GJOKË DABAJ: KADRI REXHA, THIRRJE E KOHËS SONË

Durrës, 28. 09. 2015: Kam 3-4 ditë që e kam përfunduar së lexuari librin e Kadri Rexhës „Thirrjet e kohës“ dhe nuk po e shkruaj dot një ese për këtë libër. Po më ndodh kështu, jo se nuk po kam ç’të shkruaj, por sepse nuk po di ç’të përmend e ç’të lë pa përmendur. Është aq i ngjeshur ky libër me lëndë, me probleme e me qëndrime, sa asnjë analizë nuk mund t’i përfshijë të gjitha dhe E VETMJA RRUGË që mbetet, është, TË LEXOHET KREJT LIBRI.
Në kapitullin e parë „Shembuj të lartë frymëzimi“, Kadriu ka përfshirë 16 nga artikujt e vet për personalitete të ndryshëm të kombit tonë, shkruar, disa prej tyre, qysh në moshën 29-30 vjeç. Ata personalitete kanë qenë atëherë shembuj frymëzimi, janë sot shembuj frymëzimi e do të mbeten edhe në të ardhshmen shembuj frymëzimi.

– Kopertina dhe autori i librit Kadri Rexha –

Lexuesi nxjerr përfundimin, që VETË KADRIU është një shembull frymëzimi, sepse ka qenë i kthjellët, i angazhuar tërësisht për atdheun, që në moshë të re, dhe ka mbetur i tillë, do theksuar, i kthjellët dhe pa lajthitje, edhe sot në moshën 66 vjeç. E them këtë, sepse, midis nesh, ka shumë nga ata që nuk janë më ata që ishin dikur.
Te kapitulli „Qëndresë dhe lëvizje mbarëshqiptare“ na jepen analiza ngjarjesh të rëndësishme, jetike, të Kosovës e lidhur me Kosovën, që nga tronditja e parë e fuqishme e vitit 1968 deri te pushkët e para, të cilat, më në fund, ia sollën pavarësinë edhe kësaj pjese të Shqipërisë.
Vitit 1968, me titull „Fryma e Rilindjes Kombëtare“, i janë kushtuar 23 faqe. E rëndësishme është që, për atë ngjarje mund të shkruhen dhe do të shkruhen edhe qindra faqe të tjera, por fryma e trajtimit të tyre, e pranueshme, e pandryshueshme, do të jetë vetëm kjo: Populli shqiptar i atyre pjesëve të Shqipërisë, që ishin lënë nën sundimin e sllavëvet, ish i diskriminuar dhe ai doemos do të kërkonte të çlirohej prej atij diskriminimi.
Viti 1981 na sillet këtu me titullin „Kryengritja popullore e Kosovës” dhe është trajtuar në 33 faqe. Shtypja, varfëria, poshtërimi dhe padrejtësia, por edhe VETËDIJËSIMI, se kështu nuk mund të vazhdohet më, janë shkaqet që ia imponuan kësaj pjese të kombit tonë pikërisht këtë formë reagimi: formën e manifestimit masiv të mosdurimit.
Sërbia vepron kundër kësaj kryengritjeje si një shtet pushtues. Këto veprimtari të Sërbisë autori na i përshkruan nën titullin „Agresioni sërb mbi Kosovën kryengritëse“.
Reagon ndaj represionit sërb edhe diaspora jonë. K.Rexha na sjell këtu shembullin me titull “Në Bon na bashkoi robëria e Kosovës”, me ç’rast edhe distancohet prej çdo rryme që nuk do t’i çonte shqiptarët në rrugën e fitores, si dhe prej ndonjë interpretimi lara-lara.
Në janar të vitit 1997 na vriten 3 HERONJ: Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu. Kadriu e përshkruan këtë ngjarje nën titullin “Pushkët që paralajmëruan ndërrim epokash”. Dhe ndërrimi i epokavet vërtet ndodhi, falë pikërisht kësaj forme të qëndresës sonë: formës së veprimit ME ARMË. Kishin ndodhur edhe shumë vrasje të tjera para kësaj. Aq shumë, sa nuk mund të numërohen! Por asnjëra nuk shënonte NDËRRIM EPOKASH. Pse?! Sepse palës tjetër, armikut pushtues, nuk i vritej askush!
Mirëpo, pjesa regresive e botës së sotme, kushedi përse, nuk po mund të pajtohet me një të këtillë epokë të re në historinë e kombit shqiptar, prandaj dhe po shfaqen në skenën politike tipa të atillë si Del Ponte, Dik Marti e Goldeto. Si një ROJË SYPAFJETUR qëndron pena e Kadri Rexhës, duke e paralajmëruar, por edhe sqaruar me kohë opinionin tonë: “Republika e Kosovës është para një sfide të re”. Në këtë pikë, unë e shikoj autorin e këtij libri, mikun tim Kadri Rexha, si NJË PJESË MUSHKËRIE, e cila, pa pushim rreh të pastrojë organizmin tonë, qenien tonë kombëtare, nga lëndët e huaja vdekjeprurëse, që s’pushojnë kurrë së ardhuri e së depërtuari në këtë organiozëm. Nëse do të pushonte së vepruari mushkëria jonë, helmit do t’i hapej rruga për ta asfiksuar dhe për ta mbytur përfundimisht këtë trup, gjithsesi të rraskapitur.
Në kapitullin “Trokitje në dyert e arsyes“, vazhdon ndihmesa e papushimtë e Kadri Rexhës, në luftë, midis tjerash, edhe me fjalë e me penë, për t’i realizuar aspiratat e shqiptarëvet, të drejtat e të cilëvet janë shkelur dhe po vazhdojnë të shkelen PAMBARIMISHT.
Fjalim në vitin 1987 në Bërn; thirrje për të mbrojtur Flamurin tonë kombëtar; letër Xhafer Shatrit lidhur me Komitetin Informativ të Kosovës; memorandum Konferencës Ballkanike për Paqen (që do të mbahej në Beograd në shkurt 1988), (Ku e gjetën Beogradin dhe: Kujt t’i thuash e kujt t’i çosh letër?!); apel Këshillit të Ministravet të BE-së; apel me rastin e anëtarësimit të Maqedonisë në OKB; letër Ramiz Alisë; fjalim në 18-vjetorin e vrasjes së vëllezërvet Gërvalla e Kadri Zekës dhe 16-vjetroin e vrasjes së Rexhep Malës e Nuhi Berishës.
Në fund të kapitullit (237-246), një fjalim panoramik dhe programatik, mbajtur në Vetingen (Wetingen) në Ditën e Dëshmorëvet të UÇK-së. Gjithkund, vetë Kadri Rexha, zëri i kohës!
“Zëri i ndërgjegjes”, kapitull, i cili natyrshëm i bashkëngjitet të mëparshmit “Trokitje në dyert e arsyes”.
Qysh në moshën 22 vjeç, Kadriu e ka orientuar veten për së mbari. Këtë e dëshmon, midis tjerësh, edhe shkrimi „Ku e shpie rininë tonë imitimi i ‘kulturës‘ së Perendimt?“. E njëjta pyetje duhet bërë edhe sot: Jo për kulturën pa thonjëza, por për “kulturën” me thonjëza, për antikulturën, e cila ka vërshuar tashmë si ujë i ndotur, duke na përmbytur tejendanë.
Për Azem Vllasin, për shkak të disa EKZIBICIONEVE të tij, ka pasur aty-këtu iluzione. Kadriu del, në kohën e duhur, në vitin 1989, me shkrimin „Ngritja dhe rënia politike e Azem Vllasit”. Njëri prej shkaqevet që etnia jonë nuk e ka mbrojtur dot me efikasitet vetëveten ndër shekuj, ka qenë RENEGATIZMI. Me qindra vjet është mallkuar e vazhdon të mallkohet, në këngët e arbëreshëvet të Italisë, renegati Ballabanpasha.
Në vitet 1990 midis të gjithë shqiptarëve (jo vetëm në Kosovë), LULËZOI, çeli lulet e veta HELMUESE, një lloj pseudopatriotizmi. Një “patriotizëm” ndryshe nga ai i mëparshmi, “patriotizëm” që e shkelte me këmbë patriotizmin. Aq i fuqishëm ishte ky pseudopatriotizëm, pra, ky RENEGATIZËM, sa do ta detyronte, për një kohë, patriotizmin tone të vërtetë, të mbetej nën hije. Kadriu i përgjigjet kësaj gjendjeje edhe me një përsiatje të shkurtër: “Atdhedashuria si tregti”.
Ç’nuk ndodh midis shqiptarëvet në 10-vjetëshin e fundit të shekullit XX! Sërbët ushtrojnë KAFSHËRISHT dhunë mbi popullin tonë. Pseudopatriotët hedhin ujë, të ftohtë dhe të pistë, mbi kurmin e shkrumbuar të kombit të vet. Mbi zjarrin që po digjej mu mbi gjokset tanë! Qindra vepra arti nuk do ta pasqyrojnë dot tragjedinë që e përjetoi kombi shqiptar në vitet 1990!
Por do të vinte, në vitet 1997-1999, UÇK-ja dhe do ta detyronte botën të pranojë (Përkohësisht! Gj.D.) rezistencën dhe luftën tone! Autori i librit e shikon këtë ngjarje si ngjarjen më fatlume në këtë zgrip të ekzistencës së shqiptarëvet të Kosovës. (177-280) Vetëm një gjë më duket se Kadri Rexha nuk e ka vënë në dukje në asnjërin nga shkrimet ku flet për UÇK-në: UÇK-ja e rivitalizoi, e rikthjelloi dhe e riafirmoi krejt kombin shqiptar. UÇK-ja i dha hov të ri krejt zhvillimit historik të kombit tonë. Prandaj edhe stigmatizohet me kaq ngulm dhe me mënyra kaq të ulëta.
Thirrje ndërgjegjes së udhëheqësvet të Kosovës: Kosova përballë rrëziqesh të rinj. (281-283). Kundër shtrembërimevet në lidhje me Jusuf Gërvallën. Kadriu shtron pyetjen: “Mendjelehtësi apo diçka tjetër?” (284-288). As filmi “Marsi i thyer”, kushtuar demonstratavet të 1981-shit, mbushur me të pavërteta, nuk mund të mbetet pa u kundërshtuar prej një Kadriu, i cili i njeh të vërtetat e atyre ngjarjeve shumë më mirë se shumë të tjerë.(289-294).
Ibrahim Këlmendi ia nis një “Fillese shqiptare për pajtim me popullin sërb”. Kadriu i thotë shkurt dhe qartë: “Udhë të mbarë pa mua!” (295-300). Pa rënë tërmet në historiografinë dhe në krejt supestrukturën historiko-kulturore të kombit sërb, pa u përmbysur çdo gjë dhe pa u riformuluar përsëri, mbi baza krejt të tjera, çdo lloj pajtimi me popullin sërb do të jetë fund e krye formal. (Lexo për këtë edhe Gj.D.”Kriza e arkivistit”.)
Te “Epoka e re”, 25 qershor 2006, Kadriu i del në krah, me të drejtë, Rexhap Qoses. (301-303) Në fund të atij shkrimi, unë kam vënë një shënim: “Pata me Rexhep Qosen një cakërrim të vogël dhe, më vonë, një pajtim të madh, në heshtje.” Jam i lumtur që e gjetëm njëri-tjetrin. Merita është e Agim Vincës dhe, natyrisht, e vetë Rexhepit, i cili ishte dhe mbetet një personalitet, por edhe njeri i madh.
Më 21 qershor 2007, Kadriu i del në krah edhe Mehmet Krajës, shprehje kjo e përpjekjevet të tija të pandërprera, për t’i rimbledhur e rikuperuar forcat pozitive të kombit.
Qeveria e Kosovës e heq nga festat shtetërore Ditën e Flamurit. Kadriu thotë: „Eliminimi i Ditës së Flamurit është akt antikombëtar!“ (309-310). Pikërisht aty fillon zhbërja e kombit tonë: Te tjetërsimi i flamurit dhe te mospërkujtimi i Shpalljes së Pavarësisë.
Kapitulli „Art dhe dhembje“ (325-367). Këtu Kadriu del kundër filmavet që nuk kanë vlerë dhe analizon e komenton filma me subjekt dhe ide pozitive.
Në 11 faqe vështrim kronologjik, Kadriu na jep rrugën letrare të Jusuf Gërvallës (346-356). Mua, këtë herë si lexues, më zgjon kujtime, që nga koha kur na e vranë Jusufin. Romanin „Rrotull“ e pata lexuar në vitin 1984. Nën ndikimin e kësaj panorame të krijimtarisë letrare të Jusufit, e mora për ta lexuar edhe njëherë. Është roman i rëndë, si pasqyrim i një pjese të jetës sonë, por bukur si vepër arti. Mbresa të veçanta i lë lexuesit njohja dhe përdorimi mjeshtror i gjuhës shqipe, sidomos njohja e përkryer e koinesë letrare shqipe.
Një film i Odise Rexhajt “Një biletë njëdrejtimëshe për në Babiloni”. Gjendja e rëndë politike, ekonomike dhe kulturore në Kosovë pas luftës çlirimtare të UÇK-së, krijuar e menaxhuar kjo gjendje nga UNMIK-u. (356-358)
Një poet që po vjen, është djali i Kadriut, Shqipton Rexhaj… Lindur në Prishtinë në vitin e zjartë 1981, në moshën 5-vjeçe, duke qenë bir i një familjeje emigrantësh politikë, fati e degdis në Zvicër. Në moshën 18-vjeçe boton vëllimin e parë me poezi “Rruga e vetmisë“, në gjuhën gjermane.
Cilitdo lexues, edhe pa qenë mik i asaj familjeje, i vjen mirë që Rexhajt po i japin kombit dhe atdheut, krahas Kadriut, edhe të tjerë krijues cilësorë, siç janë këtu Odiseu apo Shqiptoni, dhe, doemos, uron që kombi ynë të ketë sa më shumë familje të tilla. Por, të njëjtit lexues, nuk mund të mos i vijë keq që pikërisht të këtillë krijues po i detyrojnë rrethanat të transmetojnë në veprat e veta edhe një dozë helmi, i cili, në mënyrë të zgjatur dhe shumë herë të pajustifikueshme, po e rëndon shumë shpirtin e shqiptarit.
Shqiptoni, djalë i ri, do të detyrohet të shkruajë pikërisht të këtillë vargje zhgënjimrëndë: //“Disa shqipfolës në megrim/ vajtojnë për Kosovën në luftë…/ …Unë vajtoj për këta njerëz/ që na bënë përrallë përpara botës.”// (363)
Avdyl Gërvalla: “Shtëpia në rrugë”, libër me kujtime fëmijërie. (365-367). Ja, edhe një tjetër familje e jona, gjurmëlënëse e faqendritur ndër shekuj. Avdyli është vëllai më i vogël (nga nëna) i Hysenit, Jusufit dhe Bardhoshit. Të tilla familje, si Gërvalla e Rexha, e, natyrisht, edhe shumë të tjera si këto, në kapërthim të kaq e kaq kufijve-pranga, mbështjellë rreth trupit tonë si litarë frymëzënës, e mbajnë mbi supe fatin e Kosovës e të krejt Shqipërisë.
Te kapitulli “Lot dhe krenari” (371-415), shohim të njëjtin Kadri Rexhë, të palodhshëm dhe të palidhshëm, të cilit nuk i rri shpirti pa i përcjellë një për një të gjitha ngjarjet. Letra, përkujtime, plot 26, lëndë e ripublikuar në këtë libër. Për Enver Hadrin, për Edmond Hoxhën, për Maxhun Berishën, për Elez Gecajn, për Ismail Haradinajn, për Ajmane Zekajn, për babanë e Ahmet Qeriqit, “91 vitet e Babait Tënd kanë qenë jo vite, por shekuj”, (383), për Tahir Deskun… Epopeja e Gllogjanit, 100-vjetori i lindjes së Enver Hoxhës, 30-vjetori i demonstratavet të Burimit, gazetës “Epoka e re”, radios “Kosova e lirë” (disa letra e mesazhe), pastaj në vijim, Muhamet Pirrakut, lidhur me një promemorie të tijën, dërguar UNESKO-s dhe Kryetarit të OKB-së, pastaj për një libër të Kudusi Lames dhe për librin “Feniksi i lirisë” kushtuar 14 dëshmorëvet të UÇK-së, për një libër të Agim Spahiut, për një libër të Xhafer Durmishit, urim Rexhep Qoses me rastin e botimit të veprës së plotë, por edhe për 280-vjetorin e Halil Patronës, jeniçerit kryngritës të Stambollit.
Dimensionet e një njeriu të angazhuar për problemet e kombit e të atdheut s’ka ku shikohen më mirë se në një të këtillë përmbledhje. Por as dimensionet e problemevet që ka ky komb, në një fragment të historisë, s’ka ku shihen më mirë se në angazhimin vetanak të njerëzve si Kadri Rexha, pa i detyruar askush dhe pa i paguar askush.
Në 70 faqet e fundit, janë 3 intervista: 2, të 2 gazetarëve me Kadriun dhe 1 e Kadriut me Xhavit Hoxhën.
Krejt librin e ka mbyllur me një epistolar (me sa duket, të papërfunduar), midis vetë Kadriut dhe një tjetër atdhetari të përkushtuar, Shaqir Shaqirit. (463-491). Unë po e jap këtë epistolar, këtë letërkëmbim 28-faqesh, në formën e një dialogu telegrafik 3 apo 4 faqesh. (Kërkoj ndjesë për ndonjë shmangie eventuale nga teksti autentik, pasi në procesin e shkurtimevet shmangie, sado të vogla, janë të pashmangshme.)
K.R: Gjatë këtyre 2 dekadave, edhe pse në distancë të madhe, me mendje, shpesh kemi qenë bashkë…Veçanërisht në momentet e hidhërimevet të mi të shpeshtë. Me ty më lidhin… net të paharruara gjatë hetimevet në burgun e Prishtinës dhe koha e vuajtjes së dënimit në burgun e Gurakocit. Duke u marrë me ardhmerinë e kombit, duket se e kemi harruar vetëveten, kemi harruar jetën personale, kemi harruar edhe familjet tona.(464-465).
Sh.Sh: Kam pasur fatin të jetoj në kohën kur mund të bëhej diçka për atdheun dhe, po ashtu, kam pasur fatin që kisha pranë një pjesë të djalërisë që ishte e gatshme të sakrifikonte edhe jetën për idealet më të shenjtë kombëtarë… Vogëlsia ime u përpoq t’i kapë këta raste dhe të bëjë aq sa mund të bëhej në kushtet e okupimit barbar. (466).
K.R: Kur kemi rënë në burg, unë kam pasur 2 fëmijë. 3 muaj pas emigrimit dhe vendosjes në Zvicër (1986), më ka lindur edhe fëmija i tretë…1 vit e gjysmë kam punuar si argat në një garazh e pastaj, për plot 20 vjet, në një fabrikë…Shoqja ime në spitalin e qytetit… Punën e kam filluar dhe e kam vazhduar me arsyen e plotë për të qenë ekonomikisht i pavarur… Kohën jashtë orarit të punës… në demonstratat dhe tubimet e të shtunavet… Punët e mia personale i kam lënë pas dore. (467). Tash jam në pension. Shkoj në vendlindje, por nga atje vazhdimisht po kthehem i dëshpëruar… Mërgimtarët… sot në atdhe janë të tepërt. Të leçitur në kohën e pushtuesit, të leçitur edhe në kohën e pushtetit të pasluftës… Për ty flasin muret e burgut… Për ty flet epoka e madhe e vitit 1981. Ty nuk ka limë që të ha. (468).
Sh.Sh: Bashkë me Hydajet Hysenin dhe një shef nga SHBA krijuam Zyrën për Çështjet Jorezidenciale, por shumë shpejt, i mllefosur me poshtërsitë e UNMIK-ut dhe i zhgënjyer thellë me një pjesë të miqvet të idealit, vendosa të kthehem në Suedi. Vitet e kaluar në Suedi nuk ma kanë lejuar luksin të punoj për veten apo për familjen. Zyra në Stokholm e familja në Goteborg (500 km larg), më bënë që për 6 vite të isha mysafir në familjen time. Lëngoja nga kanceri në fyt. 4 muaj pas shërimit të kancerit në fyt, u konstatua kanceri në mushkëri (i cili kishte arritur shkallën e metastazës dhe, si i tillë, nuk ka shërim… Më gëzove me shkrimet e tu. Ke zemër të madhe e mendje të çiltër. Shkruaj, të lutem. Unë… nuk jam i gatshëm të dal me kujtimet e mi… Ekzemplarët personalë (të doktoratës) (që ia kanë kërkuar në Republikën e Shqipërisë, Gj.D.) m’i morën shkijet gjatë bastisjevet, ekzemplarët e Bibliotekës Kombëtare (në Prishtinë, Gj.D.) dhe bibliotekës së Fakultetit janë tretur pa gjurmë…
K.R: Ke shkruar libër shkencor për jetën dhe veprën e Edith Durhamit, me deklarata dhe intervista ke lënë dëshmi për dhunën e genocidin sërb. Krejt jeta të shkoi në shërbim të çështjes kombëtare. Por deri më sot asgjë nuk ke folur për veten tënde. Armiku ka ditur për ne aq sa i kanë dhënë shqiptarët e shitur dhe atë pjesë që kanë mundur ta nxjerrin me dajak. Dhe kjo është vetëm maja e ajsbergut. Punët tona i dimë vetëm ne. „Të madhërishmit tanë“ vjedhin punën e huaj dhe krenohen. Ti nuk je krekosur, kur ke pasur mundësi t’i rrëzikosh bretkosat që luanin rolin e atllarëvet. (470-471).
Sh.Sh: Konsideroj se thërrimet nga jeta dhe vepra ime (po të shkruheshin nga unë), do të tingëllonin si krekosje. (Shaqir Shaqiri rendit më poshtë disa të dhëna, që atij do t’i dukeshin si krekosje, nëse do t’i publikonte vetë. Gj.D)
Vitet e 90-a (kur isha në vlugun e punës sime për çështjen tonë madhore dhe pjesëmarrës i ndodhivet historike, deri në Rambuje), kanë krijuar tek masa idhuj të rrejshëm dhe janë bërë shumë pabesi, të cilat, po të dilnin në dritë, do të krijonin huti e zhgënjim. Prandaj, gjërat për të cilat kërkon nga unë t’i shkruaj, do të ishte më e lehtë t’i shkruante dikush tjetër.
Jam i biri i emin Shqarrit, veprimtar i Lidhjes së Pejës. Axhën tim, villain e eminit, e pushkatuan shkijet si pjesëtar të Ballit Kombëtar. Gjyshja ime, Bademja, ishte bijë e shtëpisë së madhe të Jakup Ferit.
Vitet më të mire të rinisë pata fatin t’i kaloj me Jusuf Gërvallën, Teki Dervishin, Kujtim Myftarin (i biri i atdhetarit Emrush Myftari) vëllezërit Dobruna e shumë e shumë të tjerë.
Përkundër faktit se ligjëroja letërsinë angleze e amerikane, u përpoqa të kontribuoj në lëmin e kulturës e historisë shqiptare. Magjistrova me temën “Shekspiri në përkthimet bashkëkohës shqiptarë”!. Doktorova me temën “Miss Durhami dhe shqiptarët” (përfshirë këtu, veç tjerash, edhe periudhat historike kur hordhitë barbare sërbe dhe malaziase vrisnin e masakronin gra, pleq, fëmijë…)
Në çdo ligjëratë apo ushtrim me studentët e mi përpiqesha të “fus mish dhie” nga realiteti ynë i zymtë.
Kisha të drejtë të merrja pushim 2-vjeçar me pagesë pë punimin e doctorates, por nuk mora as edhe 1 ditë të vetme. Nuk desha ta pësonin studentët.
Jam vonuar vetëm 2 herë në mësim: Janë ato 2 herë kur më kanë burgosur.
Në tubimin famoz për dënimin e Demonstratavet Studentore të 81-shit, isha unë i pari nga mësimdhënësit kundër kësaj nisme dhe isha më i ashpri në kërkesën që, “në vend të studentëvet, të dënoheshin ndërhyrjet brutale të policisë.”
Funksionet: Anëtar i Kryesisë së parë I KMDLNJ, anëtar i kryesisë së parë të Sindikatavet të Pavarura, kryetar i Degës së Zejtarëvet e Biznesit të Vogël, themelues dhe kryetari pare i Shoqatës së Miqësisë shqiptaro-Amerikane, kryetar i parë i Komitetit Olimpik të Kosovës, anëtar i kryesisë së parë të LDK-së, Sekretar i Marrëdhënievet me Jashtë, në kohën kur LDK-ja ishte Lëvizje Gjithëpopullore.
Isha unë që ndërmora hapat e pare dhe i dhashë nismën Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës, sepse shkau nuk largohej dot me biseda.
Isha nismëtar i krijimit të Shërbimit të Inteligjencës dhe emërimit të Fadil Kajtazit në krye të këtij shërbimi.
Për afro 7 vjet isha udhëheqës i Zyrës së Kosovës në Skandinavi dhe nuk mora asnjë lek ndihmë material për vete. Jetoja me mjetet e asistencës sociale që merrte gruaja ime.
Puna 16-18-orëshe dhe sakrifica e djelmoshavet që i kisha pranë, e bënë „të pamundurën“ që suedezët, miq tradicionalë të Sërbisë, gradualisht të ktheheshin në anën tonë.
Në kohën kur Kosova llogaritej pjesë e Sërbisë, unë arrita të krijoj miq në qarqet më të lartë diplomatikë.
Në kohën kur qarqe të ndryshëm diplomatikë jashtë Suedisë as që merrnin guximin të takoheshin me zyrtarë të Kosovës, mua më ftonin ambasadat në ceremonitë festive.
Ambasadorët e vendevet të tjerë presin deri 12 muaj rastin të takojnë ambasadorin amerikan, kurse vogëlia ime, merr ftesën pa iu drejtuar fare dhe ambasadori i SHBA-së Z.Lindon Olson, me të 2-ja këmbët të këputura në luftë, del 150 metra jashtë zyrës, për të më shprehur mirëseardhjen dhe, duke iu përgjigjur pyetjes sime, „Shkëlqesia Juaj, ku e ka burimin nderi kaq i madh që më bëni?“ më thotë: „Unë i dhurova atdheut tim 2 këmbët, ti për atdheun tënd je i gatshëm të japësh edhe më shumë se gjymtyrët“.
Vëllaçko, ka edhe shumë e shumë „krekosje“, të cilat ende gjallojnë në kokën e idealistit të papërmirësueshëm. (471-476).
K.R: Vëlla i dashur, ka kohë që ndjehem i zhgënjyer, sa, muajvet të fundit as të lexoj nuk po mundem. Po duket se edhe ky shekull, për shqiptarët, do ta përsërisë shekullin që la aps. Çarmatimi, ndërrim identiteti, ndërrim flamuri, sulme mbi kulturën tonë, burgosje çlirimtarësh si individë. Qëndrimi i Fuqivet të mëdha ndaj kombit tonë dhe ndaj atdheut tonë ka mbetur i njëjtë. Për ta nuk është fajtor Sërbia që, si pushtues, përgjaku trojet tanë mbi 1 shekull, por jemi ne shqiptarët që kundërshtuam gjenocidin, etnocidin, shfarosjen. Në vend se ta ndihmojnë elementin atdhetar shqiptar, të favorizojnë pavarësinë e bashkimin e shqiptarëvet, ato, (fuqitë e mëdha) si dikur sërbia, po na copëtojnë dhe po favorizojnë fundrrinën e popullit tonë, spiunët e dikurshëm. Qe 1 shekull e njëjta devizë: Sa më shumë ta duash atdheun, aq më e madhe shuplaka që të godet. (484-485).
Sh.Sh: Pjesën më të madhe të fajit e kemi ne. U pajtuam me gjithçka që na u shtrua mbi tavolinë. Fuqitë e mëdha filluan të na përkrahin vetëm kur dëshmuam se jemi të gatshëm të flijojmë gjithçka për lirinë. Të ligun dhe frikacakun s’e do askush. Një popull e meriton fatin që ka. Dhëntë Zoti të mbushemi mend! (485-486).
K.R: Nuk ka dyshim, vëlla, se shpresa e optimizmi e kanë mbajtur gjallë kombin tone. Kjo shpresë e ky optimizëm përherë i ka mobilizuar trimat dhe vetëdijet e zgjuara të kombit për veprim. Por është e çuditshme, mbi 100 vjet qëndresë dhe luftë fort e rëndë që e bartën dhe e vuajtën bijtë më të mirë dhe populli ynë i shkretë, sot, si trofe, ranë në dorë të profiterëvet, në dorë të hajnavet dhe të individëvet të pamoralë. Po ia kthejnë Kosovën përsëri Sërbisë. (486)
Sh.Sh: E ke vështirë të gjesh ndonjë pikë të ndritshme. Zi e terr gjithandej. Çlirimtarët u shndërruan në grabitës dhe u zhveshën nga gjithçka është njerëzore. Për interesa të ulët personalë shesin atdheun. Thua se je mbyllur në vete, ngase të dhemb situata në atdhe. Me këtë dhimbje po përpëlitemi të gjithë, vëllaçko, dhe me këtë dhimbje do të vdesim.

Por, sytë dhe shpresat duhen drejtuar kah gjenerata e re. Tek unë mbetet shpresa se në atdhe ekziston një rini e shëndoshë, e cila shumë shpejt do ta gjejë mënyrën që atdheun ta shpëtojë nga larashët e sotëm dhe ta kthejnë atë në binarët e progresit. (487-488).

Durrës, gusht 2015: Gjokë Dabaj dhe Kadri Rexha.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura