Durrës, 11 qershor 2020: PJESË NGA LIBRI “GENOCIDI SËRBOMADH DHE QËNDRESA SHQIPTARE” I AUTORIT SHABAN BRAHA, Nr. 14
Vitet 1941-1944
“Komandanti i vendit, Vojo Kaliçanec, ka fillue vrasjen e ushtarëvet shqiptarë në këtë mënyrë: Ushtarët i ka dërgue rreth lumenjvet Sitnicë dhe Llap, prej ku, mbasi i ka pushkatue gjatë natës, të gjithë i ka hedhë në lumë. Ky masakrim i tmerrshëm, pa shembull në histori, ka vazhdue pa pushim 6-7 ditë”. (f. 383)
“Në rrethin e Mitrovicës ka shumë shqiptarë të vramun prej çetnikëvet e xhandrëvet sërbë… Në Vushtrri vranë Tahir Maxhunin nga Vushtrria dhe Ismail Avdiun nga Suvadolli. Maxhuni asht vra në mënyrë barbare: më një anë i kanë ngulë bajonetën dhe në anë tjetër i kanë ngulë një gozhdë në kokë dhe kësaj i kanë mshue me çekiç deri sa ia kanë futë tënë në krye.” (f. 383)
“Në Pejë Sërbët e malazezët vranë 15 shqiptarë. Në Gjakovë më 9 e 10 prill (1941) në qytet vranë 12 shqiptarë, në rrethinë pushkatuen 260 shqiptarë. Në Byc vranë 3 (tri) gra të reja, njanën me fëmijë në gji. Në shkollë të Rogovës, më 14 prill, vranë 13 shqiptarë të katundevet Smaç, Ulëz e Fshejë.” (f. 383)
“Në Prizren më 14 prill vullnetarët sërbë pushkatuen disa shqiptarë para bashkisë, ndër të cilët edhe disa fëmijë si djalin e Sulejman Delurit 12 vjeç. Vranë edhe në Gjinoc, Zym e Romajë.” (f. 383)
“Jo larg Hanit të Hotit, me 10 prill 1941, banë batare tue gri 15 hotjanë, ndër të cilët shpëtoi me plumba në shtat Nikë Zefi i Pjetër Prenkë Smajlit, kah shtiret si i vramë. Të gjithë i kanë lidhë me duer mbrapshtë e mundue sa ma mizorisht.” (f. 383)
– Në një shpellë afër Podgoricës, më 11 prill 1941, Kolë Ucës prej Trieshit, 29 vjeç, i nxjerrin sytë e i presin veshët.” (f. 383)
“Në buzë të ujit të Ribnicës, afër Podgoricës, më 11 prill 1941, çohen lidhë 9 malësorë, i shtien për mundime në një shpellë dhe zbrazin plumba në mish të tyne (që t’u vijë vdekja sa më ngadalë. Gj. D.)”. (f. 383)
“Në Qafë të Preskut, më 12 prill 1941, katilisht u merret shpirti dy pleqvet 80-vjeçarë, Lul Petroçit e Dedë Nikës prej Vuksanlekajsh. Edhe Kolë Nikën në Vuksanlekaj e pushkatuen tue e ngritë nga shtrati ku dergjej prej tre vjetësh. Këtij, më 1911, i patën vra malazezët edhe dy vllazën, Pretashin dhe Gjonin, dhe ia patën djegë shtëpinë.” (f. 383-384)
“Në katundin Kastrat, te Kisha e Gorejt, më 12 prill 1941, e mbytën Vatë Marash Dashin 32-vjeçar dhe Pretash Gjon Huskën 53 vjeç, të dy grudianë.” (f. 384)
“Shtabet ushtarako-policorë i kishin piketuar (përcaktuar, Gj.D.) krahinat ku do t’i terrorizonin shqiptarët dhe kjo hedh dritë për atë që gjithçka qe e organizuar dhe e planifikuar… Por ndodhi kapitullimi i Jugosllavisë përballë sulmit të kombinuar nazi-fashist gjerman, italian dhe bullgar, ndryshe, do të kish vazhduar kasaphana dhe do t’ia kish kaluar asaj të vitit 1913.” (f.384)
“Por edhe pas pushtimit nazifashist, terrori dhe masakra mbi popullsinë shqiptare nga shovinistët sërbo-malazezë, përbënin një dukuri të zakonshme.” (f. 384)
“Në vjeshtë të vitit 1941… Yzeir Dranevinën nga fshati Dranevinë i Sjenicës, e lidhën dhe e çuan në mal. Atje e mbështetën në një pishë, e mbështollën me litar dhe ashtu për së gjalli e gozhduan.” (f. 384)
“Duke parë që familja e Yzeirit dhe përgjithësisht Drenovina, nuk po nënshtroheshin, sërbët kapën befasisht edhe vëllanë e Yzeirit, e nxorën në një kodër mbi fshat, e lidhën, e shtrinë me shpatulla përtokë, mblodhën krande, i hodhën mbi trupin e tij dhe u vunë zjarrin. Rrënkimet tmerruan fshatin, trupi i tij u shkri si qiri. Kështu dëshmon Zeliha Këlmendi.” (f. 385)
“Zaho Drenovinën, burrë 50 vjeç, që gjithë fshati kishte respekt për të, në shtator të vitit 1941 e kapi një grup vrasësish sërbë, e lidhi dhe e çoi në fshatin sërb Pozheqinë. Iu gjet filli vetëm nëpërmjet një plake lypëse. E kishin torturuar, tue ia rrjepë lëkurën në ballë dhe në krahë, lidhë me zinxhirë pas një lugu të qenit (enë druri ku i qitet ushqim qenit, Gj. D.) ku, mbas një jave torturash, i ishte shuar jeta.” (f. 385)
“Sllavët janë të organizuar në një mënyrë sistematike. Kanë komitetin e tyre drejtues dhe organet që sigurojnë lidhjet e përditshme ndërmjet qendrës dhe qarqevet.” (f. 385)
“Një akt antinjerëzor (i radhës, Gj. D.) ndodhi në një familje shqiptare në fshatin Gubavaq. Prita çetnike vrau një djalë 20-vjeçar, Jonuzin, dhe një gruaje që priste të bëhej nënë, ia nxorrën foshnjën nga barku për së gjalli.” (f. 393)
“Tmerre të tillë mbulonin anembanë krahinën e Sanxhakut. Në fshatin Visokë shtëpinë e Buçanëvet e dogjën me 12 njerëz brenda.” (f. 393)
“Në Lipovicë kanë vrarë një katundar bashkë me vajzën e vogël të tij, pastaj kanë vrarë edhe një hoxhë. Më vonë, në afërsi të katundit Mramor kanë vrarë dy katundarë të cilët ktheheshin nga qyteti.” (f. 394)
“Në njërin nga traktet e hedhur në Kosovë, me avionë anglezë, nga qeveria jugosllave e mërguar në Londër, u thuhet kolonëvet sërbë të Kosovës, kështu: Keni ecë mbas rrahjes së zemrës suaj atdhetare. Betimi juej ka qenë Kosova. Besimi juej ka qenë Svetosllavia, ideali luej liria… Fati ynë na u ka caktue me luejtë rolin e Piemontit jugosllav. Nuk ikim prej këtij misioni apostolik… Na (sërbët) jena elementi ma konstruktiv në Ballkan.” (f. 394)
* * *
Bihori.
“Çetnikët malazezë e sërbë, 4000 a 5000 e ndoshta më shumë, nën komandën e vojvodës Pavle L. Gjurishiq, iu avitën tinëz katundevet të Bihorit, tue kalue lumin togje-togje nëpër terrin e natës.” (f. 398)
“Sapo e kuptoi popullata rrëzikun, çetnikët u vërsulën kundër saj.“ (f.398)
“Çetnikët kishin organizue prita, në mënyrë që, kush të dilte nga shtëpitë, të binte nën plumbat e armëvet të tyne”! (f. 398)
“Ishte ora 2 e mëngjesit, më 5 janar 1943, kur krisën tri bomba, shenja e fillimit të kërdisë.” (f. 398)
“Në pak kohë 82 katunde u prishën e u shfarosën. Një pjesë banorësh, të tmerruem, dolën në mes të natës prej shtëpivet, të veshun e të zhveshun, por ranë në pritat e çetnikëvet. Të cilët i grinë, me armë zjarri, me thika e me shpata. Kush shpëtoi prej dorës së çetnikëvet, e gjeti vdekjen në bjeshkë prej të ftohtit.” (f. 398)
“Simbas hetimevet të bame me shpejtësi, del se të dekunit janë 3741, të plagosunit 634, ndërsa 251, shumica gra e vajza, mungojnë. Mendohet se ato janë marrë rob, për të plotësuar epshet e çetnikëvet. I takon botës së qytenueme t’i peshojë e t’i gjykojë këto mizori.” (f. 398-399)
“Në dokumentet e mëvonshëm, mbas verifikimevet me komisione, raportohej: Ndër të mjeruemit e tragjedisë së Bihorit, në krahinat e Sjenicës së Bjellopojës, janë edhe të ikunit nga tmerri. Këta, mbathë e zbathë, kanë lanë plangun e shtëpinë, kanë marrë rrugën e malit dhe shumica e tyne kanë kalue kufinin. Tash një pjesë gjenden në Bjellopojë, nja 4000 a 5000 vetë, ndërsa një pjesë tjetër në Pejë, nja 6000 a 7000 vetë. Të gjithë janë si mos ma keq. Të plaguemit e të sëmunët janë në rrëzik të madh.” (f. 399)
Treguesit e Masakrës së Bihorit, që janë dhënë në faqen 401 në formën e një pasqyre statistikore, unë (Gj. D.) po i sjell këtu në formë teksti, me qëllim që të lexohen rrjedhshëm:
1.Në fshatin Koritë: Burra të vrarë 150, gra të vrara 64, burra të plagosur 63, gra të plagosura 39, burra të masakruar 27, gra të masakruara 28, fëmijë të masakruar 121, fëmijë të djegur 24, burra të ngrirë 27, gra të ngrira 61, fëmijë të ngrirë 2. Shtëpi të djegura 431.
2.Në fshatin Llazanë: Burra të vrarë 29, gra të vrara 10, burra të plagosur 15, gra të plagosura 6, burra të masakruar 6, gra të masakruara 19, fëmijë të masakruar 95, fëmijë të djegur 55, burra të ngrirë 6, gra të ngrira 9, fëmijë të ngrirë 26. Shtëpi të djegura 104.
3.Në fshatin Rashovë: Burra të vrarë 85, gra të vrara 15, burra të plagosur 55, gra të plagosura 22, burra të masakruar 11, gra të masakruara 13, fëmijë të masakruar 60, fëmijë të djegur 88, burra të ngrirë 6, gra të ngrira 18, fëmijë të ngrirë 141. Shtëpi të djegura 267.
4.Në fshatin Bare (Selenicë): Burra të vrarë 80, gra të vrara 61, burra të plagosur 74, gra të plagosura 49, burra të masakruar 34, gra të masakruara 42, fëmijë të masakruar 66, fëmijë të djegur 98, burra të ngrirë 22, gra të ngrira 29, fëmijë të ngrirë 31, vdekur urie 103. Shtëpi të djegura 190.
5.Në fshatin Savinopol: Burra të vrarë 153, gra të vrara 234, burra të plagosur 111, gra të plagosura 112, burra të masakruar 77, gra të masakruara 117, fëmijë të masakruar 235, fëmijë të djegur 311, burra të ngrirë 42, gra të ngrira 58, fëmijë të ngrirë 168, zënë rob 251. Shtëpi të djegura 452.
6.Në fshatin Zaton: Burra të vrarë 93, gra të vrara 56, burra të plagosur 41, gra të plagosura 47, burra të masakruar 30, gra të masakruara 66, fëmijë të masakruar 143, fëmijë të djegur 130, burra të ngrirë 16, gra të ngrira 91, fëmijë të ngrirë 61. Shtëpi të djegura 319.
(Vo! Bihori kish 82 katunde. Këtu kemi të dhëna vetëm për 6 katunde. Për katundet e tjerë, a mungonin të dhënat apo atje s’pat ndodhur kështu? Gj. D.)
Një pako e pashembullt.
Unë nuk e di a ka në historinë botërore një tjetër pako si kjo, që do të njohim më poshtë. Dimë që janë prerë koka njerëzish në Mesjetë, janë ngulur në hunj si trofe luftërash e duelesh, dimë, midis shembujsh të tjerë, që edhe kokën e Ali Pashë Tepelenës e kanë çuar nga Janina në Stamboll dhe e kanë ekspozuar atje, por pako me pjesë njerëzish, me copa njerëzish, si kjo nuk e di të ketë pasur ndonjëherë në histori. (Gj. D.)
“Komisioni i krijuar në Rozhajë për verifikimin e Masakrës së Bihorit, i drejtohej Drejtorisë së Kryqit të Kuq në Tiranë kështu:
Me anë të të ngarkuemit tonë, zotni Emrush Myftarit, bashkë me raportin mjekësor, po ju dërgojmë një kuti (në të vërtetë një arkë, Gj.D.), ku gjenden të mbylluna dëshmi të masakrës që kanë ba çetnikët malazezë kundër popullsisë shqiptare të Bihorit. Me anë të këtyne dëshmive mund të marrë vesh gjithë bota se këta veprime i kanë krye çetnikët malazezë në shekullin 20.” (f. 399)
1.Kokë djali 12-15 vjeç, e preme me armë të bardhë (shpatë ose thikë)…
2.Kokë gruaje rreth 22-23 vjeçe, e preme me armë të bardhë. Flokët e kokës të djegun dhe lëkura e karbonizueme…
3.Shuplakë djaloshi rreth 10 vjeç (pëllëmbë dore, Gj. D.), pre edhe kjo me një të sjellun me armë të bardhë…
4.Kambë burri pre me një të sjellun…
5.Dorë e djathtë, pre nja dy gishta mbi bërryl dhe e karbonizueme…
6.Dorë e majtë, e preme në bërryl dhe e karbonizueme…
7.Veshi e djathtë dhe veshi i majtë i një njeriu të pjekun në zjarm. Të dy veshët kanë qenë pre me nga një të sjellun, gja që duket te skajet e premjes…
8.Vesh i djathtë, i premë me një armë të bardhë të mprehtë…
9.Hunda dhe buza e sipërme me gjithë mustaqe, e preme mbi ashtin e hundës…
10.Sy i djathtë dhe sy i majtë, të nxjerrun me gjithë kapakë nga gropat e syvet.” (f. 399-400)
“Emrush Myftari, atdhetar i spikatur i dekadës së tretë të këtij shekulli (shekullit 20, Gj.D.), luftëtar i paepur dhe guximtar në mbrojtjen e jetës së shqiptarëvet nga nazifashistët dhe çetnikët, autor i aksionevet të shumtë poltikë e ushtarakë, kryer në Pejë e në Gjilan, e deri te atentati ndaj vëllezërvet Radiç, çetnikë të Pejës, kryer më 1943 në bulevardin e Tiranës. Emrush Myftari, njeriu që ngriti zërin për të demaskuart Masakrën e Bihorit dhe njeriu që solli në Tiranë arkën me dëshmi të asaj masakre, përfundoi më në fund në një kthinë të Shtabit Ushtrisë Popullore-Çlirimtare të Kosovës në Prishtinë. Lidhur këmbë e duar me tela, ku xhelatët e OZNA-s (Odeljenje Zastite Naroda, Gj.D.) të kryesuar nga Spasoje Gjakoviqi, e copëtuan me egërsi të papërmbajtur, duke mos i lënë as gjurmë varri!” (f.435-436)
Plaçkitja e Bihorit.
“Dele 57000 krerë, dhi 9260 krerë, lopë 5470 kerë, qe 3650 krerë, kuaj 1900, gomerë 2328, shpendë 81753 krerë, drithëra 59000 kuintalë, gjalpë 9000 kuintalë, mjaltë 440 kuintalë.” (f. 402)
* * *
“Më 23 shtator 1943, në një proklamatë sërbe të hedhur në formë trakti, shkruhej kështu: Me thikë në qafë, edhe katundet e qytetet t’uej do t’i djegim, edhe na, edhe aleatët tanë, me ajroplane dhe pa mëshirë do të shkatërrojmë gjithçka. Kemi me ju konsiderue të gjitëve kriminela dhe do t’ju mbysim në çdo hap… Ai shqiptar që do të ndihmojë në çdo mënyrë… ka me u konsiderue jugosllav i vërtetë dhe do t’i njihen të gjitha të drejtat simbas statutit.” (f. 404-405)
“Më 16 dhjetor 1943 i raportohej Ministrisë së Brendshme të Tiranës se drazhistët që ndodheshin në prefekturën e Medvegjës, të clët mbajnë emrin Kosovski Odred, janë tue ba masakrime në katundin Sfircë, Tupallë e Gerbaç, që janë thjeshtë shqiptarë, si dhe në katundet Ravne Banja, Stara-Banja, Llapashticë, Kapit, Sjarinë, Gjylekarë e Medvegjë, që janë të përzieme. Në të gjitha këto mund të jenë 4000 frymë. Këto masakra bëhen me qëllim që t’i detyrojnë shqiptarët m’u largue nga andej.” (f. 405)
“Nga Ulqini njoftohej se më 4 shkurt 1944 çetnikët vranë 3 shqiptarë në afërsi të Tivarit: Vëllezërit Stjepë e Pjetër Maruçiqi dhe Muharrem Dragovojën, djalin e Omer Usta Halilit, të moshavet 32, 30 dhe 19 vjeç.” (f. 405)
* * *
Mbas gjithë kësaj, mua s’më mbetet tjetër, veçse ta akuzoj kombin tim, si njëri nga bijtë tij të revoltuar! Si ka reaguar kombi im ndaj të këtilla kasaphanave që janë kryer ndaj bijvet të tij?!
Me ç’tema më të ngutshme e më të rëndësishme janë marrë shkrimtarët tanë, nëse nuk kanë shkruar për këto mynxyra që i kanë ndodhur kombit të tyre?! Me ç’ngjarje të tjera më të rënda janë marrë historianët tanë, nëse nuk janë marrë me këto?! Apo atyre u ka interesuar vetëm lavdia e të parëvet tanë!? Me ç’tema më të rëndësishme të jetës së këtij kombi janë marrë autorët e operavet tona, që i kanë “anashkaluar” këto ngjarje “të parëndësishme”?! Po piktorët tanë, ku i kanë tablotë e fëmijëvet tanë të djegur?! Ku i kanë piktorët dhe skulptorët tanë pamjet e foshnjavet të shpuara me bajoneta dhe të nënavet të reja barkçara?! Po kineastëvet tanë ç’tema ua kanë tërhequr vëmendjet, që u kanë “ikur” pa i vënë re nga 100, nga 200 e nga 500 bashkëkombas të tyre, bërë kapicë nëpër fshatrat e nëpër rrugët e qytetevet tanë?!
Hapini tekstet e shkollavet shqiptare! Në sa prej tyre do të gjeni dëshmi masakrash dhe si i kanë trajtuar tekstologët tanë tema kaq delikate me fëmijët, të cilëvet, pa kaluar viti, mund t’u ndodhin të tjera therje e djegie për së gjalli?!
Më thoni, ç’ka bërë pjesa e mirë e këtij kombi për të nxjerrë mësime nga këto tragjedi?!
O kombi im, që s’ke ditur dhe s’di t’i dalësh zot vetes!!
Shikoni sa libra kanë shkruar hebrenjtë për të pasqyruar holokaustin ndaj të parëvet të tyre! Sa filma kanë bërë hebrenjtë! Sa piktura e skulptura kanë krijuar hebrenjtë me temë nga holokausti! Sa ekspozita e pamje nga tmerret që i janë shkaktuar atij kombi! Sa muze të holokaustit antiizraelit ka sot në botë!
Shihni si dinë t’i dalin zot vetes kombet e tjerë dhe si ne nuk mësuam dot kurrë nga pësimet e pandërprerë!
Hebrenjvet u lumtë, sepse dinë të nxjerrin mësime nga tragjeditë e veta, ne e paçim haram bukën që e hamë, të mbrujtur me gjak e mish fëmijësh tanë të therur!
Gjokë Dabaj, Durrës 10 qershor 2020
_________________
GJOKË DABAJ: GENOCIDI SËRBOMADH – SHPRONËSIMET, SHPËRNGULJET DHE KOLONIZIMI!
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=10146