirëpo nuk u përshtat sa duhej në kohën e transicionit dhe thuaja ishte fare pa këshilltarë . Më e dobishme do të ishte për te që disa këshiulltarë t’i paguaj nga xhepi i tij dhe t’i dërgojë në shtëpi. Njeriu i padijshëm nuk të kryen punë prandaj as që mund të konsiderohet si besnik . Ai që është besnik të duhet për luftë apo sfida të rrezikshme e jo për politikë!
LDK është parti e metuzalemëve politikë që nuk ka bërë asnjë reformë. Madje, elefantët e LDK-së , që nga përfundimi i luftës e penguan çdo reformë duke i margjinalizuar ata që nuk iu nënshtruan karrieristëve të dëshmuar. Ishte “ Kuvendi i Karrikeve “ treguesi i krizës së brendshme me ç’rast u fuqizuan politikisht disa huliganë që pastaj , nga hija e udhëhiqnin këtë parti! Duke i mbajtur peng edhe kryetarët. Do të isha i pasinqertë nëse them se në mandatin e fundit qeverisës qeveria e LDK–së ka punuar keq. LDK ka pasur problem me deputetët e vet dhe këtu ka filluar rënia e qeverisë sikur edhe mungesa e vendimarrjes për Demarkacion , bisedimet me Serbinë , Asociacionin , Listën Serbe etj. Prandaj , qeverinë e LDK-së nuk e ka rrëzuar PDK por LDK-ë. PDK dhe opozita e kanë bërë ekzekutimin e aktgjykimit të deputetëve të LDK-së. E kanë bërë me kënaqësi. LDK po i ofrohet VV–es duke kërkuar postin e kryeministrit ndonëse nuk ka gjasa ta fitojë këtë . LDK-ë si dhe PDK-ë do të bënte mirë ta votojë qeverinë e udhëhequr ( pasi me PAN-in ka hyrë në armiqësi të thellë ) nga VV nëse ndodhë kjo , me gjasë Shpend Ahmetin kryeministër dhe pastaj të kalojë në opozitë. Nëse kushtimisht ta them , LDK -ë do të jetë në koalicion me VV -en së paku një vit , aq shumë do të shkilet nga VV -je saqë do ta kërkonte pastaj PDK-në. Në kohën kur VV -je persekutohej politikisht dhe fizikisht nga politika dhe policia ndërkombëtare e që e denoncoja përmes shkrimeve këtë persekutim e prekja edhe ambasadoren Kajdanov që ishte sikur me duar të pambrojtura i prekni telat e tensionit të lartë . Kur erdhi ambasadori Dell me krejt atë sjelljen prej kauboji , fillova të kërkojë Tina Kajdanovin . Kështu do të veprojë edhe LDK -ë me VV -ën. LDK -ë , në koalicion me VV- ën , pa një marrëveshje me partnerin e mundshëm , do të ndahet shumë keq në zgjedhjet lokale duke filluar nga Prishtina që është ndoshta më i rëndësishëm për LDK -në se një post i kryeministrit, i kushtëzuar nga të tjerët. Po nuk e mori LDK-ë Prishtinën dhe po nuk arriti marrëveshje me VV -ën për ndarjen e komunave ( nuk e besoj se VV do të pranojë ) atëherë LDK do të jetë partia më e humbur në Kosovë dhe vështirë se do ta marr veten. Madje, lehtësisht mund të ndodhë edhe një Kuvend tjetër i LDK-së , me karrike apo pa karrike , nuk ka shumë rëndësi. Të fortit e LDK -së kanë deklaruar se nuk do të bëhen patericë e askujt në kohën kur flitet se ka qenë patericë e PDK-së për një këmbë . Me VV- ën do të bëhet patericë për dy këmbë dhe VV -ë nuk do ta lëshojë rastin të dominojë në zgjedhjet e ardhshme lokale , pas fitores së madhe në zgjedhjet e përgjithshme. LDK duhet të vendosë përfundimisht midis asaj të qenit patericë e përhershme dhe përmbushës i epsheve politike për subjektet tjera politike duke iu bashkangjitur çdo fituesi apo rindërtimit të një identiteti dhe pozicioni politik që nuk varet nga varret dhe të vdekurit por nga oferta politike, ekonomike dhe asaj që siguron ndryshime. Kjo LDK -ë nuk është e tillë prandaj opozita për LDK -në është terapia më e mirë për shërim dhe rikuperim sikur edhe për PDK -ë.
VV -ë është fituese e zgjedhjeve të fundit nëse llogariten votat e subjekteve politike përjashtuar koalicionet. As Albin Kurti dhe ata që janë afër tij nuk kanë ëndërruar se do t’i kenë 32 deputetë. Unë nuk kam besuar se VV -ë mund t’i ketë më shumë se 22 deputetë dhe po të luaja në bastore do të falimentoja keq. Po ky është realiteti. VV -ë po lufton për pushtet sikur të gjitha partitë tjera. Albin Kurti po lufton për postin e kryeministrit sikur edhe Ramush Haradinaj i cili e ka të drejtën jus prima noctis ( të drejtën e natës së parë ). Avdullah Hoti është autsajder dhe është teknoburokrat që mund të menaxhojë aty ku ka kapacitet por ka mungesë të theksuar të karizmës të cilën e kanë Albini dhe Ramushi. Mungesë të karizmës ka edhe Shpend Ahmeti . Virtyti i të qenit person karizmatik është diçka e lindur dhe nuk fitohet me libra dhe tituj akademikë. VV-ë u rrrit sepse PDK-ë dhe LDK-ë ranë në gjumë dhe jetonin me lavditë nga e kaluara. VV-ë kishte organizim dhe disiplinë ushtarake spartane ku nuk kishte asnjë rast që një deputet të kundërshtojë qëndrimet e partisë gjë që nuk ishte te PDK-ë e posaçërisht te LDK-ë. VV-ja është mjeshtër i manipulimit me masa dhe ndjenja kombëtare. VV -ë e materializojë për mrekulli edhe një gjymëgabim të partive tjera të cilat kishin bërë gabime kolosale. VV-ë ka një rini jashtëzakonisht aktive , të emancipuar politikisht, të bindur ndaj partisë, të disiplinuar dhe sakrifikuese. Regjimenti propagandistik i VV-së pushkatonte pa asnjë mëshirë të gjithë ata që kundërshtonin këtë parti pavarësisht se deri dje ishin anëtarë apo përkrahës të VV-së. Për dallim nga subjektet tjera politike që përfaqësimin gjinor e kishin si detyrim, deputetet e VV-së kanë qenë jashtëzakonisht aktive , si gjatë diskutimeve në Kuvend ashtu edhe gjatë betejave me policinë e Kosovës që u takon burrave. Deputetet e VV –së kanë qenë shumë më të emancipuara dhe kualifikuara politikisht se deputetet e partive tjera . Nuk ka ndodhur që një deputete e VV -së të heshtë sikur me deputetet e partive tjera që gjatë këtij mandati të reduktuar të mos e thonë asnjë fjalë. Albin Kurti di të diskutojë para masës gjë që nuk e kanë liderët tjerë. Organizimi në terren i VV -ë ka qenë i përkryer duke i neutralizuar kundërshtarët përmes linçimit verbal. VV -ë komponentën burimore puro kombëtare e ka zëvendëduar me një socialdemokraci bartës e së cilës janë anëtarë të VV -së , trashigimtarë biologjik dhe gjenetikë të atyre që i kanë shërbyer Jugosllavisë dhe Serbisë . Në kontekstin aktual , përcaktimi kombëtar i është nënshtruar interesit politik për marrje të pushtetit . Nëse koalicionin PAN e lidhë një interes nga e kaluara , nga lufta dhe nga paslufta , koalicionin e VV -ës me LDK -në nuk e lidhë asgjë përveç mundësisë së marrjes së pushtetit . Më herët kam shkruar dhe zhvillimet e fundit po më japin të drejtë se VV -ë është jugosllavizuar shumë dhe se dështakët e partive tjera janë afirmuar plotësisht në VV -ë duke u shndërruar në shenjë identifikuese dhe duke margjinalizuar patriotët e vërtetë. Mendoj se VV -ë do ta bënte gabimin më të madh nëse në këto çaste e merr pushtetin sepse do të përballej me detyrën kryesore , Demarkacionin me Malin e Zi , Asociacionin , bisedimet me Serbinë, gjykatën Speciale e sodimos me Deamarkacionin me Serbinë. Me marrjen e patateve të nxehta , pa doreza mbrojtëse , VV -ë do të digje sepse nuk është në situatë të votojë këto marrëveshje ndërsa nëse refuzon këto marrëveshje , do të izolohej nga bashkësia ndërkombëtare duke provokuar mocionin e mosbesimit . VV -ë do të rrëzohej lehtë nga opozita ( nëse PDK -ë dhe LDK-ë kalojnë në opozitë ) , së bashku me pakicat . Nuk do të formohej as Ushtria e Kosovës . Nuk do të mund të përjashtohej Lista Serbe shkaku se kanë forcë përcaktuese sipas Kushtetutës së Kosovës ( Pakos së kriminelit kushtetues Marti Ahtisari ) sepse nuk do të gjenin serbë të “ ndershëm “ që do të zëvendësonin Listën Serbe . E provoi Shën Isai me atë femrën ministre e cila , pas bombardimit medial nga Beogradi u detyrua të dorëhiqet. VV -ë duhet të përqëndrohet eksluzivisht te zgjedhjet lokale e jo në marrjen e qeverisë sepse do të ndahej keq. Kravatat nuk zgjedhin probleme , nuk e ndërrojnë vetëdijen apo përmbajtjen por e shtojnë përgjegjësinë. VV -ë nuk duhet të bëjë koalicion as me PDK -ë e as me LDK -ë por duhet të qëndrojë në opozitë dhe të bëhet gati për zgjedhje lokale. Marrja e pushtetit në këto rrethana dhe me këto procese e gozhdon VV -en sikur që e gozhduan Krishtin. VV -ë duhet të detyrojë që ata që e kanë bërë këtë situatë , ata duhet të japin llogari ndryshe tërë përgjegjësia do të kalojë te VV -ë. Personalisht , po të isha njeriu përcaktues për marrje të vendimit në PAN ose në PDK -ë , as që do të bëja përpjekje ta bëjë qeverinë por do të votoja për qeverinë e VV -së. Nëse PAN nuk do ta formojë qeverinë , atëherë do të jem përkrahës që forca e dytë politike , me automatizëm të ketë drejtë ta formojë qeverinë. Madje do të duhej të bëhen ndryshime kushtetuse në kuptimin që shumica që i siguron numrat për qeveri në ditën e certifikimit të rezultateve ta formojë qeverinë pavarësisht a ka dalë e para ose e dyta. Në këtë mënyrë do të evitoheshin pazaret politike dhe korruptive dhe nuk do të vinim në situatë që të blehen deputetët me poste ose para qoftë për ta krijuar qeverinë , qoftë për ta penguar formimin e qeverisë.
A kanë ndikim shërbimet e huaja në formimin apo pengimin e institucioneve
Ramush Haradinaj do të bëhet kryeministër dhe nuk do ta lëshojë mundësinë e fundit për këtë post. Do të formohet një qeveri e leckosur që nuk do të ketë qëndrueshmëri. Kam shkruar dhe po e përsëris se koalicioni PAN , nëse ka nevojë për 2-3 deputetë do të shkojë në Kuvendin e Kinës , do t’i rentojë përkohësisht deputetët dhe do ta formojë qeverinë. Nuk është kjo që i duhet Kosovës. Në situata normale dhe me një politikë normale koalicioni PAN do të duhej të ishte në opozitë. Në situata kur ka inate dhe luftë për mbijetesë dhe ku ka kërcënime nga opozita se do t’i mbushë burgjet me PDK , atëherë aktivizohet instinkti për vetëmbrojtje dhe kjo do të jetë përcaktuese që PAN do ta formojë një qeveri kurrfare hiç. Fjalori i dhunshëm dhe veprimet e dhunshme i kushtojnë VV-së shumë dhe , ndonëse janë ulur fitilat bukur shumë është kohë tepër e shkurtër që VV –ë t’i bind ata që vrajnë e kthjellin në Kosovë se ka ndryshuar për aq sa ta fitojnë besimin dhe përkrahjen ndërkombëtare për të qeverisur . Natyrisht se në kohën kur PAN po e arrnon një qeveri , VV–ë me një reformë të vërtetë në sjellje , do të jetë fitues absolut në zgjedhjet e ardhshme . Në të kundërtën do të përçahet sepse edhe ashtu nuk ka qenë fort unike kohëve të fundit. Për mua është shumë brengosëse forcimi apo shndërrimi i Serbisë në partner vendimarrës në Kosovë por edhe infiltrimi dhe roli i shërbimeve të huaja në formimin apo shkatërrimin e koalicioneve sikur edhe përcaktimin e tyre për kend do të votojnë. Pas formimit të qeverisë pakicë nga koalicioni PAN që duket se pashmangshëm do të ndodhë , do të jetë shumë me rëndësi të shihet se si do të sillen VV-ë dhe LDK–ë në opozitë. AKR , pa grup parlamentar do t’i bashkangjitet atij ku mund ta realizojë interesin politik dhe jo vetëm politik kurse Alternativa që i kishte katër ( 4 ) anëtarë : Mimoza Kusari , Ilir Deda , Fahri Musliu dhe Hasan Preteni mbeti me dy anëtarë dhe dy deputetë , Mimozën dhe Ilirin apo Boni dhe Klajdin e Kosovës, një grup i rrezikshëm gangsterësh nga koha e Perëndimit të Egër në Amerikë. Fahri Musliu dha dorëheqje kurse Pretenit duket se po i vjen turp të deklarohet anëtar i Alternativës me dy anëtarë. Albin Kurti , si nuhatës i mirë dhe njohës shumë i mirë i proceseve politike është dashur të dijë se nuk është koha që ai të bëhet kryeministër . Kështu do të përfundojnë edhe këto zgjedhje dhe kështu do të duken institucionet. Shën Isai do të pensionohet politikisht si kryeministër , PAN merr pushtetin , policët shqiptarë do të arrestojnë ushtarë dhe komandantë të UÇK-së për t’i dërguar në Gjykatën raciste që për kriter kryesorë ka përcaktimin etnik të dyshuarve e pastaj forcën e provave. Do të kalojë Demarkacioni , do të formohet Asociacioni dhe do të formohet një Forcë Mbrojtëse e Kosovës. Kosova do ta ketë federalizimin e brendshëm dhe një mënyrë apo tjetër do të hyjë në një vartësi nga Serbia që , pas 20-25 vjetëve do të provokojë ndarjen e Kosovës dhe bashkimin me Shqipërinë si një proces krejtësisht i pandalshëm . Urime për ata që po e gjakojnë pushtetin me çdo kusht dhe ngushëllime për ata që e gjakojnë marrjen e pushtetit me çdo kusht por, dy bythë nuk mund të ulen në një karrike !
Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA, Prishtinë, 22 korrik 2017

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura