GJOKË DABAJ: FJALËMIRA E GJUHËS SHQIPE – NJËSIA VENDORE E PËRKUJDESJES GJITHSHQIPTARE

Durrës, 22. 10. 2012 – Në librin tim (me pretendim manifesti), “Strategjia e shqiptarëvet”, në kapitullin “Shqipëria si duhet të jetë?”, e kam potencuar, e kam theksuar me forcë, se shqiptarët e kanë TË DOMOSDOSHME të krijojnë një INSTITUCION të vetin KOMBËTAR. Arsyetimet, gjatë gjithë atij libri, janë dhënë të atillë që lexuesit duhet t’i mbushet mendja se Kombit tonë vërtet i duhet një i tillë INSTITUCION (SHPËTIMTAR), përndryshe, ai mbetet përsëri o i rrëzikuar për t’u zhdukur ose i rrëzikuar për t’u katandisur në një komunitet mjeranësh, fatin e të cilit e vendosin gjithmonë të tjerët. Në 2-3 artikuj të mëvonshëm, në portalin tonë prestigjoz kombëtar “Pashtriku”, ndoshta të vetmin të tillë në publicistikën shqiptare të sotme, janë bërë edhe disa sqarime, në mënyrë që platforma e parashtruar të mund të kuptohet sa më mirë.

LEXONI DY SHKRIMET E MËHERSHME TË GJOKË DABAJT

TA KRIJOJMË INSTITUCIONIN E PËRKUJDESJES GJITHSHQIPTARE

https://pashtriku.org/index.php?kat=43&shkrimi=332

*   *   *

ORGANIZIMI I INSTITUCIONIT TË PËRKUJDESJES GJITHSHQIPTARE…

https://pashtriku.org/index.php?kat=60&shkrimi=381

……………………………………………………….

Po jap tani, në vazhdim, sqarime të mëtejshëm.
Për të krijuar INSTITUCIONIN në fjalë, të emërtuar PËRKUJDESJA GJITHSHQIPTARE, duhet të ketë, sa për fillim, si në të gjithë rastet, kur njerëzit bëjnë organizime, një grup nismëtar. Ai grup nismëtar do të hartonte një program, më konkret e më të detajuar, të krijonte e të siguronte dokumentacionin e nevojshëm për t’u regjistruar si OJQ (organizatë joqeveritare) apo disi ndryshe, të regjistrohej si e tillë dhe të krijonte Këshillin e Përkohshëm Drejtues.
Përfytyrimi im i një të tillë KËSHILLI DREJTUES TË PËRKUJDESJES GJITHSHQIPTARE, fillimisht të përkohshëm, pastaj të përhershëm, është ky:
1. Kryetari, me seli e banim në Prizren.
2. Nënkryetari, i ngarkuar për punë me personalitetet e Kombit tonë. (Nuk ka rëndësi vendi i banimit, mjafton të jetë personi i duhur.)
3. Anëtar, i ngarkuar për punë me mërgimtarët tanë të hershëm, arbëreshët e Italisë, arvanitët e Greqisë, arbëneshët e Dalmacisë dhe kudo ku ka koloni të hershme ose emigrantë prej atyre kolonive, të shpërndarë nëpër botë.
4. Anëtar, i cili do të kujdeset për mërgimtarët tanë të 2 shekujvet të fundit, filluar nga Turqia e Greqia deri në Kanada, SHBA e Zelandë të Re.
5. Anëtar, që do të kujdeset për shqiptarët që janë autoktonë: në Rep. e Greqisë, në Rep. e Sërbisë, në Rep. e Malit të Zi.
6. Anëtar, i cili do të kujdeset për shqiptarët në Rep. Ish-Jug. të Maqedonisë.
7. Anëtar, i cili të kujdeset për shqiptarët në Rep. e Kosovës.
8. Anëtar, i cili të kujdeset pë shqiptarët në Rep. e Shqipërisë.
9. Anëtar, që do të kujdeset për marrëdhëniet ndërfetare dhe për marrëdhëniet midis shqiptarëvet me orientime të ndryshëm ideologjikë e politikë.

Kam menduar që përbërja prej 9 vetësh e këtij Këshilli të ndjekë trashëgimisht rrugën e Komitetit të Stambollit, themeluar në Stamboll në dhjetor 1877, prej një grupi rilindësish tanë më të përkushtuar. Prizrenin e kam menduar si seli të përhershme të këti INSTITUCIONI, midis tjerash, edhe sepse aty është realizuar i pari bashkim i mirëfilltë kombëtar në historinë tonë të re. (Ne duhet të mbetemi trashëgues të përkushtuar pikërisht të atij bashkimi, ndryshe, vazhdon procesi i copëtimit! Ndryshe, copëtimi nuk ka të pushuar!) Mbështetur në të arriturat e sotme teknike e teknologjike, sidomos të informatikës, kam menduar që, përveç KRYETARIT TË PËRKUJDESJES, me personelin përkatës administrativ, i cili, me kalimin e kohës, do të vijë duke u rritur, asnjëri prej ANËTARËVET TË KËSHILLIT TË PËRKUJDESJES, nuk do të jetë i detyruar të jetojë në Prizren. Që të 8 anëtarët e tjerë, pra, mund të jetojnë atje ku kanë punën dhe familjen. Mjafton që ata ta ushtrojnë ashtu si duhet funksionin e tyre dhe, 1 herë në javë t’i çojnë informacion KRYETARIT. Kështu, KËSHILLI, si rregull, do të duhet të mblidhet 1 herë në çdo 6 muaj, e, vetëm në raste të ngutshëm, edhe më shpesh.
Nuk po zgjatem më për të përshkruar punën e KËSHILLIT TË PËRKUJDESJES GJITHSHQIPTARE. Puna e tij do të ishte (do të jetë, nëse krijohet), aq e gjithanshme dhe aq voluminoze, sa do të duhet një libër qindra faqesh për të paraqitur vetëm programin.
Dua të them vetëm edhe këtë: Ky INSTITUCION i yni KOMBËTAR nuk parashikohet të jetë i përkohshëm. Ky INSTITUCION nuk do të shikojë kurrë sa shqiptarë ka përfshirë nën PËRKUJDESJE, por gjithmonë: Edhe sa shqiptarë i kanë mbetur jashtë PËRKUJDESJES. Jeta e këtij INSTITUCIONI nuk përcaktohet as me dhjetëvjeçarë, as me qindvjeçarë. Prandaj, njerëzit që do t’i hyjnë punës për ta themeluar dhe drejtuar këtë INSTITUCION tonin, duhet të jenë idealistë të mëdhenj dhe jo më të moçëm se 40 vjeç. Unë jam 75 vjeç. Unë nuk bëj për këtë punë. Unë, këtu, mund të hyj në punë, edhe pak ditë, vetëm si një këshillues. Sami Frashëri ka qenë vetëm 25 vjeç, kur është zgjedhur Kryetar i Komitetit të Stambollit. O Zot! Çfarë madhështie! Vdiq 54 vjeç, por mbeti i përjetshëm!

………………………………………………..

Puna e parë, fill mbas konsolidimit si KËSHILL NISMËTAR I PËRKUJDESJES GJITHSHQIPTARE, është krijimi i një NJËSIE VENDORE të kësaj PËRKUJDESJEJE. Eksperimentale e, madje, mu në Prizren.
Krejt trupi, krejt organizmi i kësaj PËRKUJDESJEJE do të përbëhet prej një numri tash për tash të papërcaktueshëm NJËSISH VENDORE. Roli i atyre NJËSIVE VENDORE do të jetë VENDIMTAR në krejt ecjen ose jo të Kombit tonë në rrugën e prosperitetit. Ato NJËSI VENDORE duhet dhe do të jenë, nëse subjektet e vetëthirrur prej kësaj ideje, do ta kuptojnë seriozisht këtë punë, QELIZAT e PËRKUJDESJES sonë GJITHKOMBËTARE. Ato do të mund të krahasoheshin, sigurisht, në aspektin kombëtar e kurrsesi në aspektin religjioz, me tempujt e budistëvet, me sinagogat, me kishat, me xhamitë me teqetë.
Një të tillë NJËSI VENDORE të PËRKUJDESJES GJITHSHQIPTARE unë e kam quajtur FJALËMIRA E GJUHËS SHQIPE. Emërtim më i bukur e më i përshtatshëm nuk mund të gjendet mbi këtë Dhe.
Më poshtë po paraqes pamjen dhe funksionimin, në formë konspekti, të një të tillë FJALËMIRE.
Një sallë, në të cilën mund të hyjnë e të rrinë ulur, 100 deri 120 vetë. Në krye të sallës, një katedër, me arkitekturën përkatëse në funksion të qëllimit, me Flamurin Kombëtar Shqiptar në njërin krah, dhe, atje ku kjo kërkohet me ligj, edhe me flamurin shtetëror në krahun tjetër. Në sipërfaqet prapa katedrës, prapë në funksion të qëllimit, një ekran i madh dhe harta e piktura, të përhershme ose të përkohshme. Anash: Pamje nga Atdheu ynë, piktura, portrete, skulptura, bazoreliefe, lule. Të gjitha me estetikë sa më mbresëlënëse dhe me përmbajtje kombëtare. Kuptohet, këtu hyjnë edhe autorë shqiptarë, veprat e të cilëvet mund të mos kenë subjekt shqiptar, por që autori është i yni, shqiptar. Gjithkështu anash, deri në lartësinë nën 2 metra, rafte me libra. E gjithë salla, e pajisur me instalime audiovizivë. Në krah të katedrës, një dixhei, kompjuter, internet dhe aparate incizimesh.
Krejt punën e FJALËMIRËS SË GJUHËS SHQIPE e udhëheq një nëpunës i PËRKUJDESJES, i paguar sipas rregullavet, me diplomë universiteti, mundësisht të ketë mbaruar për gjuhën shqipe. Unë e kam quajtur këtë lloj funksionari, që është shumë i rëndësishëm, me një emër të përgjithshëm PROFESOR, dhe mendoj që kështu duhet ta thërrasin të gjithë frekuentuesit e FJALËMIRËS. Ai, natyrishish, vishet si të gjithë profesorët: Me kostum qytetar, me ose pa kravatë etj, sipas vendit dhe sipas stinës. Por, në krahë të tij, është e udhës që rrinë më këmbë 2 fëmijë 10-15 vjeç, 1 vajzë e 1 djalë, veshur me kostume tradicionalë të krahinës ose me ndonjë kostum tipik shqiptar nga më të pëlqyeshmit. Po kështu, edhe në të 2 krahët e hyrjes në sallë, duhen 2 djem 18 vjeç e lart, veshur edhe ata me kostumet tradicionalë të krahinës apo me ndonjë tjetër kostum tipik shqiptar nga më të pëlqyeshmit. Këta djem i duhen FJALËMIRËS, për të mirëpritur frekuentuesit, për t’u ofruar atyre vendet ku do të ulen dhe, sigurisht, edhe për të ruajtur apo vendosur qetësinë.
Detyra kryesore e FJALËMIRËS SË GJUHËS SHQIPE është që t’i mbledhë në atë sallë shqiptarët e atij komuniteti e pakta 1 herë në javë, në një ditë rigorozisht të përcaktuar. Psh çdo të shtunë mbasdite, në orën që të gjykohet si më e përshtatshmja.
Në të tillë tubime të rregullt, nën udhëheqjen e PROFESORIT, organizohet një ceremoni, ecurinë e së cilës unë e kam përfytyruar kështu: Pasi njerëzit janë ulur në vendet e tyre, në minutën që është caktuar për fillim, PROFESORI, që nga katedra, bën përshëndetjen mirsyëardhëse dhe ndonjë lajmërim fare të shkurtër, dhe u lutet pjesëmarrësvet që të çohen në këmbë për të nderuar intonimin e Himnit Kombëtar Shqiptar.
Ulen pjesëmarrësit, PROFESORI mban një ligjëratë që lidhet me Kombin Shqiptar, jo më shumë se 20 minuta. Temat e ligjëratavet janë nga më të ndryshmet. Për gjuhën shqipe (gjithmonë diçka konkrete, pa teorizime), për historinë e shqiptarëvet (prapë me përzgjedhje konkrete), për gjeografinë, për ekonominë, për natyrën shqiptare, për arkeologjinë, për folklorin, për letërsinë, për sportin, për pikturën, për kinematografinë, për muzikën, për veshjet, për dasmat, për llojet e gatimevet që i praktikojnë më së shumti shqiptarët, për vallet dhe valltarët. Gjithmonë, 1 ose 2 nga këto tema. Jo grumbull, e të mos mbahet mend asgjë.
Mbasi mbaron ligjërata e parë, në dixhei lëshohet muzikë e zgjedhur kombëtare. Natyrisht, jo përherë vetëm popullore. Muzikë kombëtare, e zgjedhur mirë, frymëzuese dhe që nuk përsëritet, për t’u bërë bajate.
Këtu ka 10 minuta kohë, ose ndoshta diç më shumë, në të cilën 2 fëmijët dalin midis pjesëmarrësvet dhe mbledhin kontributin financiar, i cili është tepër i nevojshëm për funksionimin, si të asaj FJALËMIRE, ashtu edhe të krejt INSTITUCIONIT TË PËRKUJDESJES. Secili nga 2 fëmijët mban në duar nga një kasë, të themi, speciale. Themi speciale, sepse ajo kasë duhet të mos lërë shteg për abuzime. Ose të paktën të mund t’i minimizojë abuzimet. Ka nga mbrapa 5 drynj, mbasi KËSHILLI i çdo FJALËMIRE përbëhet prej 5 vetësh. Anëtarët e KËSHILLIT të FJALËMIRËS kanë secili nga një dry dhe çelësin e mbajnë me vete. Kasa ka sipër një të çarë, ku lëshohen të hollat, aq sa mundet dhe aq sa dëshiron me dhanë secili. Por duhet mbajtur parasysh që ky kontribut nuk mund të quhet asnjëherë ndihmë. Ky kontribut është detyrim kombëtar, më i shenjti prej të gjithë “kontributevet” që japin shqiptarët në të katër anët, qysh prej bakshishevet korruptues e dhuratavet nëpër dasma e deri te taksat e tatimet shtetërorë 20 llojesh. Fëmijët mbajnë me vete edhe nga një tufë zarfash të vegjël, në mënyrë që ndonjë kontribues të mund t’i shtjerë në zarf të hollat, duke iu shënuar sipër zarfit emri dhe sasia e të hollavet. Të gjithë ata që japin sasi më të madhe të hollash, të shtunën që vjen, komunikohen dhe falenderohen para pjesëmarrësvet. Mbasi mbaron ceremonia, në fund fare, të 5 anëtarët e KËSHILLIT TË FJALËMIRËS mblidhen, e hapin kasën, i numërojnë të hollat, bëjnë distinën, firmosin dhe PROFESORI është i detyruar menjëherë t’ia dërgojë Qendrës në Prizren, bashkë me distinën. Gjysma e kontributevet, normalisht, i takon asaj FJALËMIRE, por kalimi i shumavet bëhet gjithmonë nga Qendra, me destinacion të përcaktuar qartë.
Ligjërata e dytë, mbas pushimit 10-minutësh, gjatë të cilit janë mbledhur edhe kontributet, zgjat gjithashtu 20 minuta. PROFESORI, në këtë pjesë të ceremonisë, u flet pjesëmarrësvet lidhur me ndonjë ngjarje aktuale. Këto ligjërata zakonisht përgatiten në Qendër, por mund të kenë të bëjnë edhe me ngjarje lokale. Ky 20-minutësh është caktuar për t’i mbajtur pjesëmarrësit, dmth shqiptarët e atashuar pranë FJALËMIRAVET TË GJUHËS SHQIPE, në korrent të ngjarjevet që lidhen me fatin e Kombit tonë, rrjedhimisht, me fatin e secilit prej nesh, dhe prandaj për të mbajtur qëndrim ndaj atyre ngjarjeve.
Mbasi mbaron edhe kjo pjesë e ligjëratës së PROFESORIT, ai bën komunikimet e fundit, ndonjë lajmërim, ndonjë kërkesë etj dhe, nën melodinë e këngës “Për ty, Atdhe”, pjesëmarrësit shpërndahen. Në ambientet e jashtëm, atje ku ekzistojnë mundësitë, zhvillohen lojëra sportive.
Pjesa e tretë e ritualit u kushtohet problemevet që ka komuniteti shqiptar në vendin ku vepron secila FJALËMIRË. Të 4 anëtarët e KËSHILLIT, bashkë me PROFESORIN, presin njerëzit që kanë halle, i dëgjojnë, mbajnë shënime, bisedojnë mbi rrugët dhe mundësitë se si mund të zgjidhet secili rast. Gama e problemevet që mund të ketë një komunitet, është shumë e gjërë dhe pafundësisht e larmishme: Probleme me administratat, probleme me organet e tjerë të shtetit, me gjykatat, me policitë, probleme dokumentesh, probleme ekonomikë, probleme të punësimit, probleme banimi, probleme shkollimi, marrëdhënie midis fqinjëvet, marrëdhënie në familje, sherre të ndryshëm, gjaqe, probleme droge, pije, dehje me alkol, prostitucion, probleme të burgosurish, të cilët shpeshherë duhet të mbrohen, probleme korrupsioni, probleme infrastrukture, drita, ujë, rrugë, telefona, probleme sëmundjesh, probleme tatimesh e taksash, probleme higjene.

………………………………………….

Gjatë gjithë javës, PROFESORI merret me zgjidhjen ligjore ose thjeshtë ndërnjerëzore të të gjithë problemevet që i janë parashtruar. Të shtunën tjetër ai i njofton të interesuarit për çfarë ka mundur të bëjë dhe për çfarë nuk ka mundur.
E thashë që gama e këtyre problemeve është shumë e gjërë dhe vetëm rreshtimi i disave prej tyre e bën të qartë, sa të domosdoshme e kanë njerëzit tanë, kudo që ndodhen, për të pasur një INSTITUCION TË PËRKUJDESJES dhe, në kuadrin e atij INSTITUCIONI, për të pasur, në vendin ku ata jetojnë, një qelizë të atij INSTITUCIONI që unë e kam quajtur FJALËMIRA E GJUHËS SHQIPE.
Në përfytyrimin tim, në vizionin tim, një i këtillë organizëm u duhet shqiptarëvet më shumë se çdo gjë tjetër. Unë nuk e shoh PËRKUJDESJEN GJITHSHQIPTARE si një luks, si një komoditet, si diçka që “është mirë ta kemi”. Unë e shoh krijimin dhe funksionimin e PËRKUJDESJES GJITHSHQIPTARE dhe të FJALËMIRAVET TË GJUHËS SHQIPE, kudo ku ka shqiptarë dhe në numër sa më të madh, si një DOMOSDOSHMËRI JETIKE TË KOMBIT TONË.

……………………………………………..

(Ilustrimet i pëgatiti kryeredaktori i pashtriku.org)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura
Read More

E PAMPOSHTURA

E PAMPOSHTURA Nga Margarita Syziu, Pashtriku 08 Tetor 2022 Për veprimtaren e shquar në çështjen e lirisë së…